Nga Albert Vataj
Kush është ai burrë që do të preferonte feminilitetin e mbuluar të kimonosë, para atij të bikinit? Cili evropian apo amerikan do të ëndërronte që të përkëdhelte fytyrën apo gushën si prej porcelani apo atë pjesë të shpinës që premton për më tej? Cili është ai i huaj që do të mbetej i magjepsur nga një dorë që nxiton të fshehë një buzëqeshje? E kush nuk mund t’i konsiderojë eksituese vallëzimet dhe muzikën tradicionale, përkëdhelitë dhe lojërat? Pavarësisht kësaj, geishat në perëndim konsiderohen priftëreshat lindore të Erosit. Por ky admirim mund të jetë si ai i Malit Fuxhi: sa më larg të jesh, aq më i përsosur
Për një evropian pa lidhjet e duhura në Japoni, të papërgatitur, apo pa sasinë e duhur të parave, mundësitë që të kalojë mbrëmjen me një geishë janë zero. Dhe më mirë kështu, për të dy. Për geishën, një mijë euro honorar nuk do të ishin një shpërblim i mjaftueshëm për fyerjen e të ekspozuarit përpara një njeriu të vrazhdë, që e fikson pa kuptuar asgjë dhe që ngërdheshet. Që nuk njeh këngët japoneze dhe që nuk di të vlerësojë përkëdhelitë. Situata do të ishte po kaq e dhimbshme edhe për klientin: kënga dhe tingulli i instrumentit mund t’i duken gjë e kotë, dhe vallëzimi i geishës është një lloj tai-chi me kimono. Dhe pavarësisht turbullimit që i vjen prej uiskit, do të kishte ndjesinë e pakënaqshme të të shfaqurit si njeri i pakultivuar.
Geishat që përshkojnë sot lagjen ekskluzive të Gion në Kioto dhe Akasaka në Tokio ngjajnë si flutura. Ecin me hapa të vegjël, me këmbët e kthyera pakëz nga brenda, me fytyrën e lyer me të bardhë dhe gojën e vogël të kuqe, si një qershizë. Geishat vijnë nga një tjetër botë, nga e kaluara. Të vjen t’i prekësh për të parë nëse janë të vërteta.
Sot në Gion jetojnë 118 geisha, më pak se 5 mijë në të gjithë Japoninë. 200 vjet më parë, vetëm në Gion ishin 3 mijë dhe në vitin 1920, në të gjithë vendin kishte afërsisht 80 mijë geisha. Në kohët e lindjes së kulturës së tyre, ato zotëronin artin e konfirmimit të egos së mashkullit, i sfilitur nga puna e rëndë e përditshme, duke i dhënë atij siguri dhe duke e përkëdhelur për orë të tëra. Falë edhe ndihmës së sake-s apo të uiskit, burrat ishin më se të lumtur tek rinoheshin sërish.
Sot tradicionalistët ankohen për rënien e cilësisë së edukimit të geishave, ashtu sikurse dhe për korruptimin e zakoneve të klientëve të tyre. Gjithnjë e më pak japonezë, si burra, si gra, e njohin botën ekzotike të geishave. Dhe c’është më e keqja, as nuk duan që ta njohin.
Në fakt geishat u kujtojnë shumë japonezëve një kohë, kur gratë ishin thjeshtë komplementuese të burrave dhe pa të drejta, të mbyllura në shtëpi dhe të destinuara vetëm për të lindur fëmijë, dhe jo për kënaqësi. Deri jo shumë kohë më parë, në të drejtën martesore japoneze përmendeshin, mes shtatë arsyeve të divorcit, të ndëshkueshme prej burrave, jo vetëm mungesa e fëmijëve, por edhe “llafazanëria” e bashkëshortes. Të njëjtat arsye për të cilat paguhej një geishë.
Menaxherët me të ardhura të larta sot nuk i kalojnë më mbrëmjet në shoqërinë e atyre që një herë e një kohë bënin të tërboheshin bashkëshortet. Sot, për një “danna”, të kesh një geishë në vend të një Porsche, duket se ke dalë jashtë mode. Edhe sepse, ndryshe nga sa ndodh për automobilët, për traditë lidhja me një geishë zgjat për gjithë jetën. Sot vetëm një e pesta e geishave mbahet ende prej danna-ve të tyre. Patronazhi i tyre i një herë e një kohe, një lloj pensioni dhe mbrojtjeje kundër papunësisë së geishave, është ezauruar. Dhe ndoshta një farë Z. Uno e di përsenë.
Në qershor 1989, kryeministri i sapozgjedhur japonez, atëherë 67 vjecari Sosuke Uno bleu për 3 milion Jen, afro 20 mijë euro sot, një geishë për ta bërë të dashurën e tij. Zonja në fjalë, Mitsuko Nakanishi, shkeli betimin e detyruar të heshtjes, detyrim ky për të gjithë geishat, kur Uno mori detyrën. I përshkruar si një padron dorështrënguar, Uno u detyruar të lërë postin vetëm dy muaj më vonë.
Bota perëndimore e përqeshi. Ne na duket absurde që të investojmë pagën për shërbimet e një geishe. Kush është ai burrë që do të preferonte feminilitetin e mbuluar të kimonosë, para atij të bikinit? Cili europian apo amerikan do të ëndërronte që të përkëdhelte fytyrën apo gushën si prej porcelani, apo atë pjesë të shpinës që premton për më tej? Cili është ai i huaj që do të mbetej i magjepsur nga një dorë që nxiton të fshehë një buzëqeshje? E kush mund t’i konsiderojë eksituese vallëzimet dhe muzikën tradicionale, përkëdhelitë dhe lojërat? Pavarësisht kësaj, geishat në perëndim konsiderohen priftëreshat lindore të Erosit. Por ky admirim mund të jetë si ai i Malit Fuxhi: sa më larg të jesh, aq më i përsosur.
Një botë e mbyllur
Nëse ekzistenca e geishave mund të jetë në rrezik, legjenda reziston. Ashtu sikurse debati i përjetshëm për shenjtërinë apo poshtërimin e tyre, që në 2001 u cua para gjykatës, kur geisha e famshme Mineko Ivasaki akuzoi për shpifje dhe shkelje kontrate shkrimtarin amerikan Arthur Golden, i cili në librin e tij “Kujtimet e një geishe” shkruan për prostitucion ritual si dhe për faktin që shkeli premtimin që i kish bërë asaj si informatore, për t’i ruajtur anonimatin.
Filmi, i bazuar në bestsellerin e Golden arriti që në 2006 të fyejë, si të apasionuarit pas këtij arti, ashtu edhe puristët japonezë, si nacionalshovinistët kinezë, e madje edhe europianët e dashuruar pas Azisë Lindore.
Për kinezët, Ziyi Zhang në rolin e “prostitutës” së armikut të saj për vdekje, prekte tradhëtinë ndaj atdheut. Në Japoni pati ankesa për faktin që heroina Sayuri, për të pushtuar tregun global, hoqi dorë nga truku i bardhë dhe zëvendësoi vallëzimin tradicional me akrobacira.
E habitshme ishte heshtja ku u mbyll shoqata e geishave të Kiotos, vendi ku mes 1927 dhe 1946 zhvillohen ngjarjet e romanit. Shoqata zgjodhi mencurisht që gazetat në ndjekje të skandaleve të ngrejnë pyetjen, nëse një geishë është një konkubinë, një artiste, apo të dyja bashkë.
Një pikëpyetje që është pjesë e historisë së geishave që nga viti 1760. Tokio e sotme në atë kohë quhej Edo, dhe në fund të shekullit XVIII numëronte më shumë se një milion banorë. Në brendësi të kulturës qytetare shumë të zhvilluar, bota paralele e geishave përfaqësonte një enklavë hedoniste, në një shtet feudal të udhëhequr prej rregullave të rreptë. Jo rrallë tempujt shintoistë, apo tempujt budistë, ndodheshin pranë lagjeve të natës. Trupat dhe shpirtërat bëheshin bashkë në një simbiozë ndjesish: luteshin për mirëqenie në një vend dhe përbri tij shpenzohej pa hesap për këto vajza. Bota shumë e varfër rurale ishte e përjashtuar. Ata që sot adhurojnë shkëlqimin e arteve të epokës së Edos – kabukit, muzikën, artin e gdhendjes – duhet të pranojë lindjen e tyre pikërisht në lagjet e kënaqësive.
Favore shumë të fshehtë
Geishat ruanin sekretet e këtij universi paralel dhe të arteve femërore.
Ngahera, e tyrja ka qenë një botë e përbërë nga gratë, që toleron vetëm baristët dhe bashkëshortët e drejtoreve të shtëpive të geishave – edhe sot, gjatë ditës. Asnjë marrëdhënie me samurait: për klasën e luftëtarëve, objekt i simpatisë seksuale më të pastër, kanë qenë gjithmonë të rejat.
Geishat, që në Kioto quhen geiko, u shërbenin caj dhe sake shumë pak fisnikëve. Vallëzonin, këndonin dhe përkëdhelnin klientët. Favoret seksualë mbaheshin sekret. Konkubinat nuk donin që biznesi i tyre të shkatërrohej prej lidhjes së re me geishat; kështu që qeveria vendosi t’u japë grave dy licenca të ndryshme.
Udhëtarët e asaj kohe tregonin shpesh herë të tmerruar, por jo pa zili, mungesën e moralit të një shoqërie pa lidhje kristiane apo konfuciane, ku gratë mund të merreshin me qera pa mëkat dhe pa faj, edhe për qëllime erotike. Deri në cfarë pike shkonte një grua, ky ka mbetur gjithmonë një mister. Megjithatë, në Edo, e para që u quajt Geishë ka qenë Kikuya: ishte një prostitutë, të paktën kjo është e sigurtë. Thuhet se këndonte dhe i binte shamisen-it, një lloj lahute me bisht të gjatë, e bërë me lëkurë maceje. Shumë geisha viheshin me dëshirë në shërbim të një geigi okyia apo një geigi geshuku, emrat e shtëpive të geishave që kanë rezistuar deri sot. Të anëtarësuarat e reja ishin bijat e tyre të paligjshme, apo bijat e blera nga familje të varfëra fshatarësh e samurajësh, ose tregtarësh që kishin falimentuar dhe ishin zhytur në varfëri. Pagesa për një vajzë të vogël ishte e barabartë me sasinë e orizit të konsumuar për një vit. Shërbimi për shlyerje borxhesh, si mundësi për ngjitje në shkallën sociale, përkundrejt alternativës së varfërisë dhe urisë, nuk ishte një zgjidhje e keqe.
“Stërvitja” zgjaste disa vite. Në kontratat me shtëpitë e geishave parashikoheshin një hua dhe një periudhë shërbimi, shpesh herë dhjetë vite. Rrallëherë vajzat largoheshin: muajt e mungesës futeshin tek shuma e huasë. Vajzat, duke punuar duhej të shlyenin borxhet për ushqimin, leksionet e vallëzimit, këngës, muzikës, kimonosë dhe tualetit. Shumë prej tyre stimuloheshiin nga perspektiva e fitimit më të madh se gratë e tjera, si dhe për t’i lejuar vetes një farë lirie edhe në skllavëri, ashtu sikurse dhe mundësia për të zotëruar ato vetë një ditë një okiya, apo një shtëpi caji.
Një gazetare britanike që ka jetuar gjatë me geisha i ka quajtur “gratë e para moderne të Japonisë”, duke qenë se që nga viti 1945 mundeshin që të vendosnin vetë për fatin e tyre, më shumë nga sa mund të shpresonte një bashkëshorte e zakonshme.
Dhe kjo pavarësisht përdorimit shumë të përhapur mes konkubinave japoneze, e ndoshta edhe mes geishave, të “mizuages”, ose më saktë nxjerrja në ankand e virgjërisë, konsideruar edhe si një lloj fillese. Një zakon turbullues, mbi të gjitha nëse merret parasysh që shumat e konsiderueshme të parave (afro 50 mijë euro) që hidheshin për këtë natë të parë, për traditë i takonin shtëpisë.
Vetëm nga viti 1930 vajzat filluan që të mbajnë vetë 40 përqind të shumës dhe, me pak fat, mund të shprehnin një farë preference për konkurrentët. Ky lloj përdorimi i femrave u braktis një herë e mirë në 1945.
Prostituta luksi?
Një geishë, pa premtimin e saj erotik, nuk ka mister. Pyetja është se me cfarë shpeshtësie e ruan çdo geishë. Për të patur një vlerë në treg nevojitet diskrecion dhe nuk mund t’i besohet rezervimit të meshkujve. Mineko Ivasaki, që në vitin 2002 botoi “Historia e ndaluar e një geishe”, si përgjigje ndaj romanit të Arthur Golden “Kujtimet e një geishe” mohon gjithçka: “Geisha ishte gjithmonë ajo që do të donte vetë të ishte”.
Sa më të kushtueshme dhe të rangut të lartë të ishin lagjet e argëtimit në qytete, aq më selektive mund të ishte geisha: një perandoreshë, që si klient kishte mbretin. Koleget e saj nuk ia kalonin dhe aq mirë në periferitë dhe në lokalitetet e provincës. Klientët prisnin që të respektoheshin dhe të nderoheshin.
Sot geishat janë zonjat e shtëpive të luksit. Nuk dinë as të gatuajnë, as të jetojnë pa shërbyesen dhe më mirë do të preferonin të vdisnin, se sa të merrnin metronë. I shohin shtëpiaket nga lartë poshtë, ashtu si një herë e një kohë shiheshin ato vetë prej kurtizaneve, dhe vetëkrahasohen me divet e operas. E megjithatë, gjatë ditës, shumë prej tyre jetojnë si gjithë gratë e tjera: vetëm se shkëlqejnë më shumë. Gjatë mbrëmjes kapin flokët dhe pas një tualeti të zgjatur, zbulojnë fytyrën e tyre të vërtetë, një maskë mirëqenieje dhe premtimesh që geisha në romanin e Goldenit e quan “buzëqeshja JO”, ashtu si maskat e ngurta të teatrit tradicional japonez. Për të siguruar favore, në Kioto klientët e rinj duhet të prezantohen me një garant që të sigurojë sjelljen e mirë dhe aftësinë e pagesës. Megjithatë, prej kohësh ekzistojnë geisha që nuk këndojnë më live dhe që nuk i bien shamisen-it, apo që nuk kanë turp të vallëzojnë nën tingujt e Digital Geisha, një variant për iPod. Tarifat janë të njëjtat, si për një geishë të re e të bukur, ashtu dhe një të madhe në moshë: do të ishte keq të argëtoheshe vetëm me të rejat dhe të shfaqje mungesë respekti dhe vetëdisiplinimi ndaj artit të njërës prej këtyre grave. E megjithatë, gjithnjë e më pak klientë e respektojnë këtë parim.
Për të ruajtur ekosistemin e geishave me shtëpitë e tij, kopshtet dhe restorantet, Ginko Nikishava prej vitesh drejtore e një shtëpie të pasur geishash në Tokio, themeloi në vitin 2002 Shoqatën për ruajtjen e traditës së arteve të epokës së Edos. Një shenjë e keqe, duke parë që edhe në Japoni vlen rregulli që, shoqatat e respektueshme janë eutanazia e erotizmit.
Uve Shmit/ Author: E. Gjinaj