Nga Albert Vataj
Nëse do t’i referohemi heroit tonë kombëtar dhe tablove kushtuar atij, që na vijnë nga mesjeta, është shumë e çuditshme por e vërtetë se piktorët e kohës nga Carpaccio, megjithëse në tablo dhe tematika të ndryshme, është në të gjitha rastet në profil! Tek portreti i tij tërheq vëmendjen hunda karakteristike tërësisht e ngjashme me atë të heroit tonë, e përkulur…
A është Skënderbeu i pranishëm në tablotë e piktorit të famshëm të Rilindjes italiane Vittore Carpaccio?
Ende nuk ka një studim të plotë dhe të hollësishëm për praninë e madhe të komunitetit arbëror në qytetin dhe rrethinat e Venecias, në periudhën e mesjetës. Ende nuk janë bërë kërkime të hollësishme për të saktësuar kohën se kur zbritën emigrantët e parë në këto anë dhe nga cilat qytete apo krahina arbërore ata largoheshin!? Ende nuk dimë plotësisht se me ç’mjete ata morën rrugët e mërgimit dhe mbi çfarë kuadri ligjor apo statusi ata u vendosën në trojet e kësaj Republike. Cila ishte prania dhe organizimet e tyre sociale, etnike apo kulturore në këto anë? Për sa kohë ky komunitet emigrantësh ruajti lidhjet shpirtërore dhe identitetin nacional me atdheun që linte pas nën flakët e agresionit dhe egërsisë osmane? Kur filloi procesi i asimilimit të tyre dhe cilat qenë shkaqet?
Është shkruar pak për praninë e këtij elementi në këtë qytet dhe kontributet e veçanta të njërit apo të tjetrit individ, por ende nuk kemi studime të thelluara dhe orientuara saktësisht për rrethanat në të cilat u larguan këta mërgimtarë, sa valë emigrimesh pati, kohët konkrete të zbritjes së tyre në këto anë, organizimet e tyre sociale në atdheun e ri, kontributet në jetën politike, ushtarake, kulturore dhe letrare, mbijetesa, asimilimi dhe gjurmët që lanë etj.
Kur zbritën emigrantët e parë arbërorë në Venedik?
Kontaktet e botës arbërore me venecianët janë shumë të hershme. Ato zënë rrënjë të paktën që prej shekullit XIII, dekada kur kjo Republikë ngjitej drejt apogjeut të saj dhe konsolidonte pozitat e një fuqie dominuese detare në Adriatik, Mesdhe e më gjerë. Pikërisht, në këta shekuj, venecianët në ekspansion filluan të nguleshin dhe të themelonin kolonitë e tyre në territoret e vendeve që lageshin nga ujërat e Jonit, Adriatikut, Egjeut e më gjerë. Qytetet e tyre bregdetarë të fortifikuar kontrollonin rrugëkalimet e rëndësishme detare, vendkalimet strategjike dhe linjat kryesore të transportit të mallrave. Ato fillonin nga bregdeti dalmat dhe përfshinin Tivarin, Ulqinin, Shkodrën, Pargën, Korfuzin, më në jug në territoret greke Methonin, Koronin, Nafplion, Argosin, Negropontin, ishujt jonianë, Kandian etj. (Davies, Siriol; – Davis, Jack L; “Between Venice and Istanbul, colonial landscapes in early modern Greece”. ASCSA. ISBN, 2007)
Në vazhdën e këtij zgjerimi, venecianët kishin arritur të merrnin pas konflikteve të ashpra edhe disa nga qytetet kryesore bregdetare arbërore, si Shkodrën, Durrësin, Ulqinin, Pargën, Butrintin etj. Bashkë me to venedikasit arritën të shtinin në dorë edhe disa kripore të rëndësishme të këtij bregdeti, të cilat qenë një burim i jashtëzakonshëm fitimesh duke njohur faktin se ç’rëndësi të madhe kishte kripa aso kohe.
Por në fundin e shekullit XIV, raportet dhe dominanca e hegjemonisë veneciane lëkundet dhe ndryshon duke i lënë vendin një fuqie të re dhe agresive në rritje – Perandorisë Osmane. Reparte dhe mandej formacione të mëdha ushtarake turqish filluan të kërcënojnë dhe të pushtojnë njëri pas tjetrit qytetet dhe territoret e Ballkanit dhe më gjerë akoma, ato arbërore. Pikërisht, në këto vite, një pjesë e popullsisë së këtyre anëve, e cila i kishte bërë rezistencë pushtimit osman filloi të largohej nga trojet e veta kryesisht drejt perëndimit (Inalçuk, Halil; “Perandoria Osmane” – Periudha klasike 1300-1600, “Dituria”, Tiranë, 2013, 25-30.).
Shkrime dhe dokumente arkivore të shumta na bëjnë me dije për emigrimet masive të shqiptarëve, mbas dorëzimit të qytetit të Shkodrës prej venecianëve tek repartet osmane dhe rënies së Krujës. Mërgata e madhe e shqiptarëve nga këto qytete dhe krahina drejt Venedikut, sikundër dihet u takon viteve 1479, kohë në të cilën Republika e Venedikut nënshkroi “Marrëveshjen e paqes” me përfaqësuesit e Perandorisë Osmane dhe pranoi të rrethuarit shkodranë të marrin rrugët e arratisë dhe mërgimit, për t’i shpëtuar hakmarrjes osmane (Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, “Burime Osmane për Hist. Shqipërisë”. Naim Frashëri”, Tiranë, 1982.). Në veprën “Rrethimi i Shkodrës”, ne gjejmë pamjen e plotë dhe skenat rrëqethëse rreth peripecive të largimeve të trishta dhe pritjet që ju bë mërgimtarëve shkodranë në Republikën e Venedikut (Barleti, Marin; “Rrethimi i Shkodrës”, Tiranë, 19…).
Përgjithësisht, ka dominuar mendimi se emigrimet masive të shqiptare në gadishullin italik, ndodhën pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu, rënies së qëndresës antiosmane dhe dorëzimit të Shkodrës tek osmanët nga ana e venecianëve, d.m.th. pas viteve 1478.
Por, kur vala e madhe e refugjatëve shkodranë mbërriti në këtë qytet, ata gjetën aty një prani tjetër të konsiderueshme shqiptarësh të vendosur vite apo dekada më parë, brenda në qytetin e San Markut dhe rrethinat e tij.
Shqiptarët në Venedik përpara fillimit të qëndresës së Skënderbeut
Fare pranë limanit të Venecias, pothuaj në qendër të këtij qyteti, ku zbritën emigrantët gjenin gjithashtu një shkollë të themeluar të shqiptarëve, në portën e së cilës qëndronte pllaka e mermertë me emërtesën: “Scuola S.a. Maria San Gallo di Albanesi”. Kjo shkollë kishte filluar të ndërtohej që më 1442 në San Severo, pranë Manastirit të San Gallos (Perrocco, Guido; “Tout L’oeuvre plint de Carpaccio”, “Flammarion”, 1981, Parisi, f. 102-103).
Duke iu referuar “Shkollës së Shqiptarëve”, natyrisht, mund të konkludohet se nevoja e ngritjes të saj ishte diktuar sigurisht – së pari nga prezenca e një komuniteti të madh shqiptarësh dhe bashkë me ta e prezencës të madhe të fëmijëve të tyre. Kjo prezencë duket qartë se ka diktuar nevojën e ngritjes së një institucioni për shkollimin dhe formimin kulturor të të rinjve të emigruar. Vetëm ky fakt, investimi për të ngritur në këtë qendër të rëndësishme dhe të kushtueshme financiarisht, një institucion arsimor, na jep të drejtën të konkludojmë se ky komunitet nuk i takonte një grupi emigrantësh pa interesa, pa civilizim dhe pa pretendime për standardet e jetës elitare, kulturore dhe asaj arsimore qytetare. Në të kundërt ndërtimi i kësaj shkolle dhe bashkë me të edhe të paktën tre kishave të shqiptarëve – ajo e San Gallos, – San Mauricio dhe e Shën Gjergjit (Perrocco, Guido; “Tout L’oeuvre plint de Carpaccio”, “Flammarion”, 1981, Parisi, f. 102-103) flasin fare qartë jo vetëm për praninë e madhe të këtij komuniteti por edhe për nivelin e lartë kulturor dhe civil që gëzonte ai. Duhet të kujtojmë se institucionet fetare, kishat, në mesjetë ishin qendra jo vetëm të realizimit të nevojave spirituale, religjioze, por edhe vatra të rëndësishme të artit, kulturës, politikës dhe qendra të rëndësishme të grumbullimit dhe asocimit të komuniteteve të ndryshme nacionale.
“Shkolla e shqiptarëve”
(“Scuola degli Albanesi”)
Në fillimet e shekullit XV, ndërsa pushtimet osmane shtriheshin në pjesët kryesore të territoreve arbërore, një pjesë e mirë e popullsisë vendase filloi të largohej drejt brigjeve italike duke filluar nga brigjet e afërta kalabreze e gjer në territoret e republikave dhe mbretërive italiane si Ankona, Venecia, Napoli, Gjenovë etj.
Një vend emigrimi dhe strehimi masiv, ende i pastudiuar mirë duket qartë se ka qenë edhe qyteti i Venecias. Studiuesi italian Perrocco na bën me dije se “Rritja e numrit të të emigruarve shqiptarë, nën presionin e turqve e bëri shumë të ndjeshëm praninë e tyre në këtë qytet (Perrocco, Guido; “Tout L’oeuvre plint de Carpaccio”, “Flammarion”, 1981, Parisi, f. 102-103).
Megjithëse ende nuk gjejmë një datë të saktë se kur përfundoi punimet e saj të ndërtimit, s’ka dyshim se nga koha e fillimit (1442) të paktën brenda dy dekadave (në mos shumë më shpejt) ky objekt duhet të ketë përfunduar ndërtimin e tij. E themi këtë pasi kjo “Shkollë” nuk është ndonjë ndërtesë publike me dimensione shumë të mëdha apo arkitekturë të vështirë, çka do të kërkonte impenjim të madh për lëndën e ndërtimit, fuqinë punëtore dhe mjeshtrat e përzgjedhur për realizimin e saj. Për këto arsye gjykojmë se në kohën e zbritjes së valës së dytë migratore (pas rendjes së Shkodrës, 1470-1480) shkolla ka qenë e përfunduar (Perrocco, Guido; “Tout L’oeuvre plint de Carpaccio”, “Flammarion”, 1981, Parisi, f. 102-103).
Pak vite më vonë, pas përfundimit të ndërtimit, ndoshta para fundit të këtij shekulli (XV), një ngjarje mjaft interesante do të shoqëronte historinë e kësaj shkolle, ngjarje e cila do të linte gjurmë atë kohë dhe do të vazhdonte të rrezatonte gjer sot e kësaj dite.
Një piktor i famshëm i Rilindjes i kushton piktura “shkollës së shqiptarëve”
“Ndërsa ishte duke punuar disa tablo në mjediset e “Scuola degli Schiavoni”, shkollë e ngritur prej mërgimtarëve nga brigjet e Dalmacisë, Carpaccio u thirr për të punuar një cikël veprash kushtuar jetës së “Virgjëreshës Mari”, për “Shkollën e Shqiptarëve”, – na bën me dije studiuesi i njohur italian i artit të rilindjes, Guido Perocco (Valcanover, Francesco; “Vittore Carpaccio, – Pittori del Rinascimento”, “Scala”, Firenze 2007. ISBN 88-8117-099-X).
Duke iu referuar këtij fakti historik shtrohen natyrshëm disa pyetje që lipset të marrin përgjigje:
Kush ishte dhe ç’përfaqësonte piktori, që mori përsipër t’i ofronte “Shkollës së Shqiptarëve” një cikël tablosh?
Ç’motive e shtynin piktorin e madh dhe me famë të Rilindjes italiane të ofronte krijimet e tij një shkolle minore, të një emigracioni të largët, në një metropol kaq të rëndësishëm të botës mesjetare?
Ç’përfaqësonin krijimet, cila ishte tematika e tablove të Carpaccios dhe kujt i dedikoheshin ato?
Qysh në krye të herës duhet thënë se piktori i madh, Vittore (Viktor) Carpaccio, renditet mes themeluesve më në zë të artit të Rilindjes Italiane dhe autor i cili la gjurmë të dukshme në trendin e artit humanist të kohës. Ishte nxënës i studios së piktorit tjetër të madh italian, Giovanni Bellini. Punoi një numër të pafund veprash që sot janë të shpërndara në muzetë më në zë të botës, nga “Metropolitani” i Nju jorkut, në “Brera” të Milanos, nga “Luvri” në Paris, në “Tratjakov” Rusi, nga Venecia në “Pradon” e Spanjës e kështu me radhë (“I megali zografi – Apo tin anajenisi ston Greke”, Melissa, Athina 1988, f. 88-990).
Rreth origjinës së tij ka shumë dilema. Një numër shkrimesh dhe autorësh bëjnë me dije se ai ishte i biri i një tregtari venecian me origjinë nga Koperi, një pjesë tjetër pohojnë origjinën veneciane të tij, ndërsa një numër autorësh pretendojnë origjinën shqiptare të piktorit të famshëm. Sidoqoftë, duhet thënë se megjithëse ende nuk kemi një hulumtim të mirëfilltë dhe serioz shkencor rreth identitetit nacional të Carpaccios, ka shumë indice dhe lëndë dokumentare të cilat e afrojnë origjinën e këtij piktori drejt brigjeve arbërore.
Për këtë, le të kthehemi tek vepra e Carpaccios, në “Shkollën e Shqiptarëve” për të sqaruar disa nga dilemat e mësipërme.
“Virgjëresha e Shkodrës” (“Zonja e Këshillit të Mirë”)
Frymëzimi dhe tema e tablove të Carpaccios!!!
Studiuesi dhe euriditi italian i shekullit XVIII, Anton Maria Zanetti, i cili u mor me pikturën veneciane në përgjithësi dhe veçmas me punët e Vittore Carpaccios, në studimet dhe botimin e tij të titulluar “Della Pittura Veneta”, duke iu referuar tematikës së tablove të tij dedikuar “Shkollës së Shqiptarëve” na bën me dije një fakt tepër interesant. Ai pohon: “Zgjedhja e temës së kësaj serie, që u vendosën në “Shkollën e Shqiptarëve”, me historitë e jetës së Virgjëreshës, është qartësisht një homazh për “Virgjëreshën e Shkodrës”, zonjës, mbrojtësen e Shqipërisë”. (Zanetti, Anton Maria; “Della Pittura Veneta”, Venecia, 1771).
Pra, Zanetti e shpreh fare dhe qartë se Carpaccio pati jo vetëm si burim frymëzimi por edhe si tematikë trajtimi dhe dedikimi në tablotë e tij një shenjtore, një simbol të Shkodrës dhe të Shqipërisë, atë që ai e quan “Virgjëresha e Shkodrës” apo siç e përdorim ne sot “Zonja e Këshillit të Mirë”.
Po, ç’përfaqësonte “Virgjëresha e Shkodrës”?
“Virgjëresha” apo “Zonja e Shkodrës” (Madonna) është një tablo, pikturë e cila paraqet Shën Mërinë me birin e saj, Jezusin foshnjë, në duar. Kjo tablo në vaj, apo ikonë, (ende e pa studiuar nga kritika) duhej të jetë krijuar para shekullit XIV apo në vitet e para të këtij shekulli. Autori i saj ende edhe sot fatkeqësisht mbetet anonim. Në tërë dekadat e shekullit XV, kjo tabloja (ikonë) ishte e vendosur dhe gjendej brenda në një kishë të vogël të Shkodrës se vjetër, në këmbe te malit ku ngrihet kështjella e Rozafës. Banorët e qytetit të Shkodrës por edhe më gjërë luteshin përpara saj dhe e nderonin portretin e Shën Mërisë në pikturë, si shenjtoren mbrojtëse të tyre.
Sipas legjendës, që na vjen nga vitet e largët, thuhet se: Në vitin 1467, kur trupat osmane e mbanin Shkodrën në rrethim dhe kërcënonin të përdhisnin kishën, piktura u shkëput për mrekulli nga muri, u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit mbi detin Adriatik për në Itali. E shoqëruan largimin e kësaj ikone dy shtegtarë shqiptarë, Gjergji dhe Sclavisi. Portreti në pikturë i Zojës-Virgjëreshës erdhi e u preh në qytetin e Genazzano-s pranë Romës, ku u ngrit një kishë në nder të saj, Kisha e “Zojës së Këshillit të Mirë” (La Chiesa della Madonna del Buon Consiglio).
S’ka dyshim se ngjarja e mësipërme rrëfen një realitet të kohëve por natyrisht e vërteta është veshur me petkun e mitit dhe të mistikes. E thënë më thjesht; në kohën kur barbaritë osmane digjnin e shkatërronin gjithçka, si në shumë raste të tjera, banorët që braktisnin vatrat e tyre dhe merrnin arratinë për t’u strehuar në perëndim, merrnin me vete në shtegtimin e tyre, sipas zakonit edhe simbolet e engjëllit të tyre mbrojtës, të qytetit, fshatit apo familjes, që kryesisht ishin ikona shenjtorësh (pikturat e Shën Pjetrit, Shën Palit, Shën Simonit, Shën Marisë… etj.). Ky rit kryhej me idenë që mërgimtarët të kishin një simbol të shenjtë me vehte që ti mbronte nga fatkeqësitë e mundshëm në kalvarin e rrugëtimeve të tyre të gjata e të mundimshme. Këtë gjë bënin edhe refugjatët shkodranë duke marrë me vete tablonë apo ikonën e “Zonjës së Shkodrës” në udhëtimin e tyre drejt brigjeve italike.
(Në territoret arbëreshe, në Italinë e Jugut, gjendet një pikturë mjaft interesante që tregon pikërisht momentin e emigrimit të një grupi refugjatësh shqiptarë drejt Italisë së Jugut, karvani i të cilëve në krye udhëhiqet nga dy burra që mbajnë ikonën e një shenjtori mbrojtës (Hudhri, Ferit; “Shqiptarët në artin botëror”, Enciklopedi; Botimet Albanologjike”, Tiranë, 2012).
Pra, simboli dhe shenjtori mbrojtës i shqiptarëve kishte shkuar bashkë me ta drejt Italisë, për të qenë pranë dhe në vëmendjen e përditshmërisë te emigrantëve në dheun e huaj apo atdheun e ri.
Pikërisht, këtij simboli të rëndësishëm religjioz e shpirtëror, por edhe nacional e historik, për tërë mërgatën e shqiptarëve në territoret e Republikës së Venedikut, ku u vendosën një pjesë e mirë e të shkulurve nga Shkodra (pasi Shkodra kishte qenë nën zotërimin venecian dhe banorët e saj gëzonin një status të veçantë prej Republikës) do t’i dedikoheshin, kushtoheshin katër tablo të cilat do të punoheshin nga piktori i famshëm i rilindjes italiane, Vittore Carpaccio dhe që do të vendoseshin në sallën kryesore të “Shkollës së Shqiptarëve” në qytetin e Venedikut.
Tablotë e Carpaccios kushtuar “Shkollës së shqiptarëve” dhe fati i tyre
Pikërisht, këtij simboli, “Virgjëreshës së Shkodrës”, shenjtores së shqiptarëve, Vikttore Carpaccio i kushtoi katër tablo mjaft interesante, të cilat u vendosën në katër faqet murale të sallonit të kësaj shkolle. Ato titullohen:
“Lindja e Virgjëreshës”, (“Natività della Vergine”, 128×137 cm)
“Prezantimi i Virgjëreshës në Tempull”, (“Presentazione della Vergine al Tempio”, 130×137),
“Mrekullia e Virgjëreshës”, (“Miracolo della verga fiorita” – o “Sposalizio della Vergine”), 130×140 cm
“Ungjëllizimi”, (“Annunciazione”, 130×140 cm).
Pra, sikundër shihet, të katër tablotë lidhen me jetën e “Virgjëreshës së Shkodrës apo Shenjtores të Shqiptarëve”. Natyrisht, tematika nuk ka si të ishte tjetër, ajo është biblike, sepse tërë arti i kohës duhej të trajtonte tematika që lidheshin vetëm me kristianizmin dhe veprat e shenjta që përshkruhen në bibël. Kjo ishte një normë dhe standard i kohës, këtë gjë e respektuan tërë piktorët e tjerë të kohës duke filluar nga Mikelanxhelo – Kapela Sistina, Xhorxhone, Donatelo, Rafaelo, El Greko etj.
Por, epoka e Rilindjes, e cila u thirr “epoka e humanizmit” pati prurje dhe kapërcime të rëndësishme pasi ajo arriti të thyejë tabutë e shekujve duke futur në krijimtarinë dhe artin e kohës elementin njeri, pozantë që shpesh merreshin nga jeta e përditshme, figura të njohura publike apo edhe njerëz të zakonshëm.
Duke e parë nën këto rregulla dhe mendësi krijimtarinë e Carpaccios, duke vëzhguar me kujdes personazhet që zënë vend në tablotë e tij, na tërheq mjaft vëmendjen portreti i një buri të moshuar gjithmonë në profil, i cili është i pranishëm jo vetëm në një por në mjaft tablo të piktorit edhe tek ato dedikuar “Shkollës së Shqiptarëve”! Ky personazh për çudi që në pamje të parë të krijon impaktin se është heroi ynë kombëtar Skënderbeu. (Shih personazhin në tablotë e mëposhtme)
Një analizë e personazhit në tablotë e Carpaccios – Skënderbeut
Nëse do t’i referohemi heroit tonë kombëtar dhe tablove kushtuar atij, që na vijnë nga mesjeta, është shumë e çuditshme, por e vërtetë, se piktorët e kohës na e kanë sjellë atë përherë pothuaj vetëm në profil!!! Flasim këtu për ato tablo të mesjetës, të shek. XV-XVI që gjykohen se duhet të jenë autentike dhe që na afrojë imazhin ndoshta më të saktë dhe drejtpërdrejtë të heroin tonë kombëtar, duke filluar nga gravura që paraqet heroin në veprën e M. Barletit; tabloja me portretin e Skënderbeut punuar në portën e shtëpisë në Romë, ku bujti ai; tabloja e njohur e piktorit italian C. Altissimo; portreti i Skënderbeut në gravurat e piktorit D. Custos etj. (Hudhri, Ferit; “Shqiptarët në artin botëror”, Enciklopedi; Botimet Albanologjike”, Tiranë 2012).
Çuditërisht edhe ky personazh i veprave të Karpaçios, megjithëse në tablo dhe tematika të ndryshme, është në të gjitha rastet në profil! (Shih figurat 1, 2, 3, 4).
Tek portreti i tij tërheq vëmendjen hunda karakteristike tërësisht e ngjashme me atë të heroit tonë, e përkulur, e varur poshtë dhe poshtë hundës mjekra e gjatë e zbardhur, thinjur sikundër e gjejmë edhe në tablotë e shumë autorëve të kohës.
Një tjetër e veçantë që përforcon bindjen se personi që prezantohet në disa nga tablotë e Carpaccios është heroi ynë kombëtar, është edhe një detaj tjetër, kapa që mban në kokë personazhi është një kapelë e cila vlerësohet se ishte kapa karakteristike që mbanin stratiotët, luftëtarët shqiptarë të mesjetës (shih tablonë nr. 5).
(Bëjmë me dije në këtë rast faktin që stratiotët në mesjetë ishin në masën dërmuese, në mos të gjithë, shqiptarë. Ata bënin formacione të rregullta luftëtarësh, që ishin ndeshur kundër pushtimit osman, në zotërimet veneciane – kryesisht nëpër territoret greke – por pas pushtimit të Ballkanit atë u vunë në shërbim të venecianëve në frontet dhe territore të tjera, nëpër Itali apo edhe me gjerë nëpër Evropë.).
Në njërën nga tablotë, kushtuar “Shkollës së Shqiptarëve”, ajo e titulluar “Martesa (prezantimi) e Virgjëreshës” (Shih figurën nr. 4) në qendër të saj qëndron në këmbë një personazh në profil, që përsëri i ngjan heroit tonë dhe jo vetëm kaq por veshja e tij është tërësisht e një natyre krejt tjetër në raport me tërë kostumografinë veneciane të kohës dhe tërë dekorin e personazheve në tablotë e Carpaccios. Sikundër mund ta shikojë çdokush, ajo i ngjan për të mos thënë se përmban elementë të mjaftueshëm të veshjes karakteristike popullore të viseve arbërore. Asnjë pikturë tjetër e Carpaccios apo edhe e piktorëve të tjerë venecianë nuk paraqet personazhe me një veshje të tillë! Këtë e gjejmë vetëm tek Carpaccio dhe vetëm tek një tablo e vendosur në “Shkollën e Shqiptarëve” dhe kushtuar shqiptarëve!
Që Carpaccio ishte i lidhur me shqetësimet e popujve nën zgjedhën osmane, pra me temën lindore e tregon edhe fakti se ai është ndër piktorët e rrallë të Rilindjes në tablotë e të cilit është i pranishëm elementi osman dhe në mjaft raste tematika me masakrat e kryera prej tyre.
Nuk mund të përjashtohet kurrsesi gjithashtu fakti se figura e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ishte kthyer në simbol të qëndresës kundër kërcënimit osman, jo vetëm për shqiptarët, por për tërë popujt e Evropës. Vetë Papa e kishte shpallur atë “kalorës dhe mbrojtës të Krishtërimit”. Duke qenë një figurë e tillë, simboli apo prania e Skënderbeut jo vetëm do të tentohej, por edhe pasqyrohej sa në letërsinë e kohës (Historia e Skënderbeut – M. Barleti) edhe s’ka pse edhe në artet pamore, në pikturë, aq më tepër në një ambient që frekuentohej prej shqiptarëve sikundër ishte “Shkolla e Shqiptarëve” apo ambiente të tjera të karakterit religjioz, sikundër qenë kishat.
Prej viteve 1470 dhe gjer aty nga vitet 1550 në qytetin e Venecias dominonte një klimë adhurimi dhe emocioni e veçantë për luftërat dhe qëndresën antiosmane të shqiptarëve dhe të heroit të tyre. Ishte kjo klimë që frymëzoi piktorë të madhej të rilindjes italiane si Giovanni Bellinin, Paolo Veronesen që punuan tablo me subjekte të tilla. Vetë “Shkolla e Shqiptarëve” kishte në hyrjen e saj një reliev që revokonte kohët e lavdishme të qëndresës së Shkodrës (reliev në mermer që ndodhet edhe sot e kësaj dite në fasadën hyrëse të “Shkollës”). Pikërisht, në këtë tempull të dijes shqiptare dhe nën këtë klimë kaq emocionale, do të ishte e pamundur që brenda mureve të saj, në pikturat që dedikoheshin shqiptarëve të mos reflektohej figura simbol e kësaj qëndrese – Skënderbeut.
Nëse fakteve të mësipërme do t’i shtonim edhe të dhënat apo pretendimet se piktori i famshëm, Carpaccio ishte me origjinë nga territoret arbërore, e bën edhe më bindëse pretendimin për praninë e Skënderbeut në krijimet e këtij piktori të madh të Rilindjes italiane. Jo vetëm kaq, por do të gjykonim se studime të tjera, më të hollësishme, për jetën dhe veprën e tij do të ofronin edhe më tej subjekte, dedikime e pse jo edhe prani të elementit dhe subjekteve shqiptare.
Duhet të kujtojmë se në fund të shekullit XV dhe fillim të shekullit XVI, Venecia kishte një prani mjaft të madhe refugjatësh shqiptarë, mbërritur aty jo vetëm nga territoret e Arbërisë por edhe arvanitësh të larguar nga zotërimet venecianë në territoret e Greqisë (Methoni, Koroni, Nafplio, Argosi, Mani etj.). Ky komunitet i madh arbëror lindi asokohe, sikundër dihet, një numër të madh figurash të ndritura të fushëbetejave, si Mërkur Bua, Krokodil Kladha, Meksi, Buziqi, Basta etj.; të mendjes dhe të penës, të tillë si Marin Barletin, Beçikemin, Gjon Buzukun, Manol Blesi etj., të cilët renditen në radhët e humanistëve të shquar të kohës. Figura e Skënderbeut për të gjithë këta, sikundër për tërë komunitetin e emigrantëve shqiptarë, ishte simboli dhe miti i ëndrrave dhe shpresave të tyre, prandaj ky hero gjendej kudo në këngët e tyre popullore, në krijimet dhe letërsinë artistike dhe s’ka si të përjashtohej edhe prej veprave të piktorëve të kohës.
Venezia – Ex Scola degli albanesi (shek. XV) – Foto Giovanni Dall’Orto
Le të shpresojmë dhe besojmë se në të ardhmen të dhëna të tjera do të dalin në dritë për këtë subjekt dhe do të ndriçojnë shumë anë dhe vlera të panjohura të kontributit shqiptar në botën e artit perëndimor.
Irakli Koçollari
(Standard.al)