Nga Albert Vataj
“Bashkimi i Tokës dhe Ujit” është një dëshmim domethënës i tërësisë shprehëse të krijimtarisë së Peter Paul Rubens, një prej figurave kulmore të barokut flmant. Mitologjia merr jetë në pikturën e tij siç frymon gjithçkaja nën peshën e një dëshirimi të ethshëm për fibracion dhe puls, për trokitje dhe shpërthim. Alegoria e Rubens, merr shkas dëshmues tek çdo tablo siç shpërthen në një oratori dehëse te “Bashkimi i Tokës dhe Ujit”. Çdo detaj e kësaj pikture është një domethënie, është një tërësi që formësohet nga mendimi dhe idete që piktori ka përjetësuar në tablo. Asnjë gojim sado i shpenguar që jetë nuk do të mund të fliste me një gjuhë kaq të rrjedhshme, kaq të qartë dhe kaq përshkuese sa vetë kompozimi që mjeshtri i ka bërë këtij momenti mitologjik, këtij caku të ndërmejtëm të botëve.
Piktura e tij është një ditiramb koloristik, një shkulmim i forcave të ethshme të një shpirti gatuar me diell. Ai, si askush tjetër me penelatë dhe përfytyrim arriti të sillte në jetë zotat, perënditë dhe mitet që me kaq pasion i përshkroi pena e antikitetit. Rubens me kaq pathos i bëri ata realë, të prekshëm, tokësor dhe etern, përfytyrues dhe të shëmbëllyeshëm.
Në historinë e pikturës Peter Paul Rubens do të mbamendet jo vetëm si një nga piktorët më të jashtëzakonshëm flamand të barokut, penelata flakatare e tablosë, por edhe mishërimi i idilit epik të mitologjisë. Nëse Homeri sendërtoi një monument të letërsisë klasike siç ishte “Iliada”, duke ngjizur me nervin, mishin dhe gjakun e së atëhershems, historikën heroike, eposin antik dhe perënditë që na magjepsin, Rubens i jetësoi ato në imazhe, i veshi ato me kurme të fuqishme duke i pavdekësuar këto trille në kujtesën e përgjithmonshme. Ai e shkroi si pakkush tjetër atë faqe të historisë së njerëzimit, me gjithë shkëlqimin dhe të perëndishmen që ngriti në kult mitin.