Nga Albert Vataj
Nëse keni vendosur të bëni një dhuratë, bashkëshortes, të dashurës apo një mikeje, nuk ka asnjë dilemë, Orkide është zgjidhja.
Nëse ju kanë dhuruar një orkide, ti grua, ti e dashur, ti mike, mëso se ajo më shumë se një dhuratë, është një ngjitje në panteonin e perëndeshës. Për atë vullnet, për atë zemër, ju jeni një mundësi hyjnore.
Orkide është më e bukura e të bukurave. Bota e luleve, hiret e bukurisë natyrore, shëmbëllimi i të përsosures që vjen si miklim i shijes, finesës, delikatesës, sharmit dhe harmonisë estetike, nuk do të kishte kuptim pa adhurimin për lulet dhe e bukura nuk do të kishte simbol të saj më të denjë për ta përfaqësuar sesa Orkidenë. Orkideja me shekuj ka qenë simbol i dashurisë, luksit dhe bukurisë. Grekët e kanë konsideruar këtë lule si simbol të burrërisë (potences). Kinezët, prej kohës së Confuciusit, e kanë quajtur orkiden “bima e aromës së Mbretit”.
Ndërtimi
Lulet e orkidesë duket se jenë shumë të komplikuara, por në realitet ato kanë një strukturë shumë të thjeshtë, sikurse edhe një pjesë e familjes së orkideve siç është familja e zambakëve.
Orkidetë kanë 3 sepale (nëpetël) dhe 3 petale (sëpetël). Kjo ngjashmëri me bimët e tjera është vetëm sipërfaqësore, sepse të gjitha orkidetë kane petalen e tyre të mesme të transformuar në një strukturë unike që quhet labellum ose buzë. Kjo petale gjithmonë tërësisht dallon nga dy petalet e tjera. Orkidetë gjithashtu kanë edhe tipare rigjenerimi të ndryshme. Në vend të organeve të ndryshme femërore dhe mashkullore, stamen-i dhe pistils-i, janë të kombinuara në një strukture të vetme të quajtur column (kolone, varge).
Farat janë të vendosura në vende sterile në një përzierje të sheqerit dhe lëndëve ushqyese. Ky vend (termos) luan rolin e një serre të imët. Filizat qëndrojnë në termos për përafersisht një vit. Atëherë ato vendosen në një vazo “shoqërore“. Ato rriten në këtë vazo për 8 muaj deri në një vit. Atëherë ato zhvendosen në vazo individuale, që mund të zgjasë deri në shtatë vjet derisa të zhvillohen në një bimë që lulëzon, varësisht nga lloji i orkidesë.
Orkideja ka zhvilluar lulet që joshin insektet, të cilat i polenizojnë ato. Orkidetë gjithashtu kontrollojnë arritjen e kulmincaionit të aromës së tyre. Disa orkide polenizohen nga fluturat a natës, për këtë arsye aroma e tyre është më e mire gjatë natës.
Orkidetë nuk rriten vetëm në pyjet tropikale, sepse disa lloje të tyre rriten në gurë (e përdorin gurin si spirance – diçka ku ato mbështeten). Orkidetë tokësore rriten në livadhe, zonat pyjore dhe në vargmale.
Domethënia e orkidesë:
bukuri e rrallë, dashuri, finese/delikatese, zonjë e bukur, simbol kinez për shumë fëmijë, bukuri, jetë e gjatë, hijeshi/magjepsje e pjekur. Kjo lule lidhet me përvjetorin e njëzet e tetë të martesës.
Orkidea mund të dhurohet në buqetë apo edhe e mbjellur. Njëra nga rregullat themelore të kultivimit të luleve është dashuria ndaj tyre, pa marrë parasysh kushtet e mira, në të cilat lulet e mbjellura kultivohen dhe rriten (uji, drita, nxehtësia etj.), ato patjetër edhe duhet të dashurohen.
Për njohje të tjera
Gjenerata të tëra botanistësh janë joshur vazhdimisht nga bukuria natyrore e orkidesë, e cila ka namin e “supermodeles së botës bimore”. Por fakti më interesant është se lulja me bukuri magjepse është edhe shumë e lashtë, madje ajo ekziston që nga koha kur dinozaurët kullosnin në planetin tonë. Mendohet se mosha e orkidesë është 85 milionë vjeçare.
Emri
Orkideja ose familja orkidease e ka marrë emrin nga greqishtja, orkidis, që do të thotë testikul, duke u nisur nga forma e saj. Në librat e historisë së natyrës orkidetë u shfaqën së pari në librat e babait të botanikës, grekut Theophrastos. Familja e orkideve është më e madhja dhe më e shumëllojshmja e mbretërisë së luleve me 15 mijë specie të njohura deri më tani. Çdo vit listës së specieve të orkideve i shtohen 300 emra të rinj dhe sipas disa shkencëtarëve ende 5000 të tjera mbeten të panjohura.
E brishtë, por e fortë
Mund të duken të brishta, por orkidetë janë nga bimët më të forta që ekzistojnë në planet dhe janë përhapur në shumë mjedise, veç atij ujor e ranor, si dhe në të gjitha kontinentet, veç Antarktidës. Ka një lloj orkideje që jeton në shkëmbinj, me një kërcell që zgjatohet deri në tre metra. Bima është aq e fortë dhe rezistente sa bukuria nuk i prishet aspak nga kushtet atmosferike ose nga mjedisi i vështirë e me pak ushqim ku jeton.
Kësaj lloj orkideje i duhet të përballet edhe me “ushtritë” e bletëve, të cilat u sulen petaleve dhe xhepave të saj. Në këmbim të nektarit, bletët i ofrojnë lules mbrojtjen nga insektet e tjera që mund ta dëmtonin.
Seksi dhe speciet
86% e orkideve pllenohen nga insekte, pjesa tjetër nga lakuriqët e natës ose nga zogjtë. Disa lloj orkidesh që i kanë xhepat më të mëdha se speciet e tjera kanë marrë një formë dhe lëshojnë një aromë të ngjashme me atë të bletëve femra, ndaj bletët meshkuj u sulen dhe i pllenojnë. Por orkidetë nuk janë joshëse vetëm për bletët meshkuj dhe për botanistët, por edhe për disa lloj zogjsh në Guinenë e Re që zbukurojnë hyrjen e folesë së tyre me gonxhe të orkidesë.
Alternativa mjekësore
Kinezët e lashtë ishin ndër të parët që përdornin orkidetë në mjekësi. Ata e konsideronin bimën si një aristokrate të vërtetë të botës bimore. Sipas tyre, aroma e orkidesë simbolizon virtytin dhe mençurinë. Konfuci tha dikur për lulen: “Shoqëria me një person superior është si të hysh në një kopsht të madh me orkide”. Në Londrën e viteve 1600 orkideja përdorej për kurimin e etheve dhe disa sëmundjeve të tjera. Në të shkuarën janë konsideruar edhe si afrodiziakë shumë të fuqishëm.
Një filozof i lashtë grek thoshte se rrënjët e njërës prej specieve të orkidesë, që mbajnë emrin e zotit të fertilitetit, Priapus, mund t’i lejojnë mashkullit të ketë 70 marrëdhënie seksuale të njëpasnjëshme. Ka edhe nga ata që e hanin të gjallë bimën për të pasur një efekt të tillë. Në një libër të shkruar nga botanisti i famshëm Parkinson thuhet: Nëse një burrë do të hajë shumë orkide, atëherë ai do të ketë shumë pasardhës”.
Por në shekullin e 17-të, botanisti anglez, Nikolas Culpeper, paralajmëroi për përdorimin me masë të orkidesë, pasi një teprim në përdorimin e saj mund të shkaktonte efekte anësore shumë të dëmshme.
Ushqimi
Vanilja është një shembull i rrallë i përdorimit të orkidesë për ushqim. Në Turqi, një akullore e bërë nga farat e orkidesë është ndër më të preferuarat dhe më të shtrenjtat në vend.