Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Stefi Ingrisit me origjinë austriake i cili nga viti 1830-të, pas një konflikti me oborrtarët e Perandorit të Austro-Hungarisë, largohet nga vëndi i tij për të shkuar në Palestinë dhe dallga e hedh në bregdetin e Shëngjinit, nga ku disa shkodranë e marrin dhe e mbajnë në një han të qytetit në lagjen Parrucë. Si u ambientua Stefi në atë qytet ku krijoi dhe familje, duke u martuar me një vajzë nga fisi Shiroka, (me të cilën pati katër vajza dhe tre djem) duke ushtruar zanatin e këpucarit, ku ishte një mjeshtër i vërtetë dhe respektohej e nderohej nga të gjithë shkodranët e Valiu turk i qytetit, i cili bënte shpesh këpucë me porosi te Stefi për dhurata, dhe në vitin 1902 kur Ingrisi ndërroi jetë, dërgoi një tabor me ushtarë në varrimin e tij. Njëri nga tre djemtë e Stefit, Gjovalini, kur i lindi djali në vitin 1882, i vuri emrin e të jatit, Stefi, i cili u arsimua në Itali në një shkollë mekanike dhe punoi më pas në një kantier detar në Venecia, ku qëndroi deri sa i vdiq gjyshi dhe u kthye në qytetin e Shkodrës, ku në vitet e para të shekullit të kaluar, ai themeloi shoqërinë sindikaliste të quajtur “Shoqëria ndihmëtare” dhe festoi për herë të parë në qytetin e Shkodrës festën e 1 Majit.
Shkodra si një nga qytetet më të vjetra dhe historike të Shqipërisë, që prej disa shekujsh ka ngjallur kërshërinë dhe interesin e të huajve, si dhe studiuesve, etnografëve, kronikanëve, tregtarëve, e vizitorëve të ndryshëm nga Ballkani, dhe Europa, të cilët kanë marrë rrugët nga vëndet e tyre të afërta e të largëta për ta parë dhe shijuar atë. Shumë prej tyre, janë mahnitur nga bukuritë, doket, zakonet, e traditat e atij qyteti të lashtë dhe dëshmitë e tyre apo librat me kujtime, sot ndodhen në skedat e arkivave dhe bibliotekave të qytetëve të ndryshme europiane, si në Vatikan, Vjenë, Zagreb, Budapest, Romë, etj.
Një nga të veçantat e Shkodrës ndoshta dhe unikale që e dallon atë nga shumë qytete të tjera të vëndit, është ajo e qëndrimit aty të shumë të huajve që e shkelën atë si vizitorë ose për qëllime të tjera dhe nuk u kthyem më në vëndet e tyre prej nga kishin ardhur. Ata u vendosën në atë qytet dhe u natyralizuan si banorë të tij, ku krijuan familjet e tyre dhe duke vazhduar jetën qetësisht nëpër vite dhe pasardhësit e tyre vazhdojnë të jenë në atë qytet deri në ditët e sotme.
Një nga këta, është dhe austriaku Stefi Ingrisi, ose siç njihet ndryshe në shqip, Shjefën, nipi i të cilit, quhej Stefi, i cili ka jetuar në qytetin e Shkodrës, deri në vitin 1956. Po kush ishte Shtjefën Ingrisi, në çfarë rrethanash u largua ai nga vëndi i tij, Austria dhe si mbërriti në qytetin e Shkodrës?
Lidhur me këtë, na bëhet me dije në familjen e njohur shkodrane, Daragjati, që është një nga degët e breznisë së austriakut Shtjefën, nëpërmjet pikturave, fotove, materialeve, letrave, dhe kujtimeve që për ata nuk janë fort të largëta.
Si erdhi në Shkodër?
Ka qënë dimri i vitit 1830-të kur anija me të cilën udhëtonin Shtjefni dhe dy miqtë e tij, ishte nisur nga Porti i Koperit në Slloveni, filloi të lëkundej në një furtunë në detin Adriatik. Për t’i shpëtuar kësaj furtune, kapiteni i anijes, e afroi atë, diku afër bregdetit të Shëngjinit. Por kjo nuk ishte e thënë që të bëhej sepse dallgët e mëdha, të asaj stuhie, e përplasën anijen afër shkëmbinjve, duke e shkatërruar plotësisht atë. Nuk dihet, ose më saktë nuk ka mbërritur deri në ditët e sotme, nga memoria e brezave të Ingriz-ve, se kush ishin njerëzit që përveç tij, lundronin në këtë anije. Por një gjë është e saktë, ajo që Shtjefën Ingrisi, asokohe ishte 20 vjeç dhe që mundi të shpëtonte së bashku me dy nga miqtë e tij. Ai u plagos me disa gërvishtje të lehta të cilat iu mjekuan në një bujtinë në lagjen Parrucë në Shkodër. Pas largimit nga hani, sipas disa dëshmive, të nesërmen Shtjefni doli për të kërkuar punë në Shkodër. Ai kishte zanatin e këpucarit, dhe përvec një valixheje të vogël prej lëkure, (e vetmja që i kishte shpëtuar gjatë mbytjes së anijes), ku ai kishte aty veglat e punës. Gjithnjë me ndihmën e hanxhiut, Shtjefni, mundi të marrë me qera një dyqan të vogël pranë pazarit të qytetit dhe filloi ta përdorte atë për riparimin e këpucëve. Nga mjeshtëria e tij në atë zanat, arriti që të kishte klientë të shumtë, dhe u bë i njohur në mbarë qytetitn. Që në muajt e parë të punës dhe veprimtarisë së tij në atë qytet, Shtjefni, mësoi gjuhën shqipe, dhe u ambjentua shpejt me banorët e këtij qytetit. Thuhet se askush nga qyteti i Shkodrës, nuk e mori vesh të vërtetën për largimin e tij nga Austria dhe ardhjen për në Shqipëri. Së paku deri në ditën që ky i fundit, u martua me vajzën e fisit, Shiroka.
Përse u largua nga Austria?
Historia e vërtetë e largimit të tij nga Austria, ai ia tregoi si fillim, gruas së ardhshme të tij, pikërisht vajzës së Shirokajve. Kjo dëshmi e Shtjefnit, është ruajtur nga pasaardhësit e atij brezi. Lidhur me këtë, njëri prej tyre i quajtur Zef Staka, (nipi i Shtjefnit) midis të tjerash kujtonte: “Shtjefni jetonte në një fshat që ndodhej mes Austrisë dhe Hungarisë ku shpesh shkonte për gjah dhe vetë perandori i Austro-Hungarisë, Franz Jozeph. Pak kohë para vajtjes së tij dhe njerëzve që e shoqëronin, ishte dhënë urdhër banorëve të atij fshati, që të shkonin në drejtim të pyllit, dhe me enë të ndryshme, duhet që të shkaktonin zhurma. Kjo gjë duhej të bëhej me qëllim që të trembeshin kafshët e pyllit dhe të dilnin nga strofullat e tyre të kalonin në ato shtigje ku kishte zënë pritë Perandori me njerzit që e shoqëronin. Shtjefni, e ndjeu veten të fyer nga ky fakt dhe ai i doli përpara Perandorit, duke i thënë ‘Ne jemi njerëz të ndershëm dhe jo kafshë gjahu për ju dhe shpurën tuaj’. Por këto fjalë do t’i kushtonin rëndë atij, dhe për këtë arsye, ai do të duhej që të braktiste vëndin e tij. Ai u largua me mendimin që të shmangte dy perandoritë atë austro-hungareze dhe osmane, për t’u vendosur përfundimisht në Palestinë. Por mbytja aksidentale e anijes, në ujrat e Adriatikut, do të bënin që ai të vendosej në qytetin e Shkodrës. Në muajt që do të pasonin, ai do të njihej me vajzën e fisit Shiroka, dhe do të kurorëzonte me të martesën”, përfundonte rrëfimin e tij Zef Staka. Nga kjo martesë, lindën shtatë fëmijë, përkatësisht katër vajza dhe tre djem dhe Shtjefni mundi që t’u siguronte një jetesë jo të keqe familjes së tij, vetëm me punën që bënte si këpucar, pasi zanati i tij vlerësohej dhe ishte shumë i nderuar në të gjithë qytetin.
Shtjefni, sjell këpucën e parë në Shkodër
Sipas dëshmive të Zef Stakës, Shtjefni solli këpucën e parë në këtë qytet, pasi para se këpucët të vinin si model në Shkodër, popullsia e atij qyteti, vishej me një lloj papuçeje, të quajtur “Pashmange”. Thuhet se aq e madhe ishte fama e tij në rregullimin e këpucëve në Shkodër, saqë vetë Valiu i Shkodrës, e mori në oborrin e tij. Sipas disa dëshmive, kur ndonjë nga diplomatët mbaronte misionin e tij dhe largohej nga qyteti, Valiu iu bënte si dhuratë një palë këpucë, të cilat i kishte porositur tek Shtjefni. Po kështu sipas dëshmive, kur Shtjefni vdiq në moshën 90 vjeçare, (në vitin 1902), sundimtari i qytetit, dërgoi një taborr me ushtarë në varrimin e tij, për ta nderuar atë. Sipas dëshmive të Angje Daragjatit, e cila është dhe mbesa e Shtjefnit, ai udhëtoi vetëm një herë drejt vendlindjes së tij. Familja e tij mbeti e shokuar kur e pa, pasi nuk kishin asnjë lajm, që ai ishte gjallë. Po kështu ai iu rrëfeu atyre se ishte martuar me një vajzë shqiptare nga Shiroka-jt dhe që ishte bërë baba. Katrër vajzat e tij quheshin: Katerina, Amalia, Marjeta, dhe Roza, të cilat mbanin emrat e motrave të tij. Ai i arsimoi ato edhe me ndihmën financiare dhe materiale të prindërve të tij nga Austria. Shumë nga librat e shkollës me të cilat mësonin vajzat e tij, ruhen edhe sot nga pasaardhësit e tij në qytetin e Shkodrës. Kështu Zef Staka në shtëpinë e tij ruante një enciklopedi gjermane, me 30 volume, që Shtjefni e solli nga Austria në vitin 1870. Gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, po në qytetin e Shkodrës, kishte ardhur që të jetonte dhe të punonte aty si arsimtar, një franzec i quajtur Pol Guzhon, i cili, në kujtimet e tij, kishte shkruajtur edhe për Shtjefnin, pasi ky i fundit, i kishte bërë shumë përshtypje për mënyrën sesi ai ishte ambjentuar në këtë qytet të Shqipërisë.
Nipi i Shtjefnit, Stefi
Nga martesa e Shtjefnit me vajzën e fisit Shiroka, përveç vajzave, lindën edhe tre djem, të quajtur: Angjelin, Gjovalin, dhe Çesk. Djalit të Gjovalinit, iu vu emri i gjyshit të tij Shtjefën, ose siç thirrej shkurtimisht, Stefi. Ai lindi në Shkodër në vitin 1882 dhe mbasi kreu shkollën fillore, më pas vajti në Itali, ku ndoqi mësimet në një shkollë të mesme Mekanike, dhe pas mbarimit të saj, ai punoi në një kantier detar në Venecia. Në vitin 1902, pas vdekjes së gjyshit të tij, ai kthehet në Shkodër, ku themelon një nga shoqëritë e para puntore, (sindikaliste) të quajtur “Shoqëria ndihmëtare”. Në këtë kuadër, Stef Ingrisi, organizoi dhe drejtoi festimet e para të 1 Majit në këtë qytet, duke hyrë në histori si njeriu i parë që organizoi festën e punëtorëve në Shkodër. Më pas ai rikthehet në Venecia, ku punoi përsëri në kantjerin detar. Edhe mbas kaq shumë vitesh, në shtëpinë e Zef Stakës në lagjen “Rus”, duken kangjellat e punuara me aq mjeshtëri nga Stefi. Ai punoi në shumë shtete të tjera, si: Itali, Austri, Zvicër, Jugosllavi, etj. Nga fillimi i shek XIX-të, ndikimi i Austrisë në këtë qytet dhe sidomos në rrethet e Kishës Katolike, ishte rritur shumë, duke bërë që po në Shkodër, të hapej për herë të parë Kolegji i Etërve Jezuitë, gjë që e kënaqi pa masë Stefin. Ai gjithashtu, ndihmoi shumë tregtarë austriakë, që jetonin dhe punonin në Shkodër për të mbajtur aktivitetet e tyre. Njëkohësisht sipas disa dëshmive të vetë rrethit të tij familjar, Stefi, gjatë kohës që punonte në Zvicër, takoi atje Vladimir Iliç Leninin, liderin e ardhshëm të Partisë Komuniste Bolshevike të Rusisë. Stef Ingrisi u nda nga jeta në vitin 1956 në qytetin e Shkodrës, ku edhe sot jetojnë shumë nga pasardhësit e tij./Memorie.al