Nga Albert Vataj
“A i i thatë tupanxhisë, m’e rrehë fort lëkurën, se do t’vallzoj me djalin, deri t’më shkundet mirë dheu i vorrit nga trupi… Ma jep dorën bir, se do t’fluturojmë tue kërcye, e qiellin do ta shpojmë me plisin e bardhë” kësisoj ndigjohet brima qiellgërvishtëse e burrit, e gjëmimi poterisës i gurit. Za e zemër, zjarr e zoritje çohen peshë, e gjoksi lyp gjëmimin e t’keqes t’i zatetet. Ejjj more, ndigjoni…”trimi shkon me gjak e kthehet me kangë!”, e qielli s’ndalet n’fluturimin e këtij kushtimi që gjimueshëm kaplon, kah shqipja përplas krahët e rrufeja shkrep zemëratat… se “do t’iu flas këtyne t’pagojve për synin e shpërlamë e lakminë, n’palcën e atyne shqiptarëve, t’cilët, ditën qajnë veten e natën e shesin atdheun!”. Kjo erë e duhi që ban e bjen, me fjalë e me shpirt, ç’ka dheu s’e nxen pa rënkue, bahet izëm i kijametshëm, i gjegjet nji gulçi, e shpërthen diqysh, disi, njasi vakthi e njasaj andje qi… “kishte jetea tre minuta, për ata tre ditë, e për tre minuta kishte folë sa për tridhjetë vjet”… si tue dasht me ç’burgos ç’ka e liga, e flliga e përlyejnë. Kësisoj bzan n’eposin e vet, “Kur fryjnë ernat”, Çun Lajçi.
Ky asht zani i nji shpirti që drithron kur klith, që çon peshë vorret, kur gjimon, që kris qiellin, kur viket e kah shqiptari asht, ai zgjon, tue mos dasht, “me ngarkue shpirtin me dhimtë, ma shumë se mban nji zemër e lëndueme”.
Ç’ka dheu po bar e çon kah shkohet përngut, pa e kthye kryet mbas, vorri se nxën e shpirti si nepet amshimit. Shqipe, përpushi krahët e synin mprehe n’teh t’rrufes, e lshoju ktyne trojeve, kah ikja po merr ma shumë se korbat lanë. Thue kena sos, njaq ligsht, sa mos me mujt me thur t’tjera andrra me pend t’shqipes, e me lshue pendueshëm njat thirrje, hej… “hajde poshtë se gropa asht e madhe e na nxen boll!”, pa d’vet n’se tue u përpjek, kena me i shkue përmbas njatij kushtrimi, njatij zani që thërret me jehon kohnash.
“Kur fryjn ernat” e Çun Lajçit, asht “Iliada” e kushtrimit, eposi i ndërgjegjes qi lyp me u zgju. Sot, ndoshta ma shumë se dje, e ma me përngut se nesër, secili prej nesh, shqipfolës e shqipshkrues, duhet me ba ç’mosin, qi me mbet ç’ka na ka ra për hise me ken, kjoft edhe me u “ba hi, se prej hinit kena dal”, por jo pa u djeg, pa flakërue.
***
Dimensioni i kohjes së kësaj vepre i kapërcen ceqet e çdo epike tjetër. Ngase ajo ka n’themel të ngjizjes së vet shpirtjen e nji krahnori qi del prej zjarrit, si tue dal prej barkut t’nans, e ngrihet beftas n’nji natë vorri tue mbledh kapuçat në arën e lërueme me gjam, e lagun me gjak. Ani, edhe i vdekun, kryeprem, shkon e lyp plisin e bardh, mos me e lan përdhe, ndërsa zbardh e kullës i janë lëshue gjujt, nëpër arë shpërnda gurët e pragut.
Se njaj shpirt qi s’epet vdekjes, e t’gjallit i mëton gjithqysh se po don… ” t’i shkel dërrasat me fjalën e randë pa i thye gjunjt”, e me përpush kohnave, kah zani “heshtjen e vetmis teme t’mbytun” don me udhëpri kah “rrugët i kam shkelë tue bajtë hijen e saj n’shpin”. Çun Lajçi beson se “kur t’fryn era, ke me shfletu shkronja e shkronja, e kanë me t’ardh si gurgullimë prrojesh, me freskue shpirtin tand diku rrezullimit!” e ftyra ka me i ba dritë prej gëzimit.
Droja e dhimta s’po don me e lan n’gjum as n’dhé, tekatje ku nata bjen vdekjen nga qielli e shpirtin zgjohet. Poter e kijamet, kah “zani shkrihej n’krisma pushkësh”, e prej kësaj zezon, “po tranonte lahutën”, kangë e vaj, prush n’sy e n’buzë, e kujton se “rrudhave t’ktij balli kanë kalu krajla e krajli”.
“Me t’fol pa shibla e kah del shpirti”, i lyp, kush ndigjon, e s’ndal kah trojet me gjak vaditëm prej Prevezet, n’Dardani, Çamëri, Hot e Guci, ç’ka kjem alban e shqipen flakëruem n’flamur. “… Tanë dimnin i parita brijtë e thyem me at kapuç” e “kryet ruen me plisin e bardhë si kreshtë malesh”.
Me plisin ndër duer, e tue lyp kryet nëpër arë, thërret, thye n’turr… “a e dini se për afajin tuej, nji ditë, nër kët plis, mund të mbijë farë e huej! Edhe djepi i huej mund t’përkunden trojeve tona n’mungesën” e tanju qi zut veç me ik, me e pa krena, plisat lëshue arës kah gjaku kuqlon. Se… “po s’hini kosa, bijnë therrat e bahen mal! Korbat krrokasin e sorrat çelin zogj.”
***
Na duhet t’jemi t’privilegjuem qi ia mbrritme një shpërblese të tillë, një zani kaq origjinal e t’kulluem n’pikë të lotit. Një mundesie qi shkrep dritë, tue dasht me e dëbue natën që ka xane e i ban hije kapardisjeve tona e ankimeve qi jargiten ma ligsht se vet e liga. Çun Lajçi një ndër korifejt e artit tonë skenik, rivjen pas një stuhie drithëruese krijuese, për të ngjitur në kreshtën më të naltë.
“Kur fryjnë ernat” asht një risi, një gjëmim që përshkon tejpërtej caqet e ndërmendjes historike të kombit shqiptar, tue cekë nëpër shkreptima, kah bjen dritë e zjarr, përpushje varresh e dogoni shpirti, shkulme varresh e vërshim plagësh. Rrëmon në të shkuemen e kohnave, nëpër t’cillat rendi historia e kijametshme e qëndresës dhe përpjekjeve t’lame n’lumenj n’gjaku.
Zani i atij kushtrimi baret me ernat dhe gjëmon stuhishëm. Nuk ka za ma të potershëm se thirrja e kohës, pëshpëritja e kujtesës, gjegjja e atyne shpirtrave që kungojnë duhishëm nga harresa e i zateten këtij gjëmimi, si në një vullnet të lartë që nepet zgjimit.
Çun Lajçi vjen me këtë roman poetik, ndoshta më kohanik se asnjiherë. Ai zgjohet me shpirtin, e ashtu si në një trill tmerri, e merr shpirtin e vet e i’a ngjesh mallit të naltë të vërshimit, që i asht lëshue me përla gjithëçfarë i xen rrugën, ani pse asht aty, prej se dielli i ka ra tokës, e qielli ka pa me dritë dielli e shkreptima yjesh.
“Kur fryjnë ernat”, asht një epik, ku poetika, monologu, dialogu, sa real po aq dhe surreal, identifikojnë më shumë se dramën personale, atë me përmasa etnike, lufte dhe qëndrese, shkruan “Buzuku”. Kjo sprovë asht ma shumë se një letërsi ndryshe, një za, një zemër, që i përgjigjet një shpirti. Zgjimi i vetëdijes përmes zanit të atyne shkriptimave që ndezën zjarr, e diej kohnave, kur nata zezonte njisoj zaçjerrun si sot, si sot kur i madhe vogël po ikin tue dasht me shpëtu secli bythën e vet, e kryet lan arave, e plisat mbajnë nan sqetull.
Por Çun Lajçi nget nëpër natë e arave, kah vdekja kujis, e gjithçka asht djeg e përzhitë, nget me me plisin e bardë në dorë, tue kërkue kryet. Edhe pse ai shpirt heq dorë, tue than: “S’kam kujt me i fol ma!”, çohet vërtik e zalëshon: “Biro, ruajma plisin e babës, dhe gjeje nji kokë, t’meçme se i duhet Kosovës (qe besa edhe Shqipnisë), sot ma shumë se kurrë!” Edhe pse ligsht ai bzan: “Na gjithçka patëm, por mend për nji plis, jo!”
***
Pa asnjë mëdyshje, Çun Lajçi është një fenomen në letërsinë shqipe dhe “Kur fryjnë ernat” asht nji libër i pashkruem më parë, një za qi lyp veshë me ndi e vullnete me u ba, hapi i këtij shtati, që me plisin e bardhë lyp kryet, kah ernat i’a kan hup.
Befasia krijuese e tij nuk asht vetëm në poetikën kushtruese, por spariherë asht shpërthim i asaj shpirtje që e çon gjithkah ku ai don me gjet andje me u ep. Gjithë komponentët krijues të këtij romani poetik mblidhen si në një solemnitet të epërm vlerash, me dëshmu stilin e pagjsshëm në letrat shqipe, shtrirjen kohore të përcikjes dhe prushjes historike, kurrkush i mahershëm nuk e ka cek në të tillë caqe. Mesazhi që përçon tejkalon çdo thirrje që ka çue pesh zemrat e gjokset kohërendjeve, kah turras shkuem.
Trajtesa në formën e një monologu që shkrihet me një natyrshmëri të beftë në dialog, bëhet dëshmi e forcës dhe peshës, me të cilën ai i zatetet shkasit që cyt në zgjim, aniqysh tue nxjerr nga honet e harrimit e tue e valvit si një flamur n’betejën për vetëdije kombëtare. Dikush mundet me mendue se globalizmi i ka zgjidh njiherë e përgjithmonë gjakjen tonë prej shpërgenjve, tue e gjet këtë kambanë n’nji kumbim t’mbytun heshtjeje. Asht sall kjo gjas qi ka nguc, Çaun Lajçin, at shpirt qi rend arave me vorre e varrë, tue lyp kryet për plisin e bardhë. “U mundu me i qetësua kapuçat e dalldisun frymet” e shpirtrat mos me i lshue fryme…”atje ku me gjak i vunë gurët e kufinit baballarët tonë!”
“Kend po shifte ai n’kafkën e mbushun krrokama?”, bzan ai shpirt, ligjëron ajo fjalë e endun fillit të lahutës e tendosun vetimash. Koha, koha i bahet shkulm e izmin i’a përpush me dhimbjen e plisave, e vullnesa e përkundun n’djep qi e ra e barutit e flaka e zezonës e bar.
***
Nuk ka ç’ka e pajton zanin e poetit, shpirtin qi lyp plisave krenat, s’ka ç’ka e ndal. Thërret e nëse ka kush e digjon, duhet n’kam me u çue, e me ju ba krah këtij zogu, e syth kësaj pranvere, që ka me ardh e fara ka me mbi, ku rriten filiza që buzën u’a njomi gjaku e tamli i gjinit. Kohanik si gjithherë që kjo tokë thirr gjakun e hedh farën, edhe kësi vakthi, Çun Lajçi thërret e gjimon: “Ku mbetën ata që banë gjykset gropa tue rrehë me grushta!? Ata që thojshin: Ata që thojshin, ma përpara japim kryet se kapuçin”. Kjo është një thirrje, ky asht një fshikull, një shkundullimë mbetet, e përlan gjithkah veshën ndigjojnë e sytë pajnë pertej ç’ka shihet e përpihet turresh e dufesh.
“A po na kallxon, çka po bahet me këtë plis që e ke qitë n’krye! shtërzen e fshan zani e shpirti e shpërthen se… “Kur t’vdesin shqiptarët, atëherë merren vesh mes veti, thuju, hej, mozomakeq për neve e për juve. që tret i keni krenat rrugëve t’botës!!” Gjithkush, gjithqysh mundet me ba ç’ka mundet, e pse jo ç’ka duhet, n’se ka gjak ndër deje, gjak prej atij që u derdh kah lanë eshtnat sulltan e pashë, krajl e zaptije.
” I futi gishtat n’tokën qi po digjte, muer dhé e shkrum bashkë dhe e mbushi at plisin e madh”… një copë atdhe muer me vedi tue mendue e ligshtue… “Nëse më del shpirti dikund rrugëve e vdes, këtë dhé ma hedhin ftyrës, e plisin ma qesin n’krye, për m’e dijtë se ç’ka jam e kush jam. Sepse vdekjen e kena ma ngat se këmishën, besa ma afër se lëkurën, e vetëm dheu yt shpirtin ta rehaton!” A kishte me pas tjetër piskamë ma therrëse që pikon këtij qielli, e na derdhet n’plagë… ai druen se “Sytë t’mbesin çel për nji grusht dhé.” Se… “Atdheu s’vjen me vorr mbas teje, e ti s’mundesh me hi n’at’dhé për s’deknit, se luftë asht!
“Ku i keni krenat, o kapuça leshi? Ata burrat që iu gjuajtën arave, e iu lanë vjerrun garlliqeve”. Prush e përpush shpirti, e zemrës za i nep, izëm lyp ndër kohë e vullnete, e thërret: “S’lihet dheu pa farë, por as fara pa dhé s’mbin… Kush ka m’ua shnosh varrët e shpirtit për oborret mbushun n’vorre? Gjithëkjo piskamë vjen, kah toka digjet zjarrit t’luftës, e s’pushon prej harrimit që bjen si brymë, e çon hopa dheun, tue dasht me e ruajt gjurmën qi vjen, e më e hup hapin qi ikën.
S’fal ajo zemër qi se çau dhimbja e po e thërmon braktisja… e idhnushëm bzan, trun e shan: “E lat dheun tuj që të digjet dhe i futët kokat n’thes që të shpëtoni”… Ani, “në plis ua solla dheun, dheun që i vjen era barut e gjak, veç me ua kujtue se kudo të shkoni, ngado që të vini, ky dhé ka me ju prit!”, kjo nanë ka me ju çit, e prehën ka me pas gjithqysh për mallin tuej qi djeg. Fjala, fjalën nuk ia pret e kangë e vaj i këndon e shfren… “Ç’janë këto plisa arave?! Këto s’mbijnë pa koka! E pisket ky za:
“Ku e ke djepin qi ruajsha për nipat”
“Ma gjeni plisin se s’muj me shkua te shpia kryeshtruet… m’leni t’rritem përrenjve, si ata që lindën n’flakë pushkësh. M’lini t’bahem plis me rrema si ata… Ikni korba, se dheun e kam n’plis e me dhé temin i mbuloj… Kur ia prunë trupin te vorret e kur e lëshuen n’gropë, shkoi dhe u palue nën dërrasa!”… e mbyllet sipari, fiken dritat, ndalon za e frym… e si nji diell i shpërthen n’gjoks poetit zemra blatue kësaj epike. Ky asht Çun Lajçi! Kjo asht “Iliada” epike e kushtrimit të brezave, zafillun n’nji shpirt qi su pajtue e su dorzu, s’pati flakë qi e djeg, por dhimbja e ligshtoi, pa muajt me e shkreh n’gjunj. Ai asht bardhu n’nji shpirt qi asht ma i bardh se bora e ma i dritshëm se plisi qi e krenon.