Fjala e Alber Kamysë në Banketin e Nobelit, në Bashkinë e Qytetit në Stokholm, më 10 dhjetor 1957
Duke pranuar këtë mirënjohje me të cilin Akademia juaj e lirë më ka nderuar, falënderimi im është i thellë, sidomos kur kam parasysh masën në të cilin ky shpërblim tejkalon meritat e mia personale. Çdo njeri, dhe për arsye më të forta, çdo artist, dëshiron të jetë i njohur. Kështu dhe unë. Por unë nuk kam qenë në gjendje të mësoj për vendimin tuaj pa krahasuar reperkusionet e tij ndaj asaj që unë jam në të vërtetë.
Një njeri gati i ri, i pasur vetëm në dyshimet e tij dhe me punën e tij ende në vazhdimësi, i mësuar të jetoj në vetminë e punës apo në tërheqje miqësish: si nuk do të ndjente ai njëfarë paniku me të dëgjuar për dekretin që e bart atë papritur, të vetmuar dhe të mbledhur në vetvete, drejt një qendre të shkëlqimit të dritave? Po, me çfarë ndjenjash do të mund të pranonte ai këtë nder në një kohë kur shkrimtarë të tjerë në Europë, në mesin e të cilëve edhe më të mëdhenjtë, janë gjykuar me heshtje, madje në një kohë kur vendi i lindjes së tij po kalon nëpër një mjerim të pafund?
E ndjeva atë tronditje dhe mundim të brendshëm. Që të mund të riktheja qetësinë më është dashur, me një fjalë, të pajtohem me fatin tepër zemërgjerë. Dhe, pasi unë nuk mund të matem me të vetëm duke u ndalur në të arriturat e mia, nuk kam gjetur asgjë për t’u mbështetur pos asaj që më ka mbështetur gjatë tërë jetës sime, madje edhe në rrethanat më kontradiktore: ideja që kam unë për artin tim dhe për rolin e shkrimtarit. Më lejoni t’ua them, në një frymë mirënjohjeje dhe miqësie, sa më thjeshtë që të mundem, se ç’është kjo ide.
Për veten time, unë nuk mund të jetoj pa artin tim. Por unë kurrë nuk e kam vënë atë mbi çdo gjë tjetër. Nëse, nga ana tjetër, më duhet ai, kjo është nga që ai nuk mund të ndahet nga njerëzit e mi dhe më bën të mundur të jetoj, kështu siç jam, në të njëjtin nivel me ta.
Ky është një mjet i trazimit të një numri më të madh të njerëzve duke u ofruar atyre një pamje të privilegjuar të gëzimeve dhe pësimeve të përbashkëta. Ai e obligon artistin që të mos rrijë i shkëputur, ai e nënshtron atë para të vërtetave më modeste dhe më universale. Dhe, shpesh ai që ka zgjedhur fatin e artistit, nga që e ka konsideruar veten ndryshe, ka parë së shpejti se ai nuk mund ta mbajë as artin e tij dhe as dallimet, pos nëse nuk pranon se ai është si të tjerët. Artisti çan ndaj të tjerëve, midis bukurisë pa të cilën ai nuk bën dhe bashkësisë prej së cilës ai nuk shkëputet dot. Kjo është arsyeja pse artistët nuk përbuzin asgjë: ata janë të obliguar të kuptojnë dhe jo të gjykojnë. Dhe, nëse ata janë të shtrënguar të marrin anë në këtë botë, ata mbase do të mund të marrin vetëm anën e asaj shoqërie, në të cilën, sipas fjalëve të mëdha të Niçes, do të sundojë jo gjykatësi por krijuesi, qoftë ai një punëtor, apo intelektual.
Nga e njëjta arsye, roli i shkrimtarit nuk është i liruar nga detyra të rënda. Për nga definimi, ai nuk mund të vihet sot në shërbim të atyre që bëjnë histori; ai është në shërbim të atyre që e vuajnë atë.
Ndryshe, ai do të jetë i vetmuar dhe i deprimuar nga arti i tij.
As të gjitha ushtritë e tiranisë, me miliona njerëz, nuk do të jenë në gjendje ta lirojnë atë nga izolimi i tij, madje dhe sidomos nëse ai bie në hap me ta. Por heshtja e një të burgosuri të panjohur, të harruar në poshtërime në skajin tjetër të botës, mjafton për ta tërhequr një shkrimtar nga ekzili i tij, të paktën sa herë që, në mes të privilegjeve të lirisë, ai arrin të mos e harrojë atë heshtje dhe ta bart atë që ajo të mund të jehojë përmes artit të tij.
Asnjëri prej nesh nuk është aq i madh për një detyrë të tillë.
Por në të gjitha rrethanat e jetës, në harresë apo në famë të përkohshme, i lidhur në hekurat e tiranisë apo përkohësisht i lirë për t’u shprehur, shkrimtari mund të përfitojë zemrat e bashkësisë së gjallë që do ta arsyetojë atë, me një kusht që ai të pranojë deri në kufirin e aftësive të tij dy detyrat që përbëjnë madhështinë e zanatit të tij: shërbimin ndaj së vërtetës dhe shërbimin ndaj lirisë. Nga që detyra e tij është të bashkojë numrin sa më të madh të njerëzve, arti i tij nuk duhet të bëjë kompromis me gënjeshtrat dhe servilizmin, të cilat, sa herë sundojnë, pjellin vetmi. Pa marrë parasysh dobësitë tona, fisnikëria e mjeshtërisë sonë do të jetë gjithmonë e rrënjosur në dy përkushtime, që vështirë mbahen: refuzimi për të gënjyer mbi atë që dimë dhe rezistenca ndaj shtypjes.
Për më se njëzet vjet të një historie të çmendur, të humbur pa shpresë si të gjithë njerëzit e brezit tim në trazirat e kohës, unë jam mbështetur nga një gjë: nga ndjenja e fshehtë se të shkruaje sot ishte një nder nga që kjo veprimtari ishte përkushtim – dhe një përkushtim jo vetëm për të shkruar. Në veçanti, në aspektin e fuqive të mia dhe gjendjes sime të të qenit, ky ishte një përkushtim për të duruar, së bashku me të gjithë ata që përjetonin të njëjtën histori, mjerimin dhe shpresën që ndanim bashkë. Këta njerëz, të lindur në fillim të Luftës së Parë Botërore, që ishin njëzet-vjeçarë kur Hitleri erdhi në pushtet dhe kur po fillonin proceset e para gjyqësore revolucionare, që u ballafaquan atëbotë si plotësim të arsimimit të tyre me Luftën Civile Spanjolle, Luftën e Dytë Botërore, botën e kampeve të përqendrimit, me një Europë të torturës dhe burgjeve – këta njerëz duhet që sot t’i mësojnë fëmijët e tyre dhe të krijojnë veprat e tyre në një botë të kërcënuar nga shkatërrimi bërthamor. Askush, ma merr mendja, nuk mund të kërkojë nga ata që të jenë optimistë. Dhe, unë madje mendoj se duhet të kuptojmë – pa u ndalur së luftuari – gabimin e atyre, të cilët në një tepri dëshpërimi kanë mbrojtur të drejtën e tyre për të shndërruar dhe janë kredhur në nihilizmin e kohës. Por fakti mbetet se shumica prej nesh, në vendin tim dhe në Europë, e kanë refuzuar këtë nihilizëm dhe janë angazhuar në një kërkim legjitimiteti. Atyre u është dashur të farkojnë për veten e tyre një art të jetës në kohëra të katastrofës që të mund të rilindnin për herë të dytë dhe të luftojnë hapur kundër instinktit të vdekjes në veprim në historinë tonë.
Çdo brez pa dyshim ndjehet i ftuar që të reformojë botën.
Brezi im e di se nuk do ta reformojë atë, por detyra e tij është mbase akoma më e madhe. Ajo qëndron në parandalimin e botës nga shkatërrimi i vetvetes. Trashëgues i një historie të korruptuar, në të cilën janë të përziera revolucione të dështuara, teknologjia çmendurake, zota të vdekur dhe ideologji të shtjerra, ku forcat mediokre mund të shkatërrojnë çdo gjë, por që nuk dinë më si të jenë bindëse, ku inteligjenca është poshtëruar për t’u vënë në shërbim të urrejtjes dhe shtypjes, ky brez duke filluar nga mohimi i vet u desh të rikrijojë, nga brenda dhe nga jashtë, diçka nga ajo që përbën dinjitetin e jetës dhe të vdekjes. Në një botë të kërcënuar nga çintegrimi, në të cilën inkuizitorët tanë të mëdhenj janë në rrezik të krijimit të përjetshëm të mbretërisë së vdekjes, ajo e di se do të duhet, në një vrap çmendurak kundër orës, të rikthejë në mesin e kombeve një paqe që nuk është servile, të ripajtojë sërish punën dhe kulturë, dhe të ribëjë me të gjithë njerëzit Arkën e Konventës. Nuk është e sigurt që ky brez do të jetë ndonjëherë në gjendje të arrijë këtë detyrë të madhe, por ai tashmë po ngrihet gjithandej në botë në sfidën e dyfishtë të së vërtetës dhe lirisë dhe, po të jetë e nevojshme, e di si të vdesë për të pa urrejtje. Ngado që të gjendet, ai meriton të përshëndetet dhe të inkurajohet, posaçërisht aty ku ai sakrifikon veten. Sidoqoftë, me miratimin tuaj pa dyshim të plotë, është ky brez të cilit unë dëshiroj t’ia kaloj nderin që ju porsa më keni bërë.
Në të njëjtën kohë, pasi përkufizova fisnikërinë e mjeshtërisë së shkrimtarit, do të më duhet ta vë atë në vendin e tij të duhur.
Ai nuk ka asnjë aspiratë tjetër pos atyre që ai i ndan me shokët e tij: i lëndueshëm, por këmbëngulës, i padrejtë, por i flaktë për drejtësi, duke bërë punën e vet pa turp dhe pa mburrje kundruall secilit, pa u ndalur së qeni i ndarë midis pikëllimit dhe bukurisë dhe i përkushtuar përfundimisht ndaj nxjerrjes nga ekzistenca e tij e dyfishtë së krijimeve që ai me këmbëngulje përpiqet t’i ndërtojë në lëvizjen shkatërrimtare të historisë. Kush, pas gjithë këtyre, mund të presë nga ai zgjidhje të plota dhe morale të larta? E vërteta është misterioze, përftuese, gjithmonë për t’u pushtuar. Liria është e rrezikshme, sa e rëndë për t’u jetuar aq edhe ngazëlluese. Ne duhet të marshojmë drejt këtyre dy qëllimeve, me dhembje por me vendosmëri, të vetëdijshëm për dështimet tona në këtë rrugë kaq të gjatë. Çfarë do të guxonte shkrimtari me vetëdije të plotë të bënte si predikues i virtytit që tani e tutje? Për veten time, më duhet të theksoj edhe një herë se nuk i takoj këtij lloji. Nuk kam qenë asnjëherë në gjendje të heq dorë nga drita, nga kënaqësia e të qenit dhe nga liria në të cilën jam rritur.
Por, ndonëse kjo nostalgji shpjegon shumë nga gabimet dhe të metat e mia, ajo pa dyshim më ka ndihmuar që ta kuptoj më mirë zanatin tim. Ajo ende më ndihmon të mbështes pa e vënë në dyshim të gjithë ata njerëz të heshtur që përmbajnë jetën e bërë për ta në botë vetëm përmes kujtimit të kthimit të lumturisë së shkurtër dhe të lirë.
Kështu, i reduktuar në atë që jam në të vërtetë, në kufijtë dhe borxhet e mia, si dhe në besimin tim të rëndë, unë ndjehem më i lirë, në përfundim, që të komentoj masën dhe zemërgjerësinë e nderit që më keni bërë, më i lirë edhe për t’u thënë se unë do ta merrja atë si një nderim që u tregohet atyre të cilët, duke qenë në një luftë të përbashkët, nuk kanë pranuar asnjë privilegj, por përkundrazi kanë njohur mjerimin dhe persekutimin. Më mbetet që t’u falënderoj nga thellësia e zemrës dhe t’u bëj këtu para jush dhe publikisht, si shenjë personale e mirënjohjes sime, po atë premtim të vjetër të besnikërisë që çdo artist i vërtetë e përsërit në vetvete në heshtje çdo ditë.
Akademia Mbretërore e Shkencave Stokholm
B.Karlgren, anëtar i Akademisë Mbretërore të Shkencave, para fjalimit, iu drejtua shkrimtarit frëng: “z.Kamy – si student i historisë dhe i letërsisë, ju drejtohem ju së pari. Nuk e kam ambicien dhe guximin të shpall gjykim mbi karakterin e rëndësisë së veprës suaj – kritikë më kompetentë se unë tashmë kanë hedhur mjaft dritë mbi të. Por më lejoni t’u siguroj se ne ndjejmë kënaqësi të thellë në faktin se jemi dëshmitarë të dhënies për herë të nëntë të Çmimit Nobel për Letërsi një francezi. Në veçanti në kohën tonë, me prirjen e saj për të drejtuar vëmendjen intelektuale, admirimin dhe imitimin ndaj atyre kombeve që – me meritën e resurseve të tyre të mëdha materiale – janë bërë protagonistë, mbetet akoma, megjithëkëtë, në Suedi si dhe gjetiu, një elitë mjaft e madhe që nuk harron, por që është gjithmonë e vetëdijshme për faktin se në kulturën perëndimore shpirti francez ka lozur me shekuj në rol mbizotërues dhe udhëheqës dhe vazhdon akoma ta bëjë këtë. Në shkrimet tuaja ne e gjejmë të manifestuar në një shkallë të lartë qartësinë dhe kthjelltësinë, depërtimin dhe suptilitetin, artin e paimitueshëm që përshkon gjuhën tuaj letrare, të cilën ne e admirojmë dhe e përshëndesim me ngrohtësi. Ju përshëndesim si përfaqësues i vërtetë i atij shpirti të mrekullueshëm francez”.