Fjalimi i Patrick Modiano-s, pas çmimit Nobel për Letërsi, më 2014
Dua vetëm t’ju them sa i lumtur ndihem këtu mes jush dhe sa i mallëngjyer nga nderi që më keni bërë duke më dhënë çmimin “Nobel” për letërsinë.
Është hera e parë që duhet të mbaj një fjalim para kaq shumë njerëzve dhe ndiej njëfarë frike. Mund të mendohet se një ushtrim i tillë është diçka e natyrshme dhe e lehtë për një shkrimtar. Por një shkrimtar – ose të paktën një romancier – ka shpesh marrëdhënie të vështira me fjalën. Dhe nëse kujtojmë ndarjen që bëhet në shkollë midis “me shkrim” dhe “me gojë”, një romancier ka më tepër dhunti me shkrim se me gojë. Ai e ka për zakon të heshtë nëse dëshiron të përshkohet nga një atmosferë, ai duhet të shkrihet me turmën. Dëgjon bisedat pa rënë në sy, dhe nëse ndërhyn në këto të fundit, kjo ndodh për të bërë disa pyetje të matura me qëllim për të kuptuar më mirë burrat dhe gratë që e rrethojnë. Fjala e tij është ngurruese, për shkak të zakonit të tij për të korrigjuar shkrimet. Sigurisht, pas shumë korrigjimesh, stili i tij duket i pastër. Por kur merr fjalën, ai nuk ka më mundësi të korrigjojë ngurrimet e tij.
Përveç kësaj, unë i përkas një brezi ku fëmijët nuk lejoheshin të flisnin, me përjashtim të disa rasteve të rralla dhe me kusht që të kërkonin leje. Por askush nuk ua vinte veshin dhe shumë shpesh u ndërpritej fjala. Ja përse disa prej nesh kanë vështirësi në të shprehur, herë ngurrojnë, herë flasin shumë shpejt, a thua se kanë frikë mos i ndërpresin. Sigurisht, prej këtej vjen dëshira për të shkruar, që edhe mua, si shumë të tjerë, më ka kapluar në të dalë të fëmijërisë. Ju shpresoni që të rriturit t’ju lexojnë. Kështu, ata do të jenë të detyruar t’ju dëgjojnë pa ju ndërprerë dhe do të marrin vesh një herë e mirë gjithçka mbani brenda.
Një romancier nuk mund të jetë kurrë lexues i vetes
Lajmi për këtë çmim m’u duk ireal dhe kisha nevojë të ngutshme të kuptoja përse më keni zgjedhur. Atë ditë, kurrë më parë nuk kisha kuptuar aq qartë se sa i verbër është një romancier karshi librave të tij dhe se lexuesit e tij dinë shumë më tepër se ai rreth asaj që ka shkruar. Një romancier nuk mund të jetë kurrë lexues i vetes, vetëm në rastet kur korrigjon në dorëshkrim gabimet e sintaksës, përsëritjet, apo kur heq një paragraf të tepërt. Ai ka një përfytyrim konfuz dhe të paplotë të librave të tij, ashtu si një piktor që pikturon një afresk në tavan, i shtrirë mbi skelë, punon detajet nga fare afër, pa patur një ide të së tërës.
Punë e çuditshme dhe vetmitare kjo e të shkruarit. Ju përjetoni momente shkurajimi kur shkruani faqet e para të një romani. Çdo ditë keni përshtypjen se jeni në rrugë të gabuar. Dhe në këtë moment është i madh tundimi për t’u kthyer mbrapsht dhe për të marrë një rrugë tjetër. Nuk duhet rënë pre e këtij tundimi, por duhet vazhduar rruga. Është pak si të jesh në timonin e një makine, në dimër, në një rrugë me akull, ku nuk duket asgjë. Ju nuk keni zgjidhje tjetër, nuk mund të ktheheni pas, duhet të vazhdoni t’i jepni para duke menduar se rruga do të përmirësohet dhe mjegulla do të shpërndahet.
Afër fundit të një libri, ju duket sikur ai fillon të shkëputet nga ju dhe po merr tashmë frymë i lirë, ashtu si fëmijët në shkollë, ditën e fundit para pushimeve verore. Të shpërqendruar dhe të zhurmshëm nuk e dëgjojnë më mësuesin. Madje do të thosha që në momentin kur po shkruani paragrafët e fundit, libri iu shfaq njëfarë armiqësie, aq ngutet për t’u liruar nga ju.
Dhe ja, me të shkruar fjalën e fundit, ai largohet. Mori fund, ai nuk ka më nevojë për ju, ju ka harruar tashmë. Tani e tutje janë lexuesit që do ta bëjnë të jetojë. Në këtë moment, ju ndieni një zbrazëti të madhe dhe ndjesinë se ju kanë braktisur. Dhe gjithashtu pakënaqësi për këtë lidhje mes librit dhe jush, që u këput shumë shpejt. Pakënaqësia dhe ndjesia se diçka ka mbetur pa u bërë, ju shtyjnë të shkruani librin tjetër, për të rivendosur ekuilibrin, pa e arritur kurrë atë. Sa më shumë kalojnë vitet, librat ndjekin njëri-tjetrin dhe lexuesit këtë do “ta quajnë vepër”. Por ju vetë keni ndjesinë se ishte vetëm një ikje e gjatë nga diçka.
Po, lexuesi di më tepër rreth një libri se vetë autori. Mes romanit dhe lexuesit të tij, ndodh diçka e ngjashme me procesin e larjes së fotografive, ashtu si kryhej para erës digjitale. Në momentin e larjes në dhomën e errët, fotografia qartësohej pak nga pak. Gjatë leximit të një romani, zhvillohet i njëjti proces kimik. Por që të ekzistojë një marrëdhënie e tillë mes autorit dhe lexuesit të tij, duhet që romancieri të mos e sforcojë kurrë lexuesin – në kuptimin që thuhet për një këngëtar kur sforcon zërin e tij – por ta tërheqë pa u ndier dhe t’i lërë kohën e mjaftueshme që libri ta depërtojë pak nga pak, dhe kjo nëpërmjet një arti që ngjan me akupunkturën, ku mjafton të shpohen me gjilpërë disa vende të caktuara dhe rryma shpërhapet në sistemin nervor.
Çdo libër, gjatë kohës kur shkruhet, e fshin të mëparshmin
Kjo marrëdhënie intime dhe plotësuese mes romancierit dhe lexuesit të tij, besoj se ekziston edhe në botën muzikore. Unë gjithmonë kam menduar se të shkruarit është afër me muzikën, por shumë më pak i pastër se ajo, dhe gjithmonë i kam patur zili muzikantët, të cilët më dukeshin se merreshin me një art të epërm ndaj romanit – dhe poetët që janë më afër muzikantëve se romancierët. Kam shkruar poezi në fëmijërinë time dhe, me shumë gjasë, falë kësaj kam kuptuar këtë thënie të lexuar diku: “Prozatorët e mirë dalin nga poetët e këqij”. Dhe në lidhje me muzikën, një romancier duhet të tërheqë pas vetes të gjithë njerëzit, peizazhet, rrugët që ka vërejtur në një partiturë muzikore ku ndodhen të njëjtat fragmente melodike nga një libër në tjetrin, por kjo partiturë muzikore atij do t’i duket e papërkryer. Një romancieri i mbetet gjithmonë peng që nuk është bërë muzikant “puro” dhe nuk ka kompozuar Nokturnet e Shopenit.
Mungesa e kthjelltësisë dhe e vështrimit kritik të një romancieri ndaj veprës së tij lidhet edhe me një dukuri tjetër që e kam vënë re në rastin tim dhe në shumë të tjerë: çdo libër i ri, gjatë kohës kur shkruhet, e fshin të mëparshmin, aq sa më krijohet përshtypja se e kam harruar. Unë kujtoja se i kisha shkruar njëri pas tjetrit të shkëputur, shoqëruar me harresa të njëpasnjëshme, por shpesh të njëjtat fytyra, të njëjtët emra, të njëjtët vende, të njëjtat fjali venë e vijnë, si motive të një tapicerie që kemi endur në gjendje gjysmë fjetje. Gjendje gjysmë fjetje apo një ëndërr me sy hapur. Një romancier është shpesh somnambul, aq shumë është i pushtuar nga ajo që do të shkruajë, e trembemi se mos e shtypin makinat kur kalon rrugën. Por harrojmë saktësinë e jashtëzakonshme të somnambulëve, ata ecin mbi çati pa u rrëzuar kurrë.
Në deklaratën që shoqëroi dhënien e çmimit “Nobel”, mbajta mend këtë fjali që ishte aludim për luftën e fundit botërore: “Ai ka shpalosur botën e Okupacioni”. Unë, si gjithë ata dhe ato që lindën në vitin 1945, jam një fëmijë i luftës dhe, më saktësisht, meqë kam lindur në Paris, një fëmijë që ia detyron lindjen e tij Parisit gjatë Okupacionit. Ata që kanë jetuar në Paris në atë kohë, kanë dashur ta harrojnë, ose, le të themi, kanë dashur të mbajnë mend vetëm vogëlsira të jetës së përditshme, nga ato që krijonin iluzionin se ishte një jetë e zakonshme, jo fort e ndryshme nga ajo që kishin patur në kohë normale. Kur më vonë, fëmijët e tyre i pyesnin rreth asaj kohe dhe rreth atij Parisi, përgjigjet e tyre ishin evazive. Ose ata heshtnin, sikur të donin të fshinin nga kujtesa ato vite të errëta dhe sikur na mbanin një të fshehtë. Por të ndodhur përballë heshtjes së prindërve tanë, ne morëm me mend gjithçka kishte ndodhur, njëlloj sikur ta kishim jetuar vetë.
Parisi gjatë “Pushtimit”, një qytet që dukej “si hije e vetes”
Qytet i çuditshëm, Parisi gjatë Pushtimit. Në dukje, jeta vazhdonte “si më parë”: teatrot, kinematë, sallat e koncerteve ishin hapur. Dëgjoheshin këngë në radio. Madje në kinema dhe teatër kishte më tepër njerëz se para luftës, a thua se këto vende ishin strehime kur njerëzit mblidheshin dhe shtrëngoheshin njëri pas tjetrit për t’u ndier më të sigurt. Por detaje të pazakonta dëshmonin se Parisi nuk ishte më ai i dikurshmi. Mungesa e makinave e bënte një qytet të heshtur – një heshtje ku dëgjohej shushurima e pemëve, kërcitja e thundrave të kuajve, zhurma e hapave të turmës në bulevard, zhaurima e zërave. Në heshtjen e rrugëve dhe të errësirës që pllakoste në dimër rreth orës 500 të mbrëmjes dhe gjatë së cilës ndalohej edhe ndriçimi më i vagullt në dritare, ky qytet dukej si hije e vetes – qyteti “pa vështrim”, si thoshin pushtuesit nazistë. Të rriturit dhe fëmijët mund të zhdukeshin nga një moment në tjetrin, pa lënë gjurmë, madje edhe mes miqsh, flisnim nën zë dhe bisedat nuk ishin asnjëherë të sinqerta, sepse ndihej rreziku në ajër.
Në këtë Paris makthi, ku rrezikoje të ishe viktimë e një denoncimi apo e një arrestimi në të dalë të metrosë, ndodhnin takime të rastësishme midis personash që nuk do të ishin ndeshur kurrë në kohë paqeje, dashuri kalimtare lulëzonin gjatë orëve të shtetrrethimit, pa e ditur nëse do të takoheshin më ditët më pas. Pikërisht pas takimesh të tilla pa të nesërme, dhe ndonjëherë takime të gabuara, lindën më vonë fëmijë. Ja përse Parisi gjatë pushtimit ka qenë gjithmonë për mua si një natë e zanafillës. Po të mos ishte ai, nuk do të kisha lindur kurrë. Ky Paris nuk më është ndarë kurrë dhe drita e tij e veshur depërton ndonjëherë nëpër librat e mi.
Kjo është edhe prova se te një shkrimtar data e lindjes dhe epoka e tij lë gjurmë të pashlyeshme tek ai, edhe nëse nuk është përfshirë drejtpërdrejt në politikë, edhe nëse krijon përshtypjen e të vetmuarit, i mbyllur në atë që quhet “kulla e fildishtë”. Edhe nëse shkruan poema, ato janë pasqyrimi i kohës ku jeton, dhe nuk mund të ishin shkruar në një kohë tjetër.
Ja për shembull poema e Yats-it, ky shkrimtar i madh irlandez, që më prek gjithmonë kur e lexoj: Mjellmat e egra në Coole… Në një park, Yats-i sodit mjellmat që rrëshqasin mbi ujë.
Vjeshta e nëntëmbëdhjetë ka zbritur mbi mua
Që kur i numërova për herë të parë;
I pashë, para se të përfundoja numërimin,
Të ngriheshin papritur
Dhe gugatnin gëzueshëm duke ardhur rrotull në gjysmë rrathë
Me flatrat e tyre zhurmëmëdha,
Por tani vozitin të qeta mbi ujë,
Madhështore dhe bukurishumë.
Në cilat kallamishte do ndërtojnë fole,
Në breg të ç’liqeni, ç’pellgu vallë?
Do të magjepsin të tjerë sy, kur të mitë të hap një ditë,
Dhe ato të kenë fluturuar?
Mjellmat shfaqen shpesh në poezinë e shekullit XIX – te Bodleri ose Mallarme. Por kjo poemë e Yeats-it nuk mund të ishte shkruar në shekullin XIX. Me ritmin e saj të veçantë dhe melankolinë, i përket shekullit XX, madje vitit kur është shkruar.
Por ndodh edhe që një shkrimtar i shekullit XXI të ndihet, me raste, i burgosur i kohës së tij dhe leximi i romancierëve të mëdhenj të shekullit XIX – Balzak, Dikens, Tolstoi, Dostojevski – t’i ngjallë njëfarë nostalgjie. Në atë epokë, koha rridhte më ngadalë dhe kjo i shkonte për shtat punës së një romancieri sepse ai e përqendronte më mirë energjinë dhe vëmendjen. Që atëherë, koha është përshpejtuar, çka shpjegon dallimin e madh ndërmjet monumenteve romaneske të së shkuarës, të ndërtuar si katedrale, me veprat pa vazhdimësi dhe të copëzuara të sotme. Nga ky këndvështrim, unë i përkas brezit të ndërmjetëm, dhe jam kureshtar të di se në ç’mënyrë brezat e ardhshëm që janë lindur me internetin, celularin, e-mail-et, twitter-at, do ta shprehin në letërsi këtë botë ku secili është “i lidhur” gjithë kohën dhe ku “rrjetet sociale” cenojnë intimitetin dhe sekretin tonë, që na përkisnin ende deri para pak kohe – sekreti që u jepte thellësi njerëzve dhe mund të shndërrohej në temë të madhe romani. Por dua të mbetem optimist për të ardhmen e letërsisë dhe jam i bindur se shkrimtarët e të ardhmes do ta vazhdojnë misionin, ashtu si çdo brez që prej Homerit…
Për më tepër,
një shkrimtar, ashtu si çdo artist tjetër, sado i lidhur qoftë me epokën e tij, aq ngushtë sa të mos i shpëtojë dot, sa edhe ajrin që thith e quajmë “ajri i kohës”, ai, prapëseprapë, shpreh në veprat e tij diçka të pakohë. Në vëniet në skenë të veprave të Racine-s apo Shekspirit, pak rëndësi ka nëse personazhet janë të veshur sipas kohës antike apo regjisori ka vendosur t’i veshë me bluxhins dhe xhup lëkure. Janë hollësi pa rëndësi. Kur lexojmë Tolstoin, harrojmë që Ana Karenina mbante fustane të vitit 1870, aq e afërt na duket edhe pas një shekulli e gjysmë. Dhe pastaj, disa shkrimtarë si Edgar Poe, Melville apo Stendal, janë kuptuar më mirë 200 vjet pas vdekjes, sesa nga bashkëkohësit.
Tolstoi shkrihej me qiellin dhe peizazhin që përshkruante
Përfundimisht,
cila është distanca e duhur ku duhet të qëndrojë një romancier? Anash jetës, për ta përshkruar atë, sepse nëse jeni brenda saj – në veprim – do të keni një imazh të turbullt. Por kjo distancë e vogël nuk e pengon fuqinë e tij për t’u identifikuar me personazhet dhe me ata apo ato që e kanë frymëzuar në jetën reale.
Floberi ka thënë: “Zonja Bovari jam unë”. Dhe Tolstoi u identifikua menjëherë me atë që e pa të hidhej në shinat e trenit një natë, në një stacion të Rusisë. Kjo dhunti për t’u identifikuar shkonte aq larg, saqë Tolstoi shkrihej me qiellin dhe peizazhin që përshkruante dhe që ai e përthithte të tërin, deri dhe përplasjen më të lehtë të qerpikëve të Ana Kareninës. Kjo gjendje e dytë është e kundërta e narcizmit, sepse kërkon harrimin e vetes dhe përqendrim të madh në të njëjtën kohë, me qëllim që të ngacmohesh nga detaji më i vogël. Kjo kërkon gjithashtu njëfarë vetmie. Ajo nuk është mbyllje në vetvete, por falë asaj arrin një shkallë të tillë përqendrimi dhe largpamësie ndaj botës që të rrethon, që të mund ta zhvendosësh në roman.
Kam besuar gjithmonë se poeti dhe romancieri i veshin me mister qenie që duken të zaptuara nga jeta e përditshme, gjëra në dukje të zakonshme – dhe kjo si pasojë e vëzhgimit të vëmendshëm dhe në një mënyrë pothuaj hipnotike. Nën vështrimin e tyre, jeta e zakonshme mbështillet me mister dhe merr një lloj fosforeshence që nuk e kishte në pamje të parë, por e kishte të fshehur në thellësi. Roli i poetit dhe romancierit, por edhe i piktorit, është të shpalosë këtë mister dhe fosforeshencë të fshehur te çdo njeri.
Më shkon mendja te kushëriri im i largët, piktori Amedeo Modigliani, punimet më prekëse të të cilit janë ato për të cilat ka zgjedhur modele anonime, fëmijë dhe vajza endacake, shërbëtore, fshatarë, shegertë. Ai i ka pikturuar me penel të mprehtë, çka të kujton traditën e shquar toskane, Botticelli-n dhe piktorët sienezë të Quattrocento-s. Kështu ai u ka dhënë – ose më saktë ka zbuluar – gjithë hijeshinë dhe fisnikërinë që ndodhej pas pamjes së tyre të përulur. Puna e romancierit duhet të shkojë në këtë drejtim. Imagjinata e tij nuk duhet ta shformojë realitetin, duhet ta përshkojë në thellësi dhe ta vendosë këtë realitet para vetes së tij, me forcën e rrezeve infra të kuqe apo ultraviolet për të gjetur atë që fshihet pas dukjes. Dhe unë gati-gati besoj se në rastin më të mirë, romancieri është një lloj fallxhori, madje edhe vizionari. Dhe gjithashtu sizmograf, gati për të regjistruar lëvizjet më të paperceptueshme.
Gjithmonë kam ngurruar para leximit të biografisë së këtij apo atij shkrimtari që kam admiruar. Biografët shpesh merren me hollësi, dëshmi jo gjithmonë të sakta, me tipare karakteri që shkaktojnë hutim ose zhgënjim, dhe kjo më sjell ndër mend zhurmimet në disa emisione në radio që i bëjnë të padëgjueshme muzikën dhe zërat. Vetëm leximi i librave të tij na hap derën për në intimitetin e shkrimtarit, dhe vetëm aty ai është në formën e tij të plotë dhe na flet me zë të ulët pa patur asnjë zhurmues parazit aty rrotull.
Por duke lexuar biografinë e një shkrimtari, zbulojmë ndonjë ngjarje që ka lënë gjurmë në fëmijërinë e tij dhe është bërë matricë e veprës së tij të ardhshme, edhe pse ai mund të mos jetë gjithmonë i vetëdijshëm për këtë, kjo ngjarje, në forma të ndryshme, nuk u ndahet librave të tij. Sot, sjell në mend Alfred Hitchcock, ai nuk ishte shkrimtar, por megjithatë filmat e tij kanë forcën dhe kohezionin e një vepre romaneske. Kur i biri ishte pesë vjeç, babai i Hitchcock-ut e dërgoi t’i çonte një letër një miku të tij, komisar policie. Djali çoi letrën, polici e mbylli në një qeli nga ato ku mbahen gjatë natës kriminelë të ndryshëm. Fëmija, i trembur deri në palcë, kishte qëndruar aty një orë, pastaj komisari e kishte liruar duke i thënë: “Ti e di tashmë atë që të pret, nëse do të bësh diçka të keqe në jetë”. Ky komisar policie, me parime të çuditshme edukimi, është pa dyshim në origjinë të atmosferës së lënë pezull dhe ankthit që gjendet në të gjithë filmat e Alfred Hitchcock-ut.
Vetëm kohë më vonë, fëmijëria ime më është dukur enigmatike
Nuk dua t’ju bezdis me rastin tim personal, por besoj se disa ngjarje nga fëmijëria ime kanë shërbyer më vonë si matricë e librave të mi. Shumë shpesh ndodhesha larg prindërve të mi, më çonin te miq të tyre për të cilët unë nuk dija asgjë, dhe nëpër vende e banesa të ndryshme. Për momentin, një fëmijë nuk habitet nga asgjë, edhe në u ndodhtë në situata të çuditshme, atij i duket normale. Vetëm kohë më vonë fëmijëria ime m’u duk enigmatike dhe u përpoqa të merrja vesh më tepër për njerëzit te të cilit më kishin lënë prindërit dhe për vendet e ndryshme ku kam jetuar. Por nuk ia kam dalë të identifikoj pjesën më të madhe të këtyre njerëzve, as të gjej me saktësi topografike të gjitha vendet dhe shtëpitë e të shkuarës. Kjo dëshirë për të zgjidhur enigmat, pa ia arritur vërtet, dhe për të zbuluar misterin, më ka ngjallur dëshirën për të shkruar, a thua se e shkruara dhe imagjinarja do të më ndihmonin të zgjidhja, më në fund, enigmat dhe misteret.
Dhe meqë jemi te “misteret”, unë sjell në mend një roman francez të shekullit XIX: Misteret e Parisit. Qyteti i madh, pra Parisi, qyteti im i lindjes, lidhet me përshtypjet e mia të para të fëmijërisë dhe këto përshtypje ishin aq të forta, saqë prej atëherë nuk kam reshtur së eksploruari “misteret e Parisit”. Rreth moshës 9 a 10 vjeç, më ndodhte të shëtisja vetëm dhe, me gjithë frikën se mos humbisja, shkoja larg nëpër lagje që nuk i njihja, në të djathtë të lumit Senë. Por ishte ditë dhe kjo më qetësonte. Në fillim të adoleshencës, përpiqesha të mposhtja frikën time dhe të bridhja natën me metro, në lagje edhe më të largëta. Kështu e mësojmë qytetin, dhe në lidhje me këtë, kam ndjekur shembullin e shumë romancierëve që admiroj dhe për të cilët, që prej shekullit XIX, qytetet e mëdha – Paris, Londër, Shën Petërsburg, Stockholm – kanë qenë dekor dhe temë kryesore e librave të tyre.
Edgar Poe në novelën “Njeriu i turmave” ka qenë ndër të parët që ka shkruar për ato valë njerëzore që sodiste pas xhamave të kafesë dhe që rrëshqisnin pa reshtur në trotuare. Ai vë re një burrë të moshuar me pamje të çuditshme dhe e ndjek pas gjatë natës në lagje të ndryshme të Londrës për të marrë vesh më shumë për të. Por i panjohuri është “njeriu i turmës” dhe është e kotë ta ndjekësh, sepse ai do të mbetet gjithmonë anonim dhe nuk do të dimë kurrë ndonjë gjë për të. Ai nuk ka ekzistencë individuale, ai thjesht bën pjesë në këtë masë kalimtarësh që ecin ose shtyjnë njëri-tjetrin dhe humbin nëpër rrugë.
Falë topografisë së një qyteti, ju kujtohet gjithë jeta juaj
Më kujtohet edhe një ngjarje nga rinia e poetit Thomas de Quincey, që e shënjoi për jetë. Në Londër, në turmën e Oxford Street, ai u lidh me një vajzë të re, një nga ato takime rastësore në qytetet e mëdha. Ai kaloi shumë ditë në shoqërinë e saj por iu desh të largohej nga Londra për ca kohë. Kishin rënë dakord që pas një jave ajo ta priste çdo mbrëmje në të njëjtën orë, në cep të Tichfield Street. Por ata të dy nuk u takuan kurrë më. “Sigurisht, ne e kemi kërkuar shumë herë njëri-tjetrin në të njëjtën kohë, në labirintin e madh Londër; ndoshta kemi qenë vetëm 18 metra larg – nuk duhen më tepër për të pësuar një ndarje të përjetshme.”
Për ata që kanë lindur dhe kanë jetuar në të njëjtin qytet, me kalimin e viteve, çdo lagje, çdo rrugë e qytetit, të sjell në mend një kujtim, një takim, një hidhërim, një çast lumturie. Shpesh, e njëjta rrugë ju kujton ngjarje të ndryshme, në mënyrë të tillë që falë topografisë së një qyteti, na kujtohet e gjithë jeta, shtresë pas shtrese, sikur mund të deshifroni shkrimet e mbivendosura të një palimpsesti. Dhe gjithashtu jetën e të tjerëve, të mijëra të panjohurve, të hasur nëpër rrugë apo në korridoret e metrove në orët e pikut.
Kështu, kur isha i ri, përpiqesha të gjeja numëratorë të vjetër të Parisit, për të ndihmuar veten për të shkruar, sidomos ato që emrat ishin vendosur sipas rrugëve ose sipas numrit të banesave. Më dukej sikur faqe pas faqeje, kisha para syve një radiografi të qytetit, por të një qyteti të përpirë, si Atlantida, dhe sikur thithja aromë kohe. Ngaqë kishin kaluar vite, e vetmja gjurmë që kishin lënë ata mijëra të panjohur, ishin emrat, adresat dhe numrat e telefonit. Ndonjëherë, një emër zhdukej nga një vit në tjetrin. Kishte diçka marramendëse teksa shfletoja ato numëratorë të vjetër duke menduar se tash e tutje numrat e telefonit nuk përgjigjeshin. Kohë më vonë, më pataksën vargjet e një poeme të Ossip Mandelstam-it:
U ktheva përsëri në qytetin tim, familjar deri në ofshamë,
Deri në gungat e fëmijërisë, deri në nervat nën lëkurë,
Shën Petërburg!
Të telefonave tim, numrat ke ti,
Shën Petërburg! Kam adresat e dikurshme,
I njoh nga zëri të vdekurit.
Po, më duket se shfletimi i numëratorëve të vjetër të Parisit më ngjali dëshirën për të shkruar librat e mi të parë. Mjaftonte të nënvizoja me laps emrin e një të panjohuri, adresën, numrin e telefonit, dhe të përfytyroja si kishte qenë jeta e tij ndër ata qindra mijëra njerëz.
Mund të humbësh ose të zhdukesh në një qytet të madh. Mund të ndryshosh identitet dhe të jetosh një jetë të re. Mund t’i futesh një hetimi të gjatë për të gjetur gjurmët e dikujt, duke patur si fillim vetëm një a dy adresa në një lagje të humbur. Banesa e fundit e njohur. Ky shënim i shkurtër që figuron në skedën e kërkimit, më ka bërë gjithmonë efekt të çuditshëm. Temat e zhdukjes, të identitetit, të kohës që kalon, janë të lidhura gjithmonë me topografinë e qyteteve të mëdha. Ja përse, që prej shekullit XIX kanë qenë shpesh fusha të romancierëve dhe disa prej më të mëdhenjve janë të lidhur me një qytet: Balzaku dhe Parisi, Dikensi dhe Londra, Dostojevski dhe Shën Pertërburgu, Nagaï Kafû dhe Tokio, Hjalmar Söderberg dhe Stokholm.
I përkas një brezi që është ndikuar nga këta romancierë dhe ka dashur edhe ai të eksplorojë atë që Bodleri e quante “palat e dredhëzuara të kryeqyteteve të mëdha”. Sigurisht, këto kanë ndryshuar që prej 50 vjetësh, pra që prej epokës kur adoleshentët e moshës sime përjetonin ndjesi të forta duke zbuluar qytetin e tyre. Disa qytete, në Amerikë dhe në atë që quhej bota e tretë, janë kthyer në “megapole” me përmasa shqetësuese. Banorët e tyre janë ngujuar në lagje shpesh të braktisura dhe në klimë lufte sociale. Getot janë shtuar dhe janë bërë gjithnjë e më tentakulare. Deri në shekullin XX, romancierët ruanin një vizion deri diku “romantik” për qytetin, jo shumë i ndryshëm nga ai i Dikensit apo Bodlerit. Dhe pikërisht për këtë arsye do të doja të dija se si romancierët e ardhshëm do t’i trajtojnë këto përqendrime urbane gjiganteske në veprat e tyre.
Të lindurit në vitin 1945 “më ka bërë më të ndjeshëm ndaj temës së kujtesës dhe harrimit”
Ju patët mirësinë të shpreheni për librat e mi se karakterizohen nga “arti i kujtesës me të cilin përshkruhen fate njerëzore nga më të pakapshmit”. Por një kompliment i tillë shkon përtej personit tim. Kjo kujtesë e veçantë që përpiqet të mbledhë disa grimca të së kaluarës dhe ato pak gjurmë që kanë lënë mbi tokë anonimë dhe të panjohur, është gjithashtu e lidhur me datën time të lindjes: 1945. Të lindësh në vitin 1945, pasi u shkatërruan qytete dhe u zhdukën popullsi të tëra, më ka bërë mua, dhe ata ta brezit tim, më të ndjeshëm ndaj temave të kujtesës dhe harrimit.
Fatkeqësisht, më duket se kërkimi i kohës së humbur nuk mund të bëhet më me forcën dhe çiltërsinë e Marsel Prustit. Shoqëria që ai përshkruante ishte ende e qëndrueshme, shoqëri e shekullit XIX. Kujtesa e Prustit bën të dalë në sipërfaqe e kaluara me të gjitha detajet e saj, si një tablo e gjallë. Sot kam përshtypjen se kujtesa është shumë më e pasigurt dhe duhet të luftojë pareshtur kundër amnezisë dhe harrimit. Për shkak të kësaj shtrese, të kësaj mase harrimi që mbulon gjithçka, arrijmë të kapim vetëm fragmente nga e kaluara, gjurmë të ndërprera, fate njerëzore të përvjedhura dhe pothuaj të pakapshme.
Por është, pa dyshim, talenti i romancierit që, mbi faqen e bardhë të harresës, nxjerr në dritë fjalë gjysmë të fshira, si ato ajsbergët e humbur që dalin në sipërfaqe të oqeanit.
Marrë nga gazeta Le Monde.
Përktheu: Blerta Hyska