Nga Albert Vataj
Fatlum është ai kurm, ai zë, ajo zemër, ato buzë… që prehen në paqen e një ëndërrimi që formëzohet si një bimë në prehrin e një dëshire të hyjshme për gjallim, e harbon në krahët e frymës, shpërthen në çdo qelizë e shumon në çdo ëmbëlsi që rrapëllen, në gjak e në limfë, në afsh e përjetim.
Është e prekshme, reale, tokësore, e sapodalë nga ngjizjet më të përkora të një romantike plot magji. Zbret nga fletët e një romani, siç zbret vesa nga gjuhëza e një fije bari, dhe… tretet në krahët e ndritshëm të agut që lëshohet hareshëm me taftin e pafundësisë; e tretet në buzët që i eshk puthja, në kurmin që e tendos prekja, në syrin që e ndez dita.
Po, ajo zemër, ajo mendje, përkulet e përgjërohet në këmbët e një dëshirimi, e rrënjëzon në një lule e në një lis, çukit si një hënë e pëshpërit si një heshtje, dhe… vjen tek ti, i/e skuqur prej ndrojtjes, i/e stepur prej hutimit, i/e heshtur prej shtrëngatës së prarimit që e zë përfund.
Unë, ti, ajo, ne të gjithë, e dëgjojmë këtë hyjnore që na përshkon, frymëmarrjen na e shpejton, gjoksin na e ngre pupth, zërin na e shterr e buzën na kafshon.
Pothuajse asnjëherë nuk mund të jesh një poet apo një artist, një tokësor me të hyjshëm që të gurron në limfë, pa dashuruar në mënyrë madhështore ose pa patur të paktën një aftësi të madhe për të dashuruar, pa e prekur qiellin në çdo copëz ëndjeje që të kall, pa e mbushur me shkëlqimin magjepsës të yjeve çdo çast që të bën të ndjehesh shkëndi.
Dëlirësia e detyruar apo e dëshiruar, mund ta fshehë dashurinë, mund ta vesh atë me cohën e hollë të së magjishmes, mund ta strukë nën petalet e një luleje që shihet me sytë që e adhurojnë, apo në sythin e një gufimi të pranverës që beh si një lajmës.
Atje poshtë, thellë në zemër, atje ku vërshojnë përrenjtë flakatar të gjakut, në një altar të stolisur me dritëza yjesh, zemra, ajo zemër që druhet prej syve që e ledhin, ajo zemër që gjëmon prej buzëve që prekin, ajo zemër që ndalon kur afshi i derdhet si një curril vese mbi kurm, ajo zemër ngjiz dhe lind dhjetra përfytyrime që i ngjajnë më shumë një engjëlli se sa një gruaje, një dritimi që shpërthen në prekjen e ndrojtur të zotërimit.
Është ai çast që na bën të ndjehemi të mrekulluar prej të magjishmes, ai çast që zgjon prej thellë nesh atë të panjohur ngasëse që shprehet përmes fjalësh të ëmbëlsuara me polenin e luleve, përmes penelatave të ngjyra në harqet e ylbereve, melodive që të magjepsin si shkumëzimi i ujëvarave.
Unë, ti, ajo… ne të gjithë e ndjejmë, e prekim, e shijojmë, jemi përjetues të asaj dashurie që lind dhe na përkund në shkulmin e një drite që shpërthen brenda nesh e na çel në çdo pore, në çdo ëndje që zgjon pasioni.
Ne jemi të zgjedhurit për të jetuar dashuritë e hyjshme, ata që na bëjmë të vdesim në çdo lindje, që na shterojnë në çdo përmbytje, që na djegin në çdo prekje, që na fusin dëshirueshëm në trazim, na thyejnë e na ngjisin, na hedhin e na presin, na duan kaq shumë, sa na urrejnë…sepse jemi gjithçka ata duan, gjithçka ata kanë.
Uroj nga zemra të jesh ai vullnet i epërm që krijuesi e ka shpërblyer me dashuri, e jo ajo ngjizje fatkeqe që ka mësuar vetëm të dëshirojë.
Albert Vataj