Nga Hasan Hasani
Ishte viti 2015 kur më ra në dorë libri me poezi i Çun Lajçit “Fjalës nesër i bëhet vonë”. I befasuar, e lexova me një frymë. Çun Lajçin e njihja nga viti i largët 1968, kur shkelëm bashkarisht në pragun e Universitetit të Prishtinës. Unë në Degën Gjuhë e Letërsi shqipe dhe ai atëherë në Shkollën e Lartë Pedagogjike, në Degën e aktrimit dhe të dramës. Nga ajo kohë jemi miq me Çun Lajçin. Çunin ndër vite e njohim si aktor në Teatrin Popullor të Prishtinës dhe si këngëtar (rapsod) që këndonte me lahutë dhe sharki. Çuni shkruante tekste këngësh të cilat i interpretonte vetë, po shumë rrallë edhe ndonjë varg poetik. Pra, kjo ishte befasia ime. Po kjo befasi u bë edhe kur e lexova librin me poezi. Vinte në duar të lexuesve një poezi e pjekur, poezi e thellë, poezi e lidhur me gjenin e tij prej rugovasi, e lidhur me fatin e tyre, një poezi e mendimit. Vërtet, ishte libri i parë i tij në moshën 69-vjeçare, por ajo që ishte vendosur mbrënda kopërtinave nuk linte përshtypjen e librit të parë të një autori, po të një autori sikur të kishte botuar vëllime me poezi për gjysmëshekulli bashkë me krijuesit që u takonte me moshë. Dhe, ia shkrova nja pesë-gjashtë rreshta dhe ia dërgova permes Jonuz Fetahajt, me të cilin takoheshin më shpesh. Ajo që ia shpreha ishte përafërsisht ky mendim: “Po ku ishe deri më sot o Çun Lajçi? Ku ishe fshehur? Pse heshte?” Këtë copë letre Çuni e ka postuar disa here në facebook.
Çuni, përkundër këtyre pesë-gjashtë rreshtave të mi, siç po shihet, e paska pasë ndarë mendjen të hyjë denjësisht në botën e artit, në botën e shkrimit, në botën e poezisë dhe mbrënda pesë viteve botoi tetë libra: pesë me poezi: “Fjalës nesër i bëhet vonë” (2015), “Përftim n’andrra t’thyeme” (2016), “Përgjërim e fjalë” (2017), “Çakorr, vdekja ime e mirë” (2018) dhe “Ecje e plakun” (2018) si dhe tre libra në prozë: dy me rrëfenja “Bekimi i plisit të Moisiut” (2018) dhe “Bubulinë, ti letër e pashkrueme” (2018) dhe një roman me titull “Kur fryjnë ernat” (2019). Libri më i ri me poezi i Çun Lajçit “Përgamenë e djegun” që pata fatin ta lexoj në dorëshkrim, është i nënti me radhë dhe i gjashti me poezi. Kur shikon kohën kur u shkruan dhe u botuan këta nëntë libra, me plot gojën pohoj se Çun Lajçi është një lum i rrëmbyeshëm, si Lumbardhi që zbret bjeshkëve të Rugovës, është një vullkan i zgjuar vonë, por tepër i vrullshëm dhe që nuk di të ndalet së daluri mbi sipërfaqe.
Libri “Përgamenë e djegun” hapet me poezinë “Tevona”, që është një prolog i poezisë së Çun Lajçit, është një uvertyrë për të hyrë në botën e poezisë së tij, e cila që nga vargu i parë të mbërthen, të fut në botën e trazuar të poetit dhe nuk të lë të dalësh. Heroi lirik i kësaj poezie që poeti i drejtohet, është djali i ti, një personazh mbi supet e të cilit bijnë gurë të rendë, me të cilët deshe o s’deshe duhet të përballësh me ta. Nga vargjet e poetit që i drejtohet të birit, shohim peshën e motiveve dhe të fatit, sepse “Im bir mori frymë thellë, s’foli, nji jetë gabzherit e përbiu/ e sytë si hana e përgjakun iu përlotën”. Shihet se këtë poezi, po edhe atë të fundit, me titull “Po, tevona” që mbyll librin dhe lirisht mund të quhet Epilogu i veprës, e ka shkruar shpirti. Burimin e ka në thellësitë e shpirtit të poetit dhe u kushtohet, jo vetëm të birit me të cilin dialogon, por gjithë atyre që kanë shpirt. Nuk ka si thuhet ndryshe, jo. Nuk është shkruar nga përvoja, nga mjeshtria që zotëron poeti, e as nga librat dhe mijëra vargje që ka lexuar poeti gjatë jetës.
Libri përbëhet nga pesë cikle: “Përgamenë”, “Përtej thartimit”, “Vegime vitesh”, “Kthim i vonuem” dhe “Jaranishte” që kanë një lidhmëri organike të dendësuar mes vete, sidomos katër ciklet e para, dhe fiton përshtypjen se përbëjnë një tërësi motivesh të ndryshme, apo më mirë të themi duke përjashtuar ciklin e pestë, atë t’fundit, që paraqet krejt diçka tjetër, diametralisht të kundërt me motivet e katër cikleve të para. Nëse katër ciklet e para përbëjnë tri të katërtat e librit, ku shtyllën kurrizore e përbëjnë dy dhimbje të mëdha që Çun Lajçin e kanë dërmuar në këtë dekadën e fundit të jetës. Ato janë: Bubulina dhe Rugova me njerëzit dhe fatin e saj.
Kur them Çun Lajçi, kam thënë Rugovë. Çunin e identifikoj me Rugovën. Është mëkat të përmendësh vetëm njërin. Duket jetim njëri pa tjetrin, pra Rugova pa Çunin e Çuni pa Rugovën. Sepse janë mijëra e mijëra vargje që Çuni shkroi dhe botoi për Rugovën dhe fatin e saj, për njerëzit e thjeshtë dhe heronjtë legjendarë të lindur në Rugovë dhe që e mbrojtën deri në frymën e fundit Rugovën. Për mua, Çuni mban Bajrakun e gjakut, bajrakun e lirisë, të dashurisë për Rugovën. Atë bajrak që mbajti dhe luftoi për të Keri i Sadri Bardhit, Sak Fazlia, Jashar Haxha, Kadri e Hysen Bajri, Sadri Bardhi, Haxhë Mustafa, Rexhë Avdia, Zhuj Selmani, Zhukë Haxhia, Bikë Alia, Kajë Selmani e shumë figurave të tjera.
Pra, rugovasit janë personazhe të shumtë që përbëjnë skeletin e krijimeve të Çunit në poezi dhe në prozë, e edhe në librin: “Përgamenë e djegun”. Ka në mesin e këtyre personave njerëz të ndryshëm: luftëtarë, pleq, njerëz të thjeshtë, që të gjithë nga treva e Rugovës, që ndër stinë e dekada, po edhe shekuj, kanë bërë emër. Me veprimet e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetë dhe përditshmëri. Kështu, përveç prindërve (babait e kusherinjve) me të cilët është rritë, po edhe me ata me të cilët që sa herë shkon Çuni në Rugovë, pertërin kujtimet nga historia dhe jeta. Ky është Çuni që shprehet “halle e mend pak e xhepat plot skamje”, apo i poezisë: “Rraja ime fish-fish” me ç’rast thotë: “Unë bima e tij e njomë gjethe plot / e fare pak”. Të gjitha këto dëshmojnë për këngën e prushtë të Çun Lajçit, për pergamenën e djegur, sepse janë këngë të prushta të shpirtit të tij që vlon përmbrënda si vullkan, që vlon në njëqind gradë celzius, dhe natyrisht, shpërthejnë duke vërshuar zemrat e lexuesve në Rugovë dhe vetëm në Rugovë, njerëzit e saj dhe fatet e tyre, përherë fyt për fyt me armikun shekullor në kufi, për çdo pëllëmbë të saj, për çdo gur e për çdo lis.
Çuni është zhytur në pellgun e Rugovës që nga libri i parë. Paraardhësit e tij rugovas kanë shkruar për Rugovën derisa janë afirmuar, po pastaj u kthehen temave urbane dhe kanë arritur kulmet në letërsi, siç është Azem Shkreli, Ramiz Kelmendi dhe Ymer Shkreli, apo Zymer Neziri në epikologji etj. Ndërsa Çuni e nisi me Rugovën dhe nuk i ndahet dot, më sa ndahet mishi nga ashti. Jeta urbane nuk e tërhoq Çunin t’u kthehet temave dhe motiveve urbane. Çuni e nis me temat dhe motivet rurale dhe me to po kacafytet si kopet e ndara nga grigja me bishat e egra. Ky moment ma kujton një varg të poetit të madh Azem Shkreli, ku thotë: “Me ujq e shpendë fqij mali ki’n qenë atë ditë e sot”. Këta qenë, janë dhe do të mbesin fqinjtë e Rugovës dhe të rugovasve me të cilët do ballafaqohen çdo ditë, në mëngjes, mesditë, mbrëmje e sidomos natën që e shfrytëzojnë këto hije ashtu siç dinë vetëm ata. Çuni zgjuar e në gjumë, në ëndërr a zhgjëndërr, jeton, frymon, noton, fluturon me rugovas dhe me Rugovën, nuk i ndanë njërin nga tjetri, cep më cep të saj, nga Hajla te Lugu i Zharit, nga Kroni i Studencit të Livadhet e Gjakut, nga Keri i Sadri Bardhit te Sak Fazlia etj.
Kosova e dekadës së fundit të këtij mileniumi zë vend të denjë në poezinë e Çun Lajçit edhe në këtë vëllim poetik. Vlimet politike, gjithë kjo mjegull tymi që ka mbështjellë Kosovën, jipet nëpërmjet vargjeve hijerënda dhe të stërmbushura me figura e trope poetike, për ta ilustruar poetikisht fatin e njerëzve të saj dhe nëpër të cilët binarë po rrëshqet ajo pa dëshirën dhe vullnetin që ndryn përmbrënda. Dhe Çuni nuk i ik misionit të tij human, misionit të tij prej poeti, për të qenë dhembja dhe goditja nga dhembja më e butë, më e vogël në sytë dhe mendjen e lexuesve. E gjithë kjo për t’i shërbyer artit dhe poezisë. Këtë e ilustron poezia “Hije varresh” ku thotë: “Ik kopil era po t’vika tradhti / Gur n’qafë e paç Çakorrin / Kurrizin kufi”. Çuni shpreh mllefin e pakufijshëm ndaj njerëzve që mbajnë përgjegjësi historike për Kosovën e sotme. Këtë e dëshmon vargu: “E synin kurrë s’e ngitë e kurrë gjumë kingji s’batë”. Zor se do gjendet një varg më i fuqishëm se ky, që jep lakuriq disa jerëz dhe lakminë e tyre të sëmurë për pushtet dhe pasuri. Çuni di të jetë shumë i ashpër, sidomos në poezinë “Sugarët e shekullit t’ri” kur u drejtohet: “Këta t’bijtë e Rang Roverave / Jetojnë pallatave qelqore veshun modësh shiku / t’çkyem prapanicash e gjujsh / t’lidhun me toja florini hundësh / e kërthizash / që për baballarët e vetë thonë / ata t’gurit…”
Çun Lajçi, siç e njohim të gjithë, si artist fjale dhe skene, në jetën e përditshme, është mjaft i angazhuar. Këtë angazhim përveç postimeve në mediet elektronike, e shpreh edhe nëpërmjet të vargjeve. Çuni zbrazet duke dialoguer me babain, me të birin, me Raben e sidomos me Rugovën dhe komandantët e luftës që sot mbajnë mbi supe peshën e fatit të këtyre njerëzve që jetojnë në oazën e ashtuquajtur Kosovë. Në poezitë e Çunit, jo vetëm në këtë libër, po edhe në ato paraprake, sidomos në “Çakorr, vdekja ime e mirë” dhe “Ecje e plakun”, si shpirt i pakënaqur me rrjedhat ditore të politikës, si poet rebel, vë në teh të shpatës së tij, pra në teh të vargut komandantët, lakmiqarët, duke zbrazur tërë mllefin e tij ndaj gjendjes aktuale, sjelljeve dhe veprimeve burokratike, malverzimeve e keqpërdorimeve, dëshmitarë të të cilave jemi ne dhe i takojmë në çdo segment të jetës sonë të përditshme. Shpesh mllefi i Çunit arrin shumë larg kur gjykon ashpër nëpërmjet vargjeve duke thenë: “Mos i mallkoni ata që nemin pushkët e veta”, për të vazhduar më poshtë: “Mallkua syresh trimnitë e veta po i shajnë / jo neve / ata po e hanë lakminë e vet n’kokat e qelbuna / t’mos i vjen tokës era qelb”. Këtë e gjemë te poezia “O njerëz”.
Ndërsa poezia “Tash hesht e duro”, duke monologuar me të birin, Çuni ndër të tjera zbraz mllefin: “Ti s’hangre bukë durimi si unë / me dijtë me pritë e mos m’u dorëzua / deshte me ecë pa ba rrugë / me dijtë pa mësua / tash / hesht e duro”. Pse e bën këtë Çuni, përgjigjen e gjejmë te vargu i parë i po kësaj poezie: “Ti zgjodhe rrafshin biri im”. Në këto vargje poeti vë përballë edhe gjeneratat, ku mohojnë njëra-tjetrën, sidomos kur e reja gjykon ashpër të vjetrën, pra baballarët, si “ata të gurit”, pra, të kohëve parahistorike, me botkuptime të mykura. Për këtë kategori njerëzish poeti thotë: “E synin kurr s’e ngitë e kurrë gjumë kingji s’batë”. Zëri rebelues i Çun Lajçit i dhënë nëpërmjet të këtyre vargjeve do të mbesë dëshmi e kohës ndër shekujt që do vijnë. Është ky zëri i protestës, i revoltës i dhënë nëpërmjet të figurave të fuqishme artistike, po edhe nëpërmjet të mllefit ndaj shkaktarëve të saj. Ata kanë emër e mbiemër dhe janë arkitektet e politikës ditore të shtetit të Kosovës. Pra zëri kryengritës i Çunit vjen si rrufe. Janë predha që për kohën në të cilën po jetojmë janë më të fuqishme së predhat e vërteta. Të gjitha këto tregojnë se Çun Lajçi jeton një tjetër kohë, Çakorrin po e mbron me armën e tij të fuqishme, e ky është vargu artistik i thënë me fuqinë e një krijuesi të pakompromis, fyt për fyt me armikun, me aq fuqi sa ka fjala sot në mileniumin e ri, po që nuk po bie në vesh të shurdhët të politikës aktuale të Kosovës, për të mos thënë u shit, u fal, u dhurua pa asnjë çmim, pa asnjë cent. Zëri rebelues i Çun Lajçit i dhënë nëpërmjet të këtyre vargjeve do të mbesë dëshmi e kohës ndër shekujt që do vijnë. Është ky zëri i protestës, i revoltës i dhënë nëpërmjet të figurave të fuqishme artistike, po edhe nëpërmjet të mllefit ndaj shkaktarëve të saj. Ata kanë emër e mbiemër dhe janë arkitektet e politikës ditore të shtetit të Kosovës. Pra zëri kryengritës i Çunit vjen si rrufe. Janë predha që për kohën në të cilën po jetojmë janë më të fuqishme së predhat e vërteta. Vargjet e Çunit, sidomos titujt e poezive janë zgjedhur me kujdes, sa që gjithnjë ndodhën në funksion të artit poetik, për të cilin shkruan poeti dhe rezatojnë si relikte githnjë në funksion të artit të të shkruarit.
Çun Lajçin jeta ka dijtë ta përplasë pamëshirë në dallgët e saj. Ajo, gjatë jetës, përveç çasteve të gëzimit, ka ditur, sidomos në pleqëri, ta “shitojë”, por kurrë ta shtrijë për toke. Nuk ka frymë mbi tokë, nga njerëzit e deri të kafshët, që kur e prekë në shpirt, që nuk egërsohet. Çunin dallgët e pamëshirshme të jetës, dhembjen që e ka kaluar e shpreh nëpërmjet të vargjeve, ku dhembja ngritet aq lart, sa poeti këtë gjendje shpirtërore e kalon shpirtthyer, por edhe e veshë me bukurinë e fjalës, me bukurinë e dhembjes që e përcjellë në çdo hap. Kjo dhembje e ka emrin Bubulinë. Kjo është bija e Çunit, e cila para pak kolhësh iku në amshim. E kësaj dhembjeje të shkëputur nga shpirti, Çuni i ka kushtuar dhjetëra e dhjetëra poezi, qindra e mijëra vargje në librat e tij të fundit, sidomos librin me rrëfenja e poezi “Bubulinë, ti letër e pashkrueme”, ku këngëtimi dhe dhembja merr përmasa të mëdha, e madje bëhet, përveç dhembje e autorit, edhe pjesë shpirti e dhembjeje e lexuesve. Të gjitha këto janë skalitë përmes figurave të dendura stilistike, ku dominin metafora, nëpërmes të cilës jipet portreti, dashuria, dhembja për Bubulinën. Kështu, kuptimi për Bubulinën ka tejkaluar kufinjtë e dhembjes personale, kufinjtë e prindit për të bijën. Kjo dhembje bashkëjeton me çdo lexues të vargut çunian. Këtë e dëshmojnë vargjet: “Unë s’deshta mbramë me t’thirrë kur hijen ma trupove / E ike rrudhës së ballit tim t’djersitun dhimbjesh”. Ndërsa në poezinë “Mall i djegun mallit”, Çuni e ka të vështirë t’ia mësyjë vendlindjes, fshatit Drelaj në Rugovë, ku Bubulina prehet në bukuritë përrallpre të vendlindjes së babait. Poeti perms tri vargjeve që u prijnë tri strofave, shpreh tërë thyerjen shpirtërore që mban në shpirt: “Kur s’muj me shkua n’Drelaj mshelem mrena mallit” & “Kur s’muj me shkua n’Drelaj shëtis fotografive” & “Ku s’muj me t’ardhë te vorri n’Drelaj bahem dhe”. Megjithatë, Çun Lajçi nga Prishtina e largët, një ditëdimri kur binte borë, shkroi poezinë “Po t’isha n’Drelaj” dhe në 34 vargjet sa ka kjo poezi, ku me Bubulinën herë monologon, herë dialogon, duke përtrirë kujtime të ëmbla nga jeta, e mbyll me dy vargje, ku thotë: “Te vorri i Bubës me shkua tue folë me korba / Borën me ia hjekë e kurrë mos m’u kthy”, që pak a shumë, poezinë e veshë me petkun e pesimizmit, por që do të thosha të arsyeshëm. Këto janë vargjet e Çun Lajçit për Bubulinën që përbëjnë një përgamenë të djegun, një këngë të prushtë, që kanë buluruar nga shpirti poetik i poetit.
Ciklin e fundit të poezive të këtij vëllimi poeti e ka pagëzuar me një kompozitë shumë përmbajtësore “Jaranishte”. Besoj që për secilin lexues kjo kompozitë nuk është e kapshme, por për shumicën po, sidomos për ne që vijmë nga shekulli i kaluar.
Nëpërmjet këtij kompozite që shpreh dashurinë e fshehtë, miqësinë e ngushtë, po edhe shakanë dhe hokat, ndërlidhet sidomos dashuria e dy të rinjve, që është e lashtë sa vetë populli. Kjo në të shumtën e rasteve shpreh dashurinë e dy të rinjve që në popull janë quajt Jaran e Jaraneshë. Me këtë kuptojmë që kur ndjenjat e tyre të zjarrta kanë pushtuar zemrat e tyre, pra jetën e të rinjve, ata duke thurë vargje (këngë) për njëri-tjetrin, kanë shprehë ndiesitë e zjarrta të zemrës, prushin që rri ndezur në shpirtin e tyre në moshën e re. Këto lirika gojore njihen në letërsinë gojore shqipe, madje me plot gojën pohoj, se janë lirikat më të fuqihme ndër popujt e Ballkanit. Zakonisht të rinjtë, jaranët e jaraneshat, këto këngë i kanë kënduar pa instrumente, i kanë kënduar ndër hije lisash e ndër mrize, vajzat me gish në fyt dhe djemtë me fletë (gjethe) të dushkut, po edhe me fyell e kavall, gjithnjë duke shprehë ndjenjat e tyre të prushta ndaj njëri-tjetrit si gjini.
Këtë motiv me mjeshtri prej poet i shfrytëzoi Çun Lajçi dhe prej tyre krijoi një cikël poezish të bukura, duke marrë 21 lirika të dashurisë dhe nëpërmjet vargjeve të zgjedhura me kujdes nga këto, krijoi 21 poezi artistike të mrekullueshme ku ndërthurët vargu popullor me vargun artistik. Ky është një cikël i mrekullueshëm i llojit të vet. Çuni është i pari poet që u mor me kaq përkushtim me këtë lloj lirike. Poetit i mjaftojnë nga tre, katër apo më shumë vargje nga lirikat e njohura gojore (këngët), për të thurë poezi që nuk zbehen lehtë nga kujtesa. Nga këto 21 lirika gojore, këtu për shkak të vendit, po përmendi vetëm disa sosh, për të kristalizuar këtë që po them. Këto janë: “N’drrasë të vekut vajton vasha”, “Pshtjellakja cubele”, “Kush s’ma ka me nji jaraneshë”, “Sa herë duhet me t’thanë lum nana”, “Mall prej shpatit n’shpat”, “Kur vdisej nga malli”, “Kablushës vithesh tri pllamë”, “Prit syzezë moj, prit”, “Vegza e fundit”, “Ti mos eja veç unë po t’pres”, “Mos qaj kur knon qyqja” e shumë të tjera. Këto motive, të themi të huazuara nga lirika e dashurisë, poeti Çun Lajçi i zbërthen me ndërhyrjet, pra vargjet, erotike për të krijuar një ralizim të mirëfilltë artistik e poetik. Autorët para Çunit, sidomos poetët që vijnë nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, herë pas here janë ndalur të ky motiv, kush me një poezi, apo edhe dy e tri sosh, por jo si Çun Lajçi që realizoi 21 lirika artistike duke shfrytëzuar me mjeshtëri vargje të caktuara nga lirkat gojore të dashurisë, të njohura në letërsinë gojore shqipe, por edhe me theks nga treva e Rugovës prej nga vjen poeti. Vargjet e këngëtarit popullor mishërohen me ato të poetit Çun Lajçi, ku njëra-tjetrën e plotësojnë, e fuqizojnë, duke dalur në shesh bukuria e tyre. Mjafton të citojmë disa strofa nga disa këngë, për t’u bindur si ndërlidhen vargjet e lirikave gojore rurale, të atyre që kryesisht i kanë kënduar çobanët e çobaneshat, duke ruajtur kryesisht delet, dhitë, lopët, po edhe rapsodët në darsma dhe ndeja gëzimi, për t’u bindur për një gërshtim kaq të bukur.
Ja disa nga “vargjet jaranishte” siç i quan Çuni:
Te dritarja m’i vnon shkallët
*
Me lot kalbe atë drrasë t’vekut
Çejzin çoje te Vorri i cubit…
*
Shkurtoj flokët call dy gishta
Jaraneshë për mua n’daç me kanë…
Tri javë kopil smutë jam kanë
S’je ardhë me thirrë dadën te dera.
*
Ku ma le besën e tufat n’brinat e ogiçave
Ku mbeti jarania e gaisjet tua n’mrize…
Ku mbeti dashnia kablushë kuqe
Ti shkove e thojshe bashkë do t’vdesim.
*
Sikur qyqja hipa n’rrem
T’i vajtova ato unaza
Qefin qejzi çikë t’u baftë
A pate thanë do t’vdesim bashkë?
*
Unë po t’pres po ti mos eja
Pa u zbutë ftoni pa u pjekë thana…
Këta dhjetë shembuj marrë nga poezia e Çun Lajçit, të shkëputur nga lirikat e dashurisë, shpesh të cunguar ashtu siç iu kanë dashtë, krijojnë një ndjenjë se lirika jonë erotike, bazën e ka pikërisht të lirikat e dashurisë të krijuara nga goja e popullit dhe të kënduara në vende dhe momente të ndryshme, ashtu siç e ka kërkuar nëvoja dhe vendi.
Në fund, them se poezia e Çun Lajçit tashmë është bërë pjesë e pandame e shpirtit të lexuesve. Kjo është një poezi e ëndrrave të thyera, e ecjes së plakur e mbi të gjitha është këngë e prushtë që zharritë zemrat e njerëzve kudo që flitet shqip, deri atje ku Çakorri kthehet në vdekje të bukur. Kur lexon vargjet e kësaj poezie e cila mbërthen në vete një frazeologji shumë të pasun nga treva e Rugovës, ajo vjen si gjëma e Çakorrit, si vaji i Kronit të Studencit, si rënkimi i Hajlës, si bubullima e Lugut të Zharit e deri te rebelimi i Kerit të Sadri Bardhit, ku zbrazën vetëtimat te Maja e Drel Nikut. Të gjitha këto frymojnë në poezinë e Çun Lajçit dhe rezatojnë si relikte në udhëtimin e poetit drejtë panteonit poetik, në kërkim të shërimit të plagëve të thella e të pashëruara, siç janë Çakorri, vdekja e bukur dhe, Bubulina, plagë kurrë e mbyllur. Të gjitha këto dëshmojnë për këngën e prushtë të shpirtit vullkan që shpërthen duke vërshuar trojet dhe njerëzit në Rugovë. Ky është fati i Çun Lajçit i zhytur thellë në pellgun e quejtur Rugovë nga i cili nuk e ka ndërmend të ik. Dhe mirë bën. Sepse Rugova është plaga e jetës së tij, i fëmijërisë e djelmërisë, i burrërisë e pleqërisë; është pellg i gjyshërve e katragjyshërve, është varri i gjakut të të parëve dhe gjakut të tij, është varri dhe dashuria e Bubulinës që poetin Çun Lajçi e shndërrojnë në Kangë të Prushtë.
Janar, 2020
Prishtinë