Nga Albert Vataj
Pena magjepsëse e gjeniut rebel që do të shkundte nga themelet një epokë dhe do të kthente pasionet e tij në një lëndë vdekatare që ngjizej me helmin dhe paragjykimin, perceptimet e shoqërisë së athershme viktoriane.
Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre, kjo maksimë e Oscar Wilde është, së shumti, tharmi që nxuni një nga tiparet më të pazakonta të artit. Pikërisht, teprimi dhe kryekëput, sentenca “Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve”, përmbushën në perimetrin e së tërës, një gjeni kokëkrisur.
Ai ishte i vetmi veprues i shtjellës së përzishme të një tipari identifikues të kohës në maxhë. Parakohja e shprehjes me nota të ndryshme e kësaj monodrame, e spikat Oscar Wilden si fillues i një ndryshimi të madh.
Keqvendosja në kohë dhe në hapësirë, do të kthehej për të në një “boomerang”. Paragjykimi dhe keqkuptimi mbeten deri në fund të të gjallëve të tij, ajo që shoqëria viktoriane mëtoi në rrafshin e këndshikimit të gjithçkasë që Oscar Wilde bënte. Megjithëse nuk u plagos asnjëherë nga vetmia, ishte kryekëput ajo që i skaliti me një përkujdesje mizore gurin më të rëndë të varrit. Shoqëria dhe koha, ajo që e ngriti në qiejt e lavdisë dhe përkorjes, e paragjykoi duke e gjykuar, e anatemoi duke e dënuar jo vetë me burg, se sa me përçmim. Dhe ylli i tij shndritës, asoherë e derimtash, do të strukej nën zhelet dhe zhulin e harrimit dhe përçmimit, petkat me të cilën koha e veshi në orët e mbrame të jetës. Çdo lëvizje, për nga një stuhi çmendurish dhe pasionesh të shpenguara, merr yshtje nga fondamenti dhe qëllimësia e tij artjetuese.
Kishte lindur për të qenë një penë e mahnitshme, nga talenti dhe nga gjeneza, një mallkim që do t’i vihej nga pas, duke ia mbushur enën babëzitëse të dëshirave deri mbi buzë dhe groposur famën dhe gjenialitetin e tij, në skutat më të bruzta të Hadit.
Tendencat dhe ligjëratat e tij të parakohshme dhe përgjithmonshme, tronditën nga themelet moralin konservator të njerëzisë, e cila më shumë se e mësyrë, ishte e tunduar dhe e joshur deri në gjithëdhënie, mish e shpirt. Lumturia dhe liria, ndjenja dhe pasioni në infinit, ishin ingredientët e gatesës që do të çmendte jo veçmas trupin e tij, por edhe ndjenjat e një shoqërie të tërë. Individualitete që në kushtet e vigjilencës morale, vetëm se të ndrydhej dhe shuhej me flakadanin e shpirtit që shkulmon.
Trashëgoi pothuaj gjithseçka që mori nga farkëtuesit e tij në njomësi, ku flitet se Oscar Wilde ishte ngjizur nga prindër jo fort në metrikën e kohës, e për më tepër, kumtonin të qenin irlandez fanatik. Gjeniu Wilde nuk kishte marrë pak nga familja, thuajse e jashtëzakonshme. Natyra rebele dhe gjestet teatrore ishin dhuratë e së ëmës, Jane Francesca Algee, që mburrej shpesh me prejardhjen e saj italiane. Tërheqjen nga veset, ato të cilat e ngritën në qiejt e pafund dhe e fundosën në terrin e pamatë, Oscar i kishte trashëguar nga i ati, William, okulist i Mbretëreshës Viktoria dhe një feminist i përkushtuar i asaj kohe. Pikërisht, për nder të një pacienti të të atit, Mbretit të Suedisë, Wilde mori edhe emrin e tij të pagëzimit.
Si i ati, ashtu edhe e ëma, mëtonin në vetvete atë që do ta përndiqte gjeniun përgjithë jetën. Qejfet e shfrenuara, netët pa gjumë e përplot me gosti e shkëlqim, do të ngjishnin fort brendinë dhe pasionet, gëlimi i të cilave shprehej me shpërthim. Dogma “Arti për hir të artit”, e kunguar nga Uollter Peiteri, do ta ngjiznin dimensionin e tij në fillesat e formësimit, duke e yshtur përpara me një ambicie që gjallonte te “Princi i gjuhës”, epitet që i ngjitën miqtë në Kolegjin Magdalen të Oxfordit. Përmbledhja e tij “Poezi” daton më 1881. Asohere hidhet në teatër me “Unaza e Fejesës” dhe “Nihilistët”, qasje këto që do ta ndikonin dukshëm në vendvendosjen në kryeradhë. Një vit më vonë, kapërceu Atlantikun për një turne leksionesh me tematikë, lëvizjes estetike.
Njeriun sharmant dhe me tendencë ekstravagante në veshje, do të rrëmbente përnjëherë zemrën dhe shpirtin e asaj bote që ngjitej. Amerika do ta priste dhe ngjishte me mbresa. Ky hop do ta njihte me personalitete dhe intelektualë të njohur, një prej të cilëve do të ishte Uitmani i madh, i cili edhe e ftoi në shtëpinë e tij. Më 1882, Parisi do t’i pasuronte njohjet me majat e artit që nga ati i “Njeriut që qesh”, “Të mjerët”, Viktor Hygo deri te poeti i avangardës, i shfrenuari Varlen. S’la altar të artit parisien pa marrë kungim s’atyshmi. Kalendari i Oscar Wilde do të cekte në vitet 1887-1891, periudhë kur gjenialiteti shpërthyes do të plazmonte gjithnjë e më fort, do të ngjiste gjithnjë e më lart, yllin e tij. Një larmi gjinish në letërshkrime. Asokohe do të lindte “Prototipi milioner”, “Krimi i Lordit Artur Sabil”, “Rënia mashtruese”, “Një borgjez i pamoralshëm” dhe kryeveprën që ka ardhur dhe riardhur në skenën shqiptare “Portreti i Dorian Greit”. Njohja dhe afria emotive me lordin Alfred Degllas do të dyzonte jetën e shkulmet zjarrmtare të shpirtit, do ta hidhte në krahët e një jete qejfesh të shfrenuara, pa drojë e kokëçarje, por jo pa pasoja. Prirja e tij homoseksuale, që e gjejmë teksa zgjohet nga fëmijëria e tij e hershme, kur e ëma e vishte dhe e trajtonte si vajzë, shndërrohet në një gropë të thellë përpirëse. Lidhja me Alfred Degllas do të kthehej në hapje të varrit me thonj. I ati i lordit do ta yshtte në një betejë ligjore Oscar Wilde, të cilin ky i fundit e humb, duke humbur njëherazi lirinë për dy vjet, por dhe lavdinë.
Vdekja e gruas, Constance Lloyd, më 7 prill 1898, në Xhenoa, një brune irlandeze me të cilën pati dy fëmijë, Cyril dhe Vivian, do të jetë fillimi i fundit të tij tragjik, që do të numëronte ditët e zeza në Francën Jugore. Gropa e thellë e vetmisë dhe anatemës nisin duke e thithur gjithnjë e më thellë në terrin e acartë, ku ai zvarritet si një bishë e plagosur. Tashmë, atë e dëbojnë, e pështyjnë, e shtyjnë, s’e njohin, s’e përfillin. Kjo panoramë e mrrylët, tejet e trishtë dhe mizore, e ndjek deri në buzë të varrit. Më 30 nëntor 1900, bien në koma dhe pas pak, vdes në duart e hotelierit. Gjeniun e madh, ai që u duartrokit me ovacione dhe triumfin e tij të letrave, e ktheu në epokë ndryshimesh dhe ardhmërie. Vetëm shtatë persona e përcjellin trupin e tij të pajetë për në banesën e fundit. Tre prej tyre ishin anglezë, nga ata lordi Alfred Degllas, i cili vinte në Francë nga Suedia, që pagoi dhe varrimin. Prehja e tij e fundit u bë jashtë Parisit. Vetëm kurora e hotelierit ishte me dedikim: “Qiraxhiut tim”. Nëntë vite më vonë, më 1909, trupi i tij u rivarros në Per Lazhezë
Oscar Wilde mbetet ndër personazhet më të jashtëzakonshëm të shtjellës viktoriane. Një karakter i pakapshëm nga çdo qasje fillimore për ta përcaktuar, si njeri, artist, shpirtëzim lirie apo një nismëtar kurajoz normash qytetarie. Ai mishëroi modelin më të stuhishëm dhe njëherësh, më të debatuar të kohës. Si në të përditshmen e ngasuar nga një jetë e shpenguar intime, ashtu dhe në kryeveprën e tij, mbetet maja më e kulmuar.
Ky zotëri elegant, i hijshëm e plot sharm, i marrosur pas paradokseve dhe gjithçkasë të modeluar nga kodi i qytetarisë viktoriane, ngjiste nivelet e adrenalinës dhe ambrozit, duke thyer kangjellat etike ku mbahej mbyllur një nga vendet ku gëlonte civilizimi.
Nuk u ndal, edhe pse u desh ta paguante fundin me çmimin e tragjikes dhe madhështinë e tij ta ngryste nën mykun mbytës të vetmisë. Ky rebel, ky “hero i së keqes”, skaliti mbi muret e mykura të Londrës, jo vetëm emrin e tij të patëdytë, por mëtoi një dritë më shkëlqyese në sytë e lenteve të avulluara të paragjykimit. Qiellgërvishtësit e tij të lirisë, edhe sot, çajnë retë e konformizmit dhe fanatizmit. Predikoi vetveten dhe personazhet me shenjtërimin. Promovoi doktrinën e artit-njeri. Thundra e rëndë e anatemës e vu përfundi shpirtin që “Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit”. Buja e zëshme e gjithçkasë e veshi me famë dhe lavdi, por nuk u kursye ta çirrte përditë e më ethshëm portretin e parakohshëm që formësoi.
Ish-i dashuri të tij, lordi Alfred Douglas, do të mëtonte veç të tjerash: “Ai ishte një ndër forcat më të fuqishme të së keqes që u përplas në Evropë, në 300 vitet e fundit. Askush tjetër nuk ia shiti shpirtin djallit më shumë se ai”. Fjalë që janë thënë edhe njëzet vjet pas procesit gjyqësor për homoseksualizëm, që e çoi shkrimtarin drejt shkatërrimit, duke i hapur dyert e burgut në Reading. Fjalë të hidhura që shfaqen në “The Wilde Myth”, një sulm i fundit i narcisit plak e fanatik ndaj mësuesit të tij, një vëllim që ka mbetur i pabotuar. Bocat e tij arritën shifra rekord më 19 tetor të vitit 2002, gjatë ankandit për kujtimet e Wilde, që siguroi mbi 850 mijë sterlina dhe që kishte si objekt kryesor një kapitull të shkruar me dorë të “Portretit të Dorian Greit”, që u shit për 72 mijë sterlina.
Ai vazhdon të na flasë për veten, si për të na bindur me çdo kusht për batutën e thënë para Andre Gide: “Gjenialitetin tim e kam përdorur në jetë, në veprat e mia kam vendosur vetëm talentin dhe kjo është tragjedia e madhe e jetës sime”. Në këtë tragjedi, ku përfshihen farsa dhe melodrama, vazhdon të lulëzojë miti. Ikona moderne mbeti në amshim. Tash pas 111 vjetësh, nuk mund të mos mendosh se esteti ekscentrik i salloneve të fundshekullit është me të vërtetë një ikonë jashtëzakonisht moderne. Ashtu si eleganca dhe talenti provokues mediatik, i parakohshëm, Wilde ka qenë një mësues i ekstravagancës
Për disa, Oscar Wilde është vërtet vëllai i madh i punk-ut e rock-ut, paralajmëron ekstravagancën e veshjes dhe seksit, teprimet e alkoolit dhe drogës, duke i transformuar në mondanitet shik tendencat e gjeneratës romantike që i parapriu kohës së tij. Edhe para Gabriele D’Annunzios, Wilde mishëron një lloj elite për masat apo estetizmi të kuptueshëm për zonjat. Jo rastësisht, ai drejtoi edhe një gazetë femërore “Lady’s World”, e cila u pagëzua që në fillim prej tij në një mënyrë më demokratike, “Woman’s World”. Por, për të kuptuar këtë estet, që votohet nga publiku, pasi i habit të gjithë me “kravata e metafora”, thotë Jorge Luis Borges, duhet të bindesh për faktin themelor të dokumentuar se Wilde, gati gjithnjë, “ka të drejtë”.
Edhe në çastet më kritike të jetës, që mbeten në ndërkohjen e strukët të agonisë, Oscar Wilde u tret duke ndritur, si një kandil, dritë e cila udhërrëfen atëmot, tash e përgjithmonë, atë galeri shpirtrash eternë. Sa më shumë që atij iu ndërsyen, aq më thellë ai u injektua në gjakun e kohës, aq më shenjtëruese do të mbeteshin në shkulmet e zjarmta të pasionit. Gjithçka që ai la në art, është pjesë e reflektimit, sjelljes dhe mëtimeve që kumtoi epokës. Copëzat e mozaikut gjithnjë duhet kundruar si bashkësi, sepse vetëm ashtu formësimi i një universi të shumëformësh do të konturohet dhe magjia e gjenialitetit do të mrekullojë ngamot.