Nga Albert Vataj
Përmbledhtazi kësaj mak-sime të Georgi Plekhanov, sipas së cilës “Krijuesi kërkon të pohojë mendimet me fjalë, kurse me art u dëshmon njerëzve përjetimet e veta, dhe gjeneratës i dhuron një testament shpirtëror si visar të magjive të tija përjetuese”, vjen për kërshërinë e lexuesit “Largësi të kaltra” të prozatorit, Gazmend Mahili. Është kjo maksimë, është ky ngulm, është nevoja për të bashkëndarë gjërat që marrin vlerë përtej personales ajo që e risjell këtë autor pretendimesh modeste për të zënë një vend mëse të merituar në letërsinë shqipe.
Ai nuk vjen në botën e përbindshme të ballafaqimit të vlerave të letrares si një cytje e rastësores. Ai vjen për të rrëfyer. Sepse, thotë Fisheri: Kur artisti zbulon realitetin e ri ai s’e bën këtë për vete, ai e bën ketë për të tjerët, për të gjithë ata që duan të dine në çfarë bote jetojnë, nga vijnë dhe ku shkojnë. Ai prodhon për bashkësinë”. Pra ai vjen me qëllimsinë e sublimes përmes trajtesës dhe ligjërimit.
“Largësi të kaltra” është një ballafaqim i kurajshëm dhe përfaqësues i prozatorit Gazmend Mahili. Kjo përmbledhje me tregime dhe novela është vazhdues i udhës krijuese të Mahilit, i cili në fillimet e tij i është prezantuar lexuesit me “Madhështia e Mbrapshtë”, një libër me novela, i cili pasohet me romanin, “Humbësit e dëshirave”.
Ajo që e veçon këtë autor është trajtimi i tekstit. Poetika e prozës e ngërthen në një shtjellë përpirëse prehjen e ëndjes në lexim. Tërësia e elementëve përbërës së veprës është e përshkuar nga një natyrshmëri dhe përkujdesje delikate. Asgjë nuk është e vendosur kuturu në panoramimin që autori i bën peizazhit të rrëfimit. Pamja dhe personazhet njëtrajtësohen me impresionin përçues.
Brendia e subjektit artistik qaset të shpërfaq qartazi madhështinë dhe solemnitetin shprehës, orvatet të bashkërendojë tërë atë përmbajtësore që kumton mbartjen e nevojës për të treguar. Autori sillet me shumë klas dhe finesë në trajtimin e shëmbëllimit estetik, duke mbajtur të karikuar tempin e gjendjes që ceket përmes lojës së situatave dhe ulje-ngjitjeve që ofrohet përplot dinamikë.
Fjalori poetik, në tendencën e dominimit kërkon të dëshmojë për një shpirt të ndjeshëm dhe për një ligjërim të stolisur mendimi. Ky komunikim, duke u rrekur të ndërtohet ndryshe ngase lexuesi është ballafaquar me tekste të tjera, e shënjon autorin në listimin e vlerës dhe promovimit.
Teksti është konvencion i identitetit të autorit. Është esenca e letrares ajo që e njëjëson me një lloj gjendje eterne lojën e bashkëbisedimit me lexuesin. Ai nuk përpiqet të të hipnotizojë me rrethana dhe situata që shfaqen dhe zhduken si vegime. Ai është ulur në një fron, në një kënd të të së tashmes dhe ka nevojë të ndaje diçka që ai e gjykon se nuk mund të mbetet brenda vetes si një kufomë në shtatin e kujtesës së shteruar.
Perceptimi dhe përjetimi shkrihen dhe marrin një trajtë depërtuese, si frymë, si një taft që lejon të të përshkojë në një nevojë plotënimi. Rende nëpër këtë lëndinë ligjërimi letrar si fëmijët pas fluturave, për të kapur më të bukurën. Sa më shumë që i jepesh këtij hovi hareje dhe gulçi dëshirimi aq më të pamundur e ke të zgjedhësh më të bukurën e gjithë këtij fluturimi idil i përfytyrimeve. Autori ndoshta nuk ka pasur komoditetin të disiplinojë gjithë këto komponentë përbërës të narratives së tij, por ai tregon se është një shpirt i gatshëm për blatuar çdo gjëje që ai nuk dëshiron ta mbaj vetëm për vete, por ta ndajë dhe ta shumojë, siç bën bregu shkëmbor me valën.
Fjalia lakonike e çliron mendimin dhe trajtesën tekstshkruese nga trandja përqëndruese dhe hutimi. I shkartis fjalët dhe mendimet. E çliron marrëdhënien nga konvencionet e tepërta. Shtresimet rrëfyese nuk ngërthehen, ata ndjekin një rend logjik të afrisë me komunikimin. Ndonëse ngjarja hera-herë ka një vlerë të shtuar të tempit, gjithçka rrjedhë në shtratin e vet.
Kjo është ajo që udhërrëfejnë “Largësi të kaltra” të Gazmend Mahili, ky është kumti përcjellës i emocionit dhe estetikës, kësaj marrëdhënie që ai sendërgjon me një thellësi mendim i dhe ligjërimi.