Nga Albert Vataj
David është pamëdyshje një kryevepër e Rilindjes italiane dhe piketa më përfaqësuese e një prej personaliteteve më me ndikim në këtë etapë të veprimtarisë krijuese, Mikelanxhelo BUONAROTI, (1475-1564).
Kjo skulpturë emblematike u krijua 512 vite më parë, në një zgjatim kohështrirjeje që niston në mes të vitit 1501 dhe finalizohet më 1504. Ajo është prej mermeri dhe shtaton me 5.17 metra lartësi, peshon 9 ton dhe përfaqëson aktin sublim të heroit biblik David, i cili mposhtoi Golian. Reailizimi kësaj vepre është në ndikesat e artit fiorentin, porositur fillimisht si një nga një seri statujash të profetëve. Statuja është bërë e njohur për publikun duke u vendosur në një shesh publik, jashtë Palazzo della Signoria, selisë së qeverisë qytetare në Firence, ku u zbulua më 8 shtator 1504.
Episodi
Mikelanxhelo kishte përfunduar Davidin e tij madhështor, po e çonte në qendër të qytetit dhe po udhëzonte njerëzit për ta vendosur në vendin e caktuar.
Aty pranë kaloi Pier Soderini, i cili ishte shumë i dëgjuar në art. Ai u ndal për ta vështruar veprën e re madhore të Mikelanxhelos. Pasi e pa skulpturën lart në podium i vajti pranë autorit dhe i tha: Hunda e shtatores duket tepër e madhe. Atëherë Mikelanxheloja nuk foli fare, menjëherë mori daltën dhe bëri sikur po e gdhendte me kujdes. Pastaj i hodhi sytë poshtë nga Soderini dhe i tha:
– Vështrojeni mirë tashti!
– Më pëlqen më shumë tashti, – i tha Soderini – i dhe me të vërtetë jetë.
Simbolika dhe trajtimi i Davidit
Për shkak të natyrës së heroit të përfaqësuar, statuja mbarti në vetvete edhe simbolikën e mbrojtjes së lirive civile të mishëruara në Republikën e Firences, një qytet-shtet i pavarur, kërcënuar nga të gjitha anët nga shtetet më të fuqishme rivale dhe me hegjemoninë e familjes Medici.
Sytë e Davidit, me një shkëlqim verbues dhe paralajmërues, u kthyen në drejtim të Romës. Statuja u zhvendos më pas në Galleria dell’Accademia, Firence, në 1873, duke u zëvendësuar në lokacionin origjinal nga një kopje e saj.
Albert Vataj