Nga Albert Vataj
Bota e garrametshme e muzikës, historia e pashembullt e legjendarëve që ngjizën me pasion e me forcë të etershme besimi, Zotin që krijoi botën ëndërrtare, realitetin magjepsës të tingujve dhe harmonisë, me Niccolo Paganini e ngërthen në një dimension tjetër këtë univers, këtë yjësi shumëshndritëse.
Miti i këtij shëmbëllimi të fanitur vetëm nëpër përfytyrime, kaploi eterin jo si një engjëll, por si një djall. Kësisoj edhe shtëpia e Zotit, nga agonia e deri në shterim, mish e shpirt, e dëboi si një heretik dhe e përndoqi me flakët e ferrit, duke e kthyer në një Promete të zjarrit të shpirtit.
Niccolo Paganini u lind më 27 tetor 1782 në Genova. Asokohjes erdhi në jetë më i magjishmi i magjisë së violinës, kësaj vegle muzikore që nisi rrugën e vet të mrekullimit që në antikitet, për t’u njohur në Italinë e shekullit XVI si një dimension etern që i qasej andjes së njeriut. Violina nuk ka njohur në historinë e ekzistencës së saj një virtuoz më të zotin se Niccolo Paganini. E çfarë nuk është thënë dhe sendërtuar për ta ngecur në kurthin e legjendës, për ta shëmbëllyer të përplotësuar atë çfarë ky gjeni kumtoi e kurorëzoi. I madhi Robert Schuman ka thënë: “Paganini ishte pikë kthese në historinë e virtuozitetit”. Talenti i tij i jashtëzakonshëm mendohej se ishte rezultat i një pakti me “djallin”, ai luante në violinë si një magjistar. Rrëfehet gjithashtu se kur Paganini luajti për herë të parë në La Scala të Milanos më 1813, një kritik italian shkruante: “Ai është pa asnjë dyshim, violinisti më i madh në botë. Interpretimi i tij ishte vërtet i papërfytyrueshëm. Pasazhet e tij gjatë ekzekutimit në violinë, kërcimet e harkut dhe akordet, asnjëherë nuk janë dëgjuar nga ndonjë violinist”. Në asokohje rrëfehej se princesha Eliza e Lukas, motra e Napoleonit e kishte të pamundur ta dëgjonte pa i rënë të fikët dhe se kompozitori Rossini qante si vajzë e vogël kur dëgjonte Paganini të luante. Gjithashtu, thuhej se telat e violinës së tij ishin të krijuar nga zorrë njerëzish, andaj kjo ishte arsyeja e melodive të jashtëzakonshme që dilnin nga interpretimet e tij. E ç’nuk u stis për ta personalizuar sekush këtë mit përmes shpërthimesh të këtilla fantazish të shpenguara. Ky ishte Paganini, ajo perëndi e ardhur nga Olimpi si shëmbëllimi i një afrie të tokësores me hyjnoren.
Virtuozi e violinës
Niccolo Paganini, nuk ishte thjesht një violinist, kitarist apo kompozitor. Ai ishte një perëndi. Ai ishte Zot që krekosej mbi kërshërinë dhe ëndjen e gjithë atyre që patën fatin ta përcjellin së gjalli këtë talent jashtëtokësor. Gjunjëzimi përpara kësaj përmendoreje të hyjnisë së muzikës, i lartësonte mish e shpirt. Të gjithë, kureshtarë e shpirttrazuar, u pushtuan prej kësaj ndjesie, u mrekulluan prej kësaj energjie penetrimi që çlironte ai korife prej aktit të virtuozitetit. Loja e këtij mjeshtri të patëdytë dallonte kësodore për nga teknika. Veçon, sesi e përafronin atë me të magjishmen, tinguj që mëtonte, loja që kremtonte. Shembulli që gostiti u shndërrua në burim frymëzimi për shumë kompozitorë, kujtojmë në këtë kolanë, të madhin Franz Liszt. Një poet gjerman shkruante mbas koncertit të Paganinit: “Ishte një entuziazëm i madh e mahnitës që nuk e kisha parë e dëgjuar ndonjëherë në jetën time “.
Legjendari i të gjitha kohërave, artisti që trondiste skenat. Edhe pse kishte kapluar majat më të thekshme të lavdisë dhe virtuozitetit, jeta ekstravagante në krahët e harbuar të së cilës ai kridhej si një i babëzitur, nuk ia kurseu shtratin e dhembjes, ku ky shpirt i trazuar lëngoi. Ky talent i papërsëritshëm kishte shkaktuar stuhi zilie në sedrën dhe ambicien e bashkëkohësve dhe hapur një qiell ku shndërinte vetëm ylli i tij. Jo talentin por shpifjen dhe sajesat nga më fluturaket, trillet e mendjeve më të errëta, kishin endur për të çmos. Disa thonin se kishte vrarë dy gratë që dashuroi, shpirtrat e të cilave ai i burgosi brenda tingujve të violinës së tij magjepsëse. Mënyra se si i rrëmbente dëgjuesit në rrymën melodioze, ishte më shumë se e veçantë, e mistershme, ngazëllyese, magjepsëse. Ai kishte lindur të krijonte me virtuozitetin e tij, me violinën e tij “Guarneri del Gesu” një dimension të ri të realitetit, një qasje eterne të jetësimit të momentit, një mundësi të hyjshme të njeriut të depërtojë në qiejt e parajsës.
Cilido që e dëgjonte s’pariherë këtë magjistar të kësaj vegle muzikore, ndjente transformimin që e përshkonte të tërin. Akordet dyshe e treshe, akordet oktavë e glissandot bashkë me staccato e pizzicato të dorës së majtë e të djathtë që jetësoi ai, depërtojnë atëditë e sot në frymëmarrjen e gjeneratave. Edhe pse nuk ishte aspak i bukur, femrat magjepseshin me personalitetin e tij, koteshin në sharmin që kumtonte ndërsa bëhej njësh me violinën. Studiues kujtojnë me panik se pak para se ky gjeni të vdiste, sytë e tij kishin marrë formë të frikshme. Sytë e shkëndishëm ishin strukur aq thellë, saqë tmerri që shkaktonin tek ata që i shihnin, nuk kishte të shuar. Por e keqja nuk ndalte aty, gishtërinjtë e tij të stërzgjatur i kishin bindur të gjithë se bëhej fjalë për një “qenie diabolike”. Madje para se të linte frymën e fundit si pasojë e tuberkulozit në laring, prifti refuzoi të kryente ritet e fundit. Kështu, më 27 maj 1840, kisha katolike refuzoi varrimin e “shërbëtorit të djallit” dhe i vdekuri qëndroi për gjashtë muaj në arkivol, brenda bodrumit të spitalit. Më vonë, me ndërhyrjen e tre adhuruesve të tij, u arrit marrja e trupit dhe varrimi i fshehtë i tij.
Jeta dhe vepra e mjeshtrit
Niccolo Paganini lindi më 27 tetor të vitit 1782, në Gjenova. Ishte një nga gjashtë fëmijët e Tereza dhe Antonio Paganinit. I ati ishte një argat në portin e qytetit dhe një amator i mandolinës. Afër të atit dhe drejtorit të korit të kishës katedrale të Gjenovës, Nikolo i vogël, akoma pa mbushur gjashtë vjeç, mori edukimin e tij të parë muzikor duke mësuar mandolinë dhe violinë. Shkruan sonatën e tij të parë në vitin 1790, kur ishte vetëm 8 vjeç. Në moshën 9-vjeçare u shfaq në skenë duke krijuar një entuziazëm të paparë me interpretimin e ndryshimet e tij mbi veprën Karmanjola. Përmirësoi ndjeshëm artin e tij afër violinistit të famshëm Rola në Parma dhe studioi kompozim me Chiretti-n, mësuesin e Paer. Që të dy deklaruan se nuk kishin se çfarë t’i mësonin këtij djaloshi me shumë dhunti.
Një periudhë e jetës rinore të gjeniut mbetet e mbuluar me mister. Thuhet se gjatë turit të tij të parë me koncerte nëpër Itali, shiti violinën për të paguar disa borxhe që bëri nga pjesëmarrje në lojërat e fatit. Një amator francez i fal mjeshtrit në Livorno një violinë të shkëlqyer “Guarnieri”, violinë kjo që mbeti e preferuara e Paganinit deri në fund të jetës.
Femrat dhe lojërat e fatit mbamenden të jenë gropat më të thella ku u rrëzua hera-herës karriera dhe shëndeti i tij i dobët. Gjenialiteti që gdhendi me pasion e përkushtim, shndriti me mister e legjenda, e bënë atë të pavdekshëm. E gjithë bota fliste për këtë muzikant me pamje ekzotike dhe sot përkulet me mirënjohje e përunjësi për ç’ka mëtoi.
Fiziku dhe ndikimi në publik
Paganini ishte i gjatë, i dobët, me flokë të gjatë dhe një fytyrë të verdhë që i jepte pamje që të kujtonte më tepër një fantazëm sesa njeri të gjallë. Kishte gropa në fytyrën e tij eshtake. Shikimi që pluskonte prej atyre zgavrave të thella ishte kaq i ftohtë, sa njerëzit rrallë arrinin ta shikonin drejt e në sy. Zakonisht dilte në skenë me vonesë, gjithnjë i veshur me të zeza. Pasi vendoste violinën në sup, pa shoqërinë e ndonjë instrumenti tjetër, fillonte të shpërndante ”magji” dehje dhe shastisje. Dëgjuesit, ata më zelltarët, viktima të mahnitjes thonin se ”kishte djallin në bërrylin e tij”.
Mbamendet se kishte një ndikim të tmerrshëm emocional mbi publikun. Efekti i virtuozitetit i ngjante më shumë lojës së një magjistari se sa një violinisti. Mund të transformonte burra guximtarë në frikacakë duke i udhëhequr në çmenduri dhe anasjelltas, të transformonte frikacakët në heronj, ndërsa sidomos tek femrat krijonte kriza emocionale dhe histeri kur e dëgjonin. Krejt këto, padyshim që përligjin gjithqysh sa u stis për të si një vullnesë e djallit. Fundja, e bukura, e magjishmja, kllapitësja që vjen prej muzikës, nëpër qiej e hedh andjen e dëshirimeve, atë më të madhërishmen që diti ta mëtonte një gjeni si Paganini.