Kënga dhe të qeshurat na bëjnë të kemi frymëmarrje më të mirë, kjo ka efekte pozitive edhe mbi tensionin e lartë të gjakut
Të dëgjosh muzikë, të këndosh fraza dhe të qeshësh shumë, sipas asaj që kanë nxjerrë disa studiues të universitetit të Osakës, jo vetëm që na shërbejnë për të ngritur humorin, por edhe për të mbajtur nën kontroll tensionin e lartë të gjakut, sidomos te personat që lidhet me gjendjen e tyre emocionale. Studimi i paraqitur kohët e fundit në Atlanta gjatë konferencës së “American Heart Association” ka treguar në fakt se pacientët që merrnin pjesë në seanca shoqëruar me këngë dhe buzëqeshje regjistronin një ulje të presionit të gjakut jo vetëm për momentin, por edhe për një periudhë kohe që shkonte rreth një muaj.
Studimi
Kërkimi që përfshin rreth 80 të rritur të ndarë në tre grupe, për një orë çdo dy javë, morën pjesë për një total rreth 3 muajsh në seanca ku këndonin dhe dëgjonin muzikë, ose merrnin pjesë në ndonjë sit-com dhe merrnin pjesë në seancat e “jogës dhe të qeshurës”, një praktikë që shfrytëzon aktivitetin e të qeshurit si ushtrim që i bën mirë frymëmarrjes. Grupi i fundit, që duhej marrë si gur krahasimi, nuk do të kryente asnjë aktivitet të veçantë. Te pjesëmarrësit e grupeve të muzikës dhe të qeshurave kërkuesit kanë regjistruar menjëherë pas çdo seance, një ulje mesatare të tensionit respektivisht me 6 e 7 mmHg. Ky benefit mbahej edhe në përfundim të periudhës së studimit, kur vlerat mesatare të tensionit ishin më të ulëta rreth 5 mmHg. “Nuk e dimë mirë përse ndodh kjo. Një e dhënë interesante është se nivelet e kortizolit, hormonit të prodhuar në gjendje stresi, ulej ndjeshëm tek ata që merrnin pjesë në seanca muzike dhe të qeshurash. Kjo ndoshta ndikon në çlodhjen dhe uljen e tensionit, por duhen të tjera studime për të kuptuar më mirë këtë fenomen” saktëson Eri Eguchi, kërkuese në Universitetin e Osakës dhe autorja kryesore e studimit.
Frymëmarrja dhe tensioni
Në të vërtetë, studime të tjera në të kaluarën kanë “hetuar” për një lidhje të mundshme mes muzikës, frymëmarrjes dhe hipertensionit. Një grup i drejtuar nga Pietro Amedeo Modesti, docent i sëmundjeve të brendshme në Universitetin e Firences, një vit më parë publikoi në “Journal of Hypertension” një kërkim ku tregohej se për një orë në ditë ushtrime me frymëmarrjen shoqëruar nga muzika që të pëlqen reduktonte me rreth 5 mmHg tensionin e gjakut në 24 orë, efekt ky që nuk ndryshonte për të 6 muajt e studimit. “Çelësi i të gjithë kësaj, është frymëmarrja”, shpjegon Modesti. “Muzika vetëm nuk mjafton. Edhe në studimin japonez gjithçka duhet shoqëruar me muzikë, pasi kështu mund të sinkronizosh edhe frymëmarrjen”. Kështu, në revistën “Arthritis Care & Research”, shkruhet edhe për rastin kurioz të një pacienti me tension të lartë gjaku tensioni i të cilit, u ngrit shumë përpara një operacioni në gju, u ul me ndihmën e aktivitetit që lidhej me këngën nga vetë pacienti. Por si mund të shpjegohen këto të dhëna? Sipas studimit italian, një ritëm i ngadaltë dhe i kontrolluar frymëmarrjeje do të influenconte në sistemin nervor simpatik përgjegjës për ngritjen e tensionit të gjakut. “Në veçanti ka një rritje të sensibilitetit të sistemeve që mbajnë të monitoruar tensionin që rikthehet të funksionojë në mënyrë efiçente. Ky do të ishte motivi që duke rregulluar frymëmarrjen mund të kemi një efekt pozitiv mbi tensionin.
Ilaçet dhe sjellja
Por gjithsesi, kjo nuk do të thotë se duhet të lëmë pa pirë ilaçet kundër tensionit të lartë të gjakut. Teknikat e frymëmarrjes ndoshta të shoqëruara nga muzika, vetëm mund të japin një ndihmë për të mbajtur nën kontroll tensionin. Për më tepër, ata kontribuojnë në sensibilizimin e pacientit për të vlerësuar faktorët e rrezikut ndaj të cilëve është i ekspozuar dhe për t’i kushtuar më shumë rëndësi stilit të jetesës që është më mirë të adaptohen si dieta dhe ushtrimet fizike. “Me një trajtim që lidhet me sjelljen si kënga dhe frymëmarrja është e mundur të modifikohen reflekset kardiovaskulare dhe të fuqizohet kura farmakologjike për të reduktuar tensionin. E rëndësishme është se këto strategji terapeutike të ndiqen me kujdes dhe rregull nga pacienti. Kështu, muzika dhe aktiviteti në grup mund të ndihmojë”. Kërkuesit italianë kanë vizatuar edhe profilin psikologjik të pacientit që mund të përfitojë më shumë nga këto sjellje: duhet të përqendrohet më shumë te vetja dhe të shfrytëzojë sa më mirë virtytet terapeutike të muzikës dhe frymëmarrjes.