Nga Albert Vataj
Në kontaktet selektuese me njerëz, kisha një përvojë vërtetë mbresëlënëse. Një e afërm e imja, më takoi në një nga këto ditë. Nga koha ime gjithnjë impenjative, mora pak momente për të. Nisëm të bisedonim për hallet e jetës dhe fjalët na çuan tek vetmia e saj, pleqëria, fëmijët.
– Pse nuk shkon te një nga fëmijët, (tre djem e një vajzë), i thash?
– Të gjithë më thonë hajde tek unë, por nuk dua, – shtoi ajo. Të shkosh tek njëri i mbetet hatri tjetrit. Kështu siç jam, unë jam me asnjërin dhe jam me të gjithë. Flas me ta, pyetemi, bisedojmë, qajmë halle. Ata në shtëpitë e tyre unë në timen.
Pa dashje kjo grua e shkuar në vite konsumoi një akt filozofik. Një zë nëne që flet me zemër dhe është gati deri në të fundmit frymëmarrje të vetëflijohet në emër të sulblimes që e udhëprinë, atë të nënës. Ajo vërtetë e vuan vetminë, por për të nuk flet asnjë herë. Jeton larg fëmijëve, larg nipërve dhe mbesave, por gjithnjë ajo ndjehet pranë tyre. Është ajo vetmi solemne që e shndërron atë në një heroike. Është ajo sakrificë që e mban fort në kultin e nënës, asaj nëne që nuk dëshiron të shndërrojë ç’kllavërimin nga vetmia në një zemërkrisje nga meraku.
Ata vërtetë mund të mos ushqejnë xhelozinë dhe të mbajnë kokën mënjanë, nëse nëna shkoi tek njëri djalë dhe nuk shkoi tek tjetri, shkoi tek vajza dhe u kthen shpinën djemve. Por vetëm një zemër nëne mund të shkojë aq larg, mund të penetrojë aq thellë në perceptimin e një mundësie që lind.
Kështu ajo vendos të përballët me vetminë deri atë ditë sa të jetë e zonja e vetes, deri atë ditë sa vërtetë të ketë nevojë të pranojë të shkelë mbi “përbetimin” e nënës që e shenjtëron dhe të prehet në nevojën e njërit prej fëmijëve të saj.
Edhe atëherë ajo shkon si një nënë, si një amanet i hyjshëm që ka çdo fëmijë që t’i gjendet prindit afër, atëherë kur ajo ka nevojë.
Ditë të vështira shtyn ajo në shoqëri me vetminë që e gërryen, por ajo nuk jepet. Ngulet me minuta të tëra pas xhamit të dritares dhe pret. Përgjon zilen e telefonit, trokitjen e derës. Shëtit nëpër kujtime, fotografi dhe sende që e lidhin me fëmijët. Dhe ashtu shfleton ditët njërën pas tjetrës, duke u ndeshur me mallin që e gërryen, me tekat e shëndetin që e lënë pa gjumë, me merakun që i drithëron zemrën. Jeton me amanetin e nënës për të mbetur deri në fund e shpërblyer në shpirt e përkorë në gjithçka që peshon poshtë thinjave dhe rrudhave që i’a shkruajnë hekat, mundin dhe dhimbjet.
Dhe do të vijë një ditë që ajo nuk do të jetë më, por pas do ketë lënë zemrën e një nëne, duart, prehrin dhe kraharorin e saj që nuk i ka shpërdoruar, duke kërkuar shpërblesë dhe detyrim për mundin dhe sakrificat. Ka qëndruar deri në fund një shenjtore, si çdo nënë.