Nga Albert Vataj
Ai ishte i shtatti fëmijë ogurmirë i një familje me traditë në fushën e muzikës, Nga një dorëshkrim anonim mësohet se Bellini kur ishte vetëm 18 muajsh mund të këndonte arie nga Valentino Fioravanti. Nis të mësojë muzikë kur ishte 2 vjeç dhe 3 vjeç ishte kur i’u dha pianos. Pakkush do ta besonte se një 5-vjeçar si ai të mrekullonte me virtuozitetin e tij. Pesë pjesët e para të Bellinit u kompozuan kur ai ishte vetëm 6 vjeç. Por ky jetëshkrim pohon se Bellini në moshën 7-vjeçare mësoi latinisht, retorikë dhe filozofi. Pavarësisht sulmeve për ta vënë në dyshim legjendën që mbërthen yllin në ngjitje të tij, mitin e shpërthimit të këtij gjeniu, askush nuk mundi të faktojë të kundërtën ngase u tha për të. Gjithqysh ai u lind, u rrit dhe u edukua në një familje me muzikën në gjak.
I tamëlti italian i romancës, kungimi i puhijshëm i vijës së gjetë melodike, “Mjellma katanjase”, Vincenzo Bellini u lind më 3 nëntor 1801 në Katania, asohere pjesë e Mbretërisë së Sicilisë. Vetë Giuseppe Verdi mëtoi asokohe për veçantinë e këtij gjeniu kur kumton se “Bellini ka melodi tepër të gjata, e endur nga askush tjetër më herët”. Të tjerë kolosë të muzikës klasike dhe asaj operistike e mbulojnë me lavde e mirënjohje këtë talent. Wagner , i cili rrallë pëlqente kënd, është ndjerë i magjepsur nga Bellini. Atë e ka shtangur aftësia pothuajse e çuditshme për depërtimin e muzikës me lëndën tekstore dhe psikologjike. Liszt dhe Chopin nuk e kanë fshehur admirimin e tyre për këtë gjeni të apenineve. Nga gjigandët shekullit të XIX, vetëm Berlioz doli nga rrjeshti.
Ndër punët e tij më të mira të kompozitorit italian konsiderohen “I Capuleti ed i Montecchi” (1830), “La sonnambula” (1831), “Norma” (1831), “Beatrice di Tenda” (1833), dhe “Puritani” (1835). Secila prej këtyre veprave e veçanton atë duke e ngjitur në panteon.
Rrugëtimi i tij dijetues nis në Katania, në vendlindjen e tij. Te e vona transferohet në Napoli, për të ndjekur studimet në Konservator, falë një burse studimi të ofruar nga Bashkia e Katanias. Ndër pedagogët e tij ka qenë, Nicola Antonio Zingarelli, që e rrugëtoi drejt studimit të klasikës dhe shijes për muzikën mbështetëse dhe shprehëse, pa artifice dhe zbukurime, sipas normave të shkollës napoletane. Në bankat e shkollës njihet me kalabrezin Francesco Florimo, miqësia besnike e të cilit do ta shoqërojë gjithë jetën dhe pas vdekjes, kur Florimo do të bëhet bibliotekar i konservatorit të Napolit dhe ndër të parët biografë të mikut të tij të larguar para kohe nga jeta. Në këtë periudhë Belini kompozon muzikë të shenjtë, disa simfoni për opera dhe disa arie për vokal dhe orkestër. Në vitin 1825 prezanton në teatrin e Konservatorit, operan e tij të parë, “Adelson e Salvini”, si punën e diplomës. Në vitin që pasoi, i shquari Domenico Barbaja i kërkoi Belinit një opera për ta prezantuar në teatrin “La Scala” të Milanos. Duke u nisur për në Napoli, kompozitori i ri lë pas krahëve pasionin e dëshpëruar për Madalena Fumarolin, vajzën me të cilën nuk mundi të martohej për shkak të kundërshtisë së babait, i cili ishte kundër martesës të së bijës me muzikantin. Si opera “Il pirata” (1827) ashtu dhe “La straniera” (1829), sollën në “La Scala” një sukses të pritshëm. Shtypi milanez njohu te Vincenzo Bellini të vetmin kompozitor operistik italian në gjendje që të vinte përballë Xhakomo Rosinit një stil individual. Shpërthimi vendimtar i karrierës së muzikantit përkon me nisjen e tij drejt Parisit. Këtu Belini hyn në kontakt me disa nga kompozitorët më të mëdhenj të Europës, mes tyre Frederik Shopin, gjithashtu, gjuha e tij muzikore pasurohet me ngjyra dhe zgjidhje të reja, por gjithmonë duke ruajtur frymëzimin melodik që e karakterizon në stil. I pajisur me një venë melodike të mrekullueshme, Belini ia dedikoi jetën e tij të shkurtër kompozimit. Talenti i tij për të gdhendur meloditë me të ndritshme e të bukura ruan edhe sot një fllad magjie. Nga veprat e tij të cilat kanë zënë vend në fondin e artë të operistikës botërore si “Adelson e Salvini”, “Bianca e Gernando”, “Il pirata”, “La straniera”, “I Capuleti e i Montechi”, “Beatrice di Tenda”, “I puritani”, “Zaira” etj.
Një sëmundje që e përndoqi gjatë. Pas 13 ditë agonie ndërsa ora shënon 5 e pasdites së 23 shtator 1835 Bellini ndahet nga jeta në moshën 34-vjeçare. Doktor Dalmas, i cili kreu autopsinë, raportoi shkakun e vdekjes: Bellini vuante nga një inflamacion akut i zorrës së trashë, përbërë nga një abscesit në mëlçi. Pezmatimi i zorrëve ka prodhuar simptomat e dhunshme të dizenteri gjatë jetës duke e sëmbuar muzikantin e madh, por jo duke e lënduar koloritin e tij muzikor dhe vijën e gjatë melodike.