Nga Albert Vataj
Nuk kishte me pas andërr ma t’bukur për një dëshirim t’prushun n’flakt e pasionit, se sa me e gjet vedit t’mbërthyem prej nji shpërthimi drite qi t’ue t’pa me kureshti dhe adhurim lyp me t’than njat qi t’ban me u ndi qiellor ndërsa rrekesh përmes gjanash dhe gjendjesh me jetësu n’fjalë e n’vargje gjithçfarë t’ysht me ken i kapluem prej nji përjetimi t’brisht e përshkues. M’bahet se ky përkufizim mundet me ken kretçfarë udhëprin përnga njaja gosti mëtimesh krijuese, poeten Elida Rusta.
Mundësia për me ken i rrethuem prej nji begatie amëlcimi shpritnor dhe nji forcë përtrise që mëkon poezia, asht njaq bujare sot, sa kurrë ma parë. Rrjetet sociale dhe nevoja për me komuniku përmes formave t’epërme shprehëse, siç asht poezia, e kanë pasunu dëshirimin tonë, tue e mbush me ambrozin e çdo shpirti. N’kyt shpërblesë kumtimesh t’zashme, kam guxue me dallu shpesh emna dhe vlera, stile dhe trajta, siç due tash me dëshmu, po, Elida Rusta. Prejt tana andjeve, t’cilave mundem me u lan nga nji vend t’privilegjuem, kjo asht njana prej tyne.
Nuk i mora leje me shkru këto radhë për poezinë e saj, siç nuk dëshirova me ken i urdhnum prej kurrfar shtyse, thjeshtë prej dëshirës me dëshmu ç’kam m’ban me ken i dashanum mbas poezis së s’saj. Elida Rusta asht poete, por ajo din dhe mundet me ken edhe nji lëvruese e amël e gegnishtes, e njasaj forme t’bylbylshme këndimi. Rend nëpër kyt rrugëtim, pa ken e ngucun prej nji detyrese se i duhet me shkue dikund. Ajo ecën, vrapo… e n’se e shihni tue fluturu mundeni me i besue syve dhe mendjes, ngase asht fjala, asht e bukura njajo qi t’ban me u ndi i kapun prej këtij hutimi, asht emocioni qi ajo mëton me poezinë, me kangën e saj.
Poezia e Elidës asht njaq e thjeshtë sa dhe e garrametshme, e brishtë dhe vërshuese, e athët dhe dehëse, asht… formë çlirimi prej gjithë atij densiteti përjetues gjendjesh n’cillat ajo pjesmërr. Fjala rrxohet prej nji naltësie, si pikat e shiut, e tue dasht me shue etjen e zjarmisë, veç se e ndez ma keq. Asht ky pragu, prejku poetja lshon ernat qi mban t’kyçun shpirti i vet. E vjen ky taft e t’trazon tue t’ledh, e beh kjo prekje e t’përflak tue t’prek. Palohet n’prehnin e njatij dëshirimi qi i ban vend si gjethet qi vjeshta rrxon, e turravrap lyp me t’tregue hanat qi e kqyrën tinzisht, e fluturat qi e ngucën n’hoka e shpengim.
Elida Rusta me poezinë e saj nuk don me than, por don me t’ftue me ndi, me përjetu, njat qi i gurron n’krahnorin e vet, njat qi shpërthen n’gjoksin e tankujt qi don me ken za dhe zemër n’nji moment shpërthimi. Vargu i kësaj fryme trazon e përpush, njitet e zdryp, rrxohet e naltësive, gjen krahë me fluturu, ngucat e lajkaton, e… mbasi ka ladrue e t’ka përkund, t’kthen te njaj çast qi t’ban me u ndi tjetërqysh, t’ban me ken tjetërkush, t’ban me kqyr tjetërsi, e pse jo, t’fton me guxue me dasht, me dasht me ken ç’ka t’ban me ndi ajër, frym, pend, gjethe, prekje.
Poezia asht mision dëshirimesh me komunikue zashëm në vetminë e gjendjeve qi t’baj me u kthy te vedja, e ma mirë se Elida Rusta nuk mundet me e ba tjetërkush me njaq çiltërsi dhe thjeshtësi. Duket kjartë se ajo nuk e vret mendjen për formë e trajtë, për qëndisma e ojna, ajo kallzon ç’ka ndin, ndoshta jo dashtazi me t’ftu me ken edhe ti n’t’njejtin përjetim, por me t’tregu se mundesh edhe ti me jetu poetikisht, siç ajo ka zgjedh.
NJI POEZI PREJ Elida Rusta
***
M’u duk pak çka shkrova dje për ty,
e po nisi me shkrue prej fillimit
Na duhena bukur,
as shumë vonë si te Markezi,
as shumë herët si te Lolita.
E kam kryet pa flokë,
në krahnorin tánd të butë.
S’kam dert
deri nesër të paktën.
I jam nënshtrue amelsisë tánde.
Le të ikin táná sendet e tepërta,
thonjtë e eshtrat pa lëkurë,
Piqem në gushtin e buzëve të tua.
Mban mend?
Para shumë vjetësh
t’kam shkrue prej pyjeve.
Me sytë si t’drenushës
kur duen me e plagos
t’jam lut
mos me i pi prrojet ku rrjedh háná,
se disku i saj t’mbetë në fyt,
peshqit të ikin prej ujnave të syve,
nuk muj me pá hijen téme përmbys
në sytë e kaprojve,
as diellin e mjerë që zbret
me shtagën e rrezeve
si plak pjerrtësisë së pyjeve
ku ketrat shpesh u harrojnë vendin farave t’mshefuna
e pylli bán festë.
Kjo ásht festa jonë,
në një lëndinë t’humbun,
ti ke ándrrat e bletëve në buzë,
unë me kryet pa flokë,
s’kam dert deri nesër.
Shportë e thurun
me lastarë shelgjesh lotues
që qajnë hala
për ikjen e zogjve te trembun të Shirokës,
për mbytjen e mjelmës në liqé t’dhimbjes,
me “oh” e “ahe” si petale lulesh.
Këto janë rreshtat e tu
që i mbylle në shtatëqind dryna,
ato kohë kur shkove me u rrit
e mbete po aq.
Ah tiii!
Xhind me llambën e kuqe të fatit tim në dorë.
U djegsh në mall,
flaka të daltë!
Hirin tém hidhe prej ballkoni,
të mbulohem me humusin tim.
Ndoshta
mbijnë njerëz má t’mirë në katin e parë
e ashtu kat pas kati,
qiell pas qielli,
deri te i shtati.
Merre tash qiellin,
shihi njerëzit prej dritares,
ti je dritë e nji bote tjetër,
të lejohet me pá prej nelt,
me u deh thërrmueshëm,
në hánën jeshile të syve të mi.
Nisu drejt qiellit shpirti jém,
veç nji herë lejohet.
Ndoshta vdesim tuj u dashtë..