Nga Albert Vataj
Më 17 nëntor 1888 ditën e shtunë në ora 6 e mbrëmjes në rruga Leonardo Da Vinçi nr: 10 (Villa Istriana) – Firence, vdes parakohe princesha Dora d’Istria në moshën 60-vjeçare pas një sëmundje që e bënte të vuante prej vitesh.
Dëshirat e fundit në testamentin e saj të shkruar me dorën e vet (9 janar 1886) ishte që funerali të zhvillohej me një ceremoni të thjeshtë civile ndërsa trupi të kremohej në varezat e Trespinianos (Firence), ku ruhet edhe sot e kësaj dite urna e saj. Tregonte kështu edhe me vdekjen e saj një akt të lartë civilizimi por edhe humanizmi të shquar kur shkruante se:
“Je donne a l’école des sourds muets ma maison et mes jardins sis Rue Leonardo da Vinci n. 10 et Viale Militare.”
Instituti Kombëtar i shurdhmemecëve ndodhej pikërisht në të njëjtën rrugë dhe kishte nisur jetën e vet dy vjet më parë se Dora d’Istria të shkruante këtë dëshirë në testamentin e saj. Mirëpo nga ana tjetër nuk la pa shpërblyer nga pasurija e saj ngërzit e familjes madje deri tek kopshtari i devotshëm që i qëndroi besnik gjithë jetën. Mbas disa vitesh administrata e institutit vendosi ta shiste Vilën Istria dhe kopshtin për rreth saj deri sa më 1932 duke kaluar dorë më dorë këto pasuri u prishën për të zënë vend ndërtesa të reja.
Filologu dhe orientalisti i shquar A. De Gubernatis për një nga takimet e tij të para me Dora d’Istrian do të shkruante:
Unë nuk e kam njohur si princeshën Elena të Rumanisë, por nga korret e himneve të bukurisë së saj greke, që më kumbojnë rreth e rrotull, himne princash dhe peshkatarësh, poetësh dhe kritikë, e sarmati-ve të ashpër dhe latinëve të këndshëm, duhet të pranoj që nuk bëhet fjalë për një bukuri të stisur, të një Diana të zbehtë, të një lulele të fishkur, por ama të një flake të fortë e të fshehur, gjithmonë e ndritshme e gjithmonë plotëjetë….Rumenë, shqiptarë, grekë, sllavë, latinë e trajtojnë dhe e respektojnë si bashkëqytetaren e tyre të palodhur Dora d’Istrian, sepse ajo ka bërë të tingëllojë në Perëndim fjala e saj e këndshme, e ndjeshme, e gjallë dhe elegante në dobi të të gjithëve : për Orientin e pastaj për latinët ajo shpjegoi cilësitë e gjermanëve, të skandinavëve, të fimaingëvë dhe të anglo-saksonve, me qëllim që progresi të mos mbetej priviligj i vetëm disa popujve…(rivista “Contemporanea Nazionale Italiana”, Torino, prill 1869)
Në vazhdim të këtij mendimi të vyer të Gubernatit nuk na mbetet gjë tjetër të themi për këtë princeshë veçse një nga pionieret e para të Evropës së Bashkuar.
Firence 23.XII.2010
Historia e familjes Gjika, me origjinë nga Përmeti
Të parët e familjes Gjika largohen prej Zërecit të Përmetit dhe vendosen në Kostandinopojë në kërkim të një jete më të mirë. Ata u morën me tregti dhe arritën të hynin në lagjen Fanari, ku qëndronin të krishterët e pasur të Perandorisë. E vazhduan profesionin e tregtarit, madje edhe Gjergj Gjika, themeluesi i dinastisë, e ushtronte këtë profesion kur u njoh me kryevezirin me origjinë shqiptare, Mehmet Pashë Qypriliu, i cili e ndihmoi të ngjiste shkallët e rangut shoqëror dhe i hapi dyert e pushtetit. Familja Gjika, ndoshta në kohën e Gjergjit, shpërngulet nga Kostandinopoja dhe vendoset në territoret rumune, që përfitonin prej statusit të “Dar al sulli”, – toka e pajtimit, që u lejonte këtyre territoreve të kishin strukturat e tyre politike, administrative dhe ushtarake, pra të kishin vetëqeverisje të plotë të brendshme, ndërsa politikën e jashtme ishin të detyruar ta harmonizonin me shtetin osman, sipas parimit se principatat danubjane do të ishin “miku i mikut dhe armiku i armikut” të Perandorisë Osmane. Me ndihmën e kryevezirit shqiptar Mehmet Pashë Qypriliu e princit shqiptar Vasil Lupi, natyrisht duke patur edhe miratimin e sulltanit, themeluesi i dinastisë Gjika u përzgjodh për të sunduar Moldavinë dhe pastaj Vllahinë. Përgjegjshmëria në kryerjen e detyrës, respekti i madh që kjo familje fitoi, si dhe kontributet që dhanë në konsolidimin e të dyja principatave bënë që pjesëtarë të tjerë të familjes, njëri pas tjetrit, për dyqind e pesëdhjetë vjet radhazi, të drejtojnë fillimisht në principatat e Vllahisë dhe të Moldavisë dhe pastaj në Rumaninë e bashkuar. Pjesëtarë të familjes Gjika u lidhën me anë të martesave me shumë familje të shquara aristokratike europiane dhe dhanë personalitete të shumtë. Për arsye politike, pas vendosjes në Rumani të regjimit komunist, shumë prej tyre u larguan nga Rumania dhe emigruan në qendrat e mëdha botërore: Nju Jork, Uashington, Berlin, Drezden, Vjenë etj., duke lënë gjurmët e tyre në këto qytete. Megjithatë, gjurmët e familjes Gjika në Rumani janë të pranishme kudo dhe pjesëtarët e kësaj dinastie, krenarë për origjinën e tyre, vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin e shtetit dhe të shoqërisë rumune.
Gjergj Gjika, themeluesi i dinastisë Gjergj Gjika lindi rreth vitit 1600 dhe në vitet e para të jetës së tij është marrë me tregti dhe kishte në Kostandinopojë një pozitë për t’u lakmuar. Ai u lidh me kryevezirin shqiptar, Mehmet Pashë Qypriliu, i cili e ndihmon që të ngjitet në rangun shoqëror. Ka të dhëna se gjatë kësaj kohe shkon në principatat rumune, ku njihet me princin me origjinë shqiptare, Vasil Lupi, i cili e futi në radhën e fisnikërisë. Me ndërhyrjen e kryevezirit Qypriliu, princi moldav Stefan Georgiu e emëroi Gjergj Gjikën Kapua Kehaia (përfaqësues i princit të Moldavisë pranë Portës së Lartë). Pastaj Gjergji u bë fillimisht princ i Moldavisë në vitet 1658-1659 dhe i Vllahisë në vitet 1659-1660 dhe 1673-1678. Gjergj Gjika la gjurmë të pashlyera në historinë rumune, pasi e transferoi kryeqytetin prej Tirgovishte për në Bukuresht, ku ndodhet edhe sot. Gjithashtu ai themeloi një dinasti princërore që shkëlqeu për rreth dy shekuj e gjysmë, duke dhënë sundimtarë dhe qeveritarë të shkëlqyer, politikanë dhe diplomatë, njerëz të artit, kulturës dhe të fesë, që kanë dhënë ndihmesën e tyre të madhe në zhvillimin e shoqërisë rumune.
****
Origjina shqiptare e Gjikajve
Jo vetëm nga autorët, që përmendëm më sipër, por edhe në fjalorë dhe enciklopedi shënohet kurdoherë origjina shqiptare e kësaj familjeje të madhe, që ka lënë gjurmë të pashlyera në Vllahi e në Moldavi me prijësit e personalitetet e larta, që u ka dhënë nga viti 1658 deri më 1856. Prandaj, të duken krejt paradoksale dhe të stisura e të mbështetura kryesisht në gojëdhëna tentativat e shtetit helen për ta quajtur “qytetare greke” Elena Gjikën. Nuk do të kishim asgjë të kundërt, që të cilësohet e shpallet “Qytetare Nderi” e Greqisë, praktikë që ndiqet nga shumë shtete për personalitete me kontribute të shquara, aq më tepër që studimet e saj kanë rrezatime ballkanike, por le të përmendim vetëm faktet:
A-Duke i kujtuar De Radës në një letër çastin kur ajo vizitoi në Miselengj varrin e shqiptarit të madh, Marko Boçari, suliotit rënë në luftë për lirinë e Greqisë, i shkruante: “Duke vendosur në Miselengj lule mbi varrin e Boçarit, u luta që të shoh një ditë të valojë mbi varrin e Kastriotit të madh flamuri, që ai ka mbrojtur me lavdi në njëqind beteja. Na u realizoftë kjo aspirtë!”
B-Në përgjigjen, që u jep më 4 maj 1881 treqind vajzave të shkollave të Shkodrës, kur ato i çuan një pendë argjendi, Dora D’Istria i thotë: “E marr me mend pendën e bukur të shqiptareve të mia të dashura, të cilat do të kisha dëshirë t’i përqafoja një ditë. Uroj që kjo pendë më e fortë se një skeptër të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë, atdheut tim të nderuar.”
C-Një pjesë të mirë të veprave të saj ajo ia kushton Shqipërisë (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, Shqiptarët arbëreshë të Italisë Jugore”, “Skica shqiptare”, “Shqiptarë muslimanë”, “Shqiptarët në Rumani” etj.) gjë që s’ka nevojë të argumentohet. Madje, në letërkëmbimet e shumta të saj, si me De Radën dhe shkrimtarë e studiues të tjerë arbëreshë apo të huaj (Leonardo De Martino, Dhimitër Kamarada, Zef Jubani, Thimi Mitko, Ksilander, Bep, Hahn, Shtir, Benlev, Shlajher, Temazeu etj.) bie në sy se ajo kurdoherë flet për fatet e Shqipërisë dhe dëshirën e vet, që ta shohë të lirë, mundësisht sa të ishte ajo vetë gjallë.
Ç-Më 1880 Elena shkon në SHBA, ku takoi poetin e “Hajavathes”, Henri Longfelloun, të cilit i foli me pasion për Shqipërinë e Skënderbeun, duke e frymëzuar artistin e famshëm 80-vjeçar për të shkruar poemën “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” dy vjet para se të vdiste, poemë që, aq mjeshtërisht, e përktheu më pas Fan Stilian Noli.
D-Poetesha vjeneze, Jozefina Knorr, pat shkruar për miken e saj se Elena, jo vetëm rridhte nga një gurrë fort e kulluar shqiptare, që ishte e shtrenjtë për shqiptarët, por edhe se “ajo iu kushtua tërësisht çështjeve të tyre”.
E-Elena, për atdheun e saj të nderuar, Shqipërinë, ishte krenar, e pamposhtur në çdo lajkë dhe joshje të të huajve. “Dashuria për atdhe, – nënvizonte ajo, – ka qenë gjithmonë veçoria kryesore e shqiptarit. Shqipëria në të gjitha kohët ka qenë vendi i heronjve. Kombi shqiptar është një popull i fortë, i fuqishëm, porsi shkëmbenjtë ku jeton. Shqiptarët janë të gjallë, të gëzueshëm, punëtorë dhe zemërbardhë. Kur është puna për t’i dalë zot atdheut, ose për të mbrojtur fëmijët e vet, ai është hero në kuptimin e mirëfilltë të fjalës”. Në plan të parë Elena Gjika vinte bashkimin e popullit shqiptar pa dallim fetar, krahinor dhe shoqëror, luftonte pengesat e këtij bashkimi kombëtar.
Elena Gjika, alias Dora d’Istria (pseudonim letrar), është shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. U lind në Bukuresht (1828), dhe vdiq në Firence (1888). Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik dhe të shtypjes kombëtare. Përkrahu nxehtësisht lëvizjen kombëtare shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj., dhe rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sipas Wikipedia-s, Dora d’Istria vuri në dukje nëpërmjet këngëve popullore/historike luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman. Është e njohur para opinionit me në varg studimesh: “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin “Dora d’Istrias – Shqiptarët” (“A Dora d’Istria – Gli Albanesi”, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike.
***
Shkrimet e Elena Gjikës (Dora d’Istrias), e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare e reputacionit të madh evropian, janë studime të gjera mbi folklorin dhe jetën materiale e shpirtërore të popullit rumun dhe atë të popujve të tjerë të Evropës Juglindore. Duke u mbështetur në baza të shëndosha kritike e shkencore, ajo shkroi për manastiret e Evropës Lindore, duke iu kundërvënë dogmatizmit, formave skolastike dhe jetës së mbyllur. Vepra voluminoze e Dora d’Istrias, “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860), është një libër atraktiv, në të cilin shprehet adhurimi dhe dashuria ndaj krejt grave të siujdhesës ballkanike, humanizmi dhe mendimi progresiv i autores për emancipimin e tyre. Shkroi pastaj kujtime, studime dhe mbresa udhëtimi nga Alpet e Zvicrës, të Gjermanisë, romane dhe artikuj të panumërt, të shpërndarë nëpër gazeta dhe revista të ndryshme me renome botërore, krejt këto të mbështetura mbi një edukatë të shëndoshë, talent të fuqishëm dhe kulturë të gjerë.
Veprat e Dora d’Istrias janë të mbrujtura me idenë e shenjtë të emancipimit kombëtar e ndërkombëtar, të përparimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet popujve. Shkrimet e saj gëzojnë një famë të madhe dhe vlerësim të lartë evropian, ndërsa autorja e tyre, sipas mendimit të disa komentatorëve, qëndron krahas autoritetit të Zonjës Stawl dhe George Sanda. Për Elena Gjikën, shqiptarët kanë botuar një sërë monografish, si: Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës Dora d’Istrias” (“Mihal Duri”, Tiranë, 1967, 5..000 kopje), Cristia Maksutovici, “Un nume pe nderpet uitat: Dora d’Istria”/“Një emër i harruar me të padrejtë – Dora d’Istria” (“Ararat”, Bukuresht, 1997), Kristia Maksuti, “Elena Gjika dhe Shqiptarët e Rumanisë”, (Çabej, Tetovë, 2001), Ahmet Kondo, “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, (“Flesh”, Tiranë, 2002), Cristia Maksutovici, “Dora d’Istria”, (“Kriterion”, Bukuresht, 2004), etj.
Princesha e kulturës evropiane
Elena Gjika ishte një enciklopedi e gjallë. Përveç shqipes e rumanishtes, komunikonte edhe në pesë gjuhë tjera evropiane. Posedonte një vullnet të hatashëm për hulumtime shkencore dhe mbante korrespondencë e lidhje të drejtpërdrejta me dijetarë e personalitete të shquara të kohës. Për Elena Gjikën ka shkruar për hijeshi poeti Cezar Boliac, shkrimtar dhe personalitet i njohur i kulturës transilvanase, Gheorghe Baritiu, poeti, romancieri dhe eseisti Radu Ionescu, autori i historisë së parë të madhe të Bukureshtit, Grigore Peretz, i cili e filloi përkthimin në rumanisht të veprave të shkrimtares, duke botuar brenda viteve 1876-1877 dy vëllime të mëdha “Operele Doamnei Dora d’Istria” (“Veprat e Zonjës Dora d’Istria”), me një kapacitet prej afro 1.400 faqesh. Para apo pas vitit 1877, sporadikisht janë botuar edhe shkrime e përkthime të tjera të Elena Gjikës. Kah fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, janë botuar artikuj të shumtë, si dhe studime të mëdha në formë broshurash, përkushtuar Dora d’Istrias e të nënshkruara prej dijetarit të madh evropian Nicolae Iorga, kritikut letrar Gheorghe Calinescu, publicistit Magda Nicolaescu Ioan, A. Vasculescu (i cili hartoi për të një broshurë në kuadrin e koleksionit “Njohuri të nevojshme”).
Elena Gjika ishte një humaniste e pashoqe. Kishte vizione të qarta politike në shërbim të popujve të vegjël. Studionte një varg kombësish evropiane, sipas folklorit të tyre, duke mos i harruar edhe shqiptarët. Shndrit në këtë drejtim vepra e saj “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” Sipas prof. univ. Dimitrie Păcurariu, Elena Gjika është mbretëreshë e kulturës evropiane. Ajo shkroi jo vetëm për emancipimin e femrës rumune, shqiptare e serbe sipas këngëve popullore, por edhe për atë hungareze, bullgare, greke, turke etj. Ajo i ka njohur mirë popujt e Evropës Juglindore, dhe në shkrimet e veta ka përfshirë aspekte nga jeta, historia dhe kultura e këtyre popujve, duke e përkrahur luftën e tyre për liri, pavarësi dhe përparim. Për shembull, në serinë e studimeve mbi këngët popullore të kësaj pjese evropiane, Elena Gjika është orvatur ta deshifrojë karakterin kombëtar të krejt kombeve në mënyrë të barabartë, pa ambicie e xhelozi, duke u mbështetur në reflektimet e krijimtarisë anonime të këtyre popujve. Mu për këtë gjest të hijshëm të dashurisë ndaj popujve të kësaj zone, Dora d’Istria ka qenë shumë e çmuar në shekullin e saj, si nga ana e shkrimtarëve, po ashtu edhe nga ana e qarqeve intelektuale dhe personaliteteve politike të shquara të Evropës.
Në njërin nga librat e saj bëhet fjalë edhe për prejardhjen e moçme shqiptare
Elena Gjika u lind në Bukuresht, më 2 janar të vitit 1828, ku edhe e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën. Ajo ishte e bija e guvernatorit Mihalache Ghica, i cili nga ana e tij ishte vëlla me sunduesin e Muntenisë, Grigore Ghica (1822-1828) dhe sunduesin e Vllahisë, Alexandru Ghica (1834-1842). Në kohën e sundimit të Aleksandrit, babai i Elenës ishte ministër i Punëve të Brendshme, por, kur ai ra nga posti ministror, familja Gjika u detyrua ta braktisë Bukureshtin. Megjithatë, në shkrime të panumërta të saj, Elena e ka evokuar me një nostalgji përdëllimtare vendlindjen e saj, Bukureshtin e fëmijërisë, shëtitjet e saj, takimin me romancierin e madh rumun, Jon Heliade Rădulescu, për të cilin në studimin “Letërsia rumune” thotë: “Që fëmijë rrija pranë nënës dhe dëgjoja se si Rădulescu, me regëtimë zemre recitonte poemat e veta. Ishim asokohe në afërsi të Bukureshtit, në vilën e poetit, e rrethuar kjo me lule e hije dhe e strehuar prej vapës përvëlimtare të korrikut. Dëgjoja vetëm zërin e tij dhe me sytë e shpirtit ia shihja fantazmat madhështore që riftoheshin prej imagjinatës së tij krijuese. E ruajta me xhelozi kujtimin e këtyre çasteve të çmuara dhe jo më kot, ato ma mësuan dashurinë ndaj lirisë dhe kultin ndaj çdo gjëje që është e madhërishme dhe e shenjtë.”
Ion Ghica është memorialisti më i madh rumun, i shekullit XIX, kushëri i Elena Gjikës. Në një monografi dedikuar Ion Ghikës, Dimitrie Păcurariu e ka përshkruar gjenealogjinë e kësaj familjeje, duke theksuar se familja Gjika ka tradita të vjetra në historinë e trojeve rumune. Dega e saj shquhet që nga shek. XVI, duke dhënë figura autoritative në Moldovë e Vllahi. Në njërin prej librave të veta, Elena Gjika bën fjalë për prejardhjen e moçme shqiptare, të kësaj familjeje të rumanizuar përgjatë gjeneratave, me anë të martesave të përziera me rumunë. Në gjirin e kësaj familjeje kanë lindur edhe shkrimtarë tjerë të shquar, si memorialisti Jon Ghica, i cili në shkrimet e veta e përkujton edhe vëllanë e vet, Pantazi Ghica, dramaturg, prozator dhe publicist i njohur i shekullit XIX. Elena Gjika ndërkaq, mbetet figurë markante e kësaj familjeje, ngaqë ajo për herë të parë, përmes prizmit kritik, argumenteve shkencore dhe artit letrar, i nxori në dritë vetitë më të mira pozitive të popujve të Ballkanit.
Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare
“Meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë. Serbi Dushan i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit”. Dora d’Istria bën fjalë për Serbinë okupatore të Car Dushanit, për Çamërinë shqiptare, për Tivarin shqiptar, për preokupimet e dijetarëve gjermanë lidhur me prejardhjen dhe betejat legjendare të shqiptarëve kundër pushtimit osman, për Mirditën si “Zemra e Shqipërisë Katolike”, për Katër Shqipëritë (Gegëria, Toskëria, Labëria dhe Çamëria), të cilat Rexhep Voka i Shipkovicës, që para një shekulli i konsideronte si “Katër Kalema”. Elena Gjika është gruaja fisnike që bën fjalë për shqiptarët trima e bujarë, për shqiptarët komb ushtarësh, për këtë popull krenar e sypatrembur. Çfarë mrekullie sikur të ishim të gjithë të këtillë! Kaherë do ta kishim Shqipërinë reale e origjinale, unike e demokratike.
Një monografi me vlera të larta shkencore
Të shumta janë gratë shqiptare që ia shtojnë namin Shqipërisë dhe shqiptarizmit, që nga mbretëresha Teuta e Ilirisë e deri te Dora d’Istria e Rumanisë. Sinqerisht, po qe se analizojmë faktet, konstatojmë se Rumania ka dhënë dhe është duke dhënë kontribut të madh, edhe për çështjen shqiptare. Duke e falënderuar shkrimtarin elbasanas Milianov Kallupi, na ra në dorë libri më i bukur që kanë shkruar shqiptarët për princeshën rumune me prejardhje shqiptare: Dora d’Istria (1828-1888), e njohur në botën magjike të dijetarëve me dy përkatësi etnike dhe me dy emra të bukur: Elena Gjika (emri origjinal) dhe Dora d’Istria (pseudonim letrar). Është gruaja që bën fjalë për shqiptarët “trima e bujarë”, për shqiptarët “komb ushtarësh”, për këtë popull “krenar e sypatrembur”. Çfarë mrekullie sikur të ishim të gjithë të këtillë! Kaherë do ta kishim Shqipërinë reale e origjinale, unike e demokratike.
Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare (autor Ahmet Kondo, botoi “FLESH”, Tiranë, 2002), është një libër me vlera të larta shkencore. Autori i saj është historian i mirënjohur, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, autor i një numri të madh botimesh shkencore me karakter historik, pjesa dërrmuese e të cilave i përkasin periudhës magjike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Zoti Kondo shquhet në botën tonë shkencore me monografitë “Flamuri i Arbrit” (1883-1887), “Drita”-“Dituria” (1884-1885), “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare në letërkëmbimin e saj me Jeronim de Radën” (1971), “Çështja Kombëtare në faqet e shtypit të Rilindjes” (1980), “Lufta kundër analfabetizmit në Shqipëri” (1985), etj. Libri që mban në dorë sot lexuesi (“Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”), është varianti i plotë, i zgjeruar dhe i përpunuar, me burime origjinale mbi shijet paranojake të pansllavizmit dhe panhelenizmit që përgjatë shek. XIX. Në monografi del në pah admirimi i Perëndimit katolik ndaj shqiptarëve, propozimet e Elena Gjikës për hapjen e Akademisë shqiptare në Itali etj. Libri i zotit Kondo mbi Elena Gjikën ka 220 faqe ngjyrë qumështi, të një cilësie të lartë, si dhe do kopertina të bukura me portretin e autorit dhe atë të Dora d’Istrias, këtë të fundit, të riprodhuar nga piktori shqiptar, Zef Shoshi. Redaktore e botimit është Vera Ibrahimi, ndërsa përgatitjen kompjuterike e ka bërë Laurita Hudhri. Flamur Hudhri ndërkaq ka realizuar aspektin grafik të kësaj vepre, e botuar në sajë të mbështetjes financiare të fondacionit për kulturën dhe artet “Fan Noli”. Dora d’Istria bën fjalë për Serbinë okupatore të Car Dushanit, për Çamërinë shqiptare, për Tivarin shqiptar, për preokupimet e dijetarëve gjermanë lidhur me prejardhjen dhe betejat legjendare të shqiptarëve kundër pushtimit osman, për Mirditën si zemra e Shqipërisë katolike, për admirimin e vashave të Shkodrës ndaj princeshës rumune, për Katër Shqipëritë (Gegëria, Toskëria, Labëria dhe Çamëria), të cilat Rexhep Voka i Shipkovicës, që para një shekulli i konsideronte si Katër Kalema.
Militante e shquar e lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar
105 letrat me karakter atdhetar të Dora d’Istrias dërguar De Radës, si dhe 65 faqet e komentimit të korrespondencës, ku bëhet fjalë edhe për portretin intelektual të kësaj princeshe, përbëjnë lëndën e librit në fjalë. Këto letra, të shkruara frëngjisht, Dora d’Istria ia ka dërguar De Radës brenda viteve 1865-1887, nga Zvicra, Livorno, Venediku, Torino, Firence etj. Ato ndodhen sot, të përkthyera në gjuhën shqipe, në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës. Po japim vetëm një fragment nga letra që ia drejton De Radës nga Firence, më 7 nëntor 1876, një vit para se ta intensifikojë zullumin Serbia kundër shqiptarëve të Toplicës:
“Zotëri! Kam marrë shumë ekzemplarë të Manifestit arbëresh-italian, për të cilin më flisni. Në qoftë se shqiptarët ishin sllavë, atëherë Shqipëria mund ta shqyrtonte çështjen, nëse kombet sllave të gadishullit tonë kanë interes ta përkrahin pansllavizmin. Por, meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë.. Serbi Dushan i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit” Dhe më tej, po në të njëjtën letër vazhdon: “S’ka dyshim, zotëri, se asnjërit nga ne nuk i ra ndërmend t’i sigurojë Perandorisë Osmane, të shkatërruar prej shekujsh nga despotizmi, një jetë të amshuar. S’ka dyshim se ne do të gëzoheshim, sikur filosllavët e Bullgarisë dhe serbët e Bosnjës të arrinin të gëzonin të drejtat që u takojnë gjithë popujve. Por, para së gjithash, ne duhet të punojmë për vetëqenien e shqiptarëve si komb.” (faqe 158-159). Edhe pse për figurën e Dora d’Istrias kanë shkruar studiues të ndryshëm shqiptarë, rumunë dhe të huaj, në këtë libër figura e saj trajtohet për herë të parë në aspektin politik, si militante e shquar, e lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar, dhe atë në dritën e letërkëmbimit të saj me Jeronim de Radën. Varianti i parë i këtij libri e pa dritën e botimit në vitin 1971, mirëpo, Elena Kadare dhe Jusuf Vrioni, ndërkohë shprehën mendimin që në ardhmëri libri të rimerrej përsëri në dorë nga autori, dhe të ribotohej me i plotë, dhe me kritere shkencore më të përpunuara, gjë që u krye. Kjo vepër u ribotua me të njëjtin titull, por me një hyrje të gjerë studimore, me shënime dhe komente të shumta, me një përmbledhje në gjuhën angleze dhe me ilustrime. Libri në fjalë synon të paraqesë në mënyrë më të plotë një figurë të shquar, e cila gjatë tërë jetës u përpoq të bëjë të njohur Shqipërinë dhe popullin e saj në luftën për liri e pavarësi kombëtare, duke vënë në dukje edhe punën e madhe të intelektualëve shqiptarë dhe arbëreshë në shërbim të kombit tonë. Nëpërmjet letrave dërguar De Radës dhe artikujve të shumtë, të botuar në shtypin evropian dhe amerikan, del në pah edhe krenaria e saj për origjinën shqiptare të familjes Gjika të Rumanisë. Dora d’Istria për merita të larta është vlerësuar me shumë dekorata dhe vlerësime të tjera nga vende të ndryshme të botës, madje edhe në Shqipëri. Elena Gjika dhe albanologu Grigore Brenkush, që të dy nga Bukureshti, e kanë konsideruar Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë, dhe atë, me dhjetëra libra e qindra studime. Po qe se shkenca nuk ka atdhe, njeriu i shkencës duhet të mendojë përherë për krejt atë që i sjell famë atdheut të vet. Që të dy janë dijetarë, dhe te çdo dijetar i madh do të gjeni para së gjithash një patriot të madh.
“Albanica”
Elena Gjika, princesha e dinastisë
Elena Gjika, e njohur për opinionin publik edhe me pseudonimin e saj letrar Dora D’Istria ishte shkrimtare, historiane, etnografe, alpiniste, luftëtare e shquar për çlirimin e Shqipërisë dhe emancipimin e saj. Elena lindi në Bukuresht më 22 janar të vitit 1828. Ishte bija e Mihal Gjikës (1794-1850) dhe mbesa e princit në detyrë, Grigori IV Gjika. I ati ishte arkeolog dhe numazmatolog, themelues i koleksionit të pullave postare në Muzeumin Kombëtar të Bukureshtit. Ndërsa e ëma, Catincai Gjika (Foca) ishte një shkrimtare dhe përkthyese, grua me bukuri të rrallë. Elena pati një vëlla, Gjergjin dhe një motër, Gjeorgjetën, e cila u martua me princin Stefan Lupasco në vitin 1929. Vetë Elena mori edukim të zgjedhur. Arsimin fillestar dhe të mesëm i kreu në Konstanca e Bukuresht, ndërsa arsimin e lartë e filloi në Vjenë dhe e përfundoi në Drezden dhe Berlin. Elena u bë njëra ndër gratë më të kulturuara europiane të kohës së vet. Që në moshën katërmbëdhjetëvjeçare dinte nëntë gjuhë të huaja. Në turin e parë europian me familjen, ajo i habiti oborrtarët e Uilliamit IV të Prusisë, kur përktheu në gjermanisht mbishkrimet latinisht të një artefaku të vjetër, që ishte sjellë në Pallat prej Humboldit. Mrekullia e vogël, siç i thoshin në atë periudhë, dinte përmendësh Homerin në gjermanisht. Elena shkroi mjaft libra që trajtojnë çështje të artit, ekonomisë politike, historisë, filozofisë, folklorit, si dhe tregime, mbresa, përshtypje udhëtimi etj. Veprën e saj të parë e botoi në gjuhën frënge në vitin 1855. Në botimet e saj ajo përdori jo vetëm rumanishten, por edhe gjuhën italiane, gjermane, frënge, latine, greqishten e vjetër dhe moderne, rusishten dhe shqipen. Në nëntë prej veprave të saj ajo merret me jetën e shqiptarëve dhe problemet e tyre. Përmendim ndër to librat: Gratë në Lindje, vëllimi I, 1859; Kombi shqiptar pas këngëve popullore, 1866; Vizatime shqiptare, 1868; Shqiptarët e Rumanisë, Florencë 1872. Kultura e saj ishte kozmopolite, megjithëse nga studiuesit shihet si përhapëse e qytetërimit perëndimor në Lindje dhe veprimtare e emancipimit të femrës.
Martesa me princin rus
Elena kaloi një jetë të trazuar. Shpirti i saj romantik nuk u qetësua kur u martua me princin rus Aleksandër Koltov Massalskij dhe u gjend në Oborrin Perandorak të Carit Nikollai I. Jeta e Pallatit i ndrydhi shpirtin, prandaj largohet prej andej për në Zvicër dhe pastaj udhëton edhe në vende të tjera, deri në Amerikë. Në vitin 1862 bëhet Qytetare Nderi e Athinës, duke u bërë personaliteti i dytë pas Bajronit që e fitoi një nderim të tillë. Ambasadori i Rusisë, duke e prezantuar si princeshë ruse, për shkak të martesës me një princ rus, e paraqiti para Mbretëreshës, Amalia të Greqisë. Vetë Elena në udhëtimet e shpeshta që bënte u takua me elitën politike dhe intelektuale të kohës, duke ua bërë të njohur çështjen shqiptare. Ajo e nxiti poetin amerikan Longfellou që të shkruante një poemë për Skënderbeun. Me rëndësi është miqësia dhe letërkëmbimi i gjatë që pati me poetin e shquar arbëresh Jeronim de Rada. Veprimtaria atdhetare e Elena Gjikës mbërriti deri në Shqipërinë e robëruar. Rilindësi shqiptar Zef Jubani i kushtoi një vjershë të frymëzuar, në shenjë mirënjohje për ndihmën e çmuar që kishte dhënë për çështjen shqiptare. Ndërsa një rilindës tjetër, arbëreshi Leonardo de Martino, në emër të treqind vajzave shqiptare, i dhuroi Elena Gjikës një penë të punuar në filigram, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë që kishin vajzat shqiptare për të. Trashëgimia letrare e Elena Gjikës është e shpërndarë në disa vende: Rumani, Shqipëri, Itali, Zvicër dhe Greqi. Në letërkëmbimet e shumta me De Radën, Kamardën, De Martinon, Mitkon, Jubanin, e tjerë; në takimet me personalitete të larta politike të popujve të tjerë si Garibaldi, në takimet me albanologët e shquar Ksilander, Bop, Han, Shlajhner etj., ajo u bë përfaqësuesja më e shquar e femrës shqiptare në botë. Elena Gjika vdiq në Florence në vitin 1888. Ajo është konsideruar njëra ndër femrat më të shquara europiane të shekullit XIX.
Vepra letrare e Dora D’Istrias
Tematika e veprave të Elena Gjikës është shumë e gjerë. Në librin Jeta monasticike në kishat lindore (Bruksel 1855; botimi i dytë, Paris 1858) ajo kërkon heqjen e urdhrave monasticikë. Ndërsa në veprën Zvicra Gjermane (Gjenevë 1856 në katër volume; botimi i dytë gjermanisht, Zyrih 1860 në tre volume) bëhet përshkrimi i vendit dhe i njerëzve të Zvicrës. Libri “Femërat e Lindjes” (Zyrih 1859, dy volume) flet për emancipimin e grave në Levant dhe vende të tjera të Lindjes. Aty flitet edhe për gjendjen e gruas shqiptare. Kurse në librin Femra për femrat Dora D’Istria krahason gjendjen e femrës në Europën Latine me Gjermaninë, duke kërkuar me zë të lartë trajtimin e barabartë të grave dhe burrave. Në librin Ekskursione në Rumeli dhe More tregon se Greqia e Vjetër kishte po aq kërkesa qytetëruese sa Gjermania e kohës së saj. Vlen për tu përmendur vepra Shqiptarët e Rumanisë, ku jepet një përshkrim i princërve Gjika nga shekulli XVII deri në shekullin XIX, botuar në Florence në vitin 1873. Elena Gjika botoi edhe librin Poezia e Otomanëve botimi i dytë, Paris 1877. Ajo shkroi edhe një numër të madh shkrimesh për çështje të historisë së letërsisë, poezisë, politikës, religjionit, problemeve sociale, historisë, artit, e tjerë në disa organe të njohura shtypi si në Revue des Deux Mondes të Francës; Libre Recherche të Belgjikës; Diritto, Antologia Nuova, Rivista Europea të Italisë, si dhe në revista rumune, greke dhe amerikane. Dora D’Istria merrej edhe me pikturë.
Vepra të shkruara për Elena Gjikën
Armand Pommier, Madame la comtesse Dora D’Istria, Brussels 1863 Charles Yriarte, Portraits cosmopolites, Paris 1870 Bartolomeo Ceçhetti, Bibliografia della Principessa Elena Ghica, Dora D’Istria, Florence 1873 Luisa Rossi, Dora D’Istria. I bagni di mare. Una principessa europea alla scoperta della Riviera, Sagep, Genova, 1998. Nicolae Iorga, Lettres de Dora D’Istria, shih në Revue historique du Sudest Europeen nr 1-3, Paris 1932. Dictionar Mondofemina, femei romane, Vol 1: A-K, p.139-140
Ndërkohë që në gjuhën shqipe janë botuar disa vepra të Elena Gjikës, si dhe janë shkruar disa monografi për jetën e saj. Dora D’Istria, “Gra të para nga një grua”, shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2003. Elena Gjika, “Letra drejtuar Jeronim de Radës”, shtëpia botuese “Bargjini” 2004. Elena Gjika, “Fyletia arbenore” prej Kanekate Iaoshima, përktheu Demetrio Camarda, Livorno 1867. Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës” (Dora D’Istrias), Rilindja, Prishtinë, 1970. Koli Xoxi, Zvicra dhe Dora D’Istria, Tiranë, Alta 1995. Koli Xoxi, “Erazmi i Roterdamit dhe Helena Gjika”, Marin Barleti, Tiranë, 1994. Koli Xoxi, “Franca sipas Dora D’Istrias”, Tiranë 1997. Ahmet Kondo, “Dora D’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, Tiranë 2002. Cristia Maksutoviç, “Elena Gjika dhe shqiptarët e Rumanisë”, Tetovë 2001.
N.Loka