Nga Albert Vataj
A ishte një rastësi apo një përkim i fatit që Frédéric Chopin dhe George Sand të takoheshin. Këtë do ta tregojë historia e një dashurie ndryshe. Një pasionimi që tekalon çdo përfytyrim. Një formalizim dëshirimi i thirrjeve të poterisëse gjakut. Lidhje që qaset përnga një panoramim i tjetërllojtë i gjithë pamjes së ushqyer me dritën e pasionit. Dekada e një dashurie të muzikantit të ri me shkrimtaren, një grua më e madhe në moshë është një jetësim plot të papritura, një marrëdhënie që kalon nëpër një terren gjithnjë të çapraztë.
Kjo shkrepëtimë fati daton diku në vitin 1836. Zëfillja e njohjes dhe kopulimit prej një dashurimi të kompozitorit të madh polak, Frédéric Chopin dhe shkrimtares franceze feministe, Baroneshën Dudevant, e njohur si George Sand ka shkas rrethanor. Dukej se ata e prisnin prej kohësh njëri-tjetrin, por shpirtrat e tyre më shumë se vasalë të kësaj ndjenje, s’mundi të ishte më shumë. Historia e dashurisë së Frédéric Chopin dhe George Sand, vitet që kaluan së bashku, të mbushura me pasion, xhelozi, grindje, kanë sintetizuar atë çfarë fati, rastësorja dhe pasioni mishërojnë në një njohje, në një bashkëjetim që u mbars me atë lëndë dashuri-urrejtje që i përndoqi nga fillimi deri në fund. Ndoshta kjo ishte ajo që ata po kërkonin. Ndoshta një ndjenj e tillë e stuhishme mund të mbushte shpirtin e tyre të etur për beteja krijuese. Nuk kishte gjas që ata t’i jepnin vetes një dashuri idilike, një përjetim që mbushte faqet e librave e gëlonte në kumtimet muzikore dhe poetike. Ata ishin të ndryshtë në gjithçka dhe krejtçfarë mbeti nga ai zjarr pasioni është nata me yje e asaj që lanë copëzave të shpirtshme të jetësimit krijues.
Frédéric Chopin dhe George Sand do të takoheshin në sallonin e konteshës Marie D’Agoult, të dashurës së kompozitorit Franc List, deri në shuarjen e tij, trembëdhjetë vjet më vonë. Historia e dashurisë së Frédéric Chopin dhe George Sand është një nga më interesantet në llojin e vet.
Kur kompozitori e takoi atë për herë të parë, ndjeu një lloj neverie karshi asaj gruaje. Madje ai do t’i shkruante mikut të tij kompozitor Ferdinand Hiller: “Sa grua e pështirë që është Sand! Po a është vërtetë grua?! Jam i prirur ta dyshoj një gjë të tillë..”. Ndërsa vetë George Sand, ndonëse një grua që deri atëherë kishte përjetuar disa histori dashurie, në një letër të sinqertë prej 32 faqesh, drejtuar mikut të përbashkët, kontit Wojciech Grzyma, shpreh ndjenjat e forta që kishte karshi kompozitorit. Madje ajo ishte e gatshme që të hiqte dorë nga lidhja aktuale që kishte, për të nisur një marrëdhënie me Chopinin.
Por pavarësisht përshtypjeve të para, Frédéric Chopin dhe George Sand nisën një lidhje, e cila prej verës së 1838-ës nuk ishte më një sekret. Lidhja e tyre zgjati 10 vjet dhe nuk mund të quhet aspak e lehtë. Jo vetëm sepse Sand ishte një grua e fortë, e pavarur dhe me shumë mëtuese, por edhe për shkak të paragjykimeve që vinin prej marrëdhënies së të riut me një grua më të madhe se vetja, me dy fëmijë e aq më tepër, që nuk ishin të lidhur në martesë. Por ajo që e bëri edhe më të vështirë ishte sëmundja e Chopinit.
Gjatë kohës që ai ishte i sëmurë, Sandi e ndjente veten më shumë një infermiere, sesa e dashura e tij dhe vazhdimisht e quante “fëmija im i tretë”, apo “engjëll i vogël”. Fundi erdhi kur ajo botoi veprën e saj “Lucrezia Floriani”, ku aludohej për lidhjen e tyre. Chopini nuk e përtypi dot këtë histori dhe me gjithë ndërhyrjen e miqve të përbashkët për pajtim, në vitin 1947, pas 10 vitesh lidhjeje (prej vitit 1937), ata u ndanë.
I varrosur pa zemër
Frédéric Chopin vdiq në vitin 17 tetor 1849, vetëm dy vjet pas ndarjes me George Sand. Ajo i kishte premtuar se do të ishte aty, kur ai të ikte nga kjo botë dhe atij i mbeti peng se nuk vdiq në krahët e saj. Para se të vdiste, kërkoi një copë letër ku shkroi: “Si kjo tokë do të më mbysë, ju përgjërohem, ma hapni trupin, që të mos më varrosni të gjallë”. Në certifikatën e vdekjes shkaku i vdekjes u shkrua tuberkulozi, por në 2008-ën u ofrua një tjetër variant i vdekjes së kompozitorit: fibroza cistike. Ashtu siç kishte kërkuar para se të vdiste, zemra iu hoq nga trupi dhe u varros në vendin e tij të lindjes në Poloni, ndërsa trupi në Paris. Si epitaf iu shkrua një varg nga Bibla (Mateu 6:21): “Atje ku ke thesarin është dhe zemra jote”. Po sipas amanetit të tij, në ceremoninë e varrimit u luajt “Rekujemi” i Moxartit. Solist ishte Luigi Lablache, i cili ka kënduar “Rekuiemin” në funeralin e Haidinit, Bethovenit, Belinit dhe mikeshës së Chopinit dhe Sandit, mexosopranos Pauline Viardot.