Mërgim Korça
Jem mbledhë sot miq, t’njoftun si edhe t’panjoftun njêni me tjetrin, por të tân’e kena nji gjâ t’përbashkët : Jena kah përkujtojmë me mâ t’thêllin respekt, të njoftunin prej të gjith nesh, mikun si edhe të dashtunin t’onë, të ndjémin të përndershëm Dom Prêkën, themeluesin e Kishës Zoja Pajtore e Shqyptarve.
E njitash kah gjithsecilli e bjen n’mênde të tijën ftyrën e meshtárit ksaj Kishe, e pohoj me bé e me rrfé, se gjithkujt i ka dalë para syve t’mêndes ftyra e përvûjtë por gjithmonë me bûzën n’gáz e Dom Prêkës t’onë të dashtun !
Katërmbëdhetë vjete t’shkueme, dy net para se un me familje me u nis’ e m’e kalue Oqeanin, na telefonoi n’Itali me na urue udhën e mbarë, tashmâ edhe Aj prej kohësh i ndjemë, Martin Camaj. E Aj më tha pak a shum : “ … keni m’e njoftë e keni m’u miqsue me nji meshtár sa t’përvûjt’edhe gjith’aq përfaqsues tipik të maleve prej kah e ka prejardhjen. E ka êmnin Prêk Ndrevashaj e vllau juej e ka bash mik. Kurr s’keni m’e pa t’mërzitun. Gjithmonë me bûzë n’gaz keni m’e pá … !”
E n’aeroport të Detroitit tre ishin njerzt’e parë qi na pritne kah shkelme n’kët tokë t’bekueme : Vllau êm me t’shoqen si edhe nji person me nji buzqeshje t’âmël në ftyrë të Tijën, por i veshun disi për sèri : Me tesha t’zeza e me “kolár” të bardhë, por pantollat’e futuna n’çisme. Ky kje ballafaqimi i parë joni me personin qi n’vazhdim na u bâ aq i dashtun si Dom Prêkë ! E na u kujtue fillë Martini qi e kish përshkrue me at synin e artistit … meshtár sa i përvûjt’edhe gjith’aq përfaqsues tipik i maleve të Dukagjinit ! N’at çast e ndjeva se si aj meshtár i âmbël nuk ishte vetëm për me hypë n’vetura luksoze, por ish i gatshëm me i u ngjit’edhe shkâmit t’Gurit të Kuq n’Dukagjinin e Tij t’largët !
Me rasen e sodit nuk due m’ia bâ biografinë të ndjémit Dom Prêkë, por due m’e vûe n’dukje humanizmin e Tij n’themelet e të cillit ishte shpirti i Tij thellsisht ekumenik, i mkuem deri në skâj me dashtuninë kristiane e bazueme kjo në faljen e mkatárit ! E pikrisht nji dëshmí shum t’spikatun të dashtunisë skâjshme kristiane të Dom Prêkës, due m’e ndae me ju sot.
Ju ftoj tash, të nderuem pjesmarrës, me syt’e mëndjeve t’ueja të kthehena në vjetet e largme e t’errta të terrorit komunist ndaj Klerit Katolik në Shkodrën e dimnit 1946. Pa zbardhë hala drita e datës 4 mars 1946 Patër Danjel Dajani, Patër Gjon Shllaku e Patër Gjovani Fausti me shokë, ish msuesat e Dom Prêkës ardhshëm, po lêjshin amanetet e fundit t’rreshtuem para togës pushkatimi, bûzë Kirit. Të tânë theksojshin me rradhë … I falim ata qi na kanë bâ keq. Jem t’gzuem qi po desim t’pafajshëm. Rrnoftë Krishti mbret e rrnoftë Shqypnia!
Ky kje preludi i pushkatimeve qi kishin me pasue ndër klerikë.
Në muejin dhetuer të 1946-ës, mbas inskenimit sa të paturpshëm e po aq edhe tragjik të gjetjes armëve n’altárin e Kishës Fretënve, u mbyll Seminari, Instituti Jezuit si edhe Shkollat Françeskane. Profesorat e tyne u nisne në Malcí me xevêndsue meshtarët si edhe fretnit qi po i pushkatojshin. N’kët situatë xhakoni Prêk’i Brashtës malore, me tretë gjurmë, shkoi në Tiranë e gjet strehë te Kisha e Patër Antonit ku meshtár ish Patër Pjetër Mushkalla. Mbrâmjeve ky i nepte meshtarit t’ardhshëm leksjonet e filozofisë. Kurse ditën, malcori i ri merrej me pastrimin e rregullimin e kishës. Edhe shoku i ngusht’i tij, Zef Pllumi, prej seminarit iku edhe e ndali vrapin n’ Melgushë, m’u strehue te axha i vet. E ksisoji i hupne lidhjet të dy shokët.
Kta i hupne lidhjet, por nuk e zbehu sigurimi hetimin ndaj tyne.
Mbas do kohe, nji paradite vjen në Kishën e Patër Antonit nji malcuer. Hîni mbrênda e kah e shef xhakue Prêkën tue pastrue kishën i drejtohet … po ti more xhakue, a prej Institutit të Shkodrës ktu e paske ndâlë vrapin e u merrke me pastrim të kishës ? I foli edhe nja dy fjalë sa mos me ndêjtë pa folë, edhe çau e shkoi. Prêk Sokol Prêkës (Dom Prêkës ardhshëm) i dogj kjo gjâ, po nuk kishte edhe kah me ia mbajtë e veç shkoi e ia thá ndollínë Patër Mushkallës. Ky i fundit i tha të kishte kujdes n’tokime me njerz se kohët ishin shum t’rrezikshme.
Mirpó puna s’priti. Masdite vjen togeri i sigurimit Çesk Shoshi me nji aspirant toskë si edhe malcorin e paradites. Shkojn’e tokojnë Patër Mushkallën e i thonë m’e thirrë “xhakonin”. Kur hîni në zyrë xhakoni Prêkë e pa se puna ishte pisk. Pa vonue, togeri iu drejtue me formulën q’e kishin zakon se n’êmën të popullit po e arrestojshin, ia vûne prangat gjermane e përgjatë bulevardit … drejt’e në Degën e Punve të Mbrêndëshme. Atje filloi fillë hetuesía. Toger Çesku me aspirantin lab pvetshin e malcori, si sekretar, shkruete n’makinë shkrimi proces-verbalin. Mbas disa ditve hetuesíe, të pranguem e hypne n’kamion edhe e nisne drejtë Shkodrës. Vazhdimi âsht biografí. Kurse un ju premtova të merrena me humanizmin q’e ka karakterizue Dom Prêkën t’onë të dashtun e jo me biografín’e Tij.
Kaluene kohë, shum vjete. Prêka i Brashtës Dukagjinit u arratis. U shugurue meshtár n’Vatikan në 1961-shin e mbasi punoi gadi dhjetë vjet me emigracionin në Romë, erdh n’Amerikë.
E ksisoji erdh edhe vjeta 1998. Kishjem shkue m’e vizitue Dom Prêkën, siç bâjshem shum dêndun, e n’mjedis bisedës bjen zilja e vjen nji malcuer, burr’i moshuem, i shoqnuem me nji burrë tjetër mâ të ri. I moshuemi nuk priti të na prezentote Dom Prêka por m’a zgjati dorën e m’u paraqit vetë, me êmën edhe me llagap, tue u paraqitë si mik i ngusht’i Dom Prêkës. Un shtânga. Tavani m’rá mbi krye ! Kqyra kah Dom Prêka. Aj buzëqeshte me at buzëqeshjen e tij të âmbël, si gjithmonë. Asnji hije nuk shifshem n’buzagazin’e Tij. A kish se si Dom Prêka t’a prit’te ish sekretarin e Degës Punve të Mbrêndëshme, q’e kishte arrestue dikur, me at buzagaz ? Mendova se ishin dy njerz me të njajtin êmën. Megjithatê vendosa mos me dalë prej andej pa e përcjellë vizitorin. Fati m’u gjet ndihmë, se aj q’e kish shoqnue vizitorin e moshuem kish nji punë e ksisoji nuk shkoi as nji orë edhe u çuen e dolne.
E njiktu tash vjen edhe thalbi i çashtjes qi desha m’e ndae me ju. E pves Dom Prêkën a kishte dy njerz me t’njajtin êmën apo ky ishte aj sekretari i hetuesísë Degës Tiranës ? E Dom Prêka m’ulet për ânë, m’i merr duert n’duer t’vetat e m’thotë pak a shum tekstualisht … e kuptoj shqetsimin t’ând. Jo, nuk bâhet fjalë për dy persona. Por jo vetëm qi un duhet me veprue njiksisóji, por edhe ti duhet m’u sjellë njikshtu ! Harroje at qindrim si edhe êmnin e tij n’ato rrethana. Jezusi êm si edhe Isaja yt ktê mësim na napin ! Un mandej kam edhe nji detyrim të dytë : me shêmbullen t’ême duhet me u prîe njerzve drejt faljes e dashtunísë vllaznore.
E tash qi kanë kalue vjete ç’prej asaj dite e m’ânë tjetër edhe Dom Prêka na la, rri e mêndohem : nuk ka meshtarë kërkund qi të jenë edukue njashtu si brêzi i Dom Prêkës t’onë të ndjemë. Kah i morrne edhe i çuen me zor studentat e Seminarit me ndigjue se si i dënojshin priftat e pafajshëm, kryetari Mustafa Iljazi, prokurori Aranit Çela si edhe antarët e trupit gjykues Namik Qemali edhe Tonin Miloti, nuk e dijshin kta se nuk kishte leksjon Seminari apo Instituti ku mâ fort t’ju gdhêndej studentave në shpirt madhështía e profesorave të tyne ! Kur e tërhiqshin zharg prej sqetullash Patër Faustin se kâmbët ia kishin coptue n’tortura nji natë mâ parë e Aj i drejtohej trupit gjykues tue u thânë se të tânë natën i ish lutë Zotit për shpirta t’tyne qi nuk dijshin se shka bâjshin, e pra Zoti t’i falte, xhakoni Prêk (Dom Prêka i ardhshëm) edukohej e kalitej me at mësim shêmbulluer ! Ndryshe ishte m’i ndigjue leksjonet teorike rreth faljes n’auditore Institutesh edhe Seminarësh, e krejtë tjetër gjâ ishte m’i msue kto norma kristiane në Kinema Rozafat të transformueme në salë gjygji ! E për mâ tepër, me pa se si klerikë të sakatuem torturash madhështoheshin me qindrim të tynin e gjykuesit veç me brima histerike u mundojshin m’i mbajtë frênat e situatës !
Prandej Dom Prêka kje Aj qi kje e dite me falë nj’ashtu si msuest’e Tij falne vrastart’e e tyne !