"Mund të kesh defekte, të jesh në ankth apo duke jetuar ndonjëherë i acaruar, por mos harro që jeta jote është ndërmarrja më e madhe në botë.
Vetëm ti mund parandalosh që të mos shkojë drejt rënies. Shumë persona të vlerësojnë, të admirojnë dhe të duan. Do të më pëlqente që të kujtoheshe që të jesh i lumtur nuk do të thotë të kesh një qiell pa furtunë, një rrugë pa lodhje, marrëdhënie pa zhgënjime.
Të jesh i lumtur do të thotë të gjesh forcën tek falja, shpresën tek beteja, sigurinë në fazën e frikës dhe dashurinë në mosmarrëveshje.
Të qenurit të lumtur nuk është vetëm vlerësimi i një buzëqeshje por edhe reflektimi mbi trishtimin. Nuk është vetëm celebrimi i sukseseve, por mësimi pas dështimeve. Nuk është vetëm ndjesia e gëzimit që të japin duartrokitjet. Lumturi është të dish se ia vlen ta jetojmë jetën pavarësisht sfidave, keqkuptimeve dhe periudhave të krizave. Nuk është një falsitet i fatit, por një arritje për ata që jane ne gjendje të udhëtojnë brenda vetes.
Të jesh i lumtur është të heqësh dorë nga viktimizimi për shkak të problemeve dhe të bëhemi aktore të historisë tonë. Është kalimi i shkretëtirave jashtë vetes dhe të gjejmë ndonjë oaz në ndonjë skutë të shpirtit tonë.
Është falënderimi ndaj Zotit çdo mëngjes për mrekullinë e jetës.
Lumturia nuk është frika ndaj ndjenjave tona. Është të flasësh për veten, të kesh kurajon për të dëgjuar një përgjigje negative, të ndjesh sigurinë kur merr kritika qoftë edhe të padrejta.
Është të puthësh fëmijët e tu, të përkëdhelësh prinderit, të jetosh momente me miqtë edhe pse na lëndojnë.
Lumturi është të lejosh të jetojë krijesën që jeton brenda nesh të lirë, të gëzueshme dhe në thjeshtësi.
Është të kesh pjekurinë që të mund të thuash "Kam gabuar".
Është të kesh kurajon të thuash "Më fal".
Është të kesh ndjeshmërinë të shprehesh "Kam nevojë për ty".
Ështe të kesh aftësinë të thuash "Të dua"!
Që jeta jote të bëhet një kopsht me të gjitha mundësitë për të qenë i lumtur…
Në pranverat e tua ji dashurues i gëzimit.
Në dimrat e tu ji mik i dijes.
Dhe kur gabon rrugën, fillo gjithçka nga fillimi. Sepse kështu do të jesh më i apasionuar për jetën. Dhe do te zbulosh që të jesh i lumtur nuk do te thotë të kesh një jetë perfektë.
Por të përdorësh lotët për të ujitur tolerancën.
Të përdorësh humbjet për të kultivuar durimin.
Të përdorësh gabimet për të gdhendur qetësinë.
Të përdorësh dhimbjen për të vlerësuar kënaqësinë.
Të përdorësh pengesat për të hapur dritaret e inteligjencës.
Mos u dorëzo kurrë…
Mos hiq dorë kurrë nga personat që do.
Mos hiq dorë kurrë nga lumturia, sepse jeta është një spektakël i vërtetë."