Nga Albert Vataj
Ai mund të ishte ende mes nesh, të kishte nëpër duar ndonjë projekt artistik, të shëtiste me nipin, apo të dilte me familjen apo miqt. Por ai nuk është që prej 9 vitesh. Zemra i ndali një mëngjes marsi për ta shterruar këso jete një hap që vetëm vraponte, një vullnet që jepej me mish e me shpirt pas pasionit për artin.
Prologu i një profili të obliguar
“Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosa qi t’desin, por fatosat qi desin nuk kanë se shka bâjnë në nji komb qi i përbuz’ e i harron! N’shtete tjera njerzt’ e idealit ne u mbytshin për s’gjalli nderohen për s’dekuni, ndër ne ata mbyten dy herë – edhe harrohen!, shkruan Patër Gjon Shllaku. Edhe personazhi i këtij parakalimi mëtues, përkujtues dhe përunjësisht mirënjohës, sintetizohet në fatin tragjik të vdekjes së dyzuar të Fran Pacaj-Babaj.
Ai jo vetëm nuk u nderua por edhe u harrua. Sepsë më së shumti, në një kohë që vulgu dhe perversi propozohen si modele të bashkëkohores; antivlera dhe abuzivja, serviren si arketipe të koherencës; vesi dhe amoralja trajtohen si virtyte dhe purifikuese, … nuk ka se si të ndodh ndryshe. Vjen dhe ikën bashkë me rrezëllimin e yllit tënd.
Fran Pacaj-Babaj mes gjithë asaj morie, dashamirësish, shokësh, miqsh dhe bashkëpunëtorësh, do të kishte dikë që kurrsesi nuk do të pranonte që gjithçka që Frani ndërtoi me kaq pasion dhe sakrifica, të vdiste së bashku me të.
Unë e ndjej obliguese që ky personazh, ky njeri me dhunti të veçanta, ky talent i ngulmeve të epërme estetike, ky artist që u fsheh pas modestisë, të mos shuhet. Me harrimin ne nuk i mbetemi borxh vetëm Franit, por gjithë asaj galerie të pasur me personazhe, karaktare, tipa dhe priofile, që ai jetësoi përgjatë rrugëtimit të tij deri në agimin e kobshëm të 9 marsit të vitit 2014, kur zemra e tij ndali për të mos rrahur më.
Nga vitet e hershme
Fran Pacaj-Babaj u lind më 6 nëntor të vit 1961 në Vrith të Shkrelit, Malësi e Madhe. Ai erdhi në jetë nga baba Zef dhe nëna Pashke, në një nga fiset më të njohura të Malësisë së Madhe për trimëri, atdhetari dhe bujari. Kujtojmë gjyshin e babës së Franit, Prel Preka i cili ka dhënë jetën në vitin 1912 në luftën heroike të Sukave të Moksetit, në mbrojtje të trojeve shqiptare. Që fëmijë u detyruar të largohet nga trungu familjar dhe fisnor për shkak të kushteve dhe rrethanave të kohës.
Fati ndoshta nuk do të ishte në anën e tij qysh në çapitjet e para të rendjes.
Që në fëmijëri, atë do ta rrisnin dajat në Shkodër, për të cilët ai ishte kaq mirënjohës sa i dha atë që do ta bënte të pavdekshme gjithçka ata dhanë dhe bënë për të, mbiemrin. Shumë nga të njohurit nuk kishin dijeni se mbiemri Babaj ishte një huazim nga mbiemri që ai kishte marrë nga daja, i cili e kishte rritur dhe i ishte bërë krah pasioneve të tij. Sikurse të paktë ishin ata që e dinin se kush ishte mbiemri i tij i vërtete, Pacaj. Gjithëpoaq Frani gjithnjë u përpoq për të mbajtur jo vetëm një shpirt protagonisti, një zell i sfidave të ethshme artistike dhe njëherësh një ngulmëtar për të shndërruar çdo pasion dhe çdo ngul në një triumf artistik. Gjithsesi ai ishte dhe do të mbeste i paharruar, vëllai Pllumi si dhe axha, Gjoni e Prela nuk e harruan dhe nuk do e harrojnë asnjëherë Franin e dashur.
Pas shkollimit në Shkodër fillimet e para si personalitet e artit dhe kulturës Frani i ka në qytetin e Koplikut si punonjës i kulturës. Nga Politika në art dhe nga arti në lëvizjen sindikaliste, ne gjithnjë shohim një Fran Pacaj-Babaj që rrekej të mbetej i tillë, i vensour dhe kërkues, gjithnjë aty ku kishte diçka për të dhënë, diçka për të dëshmuar. Ai mbeti gjithnjë në mes Shkodrës që e lindi dhe e gatoi si përsonalitetet artistik dhe Tiranës, një vend mundësish.
I besoi kaq shumë ëndrrës, jetoi dhe u shua duke ëndërruar
“Unë jam një ëndrrimtar. Unë di kaq pak nga jeta reale që unë thjesht nuk mund të ndihmojë t’i rijetoj ato momente si ato në ëndrrat e mia…”, shkruan emblematiku i letërsisë ruse Fjodor Dostojevski.
Vërtetë Frani ëndërroi kaq shumë dhe e dashuroi gjithçka të prekshme dhe ndjesore, me një forcë që vetëm ai mund dhe dinte ta flakërinte në emocionet e tij përjetuese. Jetoi duke ëndërruar dhe ëndërroi me ngulmin e jetësimit të ëndrrave në realen e prekshme, përmes realitetit të një heroikeje.
Njeriu tokësor në shpirtin e tij të përkorë
E përditshmja, nevoja për të bashkëndarë rutinoren me të zakonshmen e ftoi atë shpesh here të ishte i kapur nga vesi, çmimin e së cilës më shumë se askush u desh ta paguante ai. Ndoshta kjo bëri që shumë miq ta kishin të pamundur të ishin të sinqertë, të ndershëm dhe dashamirës me të, siç ai ishte deri në fund me ta. Shumë bashkëpunëtorë nuk nguruan të shpërdoronin mirësinë dhe sinqeritetin e tij, shpirtin e bardhë dhe të dhemshur. E shfrytëzuan dhe e paragjykuan, e përdorën dhe nuk e vlerësuan. Për ta gjithçka ishte përfitimi, për atë gjithçka ishte arritja që ëndrra e tij të prekte realen, të shndriste si një dritë hyjnore para ëndjes dhe dëshirimeve të tij si të një fëmije.
Askush në ne nuk mund të përfaqësojë shenjtoren në tokësoren që jeton dhe bashkëndan me të gjithë, në njerëzoren ku gëlon, të dëshirueshmen për të mbërritur ndonjë nivel të përsosjes dhe ngadhnjimit për të mbetur vetvetja në një botë që s’resht së përpjekuri të të ndryshojë, të të bëjë në një objekt, senda apo gjendje të orjentuar nën vullnesën e një force detyruese.
Ai, Fran Pacaj-Babaj përkundër gjithë kësaj force gravitacionale që e tërhiqte, ai ngulmoi me çdo çmim shkëputjen. Ai nuk pranonte të kishte një orbitë. Ai kishte lindur të ishte i lirë, të ëndërronte dhe të besonte se rrugët që duhet ndjekur janë ato të ëndrrës dhe të zemrës. Dhe vërtetë ai ndoqi ato rrugë për të mbetur deri në fund një e pazakontë që nuk pajtohej të nënshtrohej prej të zakontës, relatives, racionales. Megjithëse ju desh të bënte shumë marrëveshje, gjitha këto i bëri në emër të idealeve të tij krijuese.
Ai erdhi për të ndërtuar kultin e tij të krijuesit
Aktiviteti i tij krijues është i larmishëm dhe synon të mbetet e fokusuar kryesisht në lëmin artistik. Kjo jo vetëm se ai mori shkollim në Liceun e Shkodrës, por edhe se ai kishte një shpirt të pasur, një zell të pashoq për të performuar në gjithçka dhe për të ofruar virtuozitetin e tij në të gjithë sprovat që në një farë mënyre i’a rrëmbeu me përdhuni jetës aspak dashamirëse. Megjithatë Fran Pacaj-Babaj ishte dhe mbeti një ngadhnjyes i së mundimshmes, anatemës dhe heroikes. Sa e sa aktivitete kulturore-artistike mbajnë firmën e tij. Sa e sa sipërmarrje të promovimit dhe ruajtjes së vlerave dhe traditës kanë patur angazhimin e tij, punën kualitative dhe vendosmërinë e tij për të dimensionuar ato në kuota të larta vlere.
“Miss Adoleshenca” ishte një produksion që ka dalë dhe ka marrë jetë nga ëndrrat e tij, nga dëshirimi i ethshëm për promovimin e të bukurës dhe vlerave estetike, fatkeqësisht për t’u shuar në mënyrë të mistershme. Mbrëmjet e fundvitit në qytetin e Shkodrës, galatë me pjesmarrjen e artistëve më në zë të kryeqendrës veriore dhe jo vetëm, do të mbeteshin emblema të arritjes artistike dhe organizative të Fran Pacajt -Babaj. Me “Jehona e Shkodrës” ai mundi të përfaqësonte dhe të promovonte vlera dhe kaPacajtete artistike inovative dhe ato që mishëronin traditën.
Fran Pacaj-Babaj do të shënjonte një rol të rëndësishëm edhe në veprimtrinë e tij të lëvizjes sindikaliste. Deri në të mbramë të frymës ai mbajti detyrën President i Sindikatës së Pavarur të Artistëve, Gazetarëve dhe Sportistëve të Shqipërisë, sindikatë e cila vepron në kuadër të BSPSH-së, detyrë të cilën ai kreu me kaq shumë pasion e përkushtim.
Por edhe veprimtaria e tij politike ka një rol shumë domethënës në jetën e tij. Fran Pacaj – Babaj ishte aktivisti dhe anëtari më i përkushtuar i Partisë Demokratike, nismëtari dhe ndër themeluesit e saj në zonën e Kamzës.
Pikërisht për këto kontribute të pamohueshme, Fran Pacaj – Babaj mori mandatin e parë në zgjedhjet lokale të verës së vitit 1992, duke u zgjedhur në mënyrë demokratike si Kryetari i parë i Komunës së Zall-Herrit të rrethit të Tiranës, si kandidaturë e Partisë Demokratike. Gjithashtu drejtoi për një kohë të gjatë periodikun e Partisë Demokristine, duke mbajtur njëkohësisht dhe post të rëndësishëm në këtë parti.
Pas vdekjes nuk shkojnë të gjitha
Me vdekjen fizike nuk shkon gjithçka. As Frani nuk duhej të merrte gjithçka me vete në këtë ikje të beftë. Ai i la këtu të gjitha, të gjithë çfarë e shenjtëroi çdo moment të tij, la pa mundur ti marrë me vete gjithçka që e hyjnozi çastet që ai i ktheu në një mundësi sublime si pakkush tjetër. Me vete ai mori vetëm mishin, shtatin e tij që në ditët e fundit të jetës ju rëndua kaq shumë dhe e bëri të vuante kaq shumë pas një aksidenti të rëndë që pësoi në vitin 2012. Jetoi afro dy vite duke mos e dorëzuar jetën, duke mos hequr dorë për asnjë moment nga adhurimi për artin. Por vdekja vjen atëherë kur nuk e pret dhe Frani priste tjetërkënd para vdekjes dhe ishte kjo e fundit që e mori, e fiku atë shtat që u shterr prej dhimbjës. Në udhën e amshimit rrugëtoi shpirtin e tij.
Ai iku por pas, pas la kujtime, shumë kujtime të cilat e mbajnë mes nesh për të mbushur boshin që grryn ky mungim. Frani la pas foto dhe sende të tjera që ai nuk i mori dot me vete në ikjen pa kthim. Ka mbetur këtu gjithashtu edhe ajo përmendore fame, ajo ngrehin përpjekjesh ngadhnjyese që kishte për të besuar në realizimin e ëndrrave.
Ai iku duke na lënë ëndrrat e tij të shpërndara në dëshirimet e të mundshmeve që ushqyen kohën dhe u bënë rrjedhë e vërshimit.
Ëndërroi kaq shumë dhe iku duke besuar vetëm në ëndërr. Sepse ëndrra ishte gjithçka që jetoi, deri në mbylljen e qepallave dhe shuarjen e tik-takut të zemrës mëngjesin e 9 marsit të vitit 2014.
Epilog
Të flasësh për jetën dhe veprimtarinë e Franc Pacaj -Babaj është si t’i hysh një aventure nga ato të kërkimit të thesareve. Sepse vetë jeta e tij ishte intensive, ishte e shumëformëshe, e shumëngjyrshme, ishte si një mister që rreket të ruaj deri në fund të fshehtën e zbulimit të thesarit.
Megjithatë në emër të mirënjohjes për gjithçka ai bëri duhej zbërthyer ky kod, duhej hyrë në mistikën e kësaj jehone, duhej zbuluar gjithçka që ishte ngjeshur shtresë pas shtrese dhe mbante nën vete atë që do të rikthejë në jetë përmes kujtimeve mikun dhe kolegun tim fort të çmuar, Fran Pacaj-Babaj.
Rrugët tona gjatë atyre viteve të njohjes, u bashkuan dhe u ndanë, për tu kryqëzuar disa herë. Sërish dhe sërish ai vazhdonte ishte ai, Frani, vërshuesi.
Gjithnjë do ta kujtoj atë si një burrë elegant. Gjithnjë shumë, po shumë i kujdesshëm për paraqitjen. Dukej se asaj ai i kushtonte kaq shumë, ndoshta edhe për shkak të veprimtarisë së tij dhe nevojës për të patur një paraqitje sa më dinjitoze. Sa herë takoheshim gjithnjë kishte, jo një, as dy, por disa projekt-ide për të realizuar, disa synime për të mbërritur. Dhe gjithnjë pengesë ai do të kishte gjithnjë mundësinë financiare, volumin e madh të punës që kërkonte që ëndrrat e tij të bëheshin realitet. Bisedonim dhe shoshisnim në aspekt formalizues të ideve të tij, duke rrahur mendime rreth mundësive të arritjes së kësaj apo asaj ide, këtij apo atij projekt, sigurisht duke lënë shumë projektide të tjera si të panevojshme për tu trajtuar, pasi ishin relativisht pa mundësi realizimi. Gjithnjë gota do të ishte e pranishme, gjithnjë ai njeriu babaxhan do të shërbente për të qenë një mundësi e akomoduar mirë bisede dhe shoqërie.
Gjithqysh ai do të ishte një artist i talentuar, një mik i pashoq, një veprimtar i zellshëm dhe një ëndërrimtar që besoi kaq shumë tek ëndrrat dhe kaq shumë ëndrra arriti t’i bënte realitet.