Nga Albert Vataj
Ka çaste kur arti nuk është thjesht përjetim estetik, por një përthithje e thellë e shpirtit të një kohe, një ftesë për të hyrë në thelbin e kujtesës kolektive. Në këto çaste, artisti nuk është më vetëm krijues, por dëshmitar dhe shëmbëlltyrë. Një i tillë është Shpëtim Garuci, që vjen jo për të ripërsëritur kujtimet, por për t’i rilindur ato, përmes një palete të shpërthimtë ngjyrash që i japin zë bardhezinës së Marubëve. Kjo ekspozitë nuk ndodh, ajo ngjet, siç ngjet një rit i heshtur, që ringjall përpara syve tanë hijet e fisnikërisë dhe bukurisë që fotografitë dikur i fiksuan në qelq, dhe që tani kërkojnë të marrin frymë me ngjyrat e shpirtit.
Ekspozitë vetjake e piktorit Shpëtim Garuci, “Shëmbëllyesi i dritëshkrueseve bardhezi të Marubëve në pikturë”, është një ngjarje artistike që çel siparin në muzgun e 10 prillit, për ta mbajtur këtë skenë ngjyrash të hapur për një javë, ndoshta jo mjaftueshëm për të ngopur me dritë dhe përjetim koloristik qytetin e korifenjve të aktit sublim të krijimit, Shkodrën, por pajtueshëm për të udhëprirë artin e magjishëm të fotografisë nga albumet dhe kornizat në kavalete e suaza të dekoruara magjishëm.
Mbrëmjen e 10 prillit, në ambientet e Hotel Rozafa, është hapur ekspozita e piktorit Shpëtim Garuci, e cila do t’u mundësojë dashnorëve të pikturës, po aq sa edhe atyre të fotografisë, mundësinë ta përcjellin kapërcimin e këtij ylberi, deri më 16 prill.
Publiku shkodran dhe jo vetëm e përcollën me emocion dhe përjetim këtë ngjarje artistike të qytetit të Shkodrës, e cila vjen si dëshmi e dinamizmit në rritje të eventeve artistike, si një rilindje e qytetit të vlerave përfaqësuese.
Kjo ekspozitë është më shumë se një përpjekje artistike: ajo është një dialog mes kohëve. Përmes penelit të Garucit, fytyrat që dikur u fiksuan në qelqin e Marubit, dalin nga heshtja e bardhezinës dhe marrin frymë me ngjyrat e një kohe tjetër, pa ia humbur krenarinë asaj që përfaqësonin. Secila pikturë është një akt ndërgjegjjeje, një shëmbëlltyrë e vlerave që nuk harrohen, por që mund të rijetohen përmes syve të një artisti që e ndien shpirtin e Shkodrës si pjesë të palcës së vet krijuese.
Për drejtuesin e lëvizjes “EKO Mendje” Mirsad Bashën, kjo ekspozitë vjen “…mbas nji pune dhe studimi të Shpëtimit, duke punu dhe hulumtu mbi fotografitë e Picit, Marubit etj., fotografëve që kanë pasë në fokus etnografinë dhe kulturën tonë të hershme. Ashtu ishte dhe ekspozita e Shpëtimit: kulturë dhe etnografi; me piktura të krijume nga këto foto të vjetra, të stilizume me ornamente dhe ngjyra bashkohore. Sonte Shkodra përsëri tregoi se sa rëndësi ka arti për të, se sa bashkon dhe sa shumë mesazhe jep. Shkodra asht art dhe kulturë.”
Për Kliti Hotin, si shkodran dhe admirues i vlerave përfaqësuese të këtij qyteti, impresioni i kësaj ekspozite përcillet lexueshëm përmes asaj që ai ka shprehur në një post që Shkodra Blog ka shpërndarë:
“Të shohësh fytyrat e fotografive të Marubit të ringjallura me ngjyra, me jetë, me shpirt – është një përjetim që të prek zemrën.
Garuci ka bërë diçka më shumë se art – ka krijuar një urë mes brezave, mes kujtesës dhe së ardhmes. Kjo është Shkodra që dua: e gjallë, krijuese, krenare për rrënjët e saj. Dhe kjo ekspozitë është një kujtesë e bukur se sa shumë kemi për të ruajtur dhe për të ndërtuar.”
Në një përcjellje admirimi të kësaj ekspozite, “Shëmbëllyesi i dritëshkrueseve bardhezi të Marubëve në pikturë”, Shpëtim Garuci shpërfaq krijimin e një marrëdhënie të dinamizmit të ngjyrave shpuese, koloritit të gjallë dhe forcës shprehëse. Jo vetëm fotografia rivjen në një dimension të ri, por edhe koha së cilës i përkasin këto imazhe, këto personazhe, ndalon për të rivendosur lidhje më të tashmen përmes një loje ngjyrash dhe një përafrie përjetimi të fuqisë së përjetimit në një epokë digjitale të dominuar nga konsumimi.
Garuci e ngjit këtë ndërthurje në një nivel ku fotografia klasike bëhet çelës për të hyrë në botën emocionale të një epoke që po i largohemi, por që kërkon të na flasë sërish – me një zë të kthjellët, të ngjyrosur, të përjetuar. Fytyrat e rënda të grave malësore, sytë e prerë të burrave me plis, rrobat e stolisura me qëndisma – marrin jetë nëpërmjet ngjyrës që nuk u mohon hijeshinë, por ua zgjat shpirtin në kohë.
Shpëtim Garuci, përmes këtij ballafaqimi me publikun shkodran, evidenton gamën e punëve të tij të kësaj tematike, të shtjelluar në një llojshmëri më larmishme, si një kulmim i nevojës për ta bërë këtë art një mjet lakmitar interesi të suvenireve. Sepse Shkodra, nëpërmjet fotografisë, është përfaqësuese dhe ka krijuar qasje identitare nga ajo çfarë Marubi ka në galerinë e saj, si shprehje e kontaktit ndërkohësh. Dhe tani është kjo fotografi, është Shpëtim Garuci – “Shëmbëllyesi i dritëshkrueseve bardhezi të Marubëve në pikturë” – ajo që e vendos fotografinë dhe pikturën, bardhezinë dhe paletën e ngjyrave, në një fokus me një diafragmë më të thellë dhe më të gjerë.
Nevoja për t’i parë nën një dritë tjetër këto dëshmime të njëshekullta ka yshtur artistë dhe frymëzuar fuqi krijuese, për të sjellë përmes një frymëmarrjeje më intensive pulsin e një kohe të fiksuar nga xhami në stamp – por që tani frymon sërish, me ngjyra.
Në këtë ekspozitë, nuk është vetëm një penel që flet, është një ndërgjegje që ngrihet dhe një qytet që kujtohet. Piktura e Garucit është një thirrje për të mos e lënë heshtjen të mbulojë madhështinë e rrënjëve tona. Aty ku Marubi dikur ndaloi kohën, Garuci i dha asaj lëvizje. E në këtë lëvizje, Shkodra nuk është më vetëm një kujtim, por një prani – që ndriçon si ylber mbi kujtesën, dhe shpërthen si ngjyrë në ndërgjegjen e çdo shikuesi.