Qasjet e kësodorshme artistike, si në romanin “Dritë nga errësira”, të Hali Teodorit, përkojnë me ngulmimin përnga kumti dhe rrëfimtaria. Më shumë se kah dimensioni estetik, kahja si shërbesë rrëfimtare, ngulmon thelbësoren e këtij romani. Ngarendje për t’i bërë karshillëk dy dimensioneve, gojtarisë së kallëzimit, shpesh në narrativ, ka pru një lloj artifici jashtëletrar. Kujdesi për formën, më shumë se sa për brendinë, ka ngas nër ne një masë marrafrymëse të letërsisë që priret në kryeherën e vet nga përnga trukimi. Më së shumti, kjo letërsi është lëndë e mbrujtur mirë e kundrimit dhe konstatimit, e qëmtimit dhe e larushimit të situatave dhe shpërfaqjes së personazheve. Në romanin e Halil Teodorit, “Dritë nga errësira” është e rëndësishme rrëfenja, “me zemër në dorë”. Si për autorin, ashtu edhe për gjithsekënd, përvojat jetësore, janë të atilla, përnga larushia dhe shumforma, sa mjafton t’i ndjesh për t’i kumtuar botnisht, dhe ata janë vetiu një kapërthim i epërm artistik. Udhërrëfimi i gjendjeve në këtë roman, yshten për të patur stacionin e rrugëtimit, një kujtim. Një fotografi e një të afërmi, e cila ka ndjekur ashtu e kyçur në një korrnizë të drunjtë, hap pas hapi, bashkë me fatin tënd, ngado që ti ke ikur. Dhe një ditë, jo ndryshe nga gjithë të tjerat, ajo vendos të flasë me gojën tëndë. Vendos të rrëfejë gjithçka dhe pa droje, o sot, o kurrë. Të duhet vetëm të bindesh. S’ka kohë për të pritur. “Dritë nga errësira”, tekembramja është e mbarsur nga përmasat e një kushtrimi, i cili tuj gufu nga përvojat jetësore e personazheve, të vendosur në një kënd të së tërës tragjedike, në një realitet dramatik, ku luhet mizorisht me fatet e individit të tufëzuar. Në këtë qasje autori nëpërmjet personazheve dhe karaktereve, situatave dhe ngjarjeve dëshmon dhe nuk nguron t’i kumtojë tançka atë e ka mbrujt, me fondamentin e shpirtit.
Udha nëpër shtigjet e garrametshme nuk bëhet pengesë, që ky përrua i majisun nga stuhitë, të lëshohet përposhtë turravrap, me poterë. Autori, përkimin e situatave e shkrin me personazhet, të cilët në diktaturë, të gjithë janë fatkeq. Armiku është i përbashkët. Trauma dhe krrakëdhima e dhëmbëve, gjithashtu ngjajnë. Lënda emocionale është e shkrifët, tek-tuk ajo ngjishet fort duke marrë forma solide, shpesh të pashpërbëshme, të padeshifrueshme. Gjithseqysh, ky është njeriu i kodifikuar sipas një rregulli që gjehet i shumëfishuar në individin standard, që përfaqëson tiparin kryesor të tërë shoqërisë së kohës së tij.
Parakalimi që i bën autori jetës së personazheve i ngjajnë ritmikës së shpërfaqjes së episodeve në celuloid. Gjithçka mund të ngjasë nga faqja në faqe. Duket se karakteret e përcjellë në këtë roman, janë të përpunuar gjenetikisht, për të perceptuar çdo të papritur, si pritshmëri. Mëgjithatë situatat dhe ngërthimi i ngjarjeve kanë pothuaj gjithseçka, jo dhe aq të parathënë, se sa të njëllojtë. Nëse ata kacavirren në rrëpirën e thikat të idilit për të ndryshuar, kjo ngase dhe jeta e tyre qaset të shpërfaqet e tillë, krejt papritur udhët e tyre bashkohen. Honi ku gremisen të gjitha qasjet është pikëtakimi, është zgavra ku fatet e tyre bashkohen. E rishtaz ata provojnë përsëri. Përsëri përpiqen, anipse shpërblesa është e parathënë. Ata i bashkon honi, nga ku dhe janë startet e tyre. Rropatja është as më shumë e as më pak, veçse një orvatje drejt një shtegu, që gjithnjë është një dhe i vetëm.
Ndoshta është koha që kanë vendosur të jetojnë, mënyra e jetës që kanë vendosur të bëjnë, ose për të cilën janë programuar, ajo që përcaktojnë qartazi, se çfarë kanë parashikuar orakujt për ta. Ndryshe, thjeshtë ata binden si në një hipnozë. Dhe kështu është dhe kurrqysh tjetër.
Halil Teodori në romanin e tij, në qendër ka gjithnjë personazhin protagonist. Ka pikmbështetjen arkimediane ngaku lëviz gjithçka, ngase gjithseçka ndodh gjithseqysh në të dhe përreth tij. Kjo referencë është thjeshtë një vetvete, që dirigjon gjithë këtë trupë aktorësh-personazhe. Është Uni dhe Esi i këtij personazhi në tërësinë e vet që ushqen, deri edhe me formësimin e situatave dhe ndodhive, galerinë e tërë të emrave dhe ngasjeve emocionale.
Destinomi për të përshkuar përgjatë gjithë jetës Golgotën, është fatthënia që u ka vënë përpara vetëm një alternative, kryqëzimin. Bashkë me shenjtnimin ata përcjellin mesazhin e fortë, se liria mbetet ngulmi vetëmohues, përpjekja ngallnjimtare mbi despotizmin. Ata përpiqen. Është pikërisht kjo trajtesë, ky ngjurim që tipizon identitetin e personazheve që luajnë në një skenë të vetme, Shqipërinë e viteve të diktaturës komuniste. Autori në “Dritë nga errësira” nuk shmang qoftë edhe detajet, në dukje të parëndësishme për ti kumtuar. Pas çdo cingërime ai parasheh fillesën, zanafillën e një ngjarje, një situate, agravimi i të cilave përvijon në një ashpërsim të terrenit, acarim të kushteve atmosferikë, ku ngarendin shtigjet e gjarpërimit të karakterit të personazheve. Ajo që e bën ngulmues këtë përpjekje të Halil Teodorit për të parë dritë në errësirë është kauza vullnetmirë që vetiu motivon deri në fund, si personazhin qendror, ashtu dhe gjithë galerinë e personazheve të tjerë. “Dritë nga errësira” është një yshtje e autorit për të kumtuar dhe kuvenduar, dhe këtë ai qaset ta gostit në odën e madhe të breznive, si dëshmim i një mbamendje të gjatë dhe drithëruese.
Pse pikërisht “Dritë nga errësira” pagëzohet kjo rrëfimtari, kjo qasje juaja në narrativën shqipe?
Prej kohësh më ka tunduar e shkuara, kujtimet që ka shtresuar brenda vetes sime si një humus, siç tundon çdo vullnet vërshue përnga e ardhmja. Isha përplot i mbushur me kujtime, me përvoja jetësore me kumte të së shkures. Domosdo ata më sëmbonin nga koha në kohë. Mendova jo gjithçka duhet t’ia besoja një bisede me të afërm e me miq. Sa herë që hapeshin biseda të tilla për Shqipërinë e kohës së diktaturës dhe si pakuptuar gjendesha i përfshirë nga shtjella e saj përpirëse, ngrihesha me një ndjenjë pamjaftueshmërie të dëshmimit, të kushtimit për të treguar atë që shumë prej dëgjuesve i dukej si një realitet imagjinar.
Në këto kushte ju kishit një brengë, diçka ju sëmbonte, një shije e helmët ju kaplonte të gjithin, pse ndodhte kjo?
Kryekëput kjo ndodhte se tek unë përvojat e hidhura të diktaturës mu bënë pjesë e jetës, ngarendje e të përditshmes pikërisht atëherë kur unë isha ende fëmij. Tek unë vdiqën njëra pas tjetrës, fëmijëria, adoleshenca dhe rinia, vitet dhe ditët më të hareshme, më të vrullshme. Privimi në këtë moshë ndikon në brumosjen e një personaliteti dhe integriteti personal të lënduar, të athët. Ajo fëmijëri e lënduar, si tek të gjithë, kthehet hera-heres edhe tek unë për të zgjuar kujtimet.
Dhe ju vendosët se duke i hedhur të gjitha një e nga një në një libër, do të zhburgoseshit nga ato kujtime, nga ajo e kaluar, dhe do të shlyeni një borxh që i keni asaj?
Pikërisht. Duke i hedhur në letër, njëherazi mendoj se jam duke e ndarë me miq dhe të afërm, duke e bërë një gurë në themelet e të sotmes dhe të ardhmes, time dhe të fëmijëve të mij. Kujtimet dhe përvojat, gojëdhënat dhe rrëfimtaritë e ndryshme, tashmë janë jashtë meje dhe brenda të gjithëve që gjejnë kohë për ta lexuar këtë libër. Duke dalë nga mendja, zemra dhe shpirti ata kanë marrë të drejtën e përjetësisë. Sikur ata të vazhdonin të ishin brenda meje, një ditë do të shuheshin së bashku me mua. Dhe testament nuk do të kishte trashëgimtar.
Me tematikën për diktaturën për kaluarin e gjatë të mundimeve janë shkruar me dhjetra libra të gjinive të ndryshme, që nga ato me fakte të dokumentuara, ato me destinim historik, të jetuara dhe ato me kumt artistik. Në gjithë këtë prurje vërshuese, çfarë premton ndryshe “Dritë nga errësira”?
Unë mbetem modest në pretendime. Kontributi im është vijimsi i atij kushtrimi që nuk kishte pse të mos e ngrinte zërin deri në qiell për të klithur, për të ngritur grushtin e për të këputur edhe vargonjt e fundit të diktaturës komuniste ato të kujtimeve të së shkuarës. Gjithnjë ke diçka ndryshe për të thënë. Shqipëria ishte e gjitha një kamp përqëndrimi, një burg i stërmadh, një laborator mizorisht ku njerëzit përdoreshin si kavie e sistemit, e mizorive të diktaturës. Në këto kushte sekush ka diçka ndryshe për të rrëfyer, diçka ndryshe për të dëshmuar, diçka krejt tjetërqysh për të kushtruar. Ne ishim të gjithë viktima të asaj tragjedie, dhe vetë tragjedia ishte absurdi i kthyer në normalitetin përjetues.
Sa mendone se keni mundur të ia arrini asaj që keni dëshiruar. A mund të themi se ia keni dalë të sfidoni triumfalisht mbi të shkuarën dhe gjithë asaj vorbulle kujtimesh. Apo ende ka diçka që ka mbetur nëpër skutat e errëta të kujtimeve?
Natyrisht , jo gjithçka gjen rrugën e plotësimit të vetvetes. Kjo mendosj se është një përpjekje e guximshme dhe vetëmohuese, një qasje për të çmbushur vetveten nga kujtimet e së shkuares dhe për ti kuçur ato në një libër, të cilin sa herë do ta ta hapim do të na bëjë melankolik dhe do ndjehemi pakëz të pushuar nga nostalgjia. Pas pak gjithçka do të jetë si më parë. Ti do të ndjehesh i përfshirë nga e përditshmja, nga angazhimet dhe përgjegjsitë që e tashmja ti ka hedhur mbi supe. Gjithsesi nuk mendoj se kanë mbetur ende shumë për të kumtuar. Jeta jonë ka brenda vetes plot fragmente si dritat e rrufeve. Ata mendoj se janë shumë vështirë për t’i mbledhur. Nuk di të ketë një gjahtar rrufesh. Mendoj se ata i duhen shëndetit ton mendor dhe emocioneve tona. Shkreptima e tyre thjeshtë na bën të jemi më të ndjeshëm, më sensibël, më njerëz.
Ndryshe nga libri juaj i parë me poezi të titulluar “Vegimet e moshës”, tani në prozë si ndjeheni. A do të kishit diçka për ta ndarë me ne. Një përjetim, një përvojë, një emocion?
Poezi është tjetërçka, ajo është gjuha e perëndive. Mbetem i dashuruar me të, pavarësisht se proza nuk ta privon atë që poezia ta ofron bujarisht, gjithpushtetin në pafundësi të gjërave dhe gjendjeve. Mendoj se edhe unë si shumë krijues që e kanë nisur me poezi dhe vazhduar me prozë. Proza është më shtruar, më e manovrueshme. Poezia i ngjan një kali të pashtruar, që hazdiset në pafundësinë e lirisë dhe universit. Duhe të jesh i ri të shtrosh një mëz, ta urtosh vërshimin e tij. Proza është e urtë dhe bashkëpunuese, sekush mund ta bind dhe urtojë atë.
Nga kjo mendoj se ju keni hequr dorë përfundimisht nga poezia, nga kurajoja për të urtësuar një kalë të pashtruar, nga guximi për t’u hedhur më një frymë në zjarrin e lirisë dhe pafundësisë?
Nuk ka dashuri që shpirtit mund t’ia shkulesh si një bimë, ashtu pa problem e pa vramëndje. Dashuria, si ajo e poezisë, ka lindur dhe është rritur së bashku me të dhe nuk mund ta ndash prej saj. Fakti se nuk kam botuar poezi, kjo nuk struk në vetvete arsyen se e kam braktisur përfundimisht atë. Shkruaj në momente të ndryshme, mbase atëherë kur energjia e shpirtit ka nevojë për një shkarkesë të fortë. Proza është një angazhim imi aktual. Me të po punoj dhe shpresoj të rivij tek lexuesi, ndoshta me diçka krejt tjetër.
Keni kohë që jeni larguar së bashku me familjen nga Shqipëria për në SHBA . Sa keni gjetur Shqipëri dhe a ju ka munguar ajo?
Në Shtetet e Bashkuara ka shumë shqiptarë. Kudo kua ata shkojnë përpiqen të kërkojnë dhe të ruajnë njohje me bashkëkombasit e tyre. Ndonjë kafe, vizitë apo sebep sa herë na e sjell Shqipërinë të gjithën atje përtej Atlantikut. Jo vetëm komunikimi shqip, por edhe bisedat janë të gjitha të përqëndruara dhe me subjekt vendlindjen. Natyrshëm, forca e mallit i thyen të gjitha barrierat e një realiteti individualist që është transformuar në filozofi në vendet globaliste. Fundjavave përpiqemi të “rikthehemi” në vendlindje. Fillimi i javës kërkon gjithçka të rifillojë, të kap ritmin, të tendos angazhimet dhe vrullet. Jeta vërshon.
Diçka nëse do të kishit për të përmbyllur këtë bashkëbisedim?
Nuk do ta fsheh mirënjohej për të gjithë ata që do të gjejnë kohë të shfletojnë librin tim “Dritë nga errësira”. I garantoj se është një përpjekje imja modeste dhe e sinqertë, një angazhim dhe përkushtim për të bërë më të mirën?