“Le të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që na bëjnë të lumtur, ata janë kopshtarët të devotshëm që e bëjnë shpirtin tonë të lulëzojë”.
Do tu lutesha të më lejonit të shprehem falënderues me këtë shprehje të Marcel Proust, miku tim, Qerim Vrioni, i cili ka realizuar këto dy foto të një kumtimi natyror në dy stinë, ka patur mirësinë të mi dërgojë në formën e një përshëndetjeje nga SHBA ku ka shkuar përkohësisht.
Me Qerim Vrionin, studiuesin e fotografisë, botuesin e disa teksteve hulumtuese dhe dëshmuese, penën majëmprehtë dhe syrin gjithëpamës dhe shpues të fotografisë historike, na lidhi fotografia, pasioni për punën, angazhimin… dhe pamjaftueshmëria e kohës për tu marrë me gjera dhe për të bërë më të mirën.
Takimet tona ishin të rralla, por mbeten të veçanta për çiltërsinë dhe dashamirësinë, për thjeshtësinë dhe sinqeritetin. Edhe pse me vite në mes, s’pati distancë ta ndante bisedat tona. E kam çmuar këtë mik për punën e palodhur dhe voluminoze, skrupulozitetin dhe këmbënguljen, për vlerat që ka përcjellë dhe pasurimin njohës që ai i ka bërë fotografisë, një tradite të pasur, por që mjerisht mbeti gjithnjë në periferi të interesimit.
Ai e solli fotografinë shqiptare në qendër të vëmendjes nëpërmjet publikimeve të tij, profesionalizmit dhe përkushtimit me devotshmëri. Qe fatlum se pati mundësi t’i botonte librat dhe të gjente dyer të hapura në media, për ta bërë të njohur fotografinë dhe jo vetëm, për të treguar me vepër se pasioni, ashtu sikurse vullneti, mund të gjejë rrugë aty ku mungojnë shtigje, të ndërtojë besim mbi gërmadhat e zhgënjimeve.
Sot ai punon, punon dhe… çfarë tjetër, vetëm punon, duke sfiduar kohën, për të lënë një emër dhe një vepër të vlertë pasioni dhe përkushtimi.
Faleminderit që nuk më harron, miku im, Qerim Vrioni.
Përzemërsisht, Albert Vataj!