Nga Albert Vataj
Dashuria e vërtetë, ajo e pashoqja prej gjithë kaplimeve dhe kopulimeve mish e shpirt, ajo që ju kërkoni si shkas i lojës së shpenguar, si shkëndijë e shpërthimeve të epshme, si uturimë e gulçimeve të gjakut… ajo që ju ysht të ndjeni se si tërbohet në zgjimin e saj epik kafsha prehistorike dhe lëshohet harbimeve dhe ndërkryerjes. Ajo… nuk kërkon vetëm përfshirjen prej gjuhëzave përpirëse të epshit, por zotërim të gjithshëm, mëvetësim tërësor të dëshirimit që mpleks në këtë lojë, në këtë ndeshje që i’a kërkon gjithçka që ka ngritur, gjithçka që e shpërbën.
Dashurohemi dhe asgjë nuk dimë të shpjegojmë, se qysh e se si. Edhe kur gabimisht rrekemi ta bëjmë, e zhbëjmë. Dashurohemi dhe gjithçka ngjet nuk ka asnjë përngjasim, nuk puthitet në asnjë përkim, nuk nxiton për të mbërritur diku. Ajo është e pagjasshme në asgjë dhe reflekton dritim në gjithçka dhe pasqyron gjithkund.
A është kaq idilike, flakatare, dehëse dhe hyjnorja?! A është me ne edhe sot, e tillë, përtëritëse dhe thelbësore që na rrok në qëllimsinë e jetës.
Pyetje dhe dilema të mëdha e mbajnë shtërnguar me thonj në fyt këtë magjepsëse;
këtë puhiz të ngrohtë flladesh qëmtuar ndër lozonjaret hukam që ladrojnë me gjethet dhe flokë vashash,
këtë petale të freskët prej lulimit të përjetshëm të pranverave që hareshëm shkulmojnë dritë dhe ngjyra,
këtë aromë dehjesh magjike që ndër kurme zbret e thellë i shpon mishrat e përskuqur prej afshit,
këtë prekje delikate e ojnëtare nën dritën e hënëse e vezullimin e syve të pëshkënditur,
këtë shkas dhe ngasje në trandje mish e shpirt,
këtë lëndë prej të gjithë perëndive, gjithë qytetërimeve, gjithë vlimeve të gjakut që kanë shpërthyer në gufime vullkanike të kurmeve të epura dhe dëshirimeve marroke të ofruara si blatim zotash dhe çastesh të skalitur ndër yje.
A ka mbetur kësisoj, frymëzuese, poetike, dallgëzuese, zjarrvënëse,
përjetuese, a ka mbetur ajo, në ty, në mua, në ju, në ata që duan të vjelin prej kësaj peme, jo vetëm hijen, por edhe frutat?
Dashuria, a ndryshon me kohën. A transformohen kësisoj mënyrat e komunikimit të saj?
A e ka zhveshur prej të hyjshmes e sotmja, këtë prekje qiellore që bashkon dy zemra, mrekullon një botë?
Pse është bërë kaq utilitare kjo ndjenjë, e cila e ka bekuar njeriun me më të shndritshmen dritë jetësimi të hyjnores në tokë, të bekimit parajsor në purgator?
A duhet konsideruar e tejkaluar romantizmi, platonizmi dhe gjithë ajo “superstrukturë” që e ka mbajtur në jetë këtë prekje magjike, që nga mesazhet me pëllumba, letrat e dashurisë, shikimet ledhatuese, prekjet e ndrojtura, pritjet e gjata nën dritare, serenatat, kredhjet në netët e gjata të pagjumësisë duke dëgjuar tik-takun e zemër.
A keni ndjerë teksa diçka u këputet në gjoks. Një zog që shkapet krahët në kafazin e kraharorit tuaj. Të mbuloheni me djersë dhe t’u dridhet mjekra kur ai/ajo është pranë jush dhe nuk gjeni fjalë të flisni. Buzët të ju përvëlojnë e zemra gati sa nuk i’u del nga kraharori, a e keni provuar?
A keni shkruar ndonjë letër dashurie? A keni marrë ndonjë të tillë. A keni lexuar dhe rilexuar pambarim ato pak rreshta të shkruar me pasion dhe drithërima zemre, e t’u zërë gjumi me atë letër nën jastëk e me lot në sy?
A keni jetuar dashurinë, me krejt atë magji që ajo ka ardhur ta mrekullojë jetën e njeriut?
A gjehet e përligjur shitja e zemrës dhe ofrimi i trupit si mundësi, si përfitim?
Sa shumë janë ato që do të qeshin, tallen, me këto rreshta, me këtë kuvendim që më kall ndër kujtime e më përpush ndër dëshirime. Ata nuk do ta kuptojnë se çfarë vetë ata i kanë mohuar vetes, dhe koha çfarë u ka privuar atyre, të jetojnë dashurinë, këtë dhuratë qiellore, të vetmen që mban njeriun çliruar nga vargonjt e robërisë së kafshës.
Nuk janë paratë, pasuria e krejt ai shkëlqim verbues që ka shpërthyer në të tashmen tonë, ato që të bëjnë të jetosh dashurinë, të ndjesh ashtu siç ne të një tjetër brezi, dhe të tjerët, e përjetuan, këtë ledhati marroke, këtë bukuri dalldisëse, këtë zemër që troket ende.