Albert Vataj
“Njeriu i Akullnajës”, një thesar arkeologjik, individi që ka jetuar rreth vitit 3.300 para Krishtit, gjendet i mumifikuar, në kufirit midis Austrisë dhe Italisë, në lartësinë 3.210 metra
Në historinë e arkeologjisë moderne, pak ngjarje kanë qenë aq befasuese dhe rrënjësisht ndriçuese sa zbulimi i një trupi të lashtë nën akullin alpin. Në një kohë kur teknologjia kishte filluar të zbulonte thellësitë e Tokës dhe misteret e së shkuarës, natyra vendosi të na dhurojë një dëshmi të gjallë të epokës së Bakrit — një dëshmi që kishte fjetur në heshtjen e akullit për mijëra vjet.
I njohur sot si Ötzi, “Njeriu i Akullnajës” nuk është thjesht një mumie, por një mesazh i ruajtur nga koha, që na flet për jetën, zakonet, vështirësitë dhe ndoshta edhe dhimbjen e një njeriu të zakonshëm të një epoke të harruar.
Ky zbulim, i bërë rastësisht nga disa turistë në Alpet e luginës Ötztal në vitin 1991, ndryshoi mënyrën si ne kuptojmë të kaluarën, dhe hapi një kapitull të ri në studimet ndërdisiplinore mbi njeriun parahistorik.
Në vitin 1991, gjatë një ecjeje në shtigjet mahnitëse të luginës Ötztal në Austri, një grup turistësh bëri një zbulim jashtëzakonisht të rëndësishëm, që do të ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e arkeologjisë.
Teksa eksploronin një zonë të largët, të mbuluar me dëborë dhe akull, ata ndeshën rastësisht në një trup të konservuar në mënyrë të jashtëzakonshme — një mumie që kishte qëndruar e ngrirë për më shumë se 5.300 vjet.
Kjo mumie, e njohur sot me emrin “Ötzi” ose “Njeriu i Akullnajës”, rezultoi të ishte një thesar i vërtetë arkeologjik, që ofron një dritare të rrallë drejt jetës së njerëzve të epokës së Bakrit në Evropë.
Ai u gjet në një lartësi prej rreth 3.210 metrash mbi nivelin e detit, në afërsi të kufirit midis Austrisë dhe Italisë. Fillimisht u mendua se ishte një alpinist i humbur në kohët moderne, por analizat e mëvonshme zbuluan se bëhej fjalë për një individ të lashtë që kishte jetuar rreth vitit 3.300 para Krishtit.
Pranë trupit të tij u gjetën objekte personale, përfshirë vegla prej guri, një sëpatë bakri — që përbën një prej shembujve më të hershëm të përdorimit të këtij metali në Evropë — si dhe një lukuni pajisjesh të tjera si shigjeta, një luk, pajisje për ndezjen e zjarrit dhe një pelerinë e bërë nga bari.
Këto artefakte kanë ngjallur interes të jashtëzakonshëm shkencor dhe publik, duke u bërë objekt i studimeve multidisiplinare në fushat e arkeologjisë, antropologjisë, mjekësisë forenzike dhe klimatologjisë.
Analizat e detajuara të trupit të Ötzit zbuluan shumë aspekte të jetës së tij: nga dieta që përfshinte mish të tharë dhe drithëra të egra, tek sëmundjet që e kishin prekur, përfshirë artritin dhe praninë e një bakterie që shfaqet ende sot tek njerëzit (Helicobacter pylori).
Gjithashtu, tatuazhet e shumta që ai kishte në trup, të realizuara me teknika primitive, mendohet se kishin funksion terapeutik ose ritual.
Vdekja e tij mbetet ende subjekt i debatit dhe teorive të ndryshme. Një analizë me skaner zbuloi një majë shigjete të mbërthyer në shpatullën e tij të majtë, çka sugjeron se mund të jetë vrarë në rrethana të dhunshme. Gjithsesi, kush e vrau dhe pse mbetet ende mister.
Zbulimi i Ötzit jo vetëm që e magjepsi botën, por edhe nxiti një valë kërkimesh të pandërprera që vazhdojnë edhe sot. Ai është një nga trupat e lashtë më të studiuar ndonjëherë dhe ruhet në muzeun arkeologjik të Tirolit Jugor në Bolzano të Italisë, ku vizitorët nga e gjithë bota mund ta shohin nga afër.