Vincent van Gogh, mjeshtri holandez i tablosë, një nga piktorët më të famshëm dhe më të admiruar në botë, ka të ngjarë se vuante nga një sëmundje psikike provokuar prej varësisë së alkoolit. Të këtij pretendimi kanë dalë studiuesit pas një hulumtimi të gjatë të letrave dhe gjithçka tjetër që ka mbetur derimsot nga mjeshtri.
Për të hetuar çrregullimet e mundshme psikiatrike të artistit, ekspertët intervistuan historianë të artit, ata që njiheshin me 902 letra e piktorit, 820 prej të cilave, dërguar vëllait Theo. Gjithashtu ata studiuan të dhënat mjekësore të bëra nga mjekët që e trajtuan atë.
Mjeshtri Hollandez, i cili prodhoi rreth 900 piktura gjatë jetës së tij, vdiq nga vetëvrasja në 1890 në moshën 37-vjeçare pas viteve të tëra i molepsur nga sëmundja mendore.
Ai mendohet të ketë vuajtur nga një kombinim i çrregullimit të personalitetit bipolar dhe kufitar, megjithëse këto sëmundje nuk u diagnostikuan kurrë.
Studiuesit nga Qendra Mjekësore Universitare Groningen, në Holandë, besojnë se Van Gogh përjetoi dy episode të shkurtra psikotike, të supozuara se ishin delir të shkaktuara nga tërheqja e alkoolit, pas pranimit të tij në spital, kohë pasi ai preu veshin vetes me një brisk në vitin 1888.
Ekspertët besojnë se përçartja e mjeshtrit u shkaktua pasi artisti u detyrua të ndalonte konsumimin alkoolit, pasi ai u shtrua në spital.
Studiuesit thonë gjithashtu se mjeshtri holandez përjetoi disa episode të rënda depresive në vitin e fundit të jetës së tij – të paktën një me tipare të theksuara psikotike.
Ekipi gjithashtu përjashtoi disa teori rreth sëmundjeve të dyshuara prej të cilave vuante Vincente Van Gogh, prej të cilave skizofrenia, sëmundja e rrallë metabolike, porfiri dhe helmimi i gazit nga monoksidi i karbonit “shumë i pabesueshëm”.
Sidoqoftë, ekspertët thonë se teoria se Van Gogh vuante nga epilepsia, një diagnozë e vendosur nga mjekët e tij, mbetet “e hapur për diskutim”.
Në studimin, botuar të hënën në Gazetën Ndërkombëtare të Çrregullimeve Bipolare, studiuesit thonë se “epilepsia e maskuar” e artistit, e njohur gjithashtu si “epilepsi fokale”, mund të ketë çuar në shfaqje të ndryshme të ankthit, iluzioneve dhe halucinacioneve.
Në rastin e Van Gogh, ai mund të ishte shkaktuar si rezultat i dëmtimit të trurit të lidhur me abuzimin e tij me alkoolin, kequshqyerjen, gjumin e dobët dhe lodhjen mendore.
Sidoqoftë, pasi ekzaminime të tilla si teknikat e imazhit dhe testet EEG (teste të sinjalit elektrik) nuk ishin të disponueshme, ekspertët thonë se është e vështirë të thuash me siguri nëse ai vuante nga epilepsia.
Studiuesit paralajmërojnë s pasi ata nuk e intervistuan vetë artistin, përfundimet e tyre duhet të trajtohen me kujdes.
“Ne mendojmë se mund të përjashtojmë me siguri disa diagnoza të sugjeruara më parë dhe ne jemi pak a shumë të sigurt për disa sëmundje nga të cilat ai vuante, por ne kurrë nuk do ta dimë me siguri”, tha në një deklaratë, Willem Nolen, Profesor Emeritus i Psikiatrisë, i cili koordinoi kërkimin.
“Dhe megjithëse letrat e Van Gogh përmbajnë shumë informacione, duhet të kujtojmë se ai nuk ua shkruajti ato mjekëve të tij, por vëllait të tij Theo, anëtarëve të tjerë të familjes dhe të afërmve të tjerë për t’i informuar, për t’i qetësuar ata ose për tu kërkuar diçka. Ai mund të ketë minimizuar apo edhe zbukuruar disa gjëra. Prandaj, artikulli ynë sigurisht nuk do të jetë i fundit për sëmundjet e Van Gogh, “shtoi ai.
BBC
Përgatiti: Albert Vataj