Albert Vataj
Humbas në botë prej letre, boje dhe ndjesish, në universin e ideve që lëkunden ndërmjet amshimit dhe prehjes së një çasti. Aty ku takohem me të panjohurit që dikur fshiheshin pas dëshirave të mia për njohje dhe jetë. Hy thellë në ato botë që bota i harron, për të mëkuar kujtesën e kohës dhe për të zgjuar nga harresa zërat e fikur të përjetimit.
U flas me gjuhën e perëndive njerëzore, atyre që u ngjitën në Olimp me plagët e shpresës. U pëshpëris fjalë që s’i dëgjuan kurrë — fjalë që digjnin në zjarrin e dëshirave të pashprehura, fjalë të rrezatuara nga dielli i zemrave që ende trokasin në portat e ndjeshmërisë, ashtu siç i ndjej në prekjen time të ndrojtur në këtë botë prej letre.
Hesht, o tik-taku i kohës që mbete prapa,
se dua t’i ngjitem një qielli të thellë,
me britmën e kyçur që kjo botë e letërsisë, përjetimit dhe zjarrmisë së ndjenjave,
ma ka lënë peng.