Nga Albert Vataj
Sonte, mjafton të shtrije dorën dhe do të “kapje” hënën. Poetike, idilike, fantastike, magjepsëse, një ëndërr e bërë realitet. Një fluturake fëminore që e ushqen vetëdijen dhe forcën tonë të zotërimit me një energji kaq shkëlqimtare. Një shkas për të besuar se edhe ne jemi pjesë e kësaj galaksie, faktor në dukuritë astronimike.
Ishte një privilegj, padyshim për ata që patën fatin ta shoqërojnë këtë spektakël të universit në qiellin e natës së 14 nëntorit . Për ata që nata nuk kishte gjumë në sy, mundën të përjetonin një kontakt që mundësohej pas 70 vitesh. Imagjinojeni një takim kaq të përmallshëm, një takim që nuk duhej kurrsesi të humbiste në dëshirimin e atyre që deshën t’i jepnin vetes së tyre një forcë të këtillë emocioni.
Pasmësnatën e 13 nëntorit dhe në orët e para të 14 nëntorit, hëna u shfaq krejt ndryshe nga tjetërherë, shumë afër me tokën, siç dhe u parashikua nga astronomët, 14% më e madhe dhe 30% më e ndritshme sesa në një mbrëmje të zakonshme. Natyrisht kjo mundësi nuk duhej të ishte një shans për t’u humbur për shumë të pasionuar pas hapësirës dhe pas fotografisë.
Një fotografi me hënën e rrallë do të ishte padyshim një kujtim i bukur, një mbresë që do të poetizonte çastet e nevojës për ledhatim galaktikë.
Por nëse do të shihni qiellin, duhet të siguroheni që është koha e duhur për ta parë, pasi i gjithë procesi astronimik, gjithë ky parakalim shkëlqimtar hënor do të zgjaste për 71 minuta.
Pas 70 vitesh, bota përcolli me ëndje dhe adhurim këtë spektakël astronomik, i cili nuk do të përsëritet më deri në vitin 2034.
Në fakt viti 2016 është karakterizuar nga të ashtuquajtura “super hënat”. Në kalendarin e NASA-s 3 datat e shënuara për fenomenet e lidhura me të janë 16 tetor, 14 nëntor dhe 14 dhjetor, por ajo e muajit nëntor mbahet si më e rralla. Hëna do të shfaqej me veçoritë e saja të pazakonta astronomike jo më larg se 356. 424 kilometra larg tokës, por prania e saj, natyrisht u përjetua më pranë.
Tremujori i fundit i vitit 2016 është po ashtu një moment i shënuar për të gjithë personat që besojnë tek fuqitë e universit, pasi sipas disa teorive supersticioze, hëna e re e muajit nëntor do të sjellë energji dhe zhvillime të reja. Shumë syresh pretendojnë se ky fenomen ndikon në aktivitetin sizmik. Me gjithë skepticizmin e promovuar, lëkundjet e tokës nuk janë përjashtuar nga veprimtari sizmike. Shkencërisht “superhëna” nuk gjen pohim bindës që lidh atë me tërmetet, por përkimet e ndodhive të këtilla, para dhe pas kësaj dukurie nuk mund dhe nuk duhet të jenë thjeshtë rastësi.