Si sot, më 13 shkurt të vitit 1999 ndërroi jetë në Romë jezuiti shembullor, Atë Gjergj Vata, dëshmitar i kalvarit të popullit dhe të Kishës në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Rregulltar jezuit, i butë, i vendosur dhe me një dashuri të pakufishme për popullin e Kishën.
R.SH. – Vatikan
Duke shfletuar kalendarin, më 13 shkurt, kujtojmë jezuitin shqiptar, Atë Gjergj Vatën, në përvjetorin e vdekjes. Pra, si sot, më 13 shkurt të vitit 1999 ndërroi jetë në Romë jezuiti shembullor, Atë Gjergj Vata, dëshmitar i kalvarit të popullit dhe të Kishës në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Rregulltar jezuit, i butë, i vendosur dhe me një dashuri të pakufishme për popullin e Kishën.
Atë Gjergj Vata, lindi më 6 maj 1915. Mësimet e para i ndoqi në shkollën e jezuitëve në Shkodër, ku ndjeu edhe thirrjen meshtarake e rregulltare. Pati si mësues e më vonë sivëlla rregulltar, njërin nga jezuitët shqiptar më në zë: Atë Pjetër Meshkallën, tek i cili gjeti shokun e ngushtë të idealeve të shenjta fetare e kombëtare.
Studimet e mesme i vijoi në Seminarin Papnor të Shkodrës, për të vijuar studimet e larta filozofike e teologjike në shkollat e jezuitëve në Itali. I vijoi studimet por qe detyruar t’i ndërpriste për t’i kryer në klandestinitet. Atë Vata u shugurua meshtar më 19 mars 1955, kur në Shqipëri kishte filluar kalvari i Kishës katolike, duke i qëndruar besnik zgjedhjes që pati bërë që në moshën të re për të ecur gjurmëve të Krishtit. Shtoi një rregulltar jezuit në shoqërinë e masakruar të Jezusit, e para që qe vënë në shënjestër nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës.
Atë Gjergj Vata u arrestua tri herë, e tri herë iu desh të vuante në biruca, hetuesi e kampe përqendrimi. Herën e parë i vunë prangat kur ishte ende seminarist student, më 21 qershor 1945, derisa fillonte sulmi, që përfundoi me shkatërrimin e të gjitha veprimtarive të etërve jezuitë në Shqipëri e që do ta çonte në pushkatim mësuesit e tij më të mirë: Atë Gjon Faustin e Atë Daniel Dajanin, të cilët më 5 nëntor 2016 në Shkodër, u shpallen të Lumë, së bashku me Martirët tjerë.
E lidhën dorë për dorë me mësuesin e vet, Atë Jak Gardinin. Duke qenë tepër i ri, e liruan, pasi bëri vetëm një vit e gjysmë burg. Ishte data 8 dhjetor e vitit 1948. Kishte dalë nga Kuvendi i Jezuitëve për të hyrë në burg; delte nga burgu pa e ditë ku do të hynte, sepse Kuvendi i rregulltarëve jezuitë nuk ekzistonte më, ishte mbyllur prej komunistëve.
Herën e dytë u arrestua më 8 gusht 1974, për t’u liruar më 8 dhjetor 1974. Për të tretën herë përfundoi në qeli të burgut më 2 nëntor 1977, për t’u liruar vetëm pas dhjetë vjetësh burgimi, më 20 maj 1987. E ndoqën kudo vuante dënimin, sivëllezërit rregulltarë që kishin mbetur jashtë e sidomos, familjarët. Hynte e dilte nga burgu gjithnjë me të njëjtën akuzë: “Armik i popullit”.
Vetëm pas vitit 1991 Atë Gjergj Vata do të çlirohej nga një atribut i tillë kaq i pamerituar, për t’u quajtur “Mik i popullit” e për t’u rikthyer në urdhrin e Jezuitëve, në rimëkëmbje e sipër edhe në trevat shqiptare, posaçërisht në Shkodër e Tiranë. Pa marrë parasysh moshën, Atë Gjergj Vata i vuri krahët punës për rihapjen e Seminarit Ndërdioqezan shqiptar në Shkodër dhe u bë një nga drejtuesit e parë të tij, pas rënies së diktaturës komuniste. Por mosha, mundimi e sëmundja e bënë të vetën, ndonëse sivëllezërit e tij jezuitë bënë çmos për ta shëruar. Atë Gjergj Vata mbylli sytë në krahët e tyre më 13 shkurt 1999 në Romë, ku u kremtuan edhe salikimet e para, pas të cilave u kthye për të pushuar në tokën e atdheut, për amshim. Atë Gjergj Vata, jezuit, qe i butë, i vendosur dhe me një dashuri të pakufishme për popullin e Kishën.