Makthi i egër – Hypericum perforatum L.
Është bimë shumëvjeçare e degëzuar, e cila rritet në lartësi 20-100 cm. Gjethet e kësaj bime janë vezake, gjatore dhe lineare me plot pikëza në sipërfaqe, që nëse shikohen në burim të dritës duken sikur të jenë vrima apo perforacione. Nga kjo dhe ka marë emrin “perforatum”. Këto pika në të vërtetë janë vrima të mbushura me vaj eterik të bimës. Lulet e këskaj bime kanë ngjyrë të verdhë, me pesë petale poashtu të mbushura me pikëza transluente sikurse edhe gjethet. Farat e kësaj bime kanë ngjyrë të zezë apo të errët. Është e përhapur në tërë Evropën, në Azi, prej nga është përndarë në tërë botën. Lulëzon prej muajit qershor gjer në gusht, dhe kryesisht i hasim gati kudo: në livadhe, në vende të hapura e të thata, rreth rrugëve, pranë pyjeve etj. Në trevat e banuara me shqiptarë njihet me emrat: Lulebasani, kantarion i verdhë, granabutë, mokth, mokth i egër, makth i egër, çajmali, çajbjeshke, çaj i egër, bar’i majasilit, etj. Në fitoterapi dhe mjekësinë popullore ka përdorim të gjerë. Kryesisht përdoret e tërë bima (lat. herba hyperici) si dhe vaji i tij (lat. oleum hyperici).
Makthi i egër përmban pigmentin e kuq të rrëshirës (hipericiumin), vajra eterike, karotine, materie të idhëta, flavoide etj. Ka veprim relaksues, timoleptik, hepatik, është bar antiinflamator. Siç shihet edhe nga emërtimi, përdoret në mjekësinë popullore për ndaljen e rrjedhjes së gjakut, kundër diarresë e dizenterisë, kundër tuberkulozit, si qetësues i dhembjeve të zorrëve dhe lukthit, kokës, kundër gurit në mëlçinë e zezë etj. Kjo bimë ka një valencë të lartë terapeutike, dhe është e njohur në tërë Evropën për veti mjekuese që nga kohët më të hershme, sidomos si relaksues i shkëlqyeshëm për shumë raste ku ekzistojnë presionet psikike, si pagjumësia, diarreja, epilepsia, urinimi në shtrat, shtrëngimet në stomak, psikozat etj. Me sukses përdoret edhe te neuralgjitë, ishijasi, ngase ka edhe aftësi analgjetike. Përdoret edhe në rastet e neurastenive dhe herpes zosteri (zona, zjarri i natës – sëmundje viroze e lëkurës). Rregullon rrjedhën e gjakut në inde, pengest në jashtëçitje, ka veprim mjekues te të gjitha kalljet e mëshikëzës së traktit digjestiv, te ulceracionet peptike, te hiatus hernie, gastritisi. Përpos veprimeve adstrigente, analgjetike relaksative, antiseptike dhe regjeneruese, është edhe hepatik i fortë, dhe me sukses përdoret te problemet me funksionin e mëlqisë dhe qeses së vrerit. Në formë vaji, makthit përdoret kundër kalljeve, djegieve dhe plagëve. Poashtu ka veprim të suksesshëm te stimulimi i rrjedhës së gjakut dhe te neurozat gjatë menopauzës.
Bima përdoret kryesisht në formë tinkture, si infuz. Për infuz përdoret një lugë gjelle bimë e tharë dhe e grimcuar në 250 ml ujë valë. Mbulohet ena për 15 munuta, pastaj kullohet dhe pihet 3 herë në ditë infuzi. Tinktura përgatitet duke përzier në 200 ml alkool 60%, 3 lugë gjelle të bimës. Pas 15 ditëve kullohet dhe merren 3 herë në ditë nga 25-40 pika në gjysmë gote ujë.
Vaji i makthit përfitohet duke vendosur në 500 ml vaj, 7 lugë bime të imtësuar. Lihet të qëndrojë 10-15 ditë. Me këtë vaj lyhet plaga, vendi i djegur etj.