Albert Vataj
Në një cep të zhurmshëm të Coney Island-it të fillimshekullit XX, aty ku spektakli dhe absurdi përziheshin në një magji groteske, Martin Couney vendosi të sfidonte fatin, jo të tijin, por atë të mijëra foshnjave të lindura para kohe, shtatanik siç quhen në gjuhën e popullit.
Ai nuk ishte mjek i licencuar, nuk kishte grada apo tituj akademikë, por kishte diçka më të rrallë, besimin se çdo jetë e vogël meritonte një shans për të jetuar, pavarësisht përvojave dhe sfidës për t’u ndeshur në një fushëbetejë të mundurish.
Ndërkohë që komuniteti mjekësor i kohës i konsideronte këto krijesa të brishta si “të pajetueshme”, një humbje e sigurt, Couney ngriti një shfaqje publike ku vizitorët paguanin për të parë bebet në inkubatorë, pajisje që atëherë konsideroheshin më shumë kuriozitet sesa mjet shpëtimi.
Në pamje të parë, gjithçka dukej si spektakël i çuditshëm. Por prapa perdeve të kësaj skene, zhvillohej një mrekulli mjekësore, një magji jete që kërkonte me ngulm se meritonte të kishte një pritje që hapte krahët dhe ofronte kraharorin si prehje dhe mëkim me rrahje zemre.
Inkubatorët qëndronin të ngrohtë, infermieret ishin të trajnuara, dhe për çdo fëmijë që merrte frymë, jeta fitonte mbi paragjykimin, mundësia shfaqej si shans.
Mbi 7,000 foshnja i mbijetuan lindjes së parakohshme falë këtij “cirkut të jetës”.
Në atë epokë kur shumë profesionistë të mjekësisë dhe eugenistë i konsideronin foshnjat e parakohshme si raste të humbura, qasja jo konvencionale e Couney-t ofroi një fije shprese për këto jetë të vogla, të cilat shpesh përjashtoheshin.
I frymëzuar nga një ekspozitë që pa në Panairin Botëror të Çikagos, ku inkubatorët e pulave përdoreshin si “inkubues të fëmijëve”, Couney e kuptoi potencialin shpëtues të kësaj teknologjie. Ai filloi të shfaqte foshnja të lindura para kohe në inkubatorë modernë, duke kërkuar pagesë për të mbuluar shpenzimet e përkujdesjes. Ndërkohë që shfaqja e tij ngjallte kuriozitet dhe kundërshti, ajo shërbente në heshtje si një repart neonatologjie funksional, i drejtuar nga infermiere dhe mjekë të trajnuar.
Çfarë mund të duket sot si absurditet etik, atëherë qe akti më i pastër i rebelimit kundër vdekjes dhe përbuzjes që sistemi mjekësor kishte për të parakohshmit, duke aplikuar ndaj tyre një seleksionim. Në vend që t’i dorëzohej bindjes mizore se këto krijesa ishin “të pajetueshme”, Couney i mbajti në jetë, me kujdes, me teknologji, me përkushtim. Ai bëri atë që mjekët refuzonin, i trajtoi si njerëz, jo si statistikë.
Dhe kur shfaqja u mbyll më 1943, metodat e Couney-t, dikur të përqeshura, ishin bërë praktikë standarde në spitalet amerikane.
Ai nuk shkroi libra, nuk dha leksione. Ai thjesht veproi. Dhe veprimi i tij na mëson se nganjëherë, për të shpëtuar botën, nuk ke nevojë për tituj, por për guxim, përkushtim dhe besim në atë që të tjerët nuk e shohin dhe ti mund t’ia arrish përmes besimit.
Ai ishte “Dora e Zotit”, i ardhur si lajmës për shpëtim!