“Ah, ti nuk më dashuron siç të dashuroj unë”, është kjo psherëtima më e thellë dhe thirrje më therëse, mëdyshje më lënguese dhe trazimi më cytës, që ka sëmbuar dhe do të vazhdojë të bashkëjetojë me zemrat që i përflak dëshirimi dhe shpirtrat që i harbon pasioni i dashurisë.
Burri dhe gruaja mund të dashurojnë me të njëjtën forcë, pavarësisht peshës specifike si njësi matëse të kësaj force. Por ata e kanë të pamundur, të dashurojnë në të njëjtën mënyrë, edhe nëse duan.
Ndjenja dhe pjesëmarrja në dashuri nuk kalon nëpërmjet një logjike matematike, sado skrupulozë dhe të vetvetishëm të jenë partnerët në përfshirjen e trupave të tyre në këtë proces biokimik, në këtë alkimi çastesh, në këtë kopulim energjie transformuese, në këtë kapërthim forcash përtëritëse.
Rruga drejt altarit të dashurisë na shpie nëpërmjet shtigjeve të ndryshme. Nëpërmjet një procesi me shumë të pangjashma anatomike dhe gjentike, dy partnerët duhet ti përshkojë kjo forcë dëshirimi për të kapur qiellin, për të llamburitur në një yllë.
A duhet të jemi pareshtur dyshues dhe sa na sëmbon kjo dilemë e destinuar të na përndjek që prej Edenit?
Në çdo fluturim të rrokaqiellit e harbim dritash të vezullimta, cytje hënash kureshtare e dalldi të mbushura në të purpurtën e perëndimit, feksin dhe fanitet, duken dhe zhduken, si shkreptima, atje ku takohen e shenjtërohen dy trupa dhe e hyjshme brerore kurorëzon një dashuri.
E kur tokësoren kërkon ky solemnitet kurmesh, kjo prehje trupash flakatar që paqtohet, si deti pas stuhisë, kryengrihet në mendjen e secilit andkimtare dilema: “Ah, ti nuk më dashuron siç të dashuroj unë”.
Kjo frazë, ky mundim, kjo prekje e ftohtë ngas të zgjojë rinisjen, ashtu si natyra, e cila me afshin e vet të pranverës thërret forcat e përtëritje e gjithçka mbulohet prej një vullneti mrekullues.
A nuk janë edhe zemrat tona, trupat tanë pjesë e natyrës?
A nuk janë edhe ata të detyruar t’i binden ligjeve dhe logjikës së saj?
A i keni parë dy rrëke uji në një tatëpjete pylli, të cilat vijnë nga kahe të ndryshme të mbarsur prej një rrebeshi.
Ata bashkohen e ashtu duke u tret në njëri-tjetrin zbresin përmes pemësh e shkurresh, shkëmbinjsh e gjurmësh. Sa më shumë që zbresin, më me tërsëllimë e kanë ngutin e tyre, më me poterë e kanë ngërthimin mesvedi nëpër gurë e rrëmishta.
E ashtu kapur dorëpërdore, tretur në njëri-tjetrin, i bashkohen përroit, i cili e teposhtë për ta njësuar këtë hov me vërshimin e lumenjve, deteve.
E sërish nën peshën e diellit, si nën atë të pasionit avujt e ngrenë këtë gjenezë për ta përtërirë, për ta hedhur sërish, për ta derdhur në një përplasje pikash uji, të cilat ndoshta nuk i keni parë, por ata ndeshen tamam si dy trupa, e shpërbëhen në qindra cifla duke demonstruar një spektakël të mrekullueshëm ku dielli përthyet e lind ylberin.