Nga Albert Vataj
“Poezia vjen nga lumtunia ma e naltë ose pikëllimi më i thellë”, gjithqysh ajo i bahet shkas përcaktimit të skajeve në t’cillat përplaset kurmi jon i brishtë shpirtnor. Rrjedhimit, fjala dhe vargu, përjetimi dhe përfytyrimi, rreken me ravijëzu përmes reflektimeve vetjake të poetit, botën. Janë këto caqe kumtimi poetik, ku jetësimi krijues i Ledia Dushit merr trajtë, bahet njajo gjendje e ndezun ndijimi, ku secilli n’ne asht i ngërthyem. Ajo i nep za nji pamjaftueshmënie tonën për me mëtu, ç’ka e përban landën në t’cillën gjendemi dhe trajtën ku marrim formë. Kësisoj, poezia e saj, niset e derdhun pritjesh t’përmallshme për me gjet nji prag, shtërzen nën sëmbimin e nji dhimbjeje të sertë për me ju dhan nji britme, zjarmet e prushet në purtekët e buzëve, për me u dalldis nji puthjeje, hesht e zatetun nan peshën e nji bote të shurdhët për me gjet krahnor për gjëmimin qiellgërvishtës.
“N’nji fije t’thellë gjaku” pikon qielli i atyne përjetimeve, atij trazimi qi e shtërngon, dhe asaj amëlcie krjimi, përmes trajtave qi mëton ndijimi, ajo energji që na përshkon, tue na zgju prej platitjesh e amnezishë, qi e tashmja e gjanave t’sipërfaqshme na mëkon. Asht evidente kohshmëria e pranisë në aradhën e emnave të zashëm të poezis shqipe. Ledia Dushi i kërkoi prej qyshkuri zotnimet e saj, ndoshta asaj at’hershmërie, kur poezia qi ajo solli ngërthen, ngulm e kulm.
Historia ka dëshmu se kur njerëzit ndihen t’kapun prej nevojës për nji lloj rebelimi, asht krijuesi, poeti, ai qi e vesh me përjetim çdo thermij të reales dhe përfytyrimit, i cilli, tue u rrek me skalit gjithçka që dhemb e trishton, në trajtë vezullimi, ai i bahet dritë çdo hutimi dhe frike, i asht frymëmarrje tançkaje qi lyp me ken ritëm dhe puls. E kësisojtë asht poezia e shkodranes, poetes qi guxoi me kallzu vetvedin te secili prej nesh.
“Poezia mundet me na ba herë mbas here pak më të vetëdijshëm për ndjenjat më të thella, pa emën, t’cillat formon nanshtresa e qenies sonë, ku rrallë depërtojmë, kjo ngase jeta jonë asht kryesisht një evazion i vazhdueshëm i vetvedit”, kumton TS Eliot. Por Ledia tue i’u gjunjëzu asaj qi beson, e ban vullnesën e saj poetik altar.
Me gegnishten e saj të amël dhe shpirtin delikat të nji trazimi të heshtun, ajo endi pëlhurën e solemnitetit krijues me njaq origjinalitet e hir, sa ç’kumton edhe sod ajo shpreh lëmimin e vet këndues, në “N’nji fije t’thellë gjaku”.
Riardhja e Ledia Dushit në këtë klimë poterisëse poezishkruesish, asht e gjasshme me grishjen në kujtesë të nji timbri, të njatij sëmbimi shkundullitës, që beh qëllimmirë. Ndoshta xume me harru, njiherash me Ledian edhe poezitë e njimenttë t’saj, ata që na mëkuen dashni për fjalën e shpirtjes së zanit poetik.
Poetika e Ledia Dushit asht vetë nevoja e brendshme që nguc relievin e gjanave qi vërshojnë pas nji shfrimi.
Tue e përcjell këtë përmbledhje poetike na mundësohet harta kah shpirtja krijuese e poetes, qëmton shtegun për me i popullu botës ç’ka zashmëria e brendshme ka mëkue shtegtimesh.
Tan kohshmëritë e poezisë së kësaj parmende, shkojnë tue begatue me pranverim ndijimesh, sofrën e krijimit, tue pru një përvojë unike në poezinë shqipe, dhe tue dëshmu një vlerë të dialektit të gegnishtes, atij timbri, në t’cillin kënduen kushtrimet ma t’zashme të vjershërimit shqip.
Dallueshëm kjo prani ka përshku epjet mëtuese të një nevoje shpirti për dëshmim, me një shndërrim të krejtçfarë e përfaqëson poezia atë. Vargu i thyem dhe kumbimi i shpejtë i pulsit të limfës në shtatin hyjnizues, e zevendëson jehona e thellë, e trazimi i athët i shpirtit.
Brendinë e vërshimeve të përshkushmërisë të çdo terri dhe drite, ia ngucin të njëjtat zemërata, por paqtinë ia çartin të tjera mraze, më të thella dhe më të shpirtshme. Ajo ndin ma fort e vuen ma themelshëm, gjëndjet dhe gjegjjet qi e godasin anijen e saj. Të tjerë brigje e ngasin, të tjera stuhi e shtyjnë horizontit.
Vendin e idileve e kanë xan mëshirimet e asaj çka merr trajtë përmes nji stolisje ma të mirëmenduar, gjithqysh ma të ngërthyer ndër figurshmëri e pulsime më te tendosuna.
Ledia Dushi, qyshse ka shfaq praninë e vet të gjurmshme në poezinë shqipe, tue rrëmby bash shumë interesim dhe vlerësime, e derimtash, atë e ka përba nji kulmim i epërm përgjegjësie krijuese. Kaplim i kreshtës është krejtnjajo gadishmërie për t’iu përgjigj nji vullnese të brendshme, qi e ka urdhnu atë energji, për me i’u dhan nji shpërthimi të kësisojtë, siç e vërejmë n’dritimin e vet.
Vajzën e ka zëvendësu gruaj, ajo qi lyp ma ngulmueshëm zbërthimin e kodeve të fshehta ku shpirti ngërthehet sëmbimeve dhe këndelljeve.
Forca e vargut dhe metafora, kompozimi emocional dhe plazmimi i nji vezullimi shpues, behin kah pëshpërima ndigjohen dhe rrëmetshëm vijnë vërshimet.
Nji veçori atipike e balljes me këtë përmbledhje poetike, asht mungimi i shenjave të piksimit dhe krejtçka tjetër që në vedvedi përban detyresën e korrektësisë së drejtshkrimit. Përjashtimi i qëllimtë i shenjave të piksimit e gjithëçfarë cyt konvencioni gjuhësor i normës, asht nji lloj lirie qi i jepët dorzan këtij kaosi përjetues, i cilli kësisoj mundet me i përshku caqet e shpërthimit, njaq sa drita ndez zjarme gjithkund ku terri mban zatetun frike çdo pipëtitje e shkulmim.
Poezia e Ledi Dushit asht prej këndej çka vetë shpirti zgjedh qi nji vullnesë dëshiruese ngulmon të mëtojë. Ajo nuk shkruen si dikush dhe vargu i saj nuk përngjason n’dikënd, edhe pse çdonjëni prej nesh te shkulmimi i saj mëtues mundena me gjet figurshmërinë përfytyruese të asaj qi ndin e njatij jetësimi qi e thërret.
Kohëpaskohja e rritjes poetike, ka pru endjesh tona nji identitet të fuqishëm sendërgjues. Simbolika e trinitetit që del në pah, i bahet shkas i nji kodike t’fshehtë qi poetja mëton si cytje, me kyç ligjërimin poetik në atë mitikë, si tue dasht me nënshtru rregullin, kohën.
Ky za shpirti, tue ardh e tue u ba ma e ngërthyeme, përmes nji figurshmërie që s’ka për qëllim me konturu pamshmëri kjartësie, e cila injekton përfytyrimin idesë, i mëkon asaj nji trajtë befasuese qi gjen prehje në dëshirmin e andjeve që e mëvetësojnë. Sepse ndjenja nuk asht konturim i ndrym në caqe. Sa ç’asht ajo energji e brendshme e saj, e cilla tue dalë prej asaj morie procesesh perceptuese, gjendjesh dhe ngacmimeve, gjenerimit të figurshëm poetik, marrin shprehi të asisojtë, sa t’kuptojmë se poetika e Ledia Dushit, i asht nënshtrue nji ndryshese të rregullit dhe formës, stilit dhe qasshmërisë estetike. Nji ndryshim i asaj natyrshmërie qi tue ndryshu formën nuk e transformu landën.
Gjuha metaforike përshkohet nga një densitet i lartë përçimi sinjalesh dhe tingujsh, epjesh shprehëse dhe nënshtrimeve të befta të asaj qi sjell e paprituna. Ajo sheh përtej asaj qi përditshmënia përpiqet me na e mbajt t’fshehun. Percepton kjart çdo pamje qi mjegulla dhe vërbimi i hutimi e mbajnë t’nënshtrume. Depërton thellë e përcepton imtësisht çdo rrjedhojë dhe shkas, ku limfa e jetës vërshon. I nep trajtë çdo gjëndje dhe fryme. Shndërron në pëshpërimë e fjalë çdo dehje dhe dalldisjeje. Përmes nji larmie të bujarshme dhe shpengimi frelëshuar na tregon përmes vetes perceptuese, botën tonë të ndijimeve. Blaton shpirtin e poetit për të lartësuar çdo përulësi dhe formë dorëzimi. Jeton poetikisht në reflektimin e vet në ne.
E kush do të guxonte kaq shumë veç nji poete qi e njeh dhe e formëson kushtrueshëm përjetimin, siç tenton të zbërthejë rebusin e kyçun ndjesishë.
Tejpërshkimi i energjisë së kësaj poezie krejt të ndryshtë ngase popullon të sotmen ku ndihemi si në grackë, asht nji fuqi t’cillën fjala dhe vargu, trajtesa dhe qëllimsia, rreken me i dhanë nji formë të tillë këndimi, nji gjithmonshmëri që veç shpirti i poetes percepton.
Sofistikimi i tansisë së elementeve shprehëse estetike, n’mos mundet me ken nji gjuhë e re, me t’cillën, Ledia Dushi, don të konturojë komunikimin vetjak, asht nji ligjësi e rreptë lirie qi rëndom, gjehet e lëndueme keqas në të tashmen e zejës së poezishkrimit.
Tue fol me shpirtin, asht ai kompleksitet gjendjesh dhe përjetimesh qi s’mundet me tu përgjigjë me tjetër gjuhë, veç asaj me t’cillën vetë tansia e saj përfshihet në shtjellë rrapëllitëse ndijimi. Poeti në kësi gjasmimesh asht një përçues i kësaj energjie. “Poezia është mendimi që marr frymë në fjalët që digjen”, mëton Thomas Grey, dhe është ky zjarr që ndez pasioni i këtij shpirti të përkorë që na dritë e ngrohë… na bën të ndihemi të shëlbyer poetikisht prej një dlirësie që i jemi mirënjohës deri në admirim.