Albert Vataj
Francesco Goya, mjeshtri i dritëhijeve shpirtërore, na e ofron këtë vepër si një ortek që rrëshqet nga thellësitë e ankthit njerëzor, duke përplasur mbi ne britmat e një kohe, një vetëdijeje, një shpirti të drobitur. Kjo nuk është thjesht një pikturë, është një dëshmi, një testament i klithmës që nuk rresht, që nuk përmbyllet në kornizën e një tabloje.
Figura të shformuara, fytyra të shqyera nga frika, zemërimi dhe ankthi, janë shpirtra të zhveshur, që nuk kanë më ç’të fshehin nga vetvetja e tyre, nga të tjerët, nga Zoti.
Goya i ka rrëmbyer këto zëra nga errësira e shpirtit njerëzor dhe i ka përplasur në një koreografi të shastisur, ku britma bëhet dritë dhe heshtja bëhet mallkim.
Në pikturën e errtë dhe tronditëse që na vjen prej shpirtit të trazuar të Francisco de Goyas, gjithçka klith, gjithçka çirret dhe shformohet në një zhurmë të mbytur, sikur muret e heshtura të botës njerëzore të kenë plasur në brendinë e tyre.
Kjo tablo, pjesë e ciklit famëkeq dhe po aq madhështor “Pinturas Negras” (Pikturat e Zeza), e pikturuar mes viteve 1820-1823, nuk është thjesht një vepër arti, por një shpërthim vetjak i revoltës, dhimbjes dhe zbrazësisë ekzistenciale.

Goya, i plakur, i vetmuar, i shurdhër dhe i sprovuar nga ankthi personal dhe kolapsi moral i kohës së tij, nuk i drejtohet më idealit, harmonisë a bukurisë klasike. Ai pikturon me gjakun e shpirtit, me dritën e mbramë të njeriut që nuk pranon heshtjen si dorëzim. Fytyrat e tablosë nuk janë thjesht karaktere groteske, ato janë pasqyra të frikshme të brendësisë së njeriut kur shoqëria zhytet në terr.
Britmat, zemërata, shpërfytyrimi si seri në tjetërshim, janë potenciale shprehëse të një shpirti, i cili i gjendur nën peshën e të pamundures, rreket të gjejë forma e trajtesa ta ndezë rebelimin e tij…
Kjo vepër e Goyas nuk është thjesht simbolike, por edhe dramatikisht konkrete. Ajo na flet për inkuizicionin, frikëra kolektive, absurditetin e supersticioneve dhe shtypjen shpirtërore në një Spanjë të fundosur në errësirën e pas-napoleonike. Fytyrat ulërijnë jo vetëm nga frika, por nga një mbyllje e brendshme, një burgim i shpirtit.
Me një paletë ngjyrash të errëta, ku kafeja, gri e zezë dominon, Goya krijon jo thjesht imazhe, por ritme emocionale të tërheqjes në humnerë. Ai nuk bën moralizim, nuk jep mesazh, por shpërthen si një shpirt që nuk mund të durojë më.
Britmat, zemërata, shpërfytyrimi si seri në tjetërësim, janë jo vetëm gjurmë emocionale, por janë përmasat vizuale të një shpërthimi të brendshëm që kërkon të shfaqet, të artikulohet, të bërtasë, edhe kur askush nuk dëgjon. Në këtë rebelim shpirti, Goya nuk kërkon që të na shpjegojë tmerrin; ai e ndan me ne, si një ngashërim i pashmangshëm, si një shpërthim i pikturuar me gjak, dritë dhe ngjyrë.
Kjo nuk është një britmë që del nga goja, është një britmë që shpërthen nga qenia. A nuk ju dridhet shpirti kur shihni syrin e hapur gjer në çmenduri? A nuk ju shpon në palcë ai psherëtimë pa frymë që ngrihet nga poshtë kornizës si një mallkim që endet?
Goya e ka parë të pamundshmen dhe e ka pikturuar me guximin e një njeriu që e di se arti nuk është ngushëllim, por ndezje. Ai nuk kërkon të na qetësojë, ai kërkon të na zgjojë, edhe nëse zgjimi është një ankth i pakapërcyeshëm.
Ç’vlerë ka ky shpërthim në estetikën moderne? Një vlerë themelore: na mëson se arti nuk është gjithnjë stoli apo ngushëllim. Ai mund të jetë klithmë, thirrje për ndihmë, ose madje thjesht një dëshmi e të pamundurës. Dhe pikërishët këtu qëndron fuqia e Goyas, në të vërtetën e tij të errët, ai na jep dritë.
Tabloja e tij na pyet, a mund ta durojmë të vërtetën kur ajo nuk është e bukur?
Dhe për ata që zgjedhin të shohin, Goya bëhet jo thjesht piktor, por profet i ankthit dhe njeriu që i dha formë dhimbjes.