Nga Albert Vataj
Në librin e tij, “On Writing”, Stephen King tregon se të shkruash është diçka magjike. Në fakt, është vërtet kështu: me anën e një romani mund të komunikosh nëpërmjet fjalëve me lexuesit që mund të jetojnë mijëra kilometra larg teje. Kur libri është cilësor, ai mund t‘u mbijetojë gjithë kohërave. Shumë prej jush, mund t‘ju shkojë ndërmend për romanet më të bukura që keni lexuar, mbi kryeveprat e letërsisë së vjetër apo bashkëkohore. Çfarë kanë të përbashkët romanet më të mirë? Nuk është gjinia letrare, as stili, fabula, apo emri i autorit… Po atëherë cili është çelësi i suksesit të tyre?
Alkimia e të shkruarit
Nuk është se ekziston ndonjë sekret i përbashkët, por receta e “një romani të mirë” dhe përbërësit e tjerë që e shoqërojnë nuk janë të panjohur, madje përfaqësojnë elementet me të cilët shkrimtarët dhe botuesit përballen çdo ditë. Problemi është lidhja e këtyre përbërësve, alkimia që krijon një sekuencë fjalësh që magjepsin publikun dhe e tërheqin atë në universin magjik të letërsisë.
Tre përbërësit kryesorë
Tre janë përbërësit kryesorë: talenti, stili dhe teknika dhe një shkrimtar i zoti di ti akordojë ashtu siç duhet këto elemente. Talenti është një karakteristikë e lindur. Vështirësia e vërtetë qëndron në njohjen dhe kuptimin e tij kur mund të barazohet me kreativitetin artistik.
Për fat të keq nuk ekzistojnë manualë që t‘i tregojnë dikujt talentin e tij/saj. Por është plotësisht e vërtetë se talenti nuk të shpie gjëkundi, nëse nuk ke një stil dhe një teknikë të caktuar.
Stili është shprehja e mendimeve vetjake, shuma e teknikave që disponon një autor, si dhe mënyra se si ai i inkuadron gjërat. Të kesh stil nuk do të thotë se di të shkruash mirë, do të thotë si të shprehesh në mënyrë personale. Kjo aftësi është pjesërisht e lindur, por pjesërisht mund të ndërtohet nëpërmjet teknikës së të shkruarit. Kjo e fundit është “gëlqerja” me të cilin një shkrimtar mund të forcojë pasurinë stilistike, si dhe talentin që e karakterizon. Teknika mund të përmirësojë stilin personal, si dhe është e mundur që t‘i japë formë talentit vetjak. Për fat të mirë, kjo është një aftësi që mund të mësohet me studim dhe metodë, duke e pasuruar me lexime të mira, ose me konsulencën që ofrojnë manualë të ndryshëm. Edhe për një roman, ashtu si edhe për çdo vepër tjetër artistike, ajo që ka rëndësi është pikënisja: sinjali i krijuar nga një emocion, sugjerim, ose nga dëshira për të imituar diçka që ju ka goditur.
Nëse ideja për të treguar lind nga një sërë faktorësh, të cilët janë të vështirë për t‘u klasifikuar, kur nis procesin krijues autori duhet të jetë në gjendje që të dallojë menjëherë idenë më pikante, atë më interesanten. Por kini kujdes: ideja interesante nuk do të thotë që të jetë me çdo kusht origjinale.
Shumë romane bazohen në të njëjtën ide, por ajo që i dallon është mënyra me të cilën është përballur problemi, si dhe pikëvështrimi që i prezantohet publikut. Mekanizmi që i jep jetë procesit krijues në të shumtën e rasteve është personal: mund të jetë një përshtypje, ndjenjë, por edhe refleksion.
Lijini vend fantazisë
Një roman duhet të ketë një strukturë të brendshme, një skelet rreth të cilit të vendosen përbërësit që do t‘i japin jetë veprës së përfunduar. Fillimisht niset me një ide dhe ndërtohet një histori (gjithçka do të ndodhë në tregim). Disa shkrimtarë nuk fillojnë të shkruajnë nëse nuk kanë përvijuar rrjedhën që do të marrë historia, me të cilën edhe do të ecin. Të tjerët ia lënë kohës dhe kreativitetit rrjedhën e historisë së tyre. Hapi i suksesshëm është t‘i lësh vend rrëfimit, tregimit. Duhet të bëhet një dallim i qartë mes tregimit dhe përshkrimit.
Kufizimi i detajeve
Gjëja tjetër që duhet evituar është infodump, që do të thotë informacion i tepërt. Kini parasysh të evitoni ujërat.