Ungjijtë Apokrifë merren pak me Marinë gjatë viteve të predikimit publik të Jezusit e në periudhën pas Rrëshajëve. Ndërsa merren shumë me ngjarjet e fundit të jetës së saj tokësore e me lumnimin qiellor. E kjo është tema e apokrifeve, kushtuar ngjarjes, që njihet me emrin Transit, Kalim: Përgjumja e Zojës apo Fjetja e Hyjlindëses. Me këtë temë u krijuan një numër i madh shkrimesh apokrife, që tregojnë me shumë hollësi ditët e fundit të jetës së Marisë mbi këtë tokë si edhe kalimin e saj të lumnueshëm në jetën qiellore.
Rrëfimi apokrif i çasteve të fundit të Nënës së Krishtit
Kur një engjëll i kumton Marisë se çasti i shumëdëshiruar për të qenë përsëri pranë të Birit është afër, fytyra e saj shndërrohet nga gëzimi. Zemra i gufon nga shpresa. E kjo shpresë e mbush me gjallëri aq, sa t’i programojë orët e saj të fundit. Orë, që e ndajnë nga kalimi i vijës së kufirit ndërmjet jetës tokësore e asaj qiellore. I lutet të Birit të vijë ai vetë t’ia marrë shpirtin. E sa për korpin, ajo u jep apostujve, që ngarendën rreth saj, porositë e duhura për funeralin. Të duket se Maria e di mirë ç’vlerë kishtare do të kishte ngjarja e Nisjes së saj nga kjo tokë. Dëshiron, prandaj, të japë ndihmesën për zhvillimin e ngjarjeve, në mënyrë që të shprehin gjithë thellësinë e misterit.
Zoja, pasi jep shpirt
Pasi jep shpirtin në duart e të Birit hyjnor e pas procesionit mortor nga Sioni, në Gjetseman – tregojnë apokrifët – korpi i saj pushon tri ditë në varr. Ditën e tretë Shën Toma apostull, gjithnjë i vonuar, shpreh dëshirën ta shikojë edhe një herë Nënën e Zotit. Hapet, prandaj varri – tregohet në apokrifet. – E gjindet bosh! Këtu ndjehet fort analogjia me varrosjen dhe ngjalljen e Krishtit e ideja, që kanë besimtarët për t’i bërë sa më të ngjashëm Amë e Bir!
R. SH. – Vatikan