Albert Vataj
Në ditët e nxehta, në amfiteatrot romakë, spektatorët shijonin “sparsiones” — një avull freskues me ujë të përzier me aromë si balsam apo shafran. Kjo praktikë, e dokumentuar në burime të ndryshme letrare, konsistonte në spërkatjen e lëngjeve aromatike mbi turmën për t’i freskuar dhe për të zbutur erërat e njerëzve, kafshëve dhe gjakut.
Plini Plaku, në veprën e tij “Historia Natyrore”, përmend se aroma të ngjashme përdoreshin për të parfumuar teatrot. Përmendje të “sparsiones” gjenden gjithashtu në poezinë romake, letra dhe rrëfime historike, kryesisht nga shekulli I p.e.s. deri në fillim të shekullit II e.s. Megjithatë, mënyra e saktë se si përhapeshin këto mjegulla aromatike mbetet e paqartë. Disa studiues sugjerojnë se, përveç lëngjeve të parfumuara, mund të hidheshin edhe sende të tjera mbi publikun, si fruta apo monedha.

Përdorimi i kësaj mjegulle të parfumuar nuk ishte thjesht një zgjidhje praktike për vapën dhe dendësinë e njerëzve, por edhe një shfaqje luksit dhe kënaqësie, që pasqyronte sofistikimin e argëtimit publik romak dhe bujarinë perandorake.
Kjo praktikë romake e “sparsiones” ilustron një nga shembujt më domethënës të mënyrës se si Roma e lashtë kombinonte funksionalen me estetiken, higjienën me artin, dhe nevojën me spektaklin. Mbi të gjitha, ajo tregon një ndjeshmëri të hollë ndaj përvojës së masës, një përpjekje për ta bërë praninë në arenat e mëdha, jo vetëm të përballueshme, por edhe të këndshme e memorabile.
Kjo mjegull aromatike, e përhapur ndoshta me mjete të thjeshta si mjete manuale spërkatëse ose përmes mekanizmave të fshehur në strukturat e amfiteatrit, ishte në vetvete një formë arti, një “parfum performativ” që shoqëronte përjetimin estetik të shfaqjes me një përvojë shqisore të plotë. Ajo mbulonte jo vetëm erërat e padëshiruara, por edhe i jepte turmës ndjesinë e një përkëdheljeje perandorake.
Në kulturën e Romës, ku “panem et circenses” (bukë dhe cirk) përmblidhnin filozofinë e mbajtjes së popullit të kënaqur, “sparsiones” ishin një gjest simbolik, një “shirat i parfumuar” nga dora e pushtetit, një shfaqje e luksoze që vinte mbi turmën si një dëshmi e pasurisë dhe përkujdesjes imperiale.
Në një kuptim më të thellë, “sparsiones” janë një metaforë për mënyrën se si Roma kërkonte të dominojë jo vetëm trupin, por edhe shqisat, të kontrollonte jo vetëm vëmendjen e publikut, por edhe ndjesinë e tij kolektive. Një popull që freskohej me aromat e shafranit në kulmin e vapës, ishte më i butë për ta mbajtur në nënshtrim dhe për ta mbështjellë me iluzionin e një perandorie që kujdesej për të.