Nga Albert Vataj
Ludwig van Beethoven (1770-1827), ishte dhe mbeti në historinë e muzikës si një nga kompozitorët më të famshme të historisë. Ai vdiq në moshën 57-vjeçare duke marrë me vete në varr një sekret të madh, atë të gruas misterioze, së cilës ai i shkruan me kaq pasion dhe zjarr dashurie.
Pas vdekjes së tij, një letër dashurie është gjetur në gjërat e vlefta që kanë lënë si testament. Ajo letër është shkruar për një grua të panjohur që Beethoven thjesht e quante “e pavdekshmja dashuri.”
Bota dhe adhuruesit e Beethoven nuk do të mund të njohin kurrë, as të përfytyrojnë dot profilin e gruas misterioze, asaj gruaje, së cilës kompozitori i madh i shkruan me kaq zjarr dhe pasion, gruas që kishte mundur të hynte kaq thellë në zemrën e tij, dhe kishte trazuar kaq keqaz këtë shpirt të stolisur me virtytet e një hyu.
Një dashuri e tillë e rrethuar me mantelin e ngrohtë të ndjenjave dhe e mbetur qëllimisht jashtë vëmendjes së publikut dhe kyçur në mister, duket se kishte ardhur jo dhe aq si një manifestim hiresh dhe pasioni, se sa si një trandje e themeltë e këtij kurmi që gjithë jetën e tij i’a kishte kushtuar asaj, muzikës, të vetmes gjë të hyjshme që Zoti kishte pranuar të zbriste në tokë.
Ludwig van Beethoven e jetësoi këtë dashuri mes notash e fletëve të pentagramit, mes vijash ngjethëse muzikore, mes gjëmimit të ojmt të larushisë së ngjyrave që ai derdhi në kompozimet e veprave të tij monumentale. Kompozime të tilla si Moonlight Sonata si dhe shumë simfoni të Beethoven kanë shprehur me elokuencë tragjiken e një marrëdhënie të mbetur përgjithmonë sekret.
Letra
Engjëlli im, gjithësia ime, ti, vetvetja ime! Po të them vetëm pak fjalë sot, e po i shkruaj me lapsin tënd. Boshllëku që më le nuk do të mbushet deri nesër; ç’humbje e pavlerë e kohës!
Përse është i nevojshëm gjithë ky trishtim?
Nuk ka tjetër gjë veç sakrificës dhe kufizimeve për dashurinë tonë?
A bën dot ti të mos jesh në gjithçka e imja, apo unë mos jem i gjithi i yti?
Zot!
Shiko këto bukuri të natyrës dhe ngroh shpirtin me atë që duhet të jetë.
Dashuria kërkon gjithçka dhe kjo me plot të drejtë, sepse është me mua tani, njësoj siç je edhe ti. Nëse trupat tonë do ishin të bashkuar, ti do të ndjeje të njëjtën dhimbje si dhe unë.
Tani një ndryshim, nga ajo që shohim jashtë, te ajo që jemi brenda. Me siguri to të shihemi disi më shpesh. Nuk mund të t’i them dot të gjitha ato që kam vënë re në jetën time këto ditë të fundit.
Nëse zemrat tona do ishin pranë e pranë, sigurisht nuk do mund të shihja asgjë ç’kam parë.
Zemrën e kam plot me ato që dua të të them, por ka momente kur mendoj se fjalët nuk thonë dot asgjë. Por gëzohu!
Qëndro thesari im i vërtetë, gjithçkaja ime ashtu siç jam unë i yti.
Zotat më pas do na japin atë që ata mendojnë se do jetë më e mira për ne.