Ngjyra e lëkurës së saj ishte e zeshkët, dhëmbët i kishte të bardhë si margaritarë, sytë të zinj dhe me shkëlqim. Ishte shumë e arsimuar dhe një gjuhëtare eksperte. Për këtë mbretëreshë luftëtare thuhej se kishte një intelekt më të madh se Kleopatra e ndoshta ishte po aq e bukur sa ajo. Duke qenë se guxoi të kundërshtonte fuqinë sunduese të botës në kohën e saj, ajo përmbushi një rol profetik në një dramë biblike. Shumë kohë pasi kishte vdekur, shkrimtarët i thurën lavde dhe piktorët e idealizuan atë. Një poet i shekullit të 19-të e portretizoi si “padronia flokëzezë e shkretërirës siriane”. Kjo grua e vlerësuar kaq shumë ishte Zenobia, mbretëresha e qytetit sirian Palmira.
Në ç’mënyrë spikati Zenobia? Cila ishte atmosfera politike që çoi në ngritjen e saj në fuqi? Çfarë mund të thuhet për karakterin e saj? E cilin rol profetik përmbushi kjo mbretëreshë? Shqyrto fillimisht vendosjen gjeografike ku ndodh kjo dramë.
Një qytet në skaj të shkretëtirës
Palmira, qyteti i Zenobias, ndodhej rreth 210 kilometra në verilindje të Damaskut, në skajin verior të shkretëtirës siriane ku malet Anti-Liban zbresin në rrafshirë. Ky qytet-oaz ishte gati në gjysmë të rrugës mes Detit Mesdhe në perëndim dhe lumit Eufrat në lindje. Mbreti Solomon mund ta ketë njohur këtë qytet me emrin Tadmor, një vend që ishte me rëndësi jetike për mirëqenien e mbretërisë së tij për dy arsye: si një garnizon për mbrojtjen e kufirit verior dhe si një hallkë thelbësore në zinxhirin e qyteteve nga kalonin karvanet. Prandaj, Solomoni e “rindërtoi Tadmorin në shkretëtirë”.
Historia e njëmijë vjetëve që pasuan mbretërimin e mbretit Solomon hesht për Tadmorin. Nëse është korrekte të identifikohet me Palmirën, dalja e tij në skenë filloi pasi Siria u bë një provincë e jashtme e Perandorisë Romake, në vitin 64 p.e.s. “Palmira ishte një qytet i rëndësishëm për Romën në dy aspekte, atë ekonomik dhe ushtarak”,thotë Riçard Stounmën në librin e tij “Palmira dhe Perandoria e saj”. Revolta e Zenobias kundër Romës (Palmyra and Its Empire, Zenobia’s Revolt Against Rome). Meqë ky qytet palmash gjendej në një udhëkalim kryesor tregtar që lidhte Romën me Mesopotaminë dhe me Lindjen, nëpër të kalonin pasuritë tregtare të botës së lashtë: erëza nga India Lindore, mëndafsh nga Kina dhe të mira të tjera materiale nga Persia, Mesopotamia e Poshtme dhe vendet e Mesdheut. Roma varej nga importi i këtyre të mirave materiale.
Nga ana ushtarake, provinca e Sirisë shërbente si një zonë ndarëse mes fuqive rivale të Romës dhe të Persisë. Gjatë 250 vjetëve të para të erës sonë lumi Eufrat e ndante Romën nga fqinji i saj lindor. Palmira gjendej tamam përtej shkretëtirës, në perëndim të qytetit Dura-Europos mbi Eufrat. Duke e njohur pozicionin e saj strategjik, disa perandorë romakë si Adriani dhe Valeriani e vizituan Palmirën. Adriani e shtoi madhështinë e saj arkitekturore dhe bëri shumë dhurata bujare në të. Në vitin 258 të e.s., Valeriani e shpërbleu një fisnik nga Palmira, që quhej Odenath dhe ishte burri i Zenobias, duke e ngritur atë në rangun e konsullit të Romës, sepse ky kishte luftuar me sukses kundër Persisë dhe e kishte zgjeruar kufirin e Perandorisë Romake në Mesopotami. Zenobia luajti një rol të rëndësishëm në ngritjen në fuqi të burrit të saj. Historiani Eduard Gibon shkroi: “Suksesi i Odenathit i detyrohej shumë maturisë dhe forcës së pakrahasueshme të Zenobias.”
Ndërkohë, mbreti Shapur i Persisë vendosi të sfidonte epërsinë e Romës dhe të shpallte sovranitetin e vet mbi të gjitha ish-provincat e Persisë. Me një ushtri frikësuese ai marshoi në drejtim të perëndimit, pushtoi qytetet-garnizone romake Nisibis e Karrhae (Haranin) dhe vazhdoi më tej, duke shkatërruar Sirinë Veriore dhe Kilikinë. Perandori Valerian e udhëhoqi personalisht ushtrinë e tij kundër sulmuesve, por u mund dhe u zu rob nga persët.
Odenathi mendoi se ishte koha e duhur për t’i dërguar monarkut pers disa dhurata të kushtueshme dhe një mesazh paqeje. Me arrogancë, mbreti Shapur urdhëroi që dhuratat të hidheshin në lumin Eufrat dhe kërkoi që Odenathi të paraqitej tek ai, duke iu përgjëruar si një rob. Në përgjigje, palmirianët mblodhën një ushtri me nomadë të shkretëtirës e mbetje të ushtrisë romake dhe filluan të sulmonin persët që në këtë kohë po tërhiqeshin. Përkundër taktikave të sulmit të befasishëm të luftëtarëve të shkretëtirës, ushtritë e Shapurit, të lodhura nga sulmet e të ngarkuara me gjërat e plaçkitura, bënë një mbrojtje të dobët dhe u detyruan t’ia mbathnin.
Në shenjë vlerësimi për fitoren e Odenathit mbi Shapurin, Galineusi, biri dhe trashëgimtari i Valerianit, i dha atij titullin corrector totius Orientis (guvernator i gjithë Lindjes). Me kalimin e kohës Odenathi i dha vetes titullin “mbret i mbretërve”.
Zenobia aspiron të krijojë një perandori
Më vitin 267 të e.s., kur ishte në kulmin e karrierës së tij, Odenathi dhe trashëgimtari i tij u vranë, me sa duket nga një nip hakmarrës. Vendin e të shoqit e zuri Zenobia, meqë biri i saj ishte shumë i ri. E bukur, ambicioze, e aftë si administratore, e mësuar nëpër ekspeditat ushtarake me të ndjerin burrin e saj dhe me një të folur të rrjedhshëm në disa gjuhë, ajo ia doli mbanë të fitonte respektin dhe mbështetjen e nënshtetasve të saj, gjë që nuk ishte një arritje e vogël mes beduinëve. Zenobia ishte e dhënë pas mësimit dhe mblodhi rreth vetes njerëz intelektualë. Një nga këshilltarët e saj ishte filozofi dhe gojëtari Kasius Longinus, për të cilin thuhet se ka qenë “një bibliotekë e gjallë dhe një muze lëvizës”. Autori Stounmën thekson: “Gjatë pesë vjetëve pas vdekjes së Odenathit . . . Zenobia ishte rrënjosur në mendjen e popullit të saj si padronia e Lindjes.””
Në njërën anë të zotërimeve të Zenobias gjendej Persia, të cilën ajo dhe burri i saj e kishin dobësuar dhe në anën tjetër gjendej Roma që po binte. Në lidhje me gjendjen e Perandorisë Romake të asaj kohe, historiani J. M. Roberts thotë: “Shekulli i tretë ishte . . . një periudhë e tmerrshme për Romën si në kufirin lindor, ashtu edhe në atë perëndimor, kurse brenda saj kishte filluar një periudhë e re me luftëra civile dhe me grindje për trashëgimi froni. Njëzet e dy perandorë (duke përjashtuar pretendentët) erdhën dhe ikën.” Padronia siriane, nga ana tjetër, ishte një monarke absolute e vendosur mirë në mbretërinë e saj. “Duke kontrolluar ekuilibrin e dy perandorive [perse dhe romake], vëren Stounmën, ajo mund të aspironte për të krijuar një perandori të tretë që do t’i sundonte dy të parat.”
Në vitin 269 të e.s., u krijua një rast që Zenobia të zgjeronte pushtetin e saj mbretëror, kur në Egjipt doli një pretendent që luftonte për të marrë sundimin mbi Romën. Ushtria e Zenobias me dinakëri marshoi në Egjipt, e rrëzoi rebelin dhe mori në zotërim vendin. Duke e shpallur veten mbretëreshë të Egjiptit, ajo preu monedha me emrin e saj. Tani mbretëria e saj shtrihej nga lumi Nil deri në lumin Eufrat. Në këtë pikë të jetës së saj, ajo zuri pozicionin e «mbretit të jugut» për të cilin flitet në profecinë biblike të Danielit, meqë mbretëria e saj në atë kohë zotëronte zonën jugore të vendlindjes së Danielit. Ajo pushtoi edhe një pjesë të madhe të Azisë së Vogël.
Zenobia e përforcoi dhe e zbukuroi kryeqytetin e saj, Palmirën, në një masë të tillë, saqë ai renditej mes qyteteve më të mëdha të botës romake. Popullsia e këtij qyteti arrinte në mbi 150.000 banorë. Ndërtesa madhështore publike, tempuj, kopshte, shtylla dhe monumente mbushnin qytetin e rrethuar me mure që thuhej se kishin një perimetër prej 21 kilometrash. Në bulevardin kryesor rreshtoheshin portikët e ndërtuar me rreshta shtyllash në stil korintas, mbi 15 metra të larta. Në qytet kishte me bollëk statuja dhe buste të heronjve dhe të bamirësve të pasur. Në vitin 271 të e.s., Zenobia ndërtoi disa statuja për veten dhe për të ndjerin, burrin e saj. E vendosur në skajin e shkretëtirës, Palmira shkëlqente si një xhevahir.
Tempulli i Diellit ishte një nga strukturat më të bukura të qytetit Palmira dhe pa dyshim që sundonte në sferën fetare të qytetit. Ka të ngjarë që edhe Zenobia të adhuronte një hyjni të lidhur me perëndinë diell. Sidoqoftë, Siria e shekullit të tretë ishte një vend me shumë fe. Në zotërimet e Zenobias kishte nga ata që deklaroheshin të krishterë, judenj, astrologë dhe adhurues të diellit e të hënës. Çfarë qëndrimi mbante ajo ndaj mënyrave të ndryshme të adhurimit në mbretërinë e saj? Autori Stounmën vëren: “Një sundimtar i mençur nuk lë pas dore asnjë zakon që i duket i përshtatshëm për popullin e vet… Ata… shpresonin se perënditë ishin renditur nga ana e Palmirës.” Me sa duket Zenobia ishte toleruese ndaj feve.
Një perandor “zgjon zemrën e tij” kundër Zenobias
Gjatë vitit 270 të e.s., Aureliani u bë perandor i Romës. Legjionet e tij arritën me sukses t’i dëbonin dhe t’i disiplinonin barbarët e veriut. Në vitin 271 të e.s., duke përfaqësuar tani “mbretin e veriut” të profecisë së Danielit, Aureliani “zgjoi fuqinë dhe zemrën e tij kundër mbretit të jugut”, të përfaqësuar nga Zenobia. Aureliani i dërgoi disa nga forcat e tij ushtarake drejtpërdrejt në Egjipt dhe udhëhoqi ushtrinë e tij kryesore në drejtim të lindjes mespërmes Azisë së Vogël.
Mbreti i jugut, fuqia sunduese e kryesuar nga Zenobia, “u gjallërua” për luftë kundër Aurelianit “me forca ushtarake jashtëzakonisht të mëdha dhe të fuqishme”, të drejtuara nga dy gjeneralë, Zabadi dhe Zabai. Por Aureliani e shtiu në dorë Egjiptin dhe pastaj dërgoi një ekspeditë ushtarake në Azinë e Vogël dhe në Siri. Zenobia u mund në Emesa (tani Homs) dhe u tërhoq në Palmira.
Kur Aureliani rrethoi Palmirën, Zenobia, duke shpresuar se do të gjente ndihmë, u largua bashkë me birin e saj drejt Persisë, vetëm për t’u zënë robër nga romakët në lumin Eufrat. Palmirianët e dorëzuan qytetin e tyre në vitin 272 të e.s. Aureliani i trajtoi me zemërgjerësi banorët e qytetit, mblodhi një sasi kolosale plaçke lufte, duke përfshirë edhe idhullin nga Tempulli i Diellit dhe u nis për në Romë. Perandori romak e kurseu Zenobian, duke e bërë atë trofeun kryesor të procesionit të tij triumfues që kaloi përmes Romës në vitin 274 të e.s. Ajo e kaloi pjesën tjetër të jetës si një zonjë romake.
Qyteti i shkretëtirës bëhet gërmadhë
Disa muaj pasi Aureliani pushtoi Palmirën, banorët e qytetit masakruan garnizonin romak që ai kishte lënë pas. Kur lajmi i kësaj revolte mbërriti tek Aureliani, menjëherë ai i urdhëroi ushtarët e tij të binin në gjurmët e tyre dhe kësaj radhe ata shkaktuan një hakmarrje të tmerrshme mbi popullsinë. Ata që i shpëtuan masakrës së pamëshirshme u dërguan në skllavëri. Qyteti krenar u plaçkit dhe u kthye në një gërmadhë që nuk mund të rimëkëmbej. Kështu, metropoli i zhurmshëm u kthye përsëri në gjendjen e mëparshme, “Tadmori në shkretëtirë”.
Kur Zenobia me guxim e kundërshtoi Romën, ajo dhe perandori Aurelian pa dashje luajtën rolet e tyre si “mbreti i jugut” dhe “mbreti i veriut”. Me personalitetin e saj të mahnitshëm, Zenobia fitoi admirimin e shumë njerëzve. Sidoqoftë, një domethënie më të madhe kishte roli i saj në përfaqësimin e një fuqie politike të parathënë në profecinë e Danielit. Mbretërimi i saj nuk zgjati më shumë se pesë vjet. Palmira, kryeqyteti i mbretërisë së Zenobias, sot nuk është gjë tjetër veçse një fshat. Edhe perandoria e fuqishme romake është zhdukur nga shumë kohë dhe u ka lënë vendin mbretërive moderne.
Përgatiti: Albert Vataj