Thellë në zemrën e Andeve të Perusë, mjeshtrit e lashtë të gurit në Cusco realizuan mrekulli inxhinierike që edhe sot, pas shekujsh, sfidojnë çdo shpjegim logjik. Ky gur shumëkëndësh është një shembull mahnitës i muraturës poligonale, një teknikë ku blloqe gjigante guri përpunoheshin me përpikmëri të jashtëzakonshme dhe bashkoheshin pa përdorimin e llaçit, me nyje aq të ngushta sa thuhet se as një fije bari nuk mund të depërtojë ndërmjet tyre.
Mendohet se këto vepra janë krijuar nga civilizimi i inkasve, rreth shekullit XV, por disa teori sugjerojnë se disa prej tyre mund të jenë edhe më të vjetra, të trashëguara nga kulturat parainkase si Wari apo Tiahuanaco.
Çdo gur, disa prej të cilëve peshojnë qindra tonë, ishte modeluar individualisht për t’iu përshtatur fqinjëve të tij, duke krijuar një lloj mozaiku monumental prej guri që veshte rrugët, muret dhe tempujt e vendeve të shenjta si Sacsayhuamán.
Më i famshmi ndër këto mrekulli është Guri me Dymbëdhjetë Kënde (“La Piedra de los Doce Ángulos”),
një pjesë e një muri në rrugën Hatun Rumiyoc në Cusco, që është bërë simbol i identitetit dhe krenarisë peruane. Megjithatë, shumë gurë të tjerë, më pak të njohur, dëshmojnë të njëjtin nivel mbresëlënës mjeshtërie dhe sofistikimi.
Çuditërisht, inkasit nuk njihnin rrotën për transport ose vegla metalike të forta si hekuri, duke i bërë arritjet e tyre edhe më enigmatike. Metodat që përdornin për të shkëputur, transportuar dhe formësuar këta gurë kolosalë mbeten të paqarta: disa sugjerojnë përdorimin e goditjeve të kontrolluara, ujitjes dhe gërryerjes natyrore të gurit, të kombinuara me një njohuri të thellë të strukturës së shkëmbit dhe një intuitë të jashtëzakonshme teknike.
Pa asnjë dokument të shkruar që të shpjegojë këto teknika, mjeshtëria e muraturës poligonale të Cuscos mbetet një mister i gjallë, një dëshmi e gjinisë dhe shpirtit krijues të një kulture që e ndërtoi historinë e saj në gurë që koha nuk mund t’i mposhtë.
Përgatiti: Albert Vataj