Nga Albert Vataj
Ajo u krijua rreth gjysmës së dytë të shek. XV. Shpikja e saj i atribuohet italianëve A. Brensino, Gasparo da Salo dhe A. Amati.
Vivaldi dhe Paganini e ngritën artin e violinës në shkallën më të lartë. Ata u pasuan nga mjeshtër të tjerë si Hajden, Beethoven, Bartok, etj. Të njohur janë veçanërisht koncertet për violinë të Mozartit, Stravinskit, Shonbergut, etj. Violina është mishërimi më modern i instrumentave muzikore të harkut, të ardhur nga antikiteti. Instrumentat muzikorë si violinë, violë dhe violonçel kanë evoluar, nuk ka data të sakta në krijimin e tyre ato vinë si një evoluim gjatë mesit të shekullit të 16 në pjesën veriore të Italisë. Andrea Amati (1500-1577), ishte pronari i shkollës Cremoneze të violinës. Ai njihet si krijuesi i violinës së parë. Gjatë 150 viteve të ardhshme, anëtarët e tjerë të familjes Amati dhe pasuesit e tyre, që ishin Antonio Stradivari (1644-1737) dhe Bartolomeo Guarneri Giuseppe (1698-1744), sollën një nivel përsosmërie të lartë në violinë, duke e shndërruar violinat në vepra arti që prodhojnë art. Violina gjatë shekullit të 17, u përhap në të gjitha vendet e Evropës dhe, në shekujt 18 dhe 19, në pjesën tjetër të botës. Edhe pse në botë ka gjithmonë e më shumë fabrika për prodhimin e violinave, violinat më të bukura dhe më funksionale janë ato të punuara me dorë nga mjeshtrit lutajo.
Sot një hap i hedhur nga shkencëtarët premton jo vetëm mbi mënyrën të re të prodhimit të violinë por edhe ndryshim të përbërësve, të cilët garantojnë një cilësi më të mirë dhe një kualitet më të lartë të tingullit ngase është ofruar nga prodhimi tradicional i instrumentit muzikor. Lamtumirë Antonio Stradivari ose të Bartolomeo Guarneri Giuseppe që ka shekuj që violinat e tyre konsiderohen të veçantë. Tani bota e madhe e muzikës dhe “Paganin-ët” e violinës duhet të pranojnë që ky instrument magjik po hyn në një erë të re.
Shkencëtarët kanë filluar të prodhojnë violina duke përdorur mëndafshin e merimangave dhe ata thonë se telat me tre fije mund të kenë një efekt të madh në tingujt e instrumentit. Sipas ekipit që ka prodhuar violinën, mëndafshi i merimangës u krijon atyre mundësinë për prodhuar tinguj që i përshtatet me saktësi dëshirave të muzikantëve.
Ndryshe nga violinat e famshme Stradivari, madje edhe nga ato të zakonshmet, këto violina nuk janë prodhuar nga druri, por me mëndafsh dhe rrëshirë. Johanna Bernard dhe Helena Szwoch nga Kolegji Mbretëror i Artit janë duke bërë prova me këto violina.
Prodhuesi i violinës është inxhinieri i diplomuar nga Kolegji Mbretëror i Londrës, Luca Allessandrini.
“Mëndafshi i mermangës ka vetinë të marrë ndoshta ritmin më të lartë të shpejtësisë që unë kam parë ndonjëherë. Kjo ndodh për shkak të elasticitetit të lartë dhe dendësisë së vogël të këtij materiali.”
Shtatëdhjetë përqind e materialit të instrumentit është mëndafsh dhe tridhjetë përqind rrëshirë.
Sipas zotit Alessandrini ky është një material që mund t’ja kalojë edhe fibrave të karbonit për vetitë që ka. Ai thotë se zgjodhi të prodhojë me të violinën pasi ajo ka një histori tradicionale të njohur artizanati.
Prodhuesit dhe riparuesit e violinave vazhdojnë ta kenë bazën në Itali, në qytetin e Kremonës, ku Antonio Stradivari prodhoi instrumentet e tij, që u bënë të njohuara në mbarë botë. Luca Allessandrini studjoi pikërisht traditën e Stradivarit, kur vendosi ta prodhonte violinat e tij.
Nëse shikoni nga afër violinat, mund të shihni tre fije të ngjitura në trupin e violinës, këto janë prodhuar nga mendafshi i merimangës. Ato janë 35 centimetra të gjata dhe shtrihen përgjatë trupit të violinës.
Studimet tashmë kanë treguar se përveç fortësisë dhe elasticitetit, rrjetat e merimangës kanë edhe veti elektrostatike.
Luca Allessandrini thotë se prodhuesit e violinës në Kremona u habitën nga rezultati që panë.
“Unë u kërkova atyre të krahasonin dy instrumente dhe mendimi i përgjithshëm ishte se instrumenti i dyti tingëllonte më mirë.”
Johanna Bernard, që bëri prova me violinën e prodhuar nga mëndafshi i merimangës është e bindur se ka një diferencë të dallueshme në akustikën e saj.
“Mendoj se kjo është një alternativë mjaft e mirë, sepse është më e lehtë se sa violina ime prej druri. Por në përgjithësi, unë do të preferoja përdorja violinën time prej druri, sepse ajo ka një tingull më të fuqishëm.”
Por qëllimi i inxhinierëve në shfrytëzimin e mëndafshit të merimangës nuk është prodhimi i violinave.
“Ndryshimi i strukturës së brendshme të materialit, bën që ai të krijojë tingull të ndryshëm. Pra, qëllimi i projektit tim ishte për të treguar se është e mundur të prodhohen materiale që krijojnë tinguj të ndryshëm, duke ndryshuar strukturën e tyre të brendshme përmes përdorimit të fibrave. Pra, këto dy violina, në njëfarë mënyre janë dëshmi e këtij konceptit. Qëllimi im nuk ishte prodhimi i violinave të mira, por krijimi i një teknike të prodhimit që mund të zbatohet për produkte të tjera, si altoparlantët dhe amplifikatorët”.
Luca Allesandrini shpreson se ky është vetëm fillimi i zbulimeve që mund të revolucionarizojnë industritë që lidhen me prodhimin e objekteve të akustikës, si dhe të nxisë shtimin e përdorimit të materialeve bio-inxhinierike.