Është viti 1812. Epidemia e murtajës e shpërhapur nga Thesalia po i avitej edhe Janinës. Nga qyteti që tek udhëpërshkruesit e kohës mbante hijerëndshëm cilësimin e kryeqytetit të Shqipërisë së poshtme, murtaja do të fuste nën zgjedhën e vet njërin vendbanim pas tjetrit, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas studiuesit Ilir Ushtelenca, autor i disa librave mbi pashain e lindur në Tepelenë, Aliu qe i pari në Shqipëri që filloi vaksinimin në masë të popullsisë. “Kur në pashallëkun e Janinës ra sëmundja e variolës, ai urdhëroi të bëhej vaksinimi i popullsisë me vaksinën e sapozbuluar nga mjeku anglez Xheneri dhe ua dha këtë në sipërmarrje mjekëve të huaj që mbikëqyreshin nga mjekët e tij”, shkruan Ushtelenca në librin “Shteti dhe qeverisja e Ali Pashë Tepelenës”.
Sipas po të njëjtit autor, pashai e kishte bërë të detyrueshëm vaksinimin kundër lisë qysh në vitin 1812. Sëmundje të tjera epidemike të kohës ishin edhe kolera, malaria, dizenteria, lija e dushkut, ethet nervore e të tjera. Krahas rritjes së standardeve të sanitarisë e higjienës në qytetet shqiptare të jugut, Aliu ndërtoi edhe një spital në Janinë.
“Karantinat” austriake
Vetëm midis viteve 1761 dhe 1799 murtaja u shfaq e u rishfaq disa herë në Shqipëri. “Shekujt e zi” në historinë e epidemive në trevat shqiptare lidhen shpesh me shpopullime, largime e gjendje të rënduar ekonomike.
Asokohe, sëmundjet ngjitëse kishin përfshirë Moldavinë, Vllahinë, Anadollin, Egjiptin, madje edhe vetë kryeqytetin perandorak të Perandorisë Osmane, Stambollin. Sipas studiuesit Daniel Panzac, përhapja e murtajës vinte nga strukturat e tregtisë që mbështeteshin në udhëtime: kasnecë, tregtarë, pelegrinë, detarë, nomadë dhe të arratisur gjithfarësh.
Siç vëren i njëjti studiues, ndryshe nga tradicionalizmi mysliman kundrejt të paevitueshmes hyjnore, Perandoria Austriake qysh në shekullin e 18-të kishte nisur me masa sanitare ndaj sëmundjeve epidemike. Koha Ditore