Gjon Shllaku ishte një ndër dishepujt më të devotshëm të dijes, pasionit për aktin e krijimit dhe vetmohimit, përkushtimit dhe virtytit. Ai ishte shëmbëllimi më i përplotësuar i njeriut të përkorë. Si pakkush kam patur fatin ta njoh dhe ta takoj, fatkeqësisht për herë të fundit një vit përpara se të ndahej nga jeta. Gjithçka në të ishte e dlirë. Zërin dhe vështrimin i mbamend si më paqsoret që kisha rrokur deri asohere.
Më 24 mars 1923 leu djali i dytë i Prelë Shllakut dhe Pinës së Hilë Temalit, mes Lecit dhe Luigjit. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur Gjoni ishte 1 vjeç, si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali.
Ishte vetëm 22 vjeç kur e arrestuan dhe e dënuan me 101 vite burg. U dënua me burg të si antar i grupit të “Bashkimit shqiptar”. Vitet ma të hovshme të rinisë do t’i sakrifikonte në betonin e fushës së aviacionit në Rinas, te Ura Vajgurore, në tharje kënetash, në Burrel, në thyerje gurësh e çmos. Rifiton lirinë më 1957, kur ishte 34-vjeçare, me më shumë vite mbi supe, me më shumë përvojë, sprova të vështira e heka të zorshme në qelitë e ftohta e punën rraskapitëse. Ai mbante mbi vete edhe diellin e 18 gjuhëve të huaja, që zotëronte dhe i përdori ato deri në të mbramë si parmendën më të rëndë të lërimit të tokës së dijes.
Pas daljes nga burgu më 1957 ka punuar në Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim.
Ky burrë i urtë e i heshtur, i palodhur e i paepur, me talentin e tij të pashoq, i kishte dhënë shpirtin e tij si përkthyes, për t’i jetësuar Eposit grek pavdekësinë duke e bërë të flasë në shqip Iliadën, këtë kryevepër klasike.
Puna dhe angazhimi i tij i pandalshëm na lidhin me një galeri të dëshmimit të tij krijues, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende seminarist. Kur ishte vetëm 16 vjeç pruni të plotë në shqip “Gjeorgjikat” e Virgjilit. Një vit ma vonë përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit. Përktheu gjithashtu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në gegnisht, për ta ripunuar në standard më 1979. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisun prej shumë vitesh me 65.000 fjalë, e cila i mori as më shumë e as më pak se 15 vite. Ka lan të pa përfundum “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Ky njeri i shenjtë, bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i II.
Përveç punës rraskapitëse orëshumë të përkthimit ai la dhe krijimet e tij, nga të cillat përmendim dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuar prej punës së tij mas hekurave. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën më 20 nandor 1999.
E gjithë kjo përpjekje titane, kjo punë vetmohuese atë nuk mundën ta bënit të pasur, por në jetën time nuk do të kem shansin të njoh një njeri me një shpirt kaq bujar, me një zemër të madhe, i paankim e përjashta kurrnji angazhimi për me ken njeri publik, për me dëshmu e me kërku merita e privilegje. Ai punoi dhe jetoi për të ndërtuar njeriun e përkorë, atë që ne jetë të jetëve do të kina borxh mirënjohjen e përunjur.
Natyrshëm që gjithëkjo përmendore e krenarisë dhe e dijes së shqipes dhe shqiptarëve që rrëzelleu nga pena dhe puna e tij duhej të pikasej dhe të vlerësohej nga mirënjohja, e cila mundena me përmen; më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Pres.residenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë.
Tançka për të cilën na mbete me u krenu prej kësaj figure nuk janë dhe aq vlerësimet dhe mirënjohja, është vepra që la, puna e tij vetmohuse, emni i tij i pashlyem në kujtesën e gjithkujt qi ndjen nevojën për me ken i ndritun prek rrezeve të këtij shëmbëllimi të së përsosurës.
Për tan njata qi nuk e njihni dhe ndigjoni sot s’pariherë të flitet për Gjon Shllakun, un munden me than se ai ka pas të rrallë shokët, për nga dija dhe kultura. Me te na lidh jo vetëm Iliada, letërsia klasike qi e bani me folë shqip, por mënyra qi ky gjeni zgjodhi me naltsu panteonin e vet. Ai kurrë nuk u ankua, megjithëse vuajti, ai kurrë nuk ngau pas të drejtave dhe privilegjeve, megjithëse i takonin si rrallëkujt, ai kqyri punën e vet, u përpjek me e ba atë si asht ma mirë dhe pati kurajon intelektuale për me vlerësu punën dhe angazhimin e të tjerëve, pa u drasht se kjo ka me i eklipsu diellin e tij.
Albert Vataj