Nga Albert Vataj
Kleopatra mbetet emblemë e harmonisë së bukurisë dhe pushtetit. Historia e njerëzimit ende e ka të pamundur ta zbresë atë nga kreshta e krenarisë së gjithëkohjes. Ajo vazhdon të frymëzojë, të josh, të manipulojë, të magjeps. Pamja e saj e jashtme për të cilën thuhet se kishte qenë e papërballueshme, karakteri i saj, për të cilën është thënë se ishte aq sugjestionuese, e mbi të gjitha, joshjet e saj që tundonin këdo, kanë frymëzuar penelata dhe pena, kanë dalldisur sipërmarrës dhe vetmohues. Kohë pas kohë, hulumtime e dritëlëshime mbi fakte e dëshmime që i huazon koha, kanë bërë të mundur ta pasurojnë, ta qartësojnë dhe ta hyjnizojnë atë. Në një farë qëllimsie vullnetlirë, të ngulmojnë për ta lënë këtë shembull si i papërsëritshëm në historinë e botës.
Kleopatra mbeti në histori për dashuritë e saj të mëdha me Julius Caesar dhe Mark Antony. Ishte një grua me personalitet të veçantë dhe bukuri të rrallë. Edhe pse jeta e saj u shtjellua dhe rishtjellua qindra e mijëra herë në faqet e librave por edhe në shumë prodhime televizive, kureshtja e publikut të gjerë ende nuk është shuar për të. Sa herë që mundohemi të sjellim ndërmend imazhin e saj, automatikisht shohim një grim të tepërt dhe tejet sensual. Egjiptianët e lashtë përdornin grime impresionues në fytyrë, sidomos rreth syve, dhe busti i famshëm i Kleopatrës përbën shembull klasik.
Tani, një grup shkencëtarësh Francezë zbuloi se make up nuk shërbente vetëm si element zbukurues ose “ruajtës” nga “syri i keq” i të tjerëve. Në vendin e Nilit, gratë e përdornin për t’u mbrojtur nga sëmundjet e ndryshme të syve.
Egjiptianët e lashtë, 4000 vjet më parë, prodhonin produkte kozmetike për të theksuar dhe stolisur sytë e tyre. Substancat prodhoheshin nga plumbi dhe disa përzierje kripërash, të cilat, për t’u përgatitur nevojiteshin të paktën një muaj kohë.
Në kundërshtim, me perceptimin e përgjithshëm që mbizotëronte deri tani, (që plumbi-lapsi është i dëmshëm), shkencëtarët Francezë duke realizuar shumë eksperimente kimike, konstatuan se në qoftë se përdoret në doza të ulta, substanca në fjalë nuk i vret qelizat. Përkundrazi, konfirmuan, se në dozë të ulët, plumbi prodhon një molekulë të dobishme (oksidin nitrik) që aktivizon sistemin imunitar dhe lufton bakteret në rastin e infeksionit të syrit, diçka që në lashtësi ndodhte shpesh herë.