Nga Albert Vataj
Pulsin e gjëmimshëm të një jetësimi krijues, në librin e Qerim Skënderajt, mund ta ndjeni kudo; ku fjala dhe mendimi, poezia dhe ritmi, shpirti dhe pafundësia, trajtëzohen brenda një domethënie lartësisht, të shprehur në përjetim. Ai është i tillë shpërthyes dhe përfshirës, sa ç’është ç’do nevojë jona, për të depërtuar përmes gjendjesh dhe sendesh drejt e në thelb, atje ku një zemër tkurret dhe bymehet, duke lejuar jetën e një çasti të fiksuar në meditim, të vërshojë me gjakun dhe llavën e dritimit, në çdo pjesëz të pafundësisë që ngjizet brenda nesh.
Caku i kësaj here, ku autori gjen brigje, për të ndërtuar mbërritjen e tij pre Odiseje, është jo vetëm një libër që është i pagëzuar me titullin e kumtimit, “Lotёt e Akilit”, por një rrëfimtari e dlirë dhe e shuguruar. Kjo përmbledhje me tregime, skica, esse dhe përsiatje, vjen nga Qerim Skenderaj si një prolog i forcës së atij shpirti, për të ndërtuar një altar besimi, me gjërat që e shenjtërojnë aftësinë për t’i parë dhe ndjerë përjetimet, si copëzat e një mozaiku, me të cilën ai kërkon të krijojë dëshmimin e tij shprehës.
Ka vetëm një rrugë për të mbërritur te domethënia e krijimit, të e themelta e atyre thirrjeve të brendshme, për të komunikuar dhe kumtuar. Hyni ju vetë në shpirtin tuaj, brenda vetes suaj dhe kërkoni nevojën që ju shtyn të shkruani, të nxirrni jashtë jush atë që keni ngjizur përmes mijëra përjetimesh, trazimesh, hidhërimesh, gazmimesh e mëdyshjesh. Dilni jashtë, i thërret ai zë përgjërues, trajtave që kanë marrë çastet. Dilni në dritën e ëndshme të dëshirimeve dhe çlirimit, jepuni krahëve dehës të asaj frymëmarrje, përmasat e të cilit ka mëkuar shpirti, havani i etertë, ku është mbrujtur kjo pamatësi gjendjesh. Kërkoni dhe shtrini rrënjët e kësaj nevoje në thellësinë më të ngashërimtë të zemrës suaj, dhe përgjoni teksa pipëtin ai kushtrim jehonash që ju përpin.
Për të ardhur te ky rrëfim, Skënderaj beson, beson vetëm te vetja e tij, dhe gjunjëzohet tek ai altar ku ai ka derdhur mishërimin e të gjithë botëve të shpirtërores së tij, që nga antikiteti deri në të tashmen e pëshpëritjeve të nënzëshme dhe oshtimave trazuese, që rrëzohen në lotët e dhimbjes dhe ndëshkohen prej shpatës së tij prej Demokleu.
Për të shprehur atë që ndjen, për të shkuar atje ku e thërrasin pulset, për të mbërritur ku prehra dhe ninulla kungojnë jetën, autori ka përdorur sendet që e rrethojnë, imazhet e ëndrrave që e rrëmbejnë, objektet e kujtimeve që e kredhin pikëllueshëm n’përmallim.
Nëse përditshmëria juaj ju duket e varfër për të mbërritur te ai eter fluturimesh, ku ai përcjell dhe pret shtegtime stinësh, ju nuk duhet të akuzoni veten tuaj, pse nuk keni qenë aq poet, sa të ndillnit gjithë pasuritë që ju mungonin, por duhet të jeni mirënjohës që Skënderaj e bën këtë për ju, duke u’a mëkuar përmes krijimit si një magji. Ai e bën këtë në këto kumtime, për të krijuar ato margaritarë, për të sendërtuar atë realitet, për të jetësuar gjithçkanë, në atë formë dhe për ti dhënë atë trajtë, sa të ndihet vetvetja në çdo shpirt ku prehet, e brendi ku shkrepëtin, si në sytë e çdo dehjeje, që i dalldiset qiellit të natës në pranverë.
Poetika i ka lartësuar kumtimet e këtij libri në atë shkas përfshirjeje, dhe në atë yshtje komunikimi, duke i dhënë gamës së gjerë të metaforës dhe duke e mbrujtur mendimin aq shpirtërisht, aq sa çdo copëz e këtij komunikimi të gjej tek lexuesi një prehje meditative dhe një ngulm përpirës përjetimi. Fjala, mendimi, poezia, mesazhi, simbolika shprehëse, ojnisja filozofike dhe brishtësia e qasjes, përshkojnë si një fill ndijues gjithë shtatin e kësaj krijese që i jepet ëndjes së secilit si një dëshirë. Fundja çfarë është letërsia, për çfarë shkruajmë? Gjithçka bëjmë me penë e parmendë është krejtçfarë në ne merr kuptim, atëherë kur bashkëngjit ëndrrat me qëllimet, përpjekjet me mundësitë, sfidat me triumfet.
Faqet e këtij libri janë katete e një shpirti që ngjiten në atë shtresim ku ne marrim frymë me kraharorin e pafundësisë dhe në sy na shpërfaqet paanësia e atij realiteti që arrin të dorëzohet vetëm prej forcës së shpirtit krijues. Kështu ka ngjitur shkallët, Qerim Skënderaj, për të mbërritur atje lart, prejnga ne shohim gjithçka në një dritëpamësi tjetër. Dhe ne veshim krahët e përjetimit dhe fluturojmë për të zënë vend në atë lartësia, në atë fole, në atë dimension, për ti dhënë vetes tonë ndijuese atë forcë dhe atë energji, që ai druhet ta zgjojë nga tokësorja për ta hedhur në përqafjen e një dëshirimi. Ai na kujton se ka diçka hapësinore brenda vetes që zgjohet përmes këtyre krijimeve, hov nga këto caqe e përnjëherë, e gjen veten në një realitet ku ai e ka ndërtuar ngulmueshëm.
Autori vjen në jetësimin e të zakonshmes, ashtu siç dhe përpiqet të gjej vendosjen e tij në realitet si në një të tashme që merr përdhunshëm, duke i vënë në shpinë dhe në shpirt, një barrë që është gjithnjë e rëndë. Atij i duhet ta mbajë e ta ngjit lart në majë, si një Sizif, gurin e ndëshkimit nga fati prej miti. Dhe nuk ndalon së përpjekuri, nuk resht së provuari. Beson dhe kjo forcë shndërruese e shpie nga një betejë në tjetrën, gjithnjë dhe pa ndalim. Skënderaj, sheh dhe jeton të tashmet e tij në çdo thërrmijë të atyre çasteve, që i kanë shkreptirë në shpirt si supernova, për ta mbushur me atë dritim poetik, me të cilin shpërblen ëndjen tonë të leximit dhe kureshtinë e kuptimit të botës përmes atij kumti.
Ky është akti i krijimit, ky është caku ku na çon fjala; mendimi, forca shprehëse. Ky është ajri që ne thithim në një përjetim thellësisht shpirtëror, thelbësisht jetësor. Ky është altari që mëkon universi krijues i Qerim Skënderajt, ai lartësim forcash dhe ajo përkorje epjesh estetike, tek të cilat vijmë përulësisht blatues.