Nga Albert Vataj
Por veçoritë e supozuara të uiskit si eliksir i jetëgjatësisë ishin të njohura prej shekujsh aq sa usquebaugh, siç e quanin banorët e lashtë të ishujve britanikë (dhe prej ku buron emri uiski) konsiderohej ilaç. Dhe vetëm shumë më vonë u shndërrua në një pije të thjeshtë.
Paraardhësit
Qytetërimet më të lashtë, nga Egjipti në Mesopotami, dinin tashmë se si të siguronin substanca alkoolike (verë, birrë) nga procesi i fermentimit natyror. Megjithatë, ishte në Azi, diku rreth vitit 800 para Krishtit, ku debutoi teknika e cila i hapi rrugë një mënyre të re të të pirit: distilimi. Duke zierë një përzierje uji dhe bimësh, dhe duke përqëndruar avullin që çlirohej nga vala, nxirreshin pije aromatike dhe me një përqindje të lartë alkooli. Nga përzierjet e orizit, kallamit, nga India deri në juglindjen e Azisë nxirrej (dhe nxirret ende edhe sot e kësaj dite) arracku, një pije e ngjashme me rumin.
Distilimi u përhap në Europën perëndimore shumë shekuj më vonë, i sjellë nga arabët dhe në mesjetë mbërriti në ishujt britanikë, ku gjeti një terren pjellor. I takon vitit 1494 dokumenti i parë në të cilin përmendet aqua vita (“uji i jetës”). Në dokumentat dhe rregjistrat fiskalë skocezë të atij viti lexohet për shembull: “t’i jap tetë njësi me malt vëllait John Cor me të cilin ai të nxjerrë aqua vitae”. Ishte ekuivalenti për të prodhuar të paktën 1500 shishe. Dokumenti tregon që distilimi i maltit të elbit (prej ku nxirret uiski) ishte i njohur ndër skocezët. Dhe nuk ishte shumë i ndryshëm nga ai i kohëve të sotme.
Rruga skoceze
Procesi tradicional e ka fillesën nga malting (maltimi). Elbi i përzierë me ujë të ngrohtë lihet në qetësi nga 48 deri në 72 orë, deri kur kokrrat e drithit fillojnë të buisin, duke u transformuar në malt, i cili më pas thahet në zjarr torfe (lëndë djegëse tipike e Skocisë dhe Irlandës, e nxjerrë nga depozitat organike të zonave të lagështa). Më pas vazhdon masching-u, në të cilin malti i tharë grihet dhe përzihet me ujë në temperaturën 80 gradë. Malti që nxirret, i zbritur në pothuajse 20 gradë temperaturë, më pas vendoset në enë të mëdha me maja natyrore që përshpejtojnë fermentimin.
Lëngu që sigurohet prej kësaj më në fund distilohet në dy kazanë të ndryshme me temperatura në rritje (80 gradë në të parin dhe 95 gradë në të dytin): pikëzat e avullit, të kondensuara, do të përbëjnë uiskin. Pasi kompletohet kjo fazë, fillon maturimi në fuçi me dru lisi që mund të zgjasë edhe disa vite, dhe në fund uiski është gati për t’u filtruar, holluar më pas me ujë për ta çuar përqindjen e alkoolit në 40-45 gradë dhe për t’u futur në shishe.
Eliksiri i mrekullive
Për para se të përfundojë në banakët e bareve, uji i jetës i prodhuar kështu është përdorur gjatë si ilaç. E këshillonte mjeku gjerman Hieronymus Brunschwig, tek libri i tij “Liber de arti distillandi”. Dhe tek “Kronikat e Anglisë, Skocisë dhe Irlandës” të autorit Raphael Holinshed (1529-1580) thuhet se një sasi e caktuar nga ky eliksir “ndriçon mendjen” dhe “i bën mendimet më të shpejtë”. Veç të tjerash përdorej për anestezi dhe si antibiotik dhe thuhej se zbuste simptomat e dhimbjeve të barkut, paralizës dhe madje edhe lisë.
Dimë gjithashtu që vetë Mbreti i Skocizë Giacomo IV (1473-1513) në vitin 1506 i pagoi një berberi në Dundee një sasi me shishe nga uji i jetës pasi, vitin e mëparshëm i kishte garantuar korporatës së berberëve-kirurgë (paraardhësit e kirurgëve modernë) monopolin e prodhimit të aqua vitae në Edimburg. Një kredo jetëgjatë në fakt: gjatë prohibicionizmit, kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së viteve Njëzetë u ndalua tregtia e pijeve alkoolike, qarkullonin shishe uiski me etiketën: “Përzierje kundër kolerës”.
Të ndjekur
Por telashet për ata që e vlerësonin eliksirin me malt filluan shumë kohë përpara 1920. Që në vitin 600 autoritetet e kuptuan që taksimi i prodhimit të kësaj pije alkoolike, që prodhohej tashmë edhe jashtë manastireve, mund të ishte fitimprurës. Karli I i Anglisë në vitin 1643 futi taksën e parë që njohim ne mbi uiskin. Parlamenti skocez shtoi një tjetër taksë në vitin 1693 dhe Karli II i Anglisë u përpoq të taksojë uiskin e prodhuar në Irlandën e përfshirë nga trazirat dhe protestat (por pa sukses).
Pasojat e këtyre “manovrave fiskale” nuk vonuan. Prodhimi i ligjshëm i pijeve alkoolike u bë prerogativë e pronarëve më të pasur të tokave (që mundeshin të paguanin taksat për distilimin), ndërkohë që për fshatarët mbetej vetëm kontrabanda. Kështu, në Edinburg, në fundin e viteve 600, kishte 400 distileri të paligjshme dhe vetëm 8 të ligjshme.
Për të treguar uiskin kontrabandë nisi të përdorej emri moonshine uiski (uiski në dritën e Hënës): distilimi i paligjshëm në fakt ndodhte gjatë natës, kur errësira fshihte tymin e distiluesve. Në një moment të caktuar, qeveria skoceze mendoi të kompensojë me një shifër stratosferike për kohën (5 stërlina) ata që ndihmonin të zbuloheshin distilierët e paligjshëm. Rezultati ishte që fshatarët bënin që të zbuloheshin pajisjet e tyre më të vjetra dhe, me paratë e shpërblimit, nxitonin të blinin pajisje të reja.
Në revoltë
Përplasja mes distiluesve dhe kontrabandistëve shpërtheu haptas kur taksan kapërcyen oqeanin Atlantik. Në vitin 1794, kolonët skocezë dhe irlandezë të Pensilvanisë refuzuan të paguajnë taksën mbi uiskin e futur në vitin 1791 nga qeveria e sapolindur amerikane dhe sulmuan taksambledhësit që kishin ardhur për ta mbledhur taksën. Episodi, që në histori ka hyrë si Revolta e uiskit, detyroi presidentin George Washington që të dërgonte 13 mijë ushtarë për të rivendosur rendin. Shumë prodhues u larguan më në perëndim, në territoret indianë. Lindën kështu distileritë e Indianas dhe Kentuckyt, aty ku edhe sot e kësaj dite kanë qendrën prodhuesit më të njohur amerikanë.
Ajo që vendosi më në fund rregull, në Angli, ishte një ide në dukje banale, e dukës Alexander Gordon: një licencë për të prodhuar ligjërisht uiskin. Në vitin 1823, parlamenti britanik miratoi atë që u quajt Excise Act: kush donte të distilonte uiskin, mund ta merrte lejen duke paguar 10 stërlina. Efektet ishin të menjëhershëm dhe të dukshëm: në dhjetë vite kontrabanda u zhduk pothuajse tërësisht dhe distiluesit, në vend që të mendonin se si tu shpëtonin taksambledhësve, mund të përqëndroheshin në përmirësimin e uiskit që prodhonin, dhe si ta shisnin edhe jashtë vendit.
Përzgjedhje natyrore
Pushtimi i “kontinentit” nga ana e uiskit skocez dhe irlandez u përshpejtua nga një shpikje (ironi e fatit) e një inspektori të taksave dhe frymëzuar nga një epidemi. Inspektori quhej Aeneas Coffey, ishte viti 1831 dhe shpikja ishte distiluesi me kolonë (“di Coffey” në vendet anglosaksonë). Lejonte një proces më efiçient distilimi duke përdorur një distilues të vetëm, me degë.
Dhe epidemia? Ishte ajo e filokserës që mori jetë të panumërta në të gjithë Europën: në gjysmën e dytë të shekullit XIX kalbja e vreshtave solli krizën e prodhimit të konjakut (frut i distilimit të verës). Uiski e zuri shumë shpejt vendin e tij, duke u bërë pija alkoolike më e përhapur në botë. Por jo të gjithë ishin gati të ngrinin dolli.
Kryqëzata
Që në vitet 800, Amerika puritane e shihte alkoolin si një instrument të djallit dhe një ligj i parë që e ndalonte tërësisht u shfaq në vitin 1846 në shtetin e Maine. Por lufta në shkallë të gjerë u shpall vetëm në vitin 1919. Në valën e një serie ligjesh të miratuar në 33 shtete të tjerë federalë u fut edhe amendamenti i 18 i Kushtetutës së SHBA: Volstead act (nga emri i kongresmenit që e propozoi) ndalonte prodhimin, shitjen apo transportin e pijeve alkoolike.
“Eksperimenti fisnik”, siç u quajt pati efekte të ngjashëm me atë të futjes së taksave në Europë në shekujt e mëparshëm. Jo vetëm u pasuruan kontrabandistë dhe distileritë abuzive, por tregtia e paligjshme pasuroi së tepërmi kriminalitetin.
U shfaqën si kërpudha të ashtuquajturit speak-easy, lokale që shisnin ilegalisht pije alkoolike dhe të kontrolluar nga mafiozë dhe gangsterë si Al Capone e Lucky Luciano, që i furnizonin. Në fund, të gjithë u vetëdijësuan për dështimin e eksperimentit dhe në 1933, një tjetër amendament i Kushtetutës, ai 21, anuloi Volstead act. Megjithatë, disa shtete ruajtën ligje prohibicioniste: si për shembull Mississipi, që e ruajti deri në 1966.
Ndërkombëtar
Suksesi i uiskit sot është konsoliduar në të gjithë botën dhe shumë vende janë bërë prodhues (duke përfshirë madje edhe japoninë, ku prodhohet një single malt shumë i mirë). Por janë Shtetet e Bashkuara që kanë vendin e parë në prodhim, dhe konsum. Një vend ku pijedashësit do të miratonin lehtësisht këtë proverb të lashtë skocez: “Një uiski është mirë, dy janë shumë, tre janë pak”.
www.bota.al