Dështimi i lëvizjes së marsit 1922 e detyroi Mustafa Krujën të braktis familjen dhe Atdheun e të strehohet në Gornji Milanovac të Shumadisë serbe, ku mësoi serbokroatishten e ku përktheu “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, të ish kryeministrit të Serbisë Vladan Gjorgjeviç i cili, sipas një dëshmie të Martin Camajt, ishte me origjinë nga malësia e Gjakovës. Ai libër është pasqyrë e koncepteve më poshtëruese, që politika dhe akademizmi serb ushqenin për shqiptarët.
Nga: Eugjen Merlika
Mustafai e botoi më 1927 në Zarë, me një parathënie e një pasthënie të tij, duke u nisur nga parimi se për të luftuar dobishëm armikun apo kundërshtarin, në rastin konkret serbët, duhet të njohim mirë botëkuptimin e tyre, argumentet e përdorura, kufijtë e urrejtjes apo tolerancës, synimet e mjetet për t’i sendërtuar ato. Dikush mendon edhe sot se ne nuk duhet t’i bëjmë të njohura publikut tonë veprat e atyre që nuk kanë opinione të mira për ne, që na shajnë me ose pa të drejtë, por kjo nuk do të ishte mënyra më e mirë për t’u përballuar me botën.
Kruja u kthye në qershor e u largua përsëri nga Shqipëria më 24 dhjetor 1924, për të vazhduar jetën e mërgimit. Në muajin e zi të marsit 1925 vajtoi dy nga miqtë e tij më të shtrenjtë, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin, bashkëluftëtarë të betejave politike, me të cilët kishte ndarë ditë të mira e të këqija, por kryesisht kishte bartur dertet e Shqipërisë. Ata miq e atdhetarë në shenj u vranë pabesisht në Bari e në shpellën e Dragobisë, duke i paguar “borxhin” skajshmërisë së luftës politike në Shqipërinë e asaj kohe e mbetën të pavdekshëm jo vetëm në kujtesën historike, por u përjetësuan edhe në letrat shqipe, në sajë të vjershave monumentale të një tjetër kolegu e miku të tyre, Fan Nolit.
Mërgimi i gjatë nuk e ndau kurrë Krujën nga objekti qendror i shqetësimeve të tij, Shqipëria, gjuha shqipe, për të cilën punoi paprerë në përpilimin e “Fjalorit të madh të Gjuhës shqipe” dhe Kosova me dhimbjet e problemet e saj të pafundme. Vazhdon të mbajë kontaktet me Hasan Prishtinën derisa ishte gjallë, me Dervish Mitrovicën, për të cilin boton një artikull shumë prekës kur ai ndërron jetë, me Niman Ferizin e të tjerë miq kosovarë. Në fjalën e mbajtur në Pejë, më 29 qershor 1942, përshkruan brengat shpirtërore të atyre viteve të gjata e rrëfehet para kosovarëve për bindjet e tij politike.
“Si shqiptar do të kishem fluturue këtu qysh ditën e parë qi ora e pavdekshme e fisit arbnuer deshti me ia kthye tekembramja këto vise të bekueme prej të Madhit Zot atij qi i përkasin: Kombit shqiptar. Si Mustafa Kruja, qi s’ka bâ punë të madhe për tokën e shênjtë e për popullin vigan të kësaj Kosove, por në mos tjetër i ka kjajtë në zêmër të vet me lot gjakut për 30 vjet rrjesht robnín e saj, mundimet e salvimet e përgjakshme të bijve të saj.
Ndonse larg, kam rrnue shpirtnisht me ju, ndërmjet jush. Ka pasun shqiptarë, shokë të mij sërbofila, qi më kanë ngjitun vulën e zezë të tradhtís sepse kam diftue sympathí për Italín, bashkë me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, me Dervish Mitrovicën e sa e sa kosovarë tjerë. Po! Nuk e mohoj. Krejt sympathija e eme, mâ e sinqerta, ka qênë për Italín, ka qênë për Romën sikurse vijon me qênë edhe sod. Sepse ka qênë e âsht nji sympathí qi i ka rrânjët në dashunín t’eme pa kufì për Kosovën shqiptare, për Kosovën kreshnike, për Kosovën e martirizueme. Nuk mujshem e nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë. Qe pse jam kenë, jam e do të des italofil. Italofil jo për interesë personale, por për nji ideal, italofil pa pallate e pa çifliqe.
E sod qi Kosova âsht bâ shqiptare, sod qi Kosova s’âsht ma ‘juzhna Srbija’ as ‘Metohija’, por quhet Prefektura e Prishtinës, Prefektura e Prizrenit, Prefektura e Pejës e Mbretnìs Shqiptare, bash në saje të bashkimit të shtetit t’onë me italín fashiste, sod un krenohem për italofilín t’eme, edhe në qoftë se nuk kuqen ndopak ata qi këtë italofilí e kanë vulosun për tradhtí. Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësì mâ të madhe se me e pà kët ideal të vërtetuem”.
Është, ndoshta, pjesa më e bukur e fjalimeve që Kruja, si kryeministër i Shqipërisë mbajti në Kosovë gjatë vizitës së tij. Para atij populli, si para një gjyqi të madh të agorave greke, Mustafa Kruja preku një tast tepër të brishtë të harmonikës së tij prej shtetari.
Ka shumë vite që ka bartur mbi shpinë epitetin “italofil”, që në dialektikën normale njerëzore nuk do të përbënte një padi për askënd, sepse do të tregonte një prirje vetiake për të pëlqyer një kulturë a një popull në krahasim me të tjerët, por që në padijen e shumë personave është njëjtësuar me fjalën “tradhtar”. Ka qenë një barrë e rëndë, tepër e rëndë mbi imazhin e tij, sidomos mbas luftës, kur i ashtuquajturi “bashkëpunim” me pushtuesit u bë tabela e parë e qitjes nga komunistët e jo vetëm nga ata.
Para popullit të qytetit të Haxhi Zekës, në atë ditë të lumtur feste të lirisë kosovare, miku i tij nuk nguron t’i verë gjoksin akuzave e kalon në kundërsulm. “Italofilia”, të cilën ai e pranon ndershmërisht, ka motivet e saj të ekzistencës dhe ata lidhen pikërisht me këtë çast historik, me atë synim të arritur, me bashkimin, aq shumë të ëndërruar, për tridhjetë vjet. Ky u sendërtua në sajë të bashkimit me Italinë, edhe nën pushtim, por për shqiptarët merr trajtat e një çlirimi, sepse shqiptarë e kosovarë do të kenë të njëjtën qeveri, të njëjtat shkolla me të njëjtën gjuhë, të njëjtat ligje, të njëjtat hapësira zhvillimi, të njëjtin shtet.
Kruja nuk i dredhon plumbit, i del përballë me burrërinë e njeriut që nuk ka gjë për të fshehur. Kosova shqiptare me ndihmën e Italisë është kartvizita më e mirë që mund të paraqes në gjyqin e historisë, ashtu sikurse edhe për miqtë e tij kosovarë, që ndanin me të të njëjtën bindje, se Italia ishte i vetmi vend që mund të siguronte kufijtë e Shqipërisë etnike.
Mund të diskutohet pa fund për këtë bindje apo iluzion, jo vetëm të Mustafa Krujës, Hasan Prishtinës, Turhan Pashë Përmetit, Luigj Gurakuqit, Sotir Gjikës, Bajram Currit, Dervish Mitrovicës, por edhe të shumë shqiptarëve të tjerë n’atë kohë, duke përfshirë këtu edhe Mbretin Zog. Mund të gjinden edhe argumente që e kundërshtojnë këtë tezë, duke u nisur nga politika luhatëse e Italisë kundrejt Shqipërisë, por nuk mund të provohet me asnjë lloj dokumenti, se një tjetër Fuqi e madhe kishte në projektet e saj Shqipërinë e bashkuar. Me humbjen e Austro-Hungarisë, të gjitha shpresat e shqiptarëve pro-evropianë u lidhën me Italinë, pavarësisht se kush ishte sistemi i saj shoqëror.
Ato ditë të vizitës në Kosovë, nga 27 qershori deri më 2 korrik 1942, në atmosferën festive e në mjediset bujare e fisnike të qyteteve e katundeve të saj, ato qilima të shtruara kudo ku qëndronte, ata mijëra vetë që e përshëndesnin në çdo pëllëmbë rrugë të asaj toke të martirizuar, ndoshta qenë shpërblimi më i mirë që mori nga kjo botë, sepse “Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësi mâ të madhe se me e pa këtë ideal të vërtetuem”.
Vizita e gjatë në Kosovë, takimet me popullin dhe autoritetet lokale të qyteteve kosovare, i dhanë rastin të shihte edhe më për së afërmi problemet me të cilat duhej të matej Qeveria e tij. E shkuara, e tashmja, e ardhmja i linin vendin njëra tjetrës në fjalët e kryeministrit në qendrat e ndryshme të Kosovës. Entuziazmi e ngazëllimi për bashkimin me “Dheun amë” shkëmbehej me shqetësimin për mungesat që herë-herë bëheshin alarmante si ajo e kripës në Kosovë, apo e miellit në Shqipëri.
“Ka trimijë vjet qi Kosova ka njomë me djersë e gjak vendin e Ilirisë, se ilirët kanë qenë të parët t’anë e sot na thonë shqiptarë.
Un kam ardhë ndër ju jo vetëm të marr pjesë në gzimin t’uej, por edhe me pa prej s’afërmi hallet e dertet tuaja, jam tue shëtitë të gjithë Kosovën, me qëllim qi këto derte, bashkë me shokët e mij të Qeverisë, të mund t’i ndreqim”.
Shprehet në tubimin e Ferizajt më 28 qershor. Mbas disa orësh, në Gjilan, thekson motivin kryesor të vizitës së tij, që është gëzimi i së sotmes, gëzimi jo i një njeriu, i një familjeje apo i një katundi, është gëzimi i mbarë një kombi, zemra e të cilit rreh me të njëjtin ritëm si në Gjilan, ashtu edhe në Gjirokastër, në Guci e në Krujë, në Prevezë e në Strugë e kudo ku flitet gjuha shqipe.
Kryeministri përsërit, pothuaj në çdo fjalim, keqardhjen për vonesën e kësaj vizite, dëshirën e zjarrtë për të qenë aty që në ditët e para të marrjes së përgjegjësisë shtetërore. Nuk janë justifikime diplomatike të politikanit, janë fjalë zemre të atdhetarit që kërkon të ndajë me vëllezërit e motrat e veta gëzimin e hidhërimin , shpresat e dertet.
“Kryeministri i juej ka vonue ndoshta me ardhë ndër juve me u gëzue në Bajramin e lirís së juej, por punët e Shtetit nuk më kanë lanë me ardhë përpara ; punët e Shtetit janë të popullit dhe pra të juejat.
Arsyeja ma e parë qi më ka pru në Kosovë asht qi të marr pjesë në gzimin tuej, n’atë gzim qi nuk asht gzim i nji feste familjeje, as gzimi i nji djali qi lèn, nuk asht gzimi i nji martese, por asht gzimi i të tanë nji Kombi, asht gzimi i këputjes së zinxhirave të hekurt të nji robnije 30-vjeçare”.
Më një korrik në Rahovec vesh rrobën e historianit, të studiuesit që, jo shumë kohë më parë ka shtjelluar arsyet e Shqipërisë së madhe para Akademisë së Shkencave të Italisë, me ligjëratën “Karakteret natyrore e historike të Shqipërisë së madhe”
“Kosovarë, burra të Rahovecit!
Kjo pritje madhështore qi qyteti juej i vogël i Rahovecit i ban kryeministrit dhe ministrave të vet, difton e provon se sa i madh asht enthuziazmi e se me sa padurim ka pritë ky popull me pa me sy nji kryeministër shqiptar e jo nji kryeministër të huej qi ka pasë nji emën, dikur Pashiq, dikur Jeftiq, dikur Stojadinoviq, gjithmonë me iq…
Un dhe shokët e mij kemi ardhë këtu, si u a merr mendja edhe ju, jo me ju thanë fjalë të bukura, por si shkojnë myslimanët në Haxhillik, kemi ardhë me u gzue me ju për lirinë e fitueme.
Këto vende të bukura qi s’i ka kush në botë, kanë vuejtë shekuj robnije, pasi robnija qi ka pasë për afër tridhjetë vjet e që, shyqyr Zotit, sot ka marrë fund. Vuejtjet e të këqijat e kësaj robnije nuk mund të dëftehen me gojë. Anmiqtë t’onë thojshin me ngulje se Kosova asht e tyneja.
E pse asht e tyneja ? Vetëm sepse asht vramë në fushë të Kosovës i pari i tyne, vetëm sepse kanë pasë ngrehun do kisha në Deçan, Sverçan e Graçanicë. Të tana të drejtat e tyne mbështeten pra vetëm mbi gjakun e nji mbreti të tyne të vramë në fushën e Kosovës dhe mbi nj’a tri a katër ndërtesa kishtare. Por sa pare bajnë këto ndërtesa? E kujt asht Kosova? Kosova asht vetëm e shqiptarëve dhe e Shqipnís edhe këte e dishmojnë shqiptarët me feste të bardha mbi krye. Kjo asht nji diftesë e gjallë; nuk janë diftesa të vdekunit dhe ndonji ndërtesë, sepse të drejtat nuk fitohen me të vdekunit por me të gjallët. E kush janë të gjallët ?… Janë shqiptarët apo serbët? Janë shqiptarët qi janë kenë këtu gjithë jetën”.
Është thelbi, me pak fjalë, i gjithë veprimtarisë së pendës së tij, ai motiv zotërues i dokumenteve, përkujtesave, padive, kërkesave që, në kohë e vende të ndryshme, ka shpalosur para diplomacisë ndërkombëtare, para miqsh e para armiqsh. E vërteta historike mbi ngjarje që janë interpretuar “ad usum del fini”, për t’i dhënë armë serbëve të mbrojnë tezat e tyre mbi Kosovën “djepi i Serbisë”, një gënjeshtër që mbahet më këmbë sepse interesat e të mëdhenjve e ligjërojnë në sajë të forcës së tyre e jo të forcës së argumentavet e të së vërtetës.
Si sekretar i Dërgatës shqiptare në Paris e si kryetar i Komisionit të përshpagimeve është përballur me ata argumente vazhdimisht, ka kaluar net pa gjumë për të përpiluar tezat mbrojtëse të diplomacisë së vendit të tij, prandaj këtu para bashkatdhetarëve nuk ka asnjë ndrojtje t’i pohojë ato me forcë.
Në fjalimin e fundit të udhëtimit, në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare që, e para në historinë tonë të gjatë, hodhi idenë e Kombit, biseda e tij ulet këmbëkryq me të vërtetën e periudhës në të cilën zhvillohet.
“…Kosovarë, Ju e keni fitue lirinë kombtare me armët e Boshtit, por edhe me gjakun qi keni derdhun ju e bijt t’uej, gjyshat, stërgjyshat e skatërgjyshat t’uej brez mbas brezi për me mbetun shqyptarë. As Dushani, as Sulltani, as shkau, as tyrku s’ka mujtun me jua ndërrue kombsinë t’uej. Por në koftë se me lirinë e fitueme keni kujtue se u çelën menjiherë dyert e xhenetit për jue, e keni pasë gabim. Mjerisht lirija kushton shtrenjt. Kushton gjak, mjerime e mundime. E bash pse kushton shtrenjt asht aq e çmueshme…
Tash lufta për ne asht luftë durimi, luftë qindrese, luftë nervash. E bash për këtë arsye mos u çuditni në kjoftë se ju them qi asht ba edhe ma e zorshme, ma e mërziçme se lufta e vërtetë ku luftohet e diset burrnisht, ashtu si ju jeni mësue me luftue e me dekun.
Duhet pra, or burra të fortë, të dijmë jo veç me dekun, por kur e don puna si sod edhe me durue të këqijat e luftës vigane qi ka marrë të tanë botën me të thatë e me të njomë. Ju prej Shqipnis së lirë s’i keni pasun deri sod të gjitha të mirat qi keni pritun. Ndoshta ka me ju u dashtun të pritni edhe bajagi do kohë për me i pasun. Por pashi Zotin or burra mos i a veni fajin Shqipnís. Shqipnija asht nana e jonë. E nana kurrë nuk i a don të keqen bijve të vet. S’e ka fajin Shqipnija, e ka fajin lufta qi i a ka ngatrrue lamshin tanë botës. Kurrgjâ nuk do të rrinte mangut këtu në Kosovë sikur të mjaftonte vetëm vullneti i mirë i yni e i jueji.
Nuk po hyj me i tjerrë gjatë të tana punët e dertet nji ka nji. Veç po ju them e po ju siguroj se të mira e të këqija ça të kemi do t’i dajmë bashkë, do të rrojmë bashkë e në koftë nevoja do të desim bashkë”.
Në Prizren, në qytetin ku u shkruajt një epope lavdije, nuk ka nevojë për retorikë, por për vetëdijësim. Lufta botërore vazhdon e përfundimet e saj janë të panjohura. “Tash lufta për ne asht luftë durimi, luftë qindrese, luftë nervash”.
Ka një nënkuptim të thellë kjo frazë, jep tërthor edhe diçka nga vetë gjendja e Qeverisë, që duhet të shkojë përpara ndërmjet dyshimeve të italianëve që pranojnë me vështirësi të heqin simbolet e fashizmit nga flamuri shqiptar me kërkesën e kryeministrit, mosbesimit të një pjese nacionalistësh e armiqësisë së komunistëve që bashkimin e trojeve e shohin me sytë e Miladin Popoviqit e të Dushan Mugoshës. Por, Mustafa Kruja e ka bërë zgjedhjen, sido që të shkojnë ngjarjet: “Do të rrojmë bashkë e në koftë nevoja do të desim bashkë”.